Dyshja Hoxha-Alia dhe krimet e nëndheshme të Diktaturës komuniste

Opinione

Dyshja Hoxha-Alia dhe krimet e nëndheshme të Diktaturës komuniste

Nga: Sali Leka Më: 14 dhjetor 2016 Në ora: 09:52
Sali Leka

Sot shtypi dhe mediat përcjellin kronika, lajme, ngjarje të ditës e të ndodhura në të kaluarën, flasin për gjithçka dhe jo pa të drejtë, por disa ngjarje, të rënda e tragjike, që prekin palcën e historisë së një epoke, vazhdojnë të mbeten në hije dhe të mos gjejnë vendin e tyre që iu takon në histori.

Çdo komb në botë ka ditë festive historike, por dhe ditë përkujtimore dhe i kujton, i nderon çdo vit. Populli shqiptar ka shumë ditë të shënuara festive, por edhe përkujtimore, se në shekullin XX u sundua nga mizorizmi enverist-ramizist, i ashtuquajtur komunist-markisist-leninist, por asnjë ngjashmëri të përbashkët nuk kishte me komunizmin, as me Marksin e Leninin.

46 vjet, 1944-1990, klika makabre e dirigjuar nga Dyshja Enver-Ramiz shkaktoi masakra të llahtarshme: burgosi, internoi, vrau e groposi pa varr 750 intelektualë humanistë të kulturuar, demokratë modernistë të betuar dhe specialistë të aftësuar, të kualifikuar, me kryespecialistin Koço Theodhosi, internoi dhe pereskutoi egërsisht ministrat e përkushtuar Thoma Deliana, Maqo Çoma, pushkatoi ministrin shembull dhe model Abdyl Këllezin.

Klika mosntruoze e dirigjuar nga dyshja gjakatare Hoxha-Alia, me duart dhe mendjen perverse të Kadri Azbiut dhe xhelatëve të Sigurimit, të Policisë dhe të Drejtësisë së Ferrit, burgosën, internuan dhe masakruan me metoda diabolike 125 shkrimtarë, dramaturgë e regjizorë të talentuar, midis të cilëve dhe të njohurit  dhe shokët e mi Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Sejfulla Maleshova, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Kasem Trebeshina, Kujtim Spahivogli, Ibrahim Uruçi, Pirro Kuqi, Pano Taçi, Frederik Sokoli, Hasan Petrela, Minush Jero, Daut Gumeni, Zyhdi Morava, Hysenil Dume, Eqerem Biba, Fatbardha Spahiu, Dhora Leka, Trifon Xhagjika, i pushkatuar.

Egërsia e Kadri Azbiut me urithkët e tij kundër intelektualëve të kulturuar, mendimtarë të arsimuar dhe kundër shkrimtarëve humanistë të moderuar, ishte makabre vampiriste.

Me 13 dhe 18 Gusht 1983, shkrimtarët Musine Kokalari dhe Kujtim Spahivogli vdiqën në internim, persekutim dhe mjerim të thellë. Edhe Sejfulla Maleshova vdiq në internim. Këta 750 intelektualë dhe 125 shkrimtarë duhet të rehabilitohen. Ditët e vrasjeve dhe vdekjeve të tyre janë ditë përkujtimore të shënuara komëbtare historike dhe duhen kujtuar e nderuar çdo vit.

Masakra unike e klikës gjakatare enveriste-ramiziste, me të pamëshirshmin Kadri Azbiu do të arrinte kulmin me ekzekutimin mafioz të Kryeministrit Mehmet Shehu, natën e 18 Dhjetorit 1981.

Ky akt makabër u përgatit në errësirë dhe hije nga mjeshtërit e manipulimit dhe falsifikimit të së vërtetës, duke tentuar ta paraqesin sikur Mehmet Shehu paskësh vrarë veten. Sajuan dhe një letër diletante, me ngut dhe pa asnjë lloj stilistike që ti përgjigjej nivelit të Mehmet Shehut dhe e servirën si akt vetëvrasjeje.

Mehmet Shehut sot nuk i duhet lavdërimi e as dekorimi, por i duhet rehabilitimi, kujtimi dhe nderimi.

Unë e kam njohur, kam biseduar me shokun Mehmet Shehun dhe më thoshte: “Mos Sali Leka, mos më lavdëro, mos më lajkato! Lavdëro popullin shqiptar, atdheun tonë të dashur, Shqipërinë socialiste”...Mehmet Shehu nuk i donte, nuk i afronte lajkatarët dhe servilët e bezdisur, as hileqarët e tinëzarët e zuzarisur, as intrignatët e spekulantët e pistë, as dredharakët e horrat hipokritë që jargosen pas pantollonave të të mëdhenjve.

Fatkeqësisht, tani në shekullin XXI, këta soj njerëzish janë shtuar shumë, mbas perëndimit mizorist të kohws delirante dhe makabre enveriste-ramiziziste. E theksoj fjalën “Perëndim mizorist”, sepse monstruozët duan ta rilindin përsëri. Kurse unë bashkë me shokët e mi kam kujtuar e nderuar çdo vit 18 Dhjetorin, Ditën e Shënuar Përkujtimore Kombëtare Historike, kur klika pataologjike e ideologjisë së krimit kolektiv ekzekutoi me metoda bolshevike kryeminsitrin Mehmet Shehu, njeriun e Luftës së Spanjës, luftëtarin e lirisë, komandantin kurajoz, strategun e një Shqipërie që, ndonëse po shkonte në rrugë të gabuar jo për faj të tij, ai e mbarti me vete gjer në çastin e fundit, si një amanet që nuk e tret as dheu dhe as koha që kalon…

Ka ardhur koha që historinë, të kaluarën ta shohim në sy, pa u trembur nga mesazhet e saj, duke bërë dallimin midis apogjetëve të krimit monstruoz dhe viktimave, duke i bërë homazh çdo dhimbjeje që vjen nga thellësitë e ferrit dhe apelon për një frymë të re në shkrimin e historisë dhe shpalimin e të vërtetave.

Kontibuti i madh historik për popullin shqiptar i Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Gogo Nushit, Abdyl Këllezit, N. Konomit, A. Xhorxhit, K. Theodhosit, M. Përmetit nuk mund të mbulohet me gjethen e fikut të turli farë shoqatash që krijohen sot në amulli e pa asnjë program, që kanë qëllim vetëm të vjelin fonde e të majmin kryetarët e tyre e jo të bien në gjurmët e të vërtetës, që është mijëra vite dritë larg qëndrimeve dhe analiziave të tyre e të gjithë atyre që e njohin të kaluarën bardhë e zi dhe nuk dinë të ndajnë miellin nga krundet.

Siç e thashë, ka persona të matufepsur, sindromikë e të sëmurë mendërisht e shpirtërisht, por dhe klane e grupe të kompleksit etër-bijë, që ia kanë parë hajrin Diktaturës, që duan të ringjallin enverizmin, duke sajuar shifra sondazhezh fantazmagorikë dhe duke e orientuar brezin e ri që nuk e ka jetuar kohën e skëterrit drejt konkluzioneve gjymsmake e për më të tepër të gabuara e të shtrembëruara, nën një optikë tërësisht të devijuar.

Një nga këto devijimeve është dhe paraqitja mediatiko-politike e gjoja vetëvrasjes së Mehmet Shehut atë natë tragjike të Jagove të Byrosë Politike, në një kohë kur të gjitha provat, faktet dhe dëshmitë e ardhura deri në këto ditët tona, dëshmon se Kryeministrin Shehu e vranë me duart e zgjatura të Hoxhës dhe Alisë, me skenarin e Sigurimit famëkeq të përgatitur në kthinat e errëta Bllokut të Byrosë Politike. 

Pse Enver Hoxha me 17 dhjetor, në mbledhjen e Byrosë Politike nuk i tha Mehmet Shehut: “Jeni armik dhe poliagjent”, por këto fjalë i tha për të vetëm mbasi e vrau me duart e Kadri Azbiut dhe klikës më të besuar të tij?!

Po të ishte e vërtetë se M. Shehu ishte armik i partisë dhe komunizmit, agjent i imperializmit amerikan dhe CIA-s, poliagjent dhe i shitur tek “djalli”, Enver Hoxha do ta demsakonte në mbledhjen e 17 dhjetorit dhe do ta prangoste pa iu dridhur qerpiku, se godina e Byrosë Politike mbrohej nga 350 oficera të Sigurimit, nën komandën e beniaminit të tij, Kadri Azbiu, i cili që nga viti 1951 ishte kobure e mbushur në duart e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

1951-1981 janë tre dekada kobi, dhune e masakrash të llahtarshme të Kadri Azbiut dhe analeve më të errëta të sigurimit, ku u ekzekutuan me prita të sajuara dhe në errësirë të plotë dhjetëra e qindra intelektualë, disidentë, njerëz të paragjykuar si armiq të partisë dhe të revolucionit, vetëm për faktin se Diktatori vuante nga kompleksi i inferioritetit dhe nuk e përballonte fuqinë dhe kreativitetin e personalitetit të tyre, siç ka ndodhur dhe në rastin e Mehmet Shehut.

Ka ardhur koha që historia e të kaluarës sonë të afërt të shkruhet drejt e jo sipas interesave të klaneve që iu interson mbulimi dhe falsifikimi i të vërtetës dhe pa u hetuar nga organet kompetente ngjarja e asaj nate kobzezë, pa u zbardhur vrasja e Mehmet Shehut, kryeminsitrit të Shqipërisë socialiste, nuk mund të ketë një shkrim të drejtë dhe realist të kësaj historie, pasi me këtë akt makabër fshihen shumë fije që e lidhin dyshen Hoxha-Alia me pjesën e nëndheshme të së kaluarës komuniste, e cila vazhdon të mbajë ende peng shoqërinë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat