Shtatë ditë dhe net spanjolle (V)

Opinione

Shtatë ditë dhe net spanjolle (V)

Nga: Dibran Demaku Më: 10 dhjetor 2016 Në ora: 11:27
Foto ilustrim

Për Gjibraltarin apo ndryshe Grykën e Gjibraltarit kisha dëgjuar si nxënës i klasës së shtatë të shollës fillore, atëherë kur në lëndën e Gjeografisë mësonim për shtetet e Europës. Atëherë mësuesi i gjeografisë na kishte thënë se Gryka e Gjibraltarit ishte një pikë gjeografike ku ndaheshin, por edhe takoheshin dy kontinente Evropa dhe Afrika, të cilat i ndanë një vijë e hollë e detit mesdhe. Asnjë fjalë tjetër për Gjibrltarin nuk e kishte thënë mësuesi i gjeografisë...

Sot jemi ngritur siç thotë populli që me natë, që do të thotë para agimit sepse sipas Xhusit kemi rrugë bukur të gjatë deri në Gjibraltar. Përveç rrugës së gjatë me autobus-thotë Xhusi, kemi edhe kufirin përpara i cili mund të na e "hajë" edhe ndonjë orë të ditës, prandaj jemi nisur herët. Xhusi tregon se dikur Gjibraltari apo ndryshe Gryka e Gjibraltarit i ka takuar Spanjës, por se që nga viti i largët 1704 ndodhet nën administrimin e Mbretërisë së bashkuar, që do të thotë Mbretërisë angleze. Dhe anglezët, si anglezët janë të rreptë në gjithçka-thotë Xhusi dhe shton-ata janë mjaftë të rreptë edhe në pikën kufitare që ndanë politikisht Gjibraltarin nga Spanja.

Në kufi duhet të jeni të kujdesshëm-thotë Xhusi, pasi që anglezët për hiq gjë mund të të kthejnë prapa?!...

Dhe vërtetë anglezët u treguan shumë të rreptë në pikën kufitare në mes të Spanjës dhe Gjibraltarit. Gjatë kontrollit njërin nga pjesëtarët e grupit tonë e kthyen prapa, nuk e lanë që të hynte në tokën e Gjibraltarit sepse ai kishte pasaportë meksikane me vizë gjermane, vizë ajo sipas doganierëve anglezë e pavlefshme. Kot ju lut dhe ju përgjërua doganierit e shoqja e meksikanit-gjermane. Meksikani me vizë gjermane( i martuar me grua gjermane) mbeti të priste në pikën kufitare derisa të ktheheshim ne nga vizita disa orëshe në Gjibraltar...

Ne që kishim kaluam pikën kufitare, rrugëtimin e vazhduam me autobus të Gjibraltarit, që do të thotë me autobus angles sepse autobusin e Spanjës me të cilin kishim udhëtuar deri në pikën kufitare nuk e lanë të futej brenda në Gjibraltar. Kemi hipur në autobusin karakteristik dykatësh anglez dhe Xhusi na tregon për Gjibraltarin. Thotë se ka një popullsi prej afro 30.000 banorësh, por që funksionon si të ishte shtet me të gjitha institucionet e një shteti. Infrastruktura e Gjibraltarit ngjanë me gjithçka me atë angleze. Edhe autobusët e veturat i drejtojnë në anën e majtë të rrugës si në Angli. Gjibraltari pra është një shtet anglez në miniaturë. Derisa Xhusi fliste dhe shpjegonte gjithçka që kishte të bënte me Gjibraltarin mua seç mu kujtua ai momenti sportiv i para ca muajve kur Federata europiane e futbollit do të pranonte në radhët e saj Kosovën dhe Gjibraltarin. Në këtë pikë Kosova barazohej me Gjibraltarin...

Ecim nëpër rrugët e Gjibraltarit dhe të krijohet përshtypja sikur ecën nëpër rrugët e Londrës apo të ndonjë qyteti tjetër anglez. Gjithandej shkrime e mbishkrime vetëm në gjuhën angleze...Për orët sa do të qëndronim në Gjibraltar,do të mund të thonim se në ato orë ishim edhe në Mbretërinë e bashkuar...Andaj edhe titullit të udhëpërshkrimit të sotëm do të mund të ia shtonim nëntitullin: shtatë ditë dhe net në Spanjë dhe pesë ore në Gjibraltar...

Me teleferikun e ngritur ku ta dish se kur jemi ngjitur në maje të Gjibraltarit. Nga atje shihet një pamje mahnitëse e Grykës ku uji i ndanë dhe i takon dy kontinente-Evropën dhe Afrikën si dhe i ndanë dhe i takon dy ujëmbledhësit gjigand: Oqeanin Atlantik dhe Detin Mesdhe. Është data 18 nëntor dhe temperatura ka arritur në 25 gradë. Rrezet e diellit bijnë mbi sipërfaqen ujore të Atlantikut dhe Mesdheut dhe nën reflektimin e tyre krijohet një pamje magjepse për syrin. Fryen një erë e lehtë dhe edhe pse ne ndodhemi në një lartësi mbidetare mbi 300-400 metra pothuajse që të gjithë kemi të veshura verore e është gjysma e dytë e nëntorit. Atraksion i vërtetë për turistët që ngjitën në majën shkëmbore të Gjibraltarit janë edhe majmunët e shumtë që lëvizin gjithandej dhe herë pas here i përshëndesin turistët. Xhusi na e ka tërhequr vërejtjen që nëse mbajmë syze dielli, kur të jemi ngjitur në maje ku ndodhen majmunët te kemi kujdes se ata t`i rrëmbejnë syzet. Por duhet të kenë kujdes për çantat e tyre edhe femrat sepse edhe ato mund të t`i rrëmbejnë majmunët e shumtë...

Kemi lënë prapa Mahën shkëmbore dhe kemi zbritur në qytetin-shtet të Gjibraltarit dhe si zakonisht Xhusi na e ka dhënë një orë të lirë që të shohim, shijojmë qytetin, por edhe të bëjmë foto të ndryshme dhe të blejmë ndonjë dhuratë për më të dashurit tonë...

Në orën e caktuar kalojmë kufirin, tash pa ndonjë kontroll të jashtëzakonshme dhe i drejtohemi autobusit që na pret në anën tjetër që do të thotë në tokën spanjolle...

Në kthim e sipër (është pasdite nëntori me plot rreze të ngrohta dielli) ndalemi për disa orë në qytetin bregdetar-Marbella. Me arkitekturën dhe infrastrukturën e qytetit në fjalë do të mbetemi të mahnitur. Si gjithkund në Spanjë edhe në qytetin Marbella shumëkatëshe të panumërta si dhe hotele e restorante të panumërta, pothuajse që të gjitha të suvatuara me ngjyrë të bardhë. Siç e cekëm edhe më lartë është pasdite e gjysmës së dytë të nëntorit dhe në plazhet e Marbellës do të takosh numër të shumtë të turistëve nga e gjithë bota, që shëtisin nëpër rrugët e qytetit bregdetar, ndërkaq ata që i duan rrezet e diellit do t`i takosh duke bërë not apo duke u rrezitur. Duan që t`i konsumojnë edhe rrezet e mbetura të diellit në këtë gjysëm-nëntor. Meqë hoteli ynë nuk ndodhet larg nga Marbella Xhusi na ka dhënë kohë të lirë që të shëtisim dhe të shijojmë bukuritë e këtij qyteti përrallor deri në orën 20. të mbrëmjes...

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat