Vazhdimësia e qeverisjes VMRO-BDI, e rrezikshme për Maqedoninë dhe e dëmshme për shqiptarët

Opinione

Vazhdimësia e qeverisjes VMRO-BDI, e rrezikshme për Maqedoninë dhe e dëmshme për shqiptarët

Aurel Rakipllari Nga Aurel Rakipllari Më 12 dhjetor 2016 Në ora: 13:40
Ilustrim

Në një shtet, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë maqedonasit dhe shqiptarët, siç është Maqedonia, qeveria duhet të formohet nga dy partitë e para për secilën etni. Pra, bazuar në rezultatet e djeshme, VMRO-DPMNE dhe BDI duhet të formojnë qeverinë e re. Por kjo duhet të ndodhte në një shtet normal, jo në Maqedoninë e sotme.
Si VMRO ashtu edhe BDI nuk e kanë kartën morale për të hedhur një hap të tillë. A nuk ishin këto dy parti që e çuan Maqedoninë në një krizë të thellë politike? A nuk ishin këto parti që abuzuan me pushtetin dhe sollën zgjedhjet e parakohshme të 12 Dhjetorit?

Edhe pse të parat në numër mandatesh, VMRO dhe BDI u "grushtuan" keqasi nga maqedonasit dhe shqiptarët. Humbja e shumë mandateve nga partia e Ali Ahmetit, fitorja e LSDM-së në zonat shqiptare dhe suksesi i koalicionit Lëvizje me Besë, janë një sinjal i fortë i nevojës për një ndryshim rrënjësor në politikëbërjen e Shkupit. 
Zhgënjimi i akumuluar prej vitesh, kryesisht te shqiptarët pas vitit 2001, i dha rezultatet ditën e djeshme, edhe pse jo në shifrat e pritura. 

Ndaj, Aleanca për shqiptarët, që siç duket, ka në dorë fatet e koalicionit qeverisës, kurrsesi nuk duhet të pranojë një koalicion me Gruevskin dhe Ahmetin. Një vazhdim i qeverisjes VMRO dhe BDI do të ishte i dëmshëm dhe i rrezikshëm për Maqedoninë, do e thellonte më tepër krizën politike dhe do ta çonte vendin drejt një kaosi politik dhe social.

Më mirë zgjedhje të reja sesa një vazhdimësi e estabilishmentit aktual politik. Maqedonia ka nevojë për një ndryshim rrënjësor politik, larg emrave të vjetër dhe të konsumuar, duhet të shohë drejt Europës dhe jo nga Moska, ka nevojë për shpresë dhe frymë të re, e cila i jep fund një qeverisjeje që interesat vetjake i vendos para atyre kombëtare.
Unë kam besim se partitë shqiptare, përveç BDI-së, do të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe do të hapin një kapitull të ri për shqiptarët, larg politikës që i sheh si të huaj në tokën e tyre, larg gjyqeve të montuara dhe larg "feudalëve" politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat