Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta (IV)

Opinione

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta (IV)

Nga: Reis Mirdita Më: 28 tetor 2016 Në ora: 17:57
Reis Mirdita

Digresion

-IV-

Kjo kaptinë nuk ishte e paraparë që të ketë përmbajtjen e mëposhtme. Disa ndryshime rrënjësore i bëra pas publikimit të tri vazhdimeve të para. Bëhet fjalë për disa sqarime miqve dhe ndjekësve të këtij studimi nga lëmia e mitologjisë. Në fakt, unë i kam ndërlidhur vëzhgimet e mia me jetën e vërtetë dhe profilet e njerëzve të të gjitha shtresave por me një qasje më të përforcuar mbi fytyrat publike: politikë, art, shkencë...

Qëllimi i kësaj kaptine është qartësimi se unë nuk do të merrem (përveç me disa përjashtime) me çështjen e dekriptimit fetar të qenieve mbi të cilat flas në tërë veprën. Lexuesit e mi nuk duhet t’i përziejnë xhindet me xhinnët që përmenden në Kur’an dhe që janë sikur edhe njeriu besimtarë e jobesimtarë. Ata janë të krijuar nga zjarri pa tym si edhe shejtanët por edhe i pari i tyre Iblisi, të padukshëm, kjo nuk do të thotë se janë qenie jolëndore (jo materiale) dhe aq më pak janë metafizike, si që pretendojnë disa vet të quajtur studiues ¨fetar por të cilët janë ndikuar nga Marx-i e nga të tjera mushrik-ideologji e ateizma të absorbuara nga xhindet që unë flas në veprën time. Andaj, që njeriu nuk ka aftësi t’i sheh këto qenie, nuk do të thotë se janë jolëndore, për më tepër, kur në Kur’anin famëlartë thuhet qartë se janë të krijuara nga zjarri i pa tym (Er-Rahman, 15) e zjarri a nuk është lëndë (materje)?! Njeriu primitiv  nuk e shihte as ajrin (i cili ekzistonte) me tërë komponentët e vet, nga ku edhe krijoi Zotin e Erës si dhe zotë të tjerë për të cilët nuk gjente shpjegime të duhura.

Xhindet që flas unë dhe që kam tubuar të dhëna nga njerëz të cilët kanë pasur të bëjnë në një mënyrë a tjetër me ta, janë fytyra mitologjike sikur zanat, shtojzovallet, perijat, shtrigat, njerëzit e egër me një sy në ballë, drangoj, këlshedra e gjarpinj të tjerë fluturues si dhe kafshë të tjera me dhunti metamorfoze sipas dëshirës dhe nevojës së tyre.

Në tërë veprën ku përmenden xhindet, nuk bëhet fjalë për qeniet që përmenden në librat fetarë të dërguar profetëve të caktuar. Vetëm kur do të hasni në rraste të pakta në fjalët exhine, xhinn, Iblis dhe shejtan, do të dini se këto janë qeniet që përmenden në fe dhe se nuk janë mitologji por fytyra reale me ekzistencë të vërtetë dhe të pa dyshimtë por të padukshme për syrin tonë.

Sa i përket xhindeve, ata vdesin vetëm kur njeriu i mposhtë ndryshe jo, kurse xhinnët vdesin edhepse nuk dimë se sa është jetëgjatësia e tyre për veç të parit të tyre Iblisit që do të mbërrij  (i dënuar nga Zoti) t’a sheh Ditën e Kijametit. Për xhinët, bazuar në fjalët e Muhammdit A.S. (Buhariu dhe Muslimi: “ Xhinnët dhe njerëzit vdesin.”

Për të përfunduar me këtë kaptinë, të them akoma preras se unë nuk do të zgjatem më në asnjë moment në teologji edhe pse në raste të rralla, detyrimisht do të ketë ndërthurje të fesë si mjet i ndihmës evidente për t’iu shpëtuar kthetrave të qenieve të errëta. Ndërhyrjet fetare janë prezente aq sa dëshmitarët që kam konsultuar (me nismën time apo të tyren) mbi dukuritë e fshehta që trajtoj. Shpjegimet e tyre janë element kyq i shkrimit tim që përfshinë opinionet e mia rreth çështjes e sidomos rreth fenomenit të shoqërisë së kohës në të gjitha poret e strukturave, profesioneve dhe niveleve sociale.

Sihiri (magjia) dhe sihirbësit janë po ashtu pjesë e pandarë dhe shumë e cekur nga bashkëbiseduesit e mi, andaj natyrisht se unë do të bëjë fjalë për këta njerëz dhe do t’i shtjelloj gjërat me interes të veçantë e në shumë raste, do të jap emrat e sihirbësëve (me pajtim paraprak) dhe të atyre që kanë pësuar ose mendojnë të kenë pësuar nga praktikuesit.

(Vazhdon)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat