A mund të flasim për demokratizim e mirëfilltë të vendit tonë?

Opinione

A mund të flasim për demokratizim e mirëfilltë të vendit tonë?

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 24 tetor 2016 Në ora: 21:52
Nijazi Halili

Sot në Kosovë ndër çështjet më të diskutuara është dhe ai i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, instrumentat e nevojshëm për të përshpejtuar këtë proces dhe procesin e demokratizimit. Kur dëgjon të flitet për njërin, domosdoshmërisht  në Kosovë do flitet dhe për tjetrin, madje edhe pa e studiuar mirë se çdo të thonë në vetevete këto dy procese; nëse ecin paralelisht, njëra sjell tjetrën dhe tjetra njërën, apo edhe nëse janë kontradiktore.

Për të shkruar rreth çështjes nëse integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian  e ndihmon apo e pengon procesin e demokratizimit, në radhë të  parë ne duhet të dimë se në çfarë konsiston procesi i demokratizimit dhe me konkretisht si realizohet ai në Kosovë. A mund të flitet për demokratizim të mirëfilltë në vendin tonë dhe si po ecën ai? Po integrimi? Cila është në funksion të kujt? Procesi i integrimit në funksion të demokratizimit apo procesi i demokratizimit në funksion të integrimit?

Ekzistojnë shumë qasje rreth procesit të demokratizimit, por ajo që mund të them më me siguri është se demokratizimi në Kosovë është një proces ndreqjeje dhe përmirësimi i asaj që është gabim, që nuk shkon apo që nuk ekziston dhe konsiston në disa objektiva të ndryshme sipas faktorit të brendshëm apo atij të jashtëm. Kështu, më konkretisht, në Kosovë thuhet se procesi i demokratizimit është zgjidhje e problemeve që do të çojnë në përmbushjen e objektivave të tilla si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo reforma në drejtësi, objektiva këto që reflektojnë forcimin e institucioneve demokratike, shoqërisë civile aktive, mirëqeverisjen, dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, domethënë në elementët më të rëndësishëm të shtetit të së drejtës.

Disa nga kushtet bazë që janë vendosur nga Bashkimi Evropian dhe që kanë të bëjnë me demokratizimin e Kosovës janë “parandalimi i krimit të organizuar, forcimi i institucioneve demokratike, zbatimi i shtetit të së drejtës (rule of law), përpjekje më të mëdha për të luftuar korrupsionin, dialog mes forcave politike, zbatimi i rekomandimeve të OSBE-së në lidhje me procesin elektoral, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme shihen si testi i demokracisë së vërtetë, zbatim i ligjit të Shërbimit Civil, zhvillimi i shoqërisë civile”.

Ndërsa për sa i përket Integrimit mund të themi se Integrimi shqiptar në Europë është para së gjithash një përafrim i realiteteve ekonomike, arsimore, kulturore dhe shoqërore. Nëse ky aspekt i fundit lihet pas dore, atëherë edhe ana juridike mbetet e boshatisur, një letër pa shumë ndikime pozitive. Aq më shumë që progresi në aspektin juridik, i pashoqëruar nga arritjet dhe mundësitë reale mund të sjellë dhe pasoja të kundërta me qëllimet e tyre.

Që demokratizimi nuk është një proces i lehtë dhe që për të është i nevojshëm kontributi i të gjithëve, këtë e kanë deklaruar edhe aktorët ndërkombëtar në Kosovë. Dhe, për këtë në fakt, mendoj se nuk ka shumë komente sepse është shumë e qartë se gjëja që mungon më shumë në realitetin shqiptar, sidomos në realitetin politik është mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit. Sipas ndërkombëtarëve, bashkëpunimi dhe dialogu që do të na çojnë ne në një demokratizim më të shpejtë të vendit janë në funksion të integrimit tonë evropian.

Gjithsesi, ne duhet të kemi parasysh qe vet procesi i demokratizimit nuk është një proces i lehtë, aq më tepër për një vend si Kosova, që ka pas qenë nën realitetin e hidhur të një diktature të vështirë për shumë vite.

Por këtu ka disa ngërçe në fakt. Ngërçet që lindin kanë të bëjnë me faktin se kush e luan rolin kryesor në këtë proces.

Pikë së pari, ne mendojmë se ky proces duhet të vijë nga jashtë, duhet të vijë duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht prej tij. Kjo mënyrë të menduari nuk na ndihmon aspak e për këtë arsye duhet të ndryshojë. Ne duhet ta ndihmojmë veten te bëhemi pjesë e procesit të demokratizimit, faktori ndërkombëtar mund të shihet si një faktor lehtësues, por jo faktori që na ndryshon.

Së dyti, mjetet me te cilat duhet të forcohet demokracia në vend ne mendojmë se janë sërish institucionet e jashtme, institucionet e Bashkimit Evropian. Por jo, duhet qe kjo gjë të ndodh prej institucioneve tona dhe prej faktorit Politikë në vend, gjë që Bashkimi Evropian e nxjerr jashtë loje dhe rrjedhimisht integrimi jonë në të na bën që të neglizhojmë politikën, faktorin kyç në këtë proces.

Së treti, vetë politika nga ana tjetër ia atribuon problemet e veta së jashtmes. Sipas politikanëve tanë gabimet, problemet, nëse ekzistojnë, është e sigurt që vijnë nga të tjerët sepse ne vet nuk i duam ato. Por në fakt, jemi ne ata që i detyrojmë të tjerët të na thonë JO. Pra siç duket ne e kemi të rrënjosur mirë idenë se nëse duhet të ndryshojmë procesi i këtij ndryshimi duhet te vijë nga jashtë, përmes institucioneve të jashtme, për të rregulluar “problemet” që ata vetë na i krijuan (sipas këndvështrimit tonë) .

I vetmi problem që ata na krijuan është se na e theksuan se çfarë është rregulli dhe e drejta. Nëse të gjitha problemet do jenë të këtij lloji, që të nxitin si të jesh më mirë atëherë unë i mirëpres me falënderim.

Si konkluzion, ajo që mund të thuhet është se duket sikur integrimi në Bashkimin Evropian do të sjellë dhe ndihmon procesin e demokratizimit. Në fakt kjo marrëdhënie komplekse nuk duhet të jetë kështu, është demokratizimi i brendshëm ai që duhet të ndodh dhe pastaj vetvetiu, edhe ne “bëhemi  si gjithë Europa”. Vetëm në këtë mënyrë ne pa e kuptuar fare do ta ndjejmë veten Europë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat