Përse duet të takohen përfaqësuesit e politikës shqiptare në Maqedoni

Opinione

Përse duet të takohen përfaqësuesit e politikës shqiptare në Maqedoni

Nga: Arben Llalla Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 08:49
Arben Llalla

Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos kenë një program koordinimi afat gjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët këtu. Inatet personale të liderëve partiak reflektohen në inate kolektive partiake. Mëritë për UNIN, KRYENEÇSINË INDIVIDUALE kanë çuar në acarimet e thella midis kokave të politikës shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë duke bërë që shpeshherë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha politike që po ndodhin në Europë dhe Ballkan. Ajo çka është shqetësuese sot për mendimin tim, janë marrëdhëniet e acaruara që ekzistojnë midis liderëve dhe që padashur apo me dashje transmetohen tek anëtarësia e thjeshtë e partiake.

U fol e u përfol shumë takimi i disa liderëve të partive shqiptare në Maqedoni si: Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Vejsel Memeti dhe Gëzim Ostrenit, për unifikimin e një programi politik shqiptarë për krijimin e qeverisë në Maqedoni. Nuk ka asgjë të keqe nëse përfaqësuesit shqiptar takohen, diskutojnë me njeri-tjetri, por duhet që në këto takime të gjithë të ndihen të barabartë. Në takimin e fjalës u duk se diçka nuk ishte e barabartë, pasi Ali Ahmeti ishte bashkë me Teuta Arifin e cila prej disa vitesh i qëndron mbi kokë Ahmetit si çekiç. Ndërsa Sela, Vejseli dhe Osteni ishin bashkë.

Do të ishte më e ndershme dhe normale që në takimin e radhës në takimin midis përfaqësuesve të shqiptarëve të jenë edhe përfaqësuesit e BESËS dhe PDSH, duke mos u bërë bisht bisedave për Unifikimin e qëndrimeve kombëtare sepse nuk është fundi i botës nëse pinë një kafe publike për të diskutuar për të mirën e shqiptarëve sepse ata çdo herë pinë kafe kur bëhet fjalë për të mirën e sllavo-maqedonasve, duke i buzëqeshur Brankos dhe Gruevskit, e herë pas herë Sashenkos e Zaevit.

Çështja është që në takim të gjithë të ndihen të barabartë, ku Sela dhe Vejseli duhet të jenë vetë i dytë, ashtu sikurse kishte marrë me vete Aliun çekiçin. Ndërsa prezenca e Gëzim Ostrenit është e tepërt sepse partia e tij nuk ka ndonjë ulëse në Kuvendin e Maqedonisë sepse nëse duhet të jetë ai duhet të jetë edhe përfaqësuesi i PPD si garues gare në zgjedhjet e fundit.

Koha kërkon që liderët e partive politike të zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politik sllavo-maqedonas dhe të të tjerëve. Të shikojnë mundësinë e krijimit të Këshillit për koordinimit e politikës shqiptare midis partive, shoqatave, të iniciativave qytetare etj. Për të realizuar qëllimet e të drejtave të shqiptarëve, të zgjidhjeve përfundimtare të çështjeve të gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001, etj. Liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni duhen të çlirohen nga ndikimet e partive politike në Shqipëri dhe Kosovë, por të funksionojnë në mënyrë Institucionale, pra nëpërmjet funksionimit shtetëror. Sepse injorimi i strukturave shtetërore do të shfrytëzohet nga politika përçarëse.

Ka ndonjë lider partie që çirret se është më “patrioti” se paska luftuar me armë në tre luftëra, qenka patrioti që punon për “Shqipërinë dhe shqiptarët” e natyrisht ëndërron që një ditë emri i tij të shkruhet përkrah burrave të shquar të kombit shqiptar si Skënderbeut, Hasan Prishtinë, Fan Nolit, Faik Konicës, Frashëllinjëve, Ismail Qemalit, Adem Jasharit etj., etj. Kjo është e drejta e çdo kujt të mendojë si të dojë.

Por radhitja në listën e emrave të lartpërmendur nuk bëhet duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Duke dalë shpëtimtar i një qeverie në momentin kur ajo është mospërfillëse ndaj kërkesave themelore të shqiptarëve.

Liderët e sotëm politik duhet të udhëhiqen nga shembulli i burrave të shquar kombëtar, ambicia për të bërë diçka siç bënë edhe ata. Të jemi të bashkuar e jo të përçarë.

Meqenëse disa politikan të këtushëm janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të mia, të jenë të qetë e të mos shqetësohen nëse mizën nuk e kanë nën kësulë.

Prandaj uroj që në takimi e rradhës tavolinës së bisedimeve t’ju shtohen edhe të tjerët sa nuk është vonë dhe mos të luajnë rolin e të zorshmit. Të ulen e të bisedojnë të gjithë bashkë vllazërisht sepse kjo nuk do të thotë se kanë ulur kryet përpara njeri-tjetrit, por të merren vesh njerëzishëm, e të punojnë të lirë të gjithë për një qëllim mbarësie për shqiptarët e Maqedonisë.

I shkruajta këto rreshta dhe mendime për ata që kanë mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat