Edi Rama, sanço panço dhe portalet

Opinione

Edi Rama, sanço panço dhe portalet

Nga: Fadil Lepaja Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 15:58
Fadil Lepaja

Ai me gjasë, në rininë e tij, si rebel që ishte, shihte tinëz në televizionet jugosllave! Dëgjonte tinëz muzikën e Goranit, Migjenit, Kusturicës ( këtij më vonë do të i ketë parë edhe filmat), të cilët duket se kanë lanë një mbresë të pashlyeshme te artisti i ri që po formësohej në një regjim ku këto konsideroheshin devijime dhe joshje nga revizionizmi, imperializmi dhe ... kush i mban mend më. Ndërkohë ai u rrit, u bë një djalë i madh, i gjatë gjithsesi, dhe rebel me apo pa arsye. Si duket eksperimentoi gjatë duke e kërkuar veten në profesione dhe angazhime të ndryshme derisa u gjet në politikë. Shpejt e kishte kuptuar se vetëm aty mund të eksperimentohet pafundësisht, me shpenzime të publikut. Vetëm në politikë bëhesh i famshëm pa bërë gjë. Ose duhet të kesh “asetet” e Kallashit.

Tash, të dalim aty ku po na dhemb dhëmbi të gjithëve. Kështu shpëtoj edhe nga rreziku të më ndërhyjë në fjalë. Debati i zhvilluar këto ditë  në Prishtinë, sipas Edit e nxiti kryengritjen digjitale në profilin e tij në facebook. Nga kjo mund të nxjerrim përfundim se në këtë debat ai Ishte fitimtar, apo vetëm na duket kështu, sepse Edi sillet ashtu, por këtë po ua lë të e vlerësoni vet.  

Sido që të jetë, Edi Rama, në Prishtinë e dha kumtin të cilin qytetarët e Kosovës ende nuk e kanë ndier sa duhet, atë se Serbia e paska humbur dhe se shqiptarët e paskan fituar luftën. Ky mesazh ndoshta do të duhej të përcillej nga politikanët lokal, në Prishtinë, por kjo nuk ndodhi ende sepse atyre u mungonte vetëbesimi qoftë edhe i rremë, pastaj ata ishin të zënë me punë të tjera dhe nuk kishin kohë për popullin. Fundja, popullin këtu do e gjenin, ndërkohë që buxheti, donacionet ndërkombëtare edhe privatizimet, mund të u iknin nga duart. Mund të ikin për një dimër 5% apo dhjetë, por jo më shumë. Pastaj e kanë kuptuar tashmë se populli nuk u beson. Prandaj bëjnë aq anketime me porosi, për të dërguar sugjestione te populli se çka dhe kë duhet të besojë.

Kështu, edhe pse pretendon se përcjell mesazhe evropiane, në fakt, Edi Rama, në debatin me analistët bëri vetëm nacionalistin dhe patriotin modern, sepse retorika e një euro- integristi do të tingëllonte krejt ndryshe, së paku do të pohonte se në këtë proces po fitojnë të gjithë, edhe serbët edhe shqiptarët, dhe se po humbiste vetëm ekstremi mesjetarë nacionalist andej dhe këndej llogoreve të luftës, ende të hapura në kokat tona.

Por, jo, Edi e do triumfin, dhe poshtërimin, sidomos ndaj analistëve kosovarë. Ana e mirë e këtij debati doli  mësimi se të fituarit  nga lufta doli të ishim ne, dhe kjo na gëzoi pa masë, le që na ra edhe befasisht. Sa për vet debatin, vështirë se ndonjë analizë sado serioze do e nxjerr fitimtarë “më të madhin e shqiptarëve” si e quajti moderatoja e “Prive”. Por Edi Ramës nuk i duhet të e shpallin fitues , ai vet po sillej ashtu. Fitimtarët nuk sillen si humbës, i qortonte ai bashkëbiseduesit e tij skeptik.

Por, mos u ngatërroni, ju lutem, me dy paraqitje krejt ndryshe të tij. Ky shkrim vë përballë Edit nga debati, ku u dallua për arrogancë, Edin tjetër në një intervistë të shkurtër e cila duhet të jetë bërë përpara apo menjëherë pas debatit, ku ai lë shumë dyshime serioze nëse ishte vetvetja. Aty dukej i brishtë, i lëndueshëm, çapkën madje...Edhe rrebel edhe çapkën! Në fakt, në debat Edi i lavdëroi dhe falënderoi analistët që ishin vetvetja, por sa ishte ai vet, vetvetja?

I pyetur në këtë intervistën 60 sekondshe, se ku do të shkojë pas kësaj (interviste), ai i (vet)mbështetur për muri në stilin e James Dean, nga “Rrebel pa shkak”, e mbase edhe pa e menduar mirë,  u përgjigj: ”ku të më qojë Baton Haxhiu”! Kah po e qon, o Baton?

Nuk ka asgjë të keqe që heroi, apo tradhtari i rrëfimit tonë, politikani shqiptar dikur e adhuronte fshehtas  Goran Bregoviçin, Emir Kosturicën, dhe Ivo Andriqin, artin e tyre, por mund të i bëhet vërejtje mbase se së voni këtë e tha pa kurrfarë kompleksi edhe publikisht, në Beograd, ku ishte si njeriu i parë i qeverisë shqiptare. Edhe pse kjo nuk e bënë vetvetiu as hero e as tradhtar, ai me deklaratat e tij i lëndoi kosovarët, e mbase do të duhej edhe votuesit e tij, sepse këta artist serb, të famshëm gjithsesi,  njihen për anti - shqiptarizmën e tyre.

Ajo që nuk dëgjuam nga Edi, ishte se cili në fakt ishte karakteri i vizitës së tij në Beograd: ishte atje si artist apo si politikan. Ishte vizitë private apo publike? Apo ishte publiko-private?

Pyetje po aq me rëndësi për një lexues  nga Kosova është se si arriti që në fjalën e tij publike, të  formojë pa gabime këtë listë të personaliteteve që ai i adhuron, ku  të gjithë njihen si antishqiptarë, me bindje dhe angazhime. A kishte menduar Rama politikan se cili ishte mesazhi që po dërgonte te publiku serb duke shprehur adhurim për këto personalitete? Po bënte politikanin evropian, apo...? Po bënte pajtuesin apo mazohistin?  Është me rëndësi të kuptohet, për të kuptuar edhe profilin e tij prej politikani: e  bëri fjalimin vet apo e mori të gatshëm nga stafi?

Lëre, o portal, do të thoshte Edi. Duket ngushëlluese sidoqoftë, sepse ai e ka gjetur sharjen e tij politike. Ai i ka gjetur mullinjtë e tij të erës. Në intervistën 60 sekondëshe  e pyetën se cila është fjala më e ndytë të cilën e përdorë jo publikisht, dhe ai përgjigjet se nuk e thotë dot. Por e tha, publikisht: “o portal”.

E në pyetjen se “Ku ke me shku mas këtuhit”,  “më i madhi”,  kryeministri virtual i Republikës së Shqipërisë, u përgjigj: “Ku të më qoj Baton Haxhiu”.

Sancho Pancho, ia shërbeu analistët, nën një pllakë gramafoni apo nën një rrotë mulliri me erë, sido që të e ketë menduar  skenografi. “Më i madhi”, i shihte nga lartë, jo veq në kuptimin fizik të fjalës. Sancho, si dihet u bënë  favore politikanëve, e këtë e pranon edhe vet me raste. Madje në një intervistë tjetër këto ditë pretendon se edhe UÇK –ja në njëfarë forme ishte virtuale dhe produkt i “Kohës Ditore” të asaj kohe kur ai ishte “Shefi” i gazetës. Kur e prodhoi një UÇK, përse të mos e prodhojë edhe një kryeministër digjital, apo virtual, gjithsesi gjithë shqiptar?

“O nuk thash asgjë, o ju nuk kuptoni asgjë” po i thoshte kryeministri virtual, gjithë shqiptar, njërit nga debutuesit i cili së paku provoi të refuzonte pozën fodulle të gjithëdijshmit që e kishte marrë ai. Hidhërohej Sancho, më shumë se “i madhi”.

Mos u hidhëroni aman, po ku di ai gjë, o Edi? Ku ai, ku ti? Mbaje pozën ti! Nuk ka parë botën, ky i shkreti. Nuk ka vizë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat