"Prezenca e Hashim Thaçit më detyron të bojkotoj Samitin e Diasporës"

Opinione

"Prezenca e Hashim Thaçit më detyron të bojkotoj Samitin e Diasporës"

Nga: Gëzim Mekuli Më: 18 nëntor 2016 Në ora: 10:01
Gëzim Mekuli

Në Tiranë me datë 18-20, do të organizohet për herë të parë Samiti i Diasporës shqiptare.

I jam mirënjohës, «Ministrisë së Punëve të Jashtme", "Drejtorisë së Diplomacisë Publike» të Qeverisë shqiptare, për ftesën dhe për dërgimin e rregullt të informacioneve, me qëllim që të më bëhet më i lehtë udhëtimi për pjesëmarrje në Samitin Diasporës në Tiranë. Faleminderoj, poashtu, edhe sekretaren e parë të ambasadës së Shqipërisë në Stokholm, Rozeta Fejzulla, që poashtu, me qellim të lehtësimit të procedurave në kufi nga organizatoret e aktivitetit, më kontaktoj në mënyrën më profesionale e korrekte.

Të nderuar organizatorë të Samitit të Diasporës,

I nderuar kryeministër,

Të ndëruar pjesmarrës,

Arsyeja se përse nuk do të marr pjesë në Samitin e shumëpritur të Diasporës, është sepse samitit do t’i adresohet edhe Kryetari i kontestueshëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi nuk është bartës i vlerave njerëzore. Ai është prodhues e përçues i së keqes, i kiçit, i shundit... Ky njeri, për qytetarët e Kosovës, është sinonim i dhunës: Ai është personi i cili ka varfëruar politikën, ekonominë dhe kulturën e shqiptarëve të Kosovës. Është po ky, z. Thaçi që ka shkatërruar kulturën, gjuhën, historinë dhe kombin shqiptar në Kosovë. "Pyka" thaçiane ka përçarë diasporën e bashkuar shqiptare. Sjellja e tij i ka mbyllur portat e Kosovës për kthimin e mërgimtarëve në Kosovë. Shteti i tij sapo ka vrarë edhe birin e mërgimtarit të kthyer nga Zvicra…. Ai dhe vetëm ai, është shpresëvrasësi e jo shpresëdhënësi i shqiptarëve në diasporë!

Të nderuar, prezenca e tij fizike në këtë samit, vetëm sa do e rëndonte shpirtin e lodhur të diasporës shqiptare. Ai, fjala dhe retorika e tij është përcarëse, e jo permbledhëse për shqiptarët në diasporë: Është, po ky aktor politik, i cili qytetarët e vet i ka shndëruar në refugjatë e të huaj në shtëpi të vet. Është ky njeri, po, është ky njeri që shteti i tij, sot, në shekullin e XXI, ka burgjet me të burgosur politik e zyrat plot me kriminel në politikë…

Ja, kjo është arsyeja e mungesës sime në Samitin e aqpritur të Diasporës.

P.s.

Kërkoj mirëkuptim publik nga zyrtarët e «Ministrisë së Punëve të Jashtme», Drejtorisë së Diplomacisë Publike, për heshtjen revoltuese dhe reagimin tim përjashtues ndaj letrave të dërguara nga ana e tyre.
Sinqerisht,

P.s.s

Faleminderoj poashtu edhe z. Mark Gjonaj për ftesën e sinqertë vëllazërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat