Qeveria Rama në mbështetje të projektit të vjetër serbo-rus

Opinione

Qeveria Rama në mbështetje të projektit të vjetër serbo-rus

Nga: Nga Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 26 tetor 2016 Në ora: 21:23
Eshref Ymeri

Në internet, lexova analizën e zotërisë Lumir Abdixhiku, me temë “Projekti ynë”. Më bënë shumë përshtypje dy paragrafet e para të kësaj analize:

“Skandaloze, në secilin vlerësim të mundshëm, nga secili këndvështrim i mundshëm, mbetet nënshkrimi i marrëveshjes në mes të ministres për Zhvillim Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretarit të shtetit në Ministrinë e Tregtisë të Serbisë, Stevan Nikçeviç, mbi ndërtimin e linjës hekurudhore Beograd - Rudnicë - Prishtinë - Prizren - Morinë - Milot.

Për secilin që merr pak erë në zhvillimet politike rajonale ku ka Serbi, erë që, duket qartë, politika e Shqipërisë zyrtare s’e merr hiç, anashkalimi i Republikës së Kosovës, në një projekt që përfshin, në masën më të madhe, vetë Republikën e Kosovës, është pranim i mosekzistencës së saj: qëllimi përfundimtar i Serbisë. Në të vërtetë, nënshkrimi në fjalë pranon se sovraniteti i Serbisë mbi territorin e Kosovës është faktik; se për pjesën Prishtinë - Prizren të hekurudhës, vendos shteti serb”.

Kur e mbarova leximin e krejt analizës, menjëherë më shkoi mendja më shumë se një shekull prapa dhe aty për aty m’u kujtua ministri i punëve të jashtme të Rusisë cariste, Sergej Sazonov (1860-1927). Gjatë kohës që drejtoi ministrinë e jashme cariste në periudhën mes viteve 1910-1916, Sazonovi është njohur si një armik i betuar i kombit shqiptar dhe si një mbrojtës i flaktë i shovinizmit serbomadh. Gjatë zhvillimit të luftërave ballkanike, Sazonovi ka kërkuar me ngulm që të vihet në jetë projekti për daljen e Serbisë në bregdetin adriatik, nëpërmjet një linje hekurudhore, përmes territoreve shqiptare. Ai ka shkruar:

“Kuptohet vetvetiu se nga ana e Rusisë copëtimi i Shqipërisë mes ballkanasve, në thelb, nuk mund të haste në kurrfarë kundërshtimesh… Lejimi i Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik, gjatë një periudhe të gjatë kohe, u shndërrua në një problem qendror të politikës evropiane, megjithëse në vetvete ai kishte një rëndësi thjesht të karakterit lokal. Qëndrimi i zjarrtë ndaj këtij problemi i opinionit mbarëshoqëror serb, nuk vonoi të gjente jehonë edhe në Rusi. Disa qarqe të Petrogradit, shumë të afërta me oborrin e carit, dhe mbarë shtypi i kryeqytetit me kahje nacionaliste…nisën…një fushatë të bujshme, të shoqëruar me demonstrata nëpër rrugë dhe me mitingje, ku mbaheshin fjalime patriotike, në të cilat kërkohej fillimi i luftës në mbrojtje të interesave sllave…” (Citohet sipas: Sergej Dmitrijeviç Sazonov. “Kujtime”. Shtëpia Botuese “Harvest”. Minsk 2002, f.77-79).

Këtu dua të hap një parantezë: ndërtimi i sa më shumë linjave të komunikimit mes vendeve ndryshme fqinje, është një gjë shumë e mirëpritur nga popujt e tyre. Kjo për arsye se sa më shumë të shkurtohen rrugët e komunikimit të tyre, aq më shumë përfitojnë njerëzit në kursimin e kohës, aq më tepër nxitet zhvillimi i tregtisë me interesa të ndërsjella.

Por, të nënshkruash një marrëveshje me Serbinë për ndërtimin e një linje hekurudhore nga Beogradi deri në Milot, duke injoruar tërësisht Kosovën, e cila duhej të kishte përfaqësuesin e vet për të nënshkruar atë marrëveshje, do të thotë të pranosh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Kjo është një marrëzi e qeverisë Rama që të bën të vësh duart në kokë. Si ka mundësi që Shqipëria, në marrëveshje me Serbinë, të ndërtojnë një të tillë linjë hekurudhore, e cila, për të arritur deri në Milot, duhet të kalojë nëpër krejt territorin e Kosovës? Madje një marrëveshje e tillë nënshkruhet në një kohë kur Serbia nuk ka kërkuar ndjesë para opinionit publik ndërkombëtar për masakrat e rënda që kreu në Kosovë, kur Serbia nuk ka kompensuar të gjitha shkatërimet e rënda që bëri gjatë viteve të luftës, kur Serbia, në bashkëpunim të ngushtë me neocarizmin putinian, armikun e egër të kombit shqiptar, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kur Serbia t’i përmbush këto tri kushte, vetëm atëherë mund të nënshkruhet një marrëveshje për ndërtimin e linjës së lartpërmendur hekurudhore, të firmosur nga Tirana, Prishtina dhe Beogradi.

Por zbatimin e këtyre tri kushteve nuk e kërkon as Tirana zyrtare, as Prishtina zyrtare. Sepse që të dyja notojnë në batakun e tradhtisë kombëtare dhe të nënshtrimit të neveritshëm para serbosllavizmit, në përputhje me strategjinë enveriste që zuri fill më 08 nëntor 1941, nën dirigjimin e emisarëve jugosllavë Dusham Mugosha dhe Miladin Popoviç. Kryeministri Rama ka shkuar disa herë në Beograd, pa kërkuar asnjëherë me këmbëngulje që nëse Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, nuk duhet të ketë asnjë komunikim me Beogradin. Thaçi dhe Musrafa, me siguri që, në heshtje, e kanë pranuar nënshkrimin e marrëveshjes së Beogradit me Tiranën për ndërtimin e linjës hekurudhore, sepse ata kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten argatë të regjur të Beogradit.

Indianapolis, Indiana

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat