Vrasjet në Kosovë dhe roli i organeve shtetërore në parandalimin e vrasjeve

Opinione

Vrasjet në Kosovë dhe roli i organeve shtetërore në parandalimin e vrasjeve

Nga: PhD (C.) Hazir Lushaj Më: 24 tetor 2016 Në ora: 19:25
Hazir Lushaj

Vrasjet si vepra penale të orientuara kundër jetës dhe trupit, paraqesin pengesë kryesore për lirinë e lëvizjes dhe sigurinë brenda një territori te caktuar, vendi, shteti etj. Kohëve të fundit është thënë dhe është shkruar për vrasjet në Kosovë që shumica prej tyre janë kryer për “arsye” të shumta, prandaj shihet si nevojë urgjente parandalimi i kësaj dukurie e cila çdo ditë e më shumë ka progres në kuptim të rritjes së numrit të vrasjeve. Kriminaliteti është një dukuri mjaft e ndërlikuar, prandaj është edhe kategori teorike, sepse në vete integron një numër të madh komponentësh të ndryshme. Të gjitha ato dimensione mund të pasqyrohen me anë të qasjes analitike. Ato janë mjaft të rëndësishme për të kuptuarit e vetë kriminalitetit, por edhe për shkak të vrasjeve dhe vrasësve të cilët i shkaktojnë aktet e tilla. Termi prevencion është huazuar në mënyrë pragmatike nga vokabulari dhe praktika mjekësore. Në kuptimin e vetë të gjerë janë profiluar dy përmbajtje themelore të këtij nocioni. I pari prej tyre ka të bëjë me intervenimin si formë primare e prevencionit. Kjo qasje në esencë ka shënuar intervenimin ndaj dukurive të caktuara me mjete të përcaktuara që më parë. Përmbajtja e dytë lidhet me prefiksin pre që shënon reaksionin e parakohshëm, më saktësisht reaksionin para se të jetë manifestuar dukuria e padëshiruar.

Në gjuhën latine, praeventio (prae-venio veni, ventum, praeventus, praevenire) shënon përcaktimin dhe termin e kaloj, arrijë përpara, e kapërcej një dukuri të caktuar, ose si siç do të mund të thuhej në bazë të mendjes së shëndoshë parandalim, mbrojtje paraprake, pengim, shmangie që më parë. Që nga shekulli XV në praktikën angleze socio–politike dhe kriminale– politike përdoret shprehja prevent me të cilën dëshirohet të theksohet çdo përmbajtje me të cilën në periudhën e ardhshme do të pengohen sjelljet e dënueshme në kuptim të ngushtë të përcaktimit të tyre. Sipas kodit penal vrasja bënë pjesë në grupin e veprave të rënda penale, për të cilat veprime parashihen dënime të mëdha (afatgjatë). Shumë vrasje në Kosovë janë kryer në atë mënyrë që askush nuk i ka parë delikuentet. Në këso rastesh është dërguar operativisti që të mbledh indicet dhe ti shfrytëzojë këto me qëllim përcaktimi dhe zbulimi të vrasësit. Ky veprim për nga kuptimi i tij i ngjason atij kur dëshirohet të gjendet në masën e njerëzve personi për ne i njohur. Vrasja, në kuptimin e gjerë të fjalës, nënkupton shuarjen e jetës së njeriut, ndërsa nga këndvështrimi i të drejtës penale nënkupton shuarjen e kundërligjshme të jetës së secilit njeri nëpërmjet veprimit. Sipas Kodit Penal të Kosovës ekzistojnë shumë lloje të vrasjeve. Kështu, përveç vrasjes së zakonshme, ekzistojnë edhe vrasjet e rënda, vrasjet e privilegjuara (më të lehta), siç janë: vrasjet në gjendje jonormale psikike (neni 180), vrasjet nga pakujdesia (neni 181) dhe vrasja e foshnjës gjatë lindjes (neni 182). Puna në ndriçimin e vrasjeve, sipas rregullit, fillon me zbulimin e kufomës ose të pjesëve të kufomës, ndërsa në disa raste edhe me të marrë njoftimin për zhdukjen e dikujt në kushte dhe rrethana që mund të dyshohet se është vrarë. Preventiva e kriminalitetit i përfshinë aktivitetet e subjekteve të ndryshme që ndërmarrin masa preventive-parandaluese. Ato masa preventive ndaj kriminalitetit mund të ndërmerren nga: organet shtetërore, dhe organet me autorizime publike, por mund të ndërmerren nga organizatat joqeveritare, nga shoqatat, nga fondacionet private, nga institucionet e informimit publik: shtypi, mediat elektronike etj., mund të ndërmerren nga institucionet arsimore, nga rrethi profesional në kuptimin e gjerë të fjalës, nga institucionet fetare dhe nga familja si grupi themelor shoqëror i secilës shoqëri.

Preventiva dhe zbulimi i vrasësit-vrasësve

Nocioni i preventivës në aspektin pragmatik është huazuar nga vokabulari dhe praktikat mjekësore. Në kuptimin e gjerë janë profilizuar dy përmbajtje themelore të këtij nocioni. profilimi i parë ka të bëjë me intervenimin si formë parësore të preventivës. Kjo qasje, në bazë të vet e thekson intervenimin ndaj dukurive të caktuara, që bëhet me mjetet e definuara paraprakisht. Përmbajtja e dytë e profilimit lidhet me prefiksin por që do të thotë reagim të parakohshëm, ose më saktësisht reagim para se të ndodhë apo të manifestohet dukuria e padëshiruar. Aktiviteti i vet shtetit në këtë plan është i fokusuar në nxjerrjen dhe sendërtimin e projekteve ligjore, që do të thotë dizajnimin e legjislacionit penal, pastaj operacionalizimin e tij përmes masave preventive policore dhe shërbimeve të tjera të specializuara shtetërore, që merren me luftën kundër kriminalitetit në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të domethënies së tij. Megjithatë, siç u theksua, preventiva ndaj kriminalitetit shpeshherë ka të bëjë me zbatimin e masave të caktuara nga vet qytetarët, në mënyrë të pavarur apo përmes organeve dhe shërbimeve të specializuara, përmes shoqatave të krijuara në mënyrë spontane apo të planifikuara, si dhe përmes disa sektorëve të jetës shoqërore, siç është sektori i informimit etj. Me masat e preventivës ndaj kriminalitetit nënkuptohen aktivitetet e organeve shtetërore dhe të tjerëve të orientuara për pengimin e dukurive negative shoqërore, të cilat shkaktojnë pasoja të dëmshme dhe të ndaluara, si dhe krijimin kushteve për çrrënjosjen e tyre. Diferencimi i masave të preventives ndaj kriminalitetit zbatohen duke marrë parasysh aspektin e qëllimshëm të orientimit të politikës kundër kriminalitetit në vendet e caktuara.Nuk ka dyshim që për çrrënjosjen e kriminalitetit është jashtëzakonisht e rëndësishme që vepra penale të zbulohet në tërësi dhe në tërësi të shpjegohet, për këtë shkak është e nevojshme që të krijohet kushte të atilla që praktikën t’ia ofrojë ideales që asnjë vepër penale të mos mbetet e pazbuluar dhe e pa zbardhur, që asnjë fajtor të mos mund t’i ik përgjegjësisë penale si dhe asnjë person i pafajshëm mos të thirret për përgjegjësi penale dhe të mos dënohet. Nuk është vështirë që të kuptohet që aq më shumë që zhvillohet dhe aplikohet kriminalistika, aq më tepër i ofrohet realizimit të suksesshëm të këtij lloji të preventivës. Për këtë shkak, me shumë të drejtë shumë njerëz mendojnë se dënimet më të buta do të ishin më të suksesshme se sa që janë sot dënimet më të ashpra. Nëse do të zbulohej çdo vepër penale dhe për të njëjtën të mblidhen materiale të mjaftueshme dëshmie. Kjo mund të arrihet vetëm nëse për aktivitetin e ndjekjes penale dhe gjykimin sigurohet shkalla gjegjëse e organizimit shkencor, sepse as reforma më ideale e dënimeve apo sistemi nuk mund ta sigurojnë. Duke i zhvilluar metodat shkencore të hulumtimeve dhe gjykimeve, kriminalistika, vet vetiu merr pjesë në procesin e përforcimit të ligjshmërisë së punës se organeve të ndjekjes dhe gjyqit. Kriminalistika bashkëkohore me qasjen e vet teorike dhe praktike si dhe me përparimin e rëndësishëm të metodave të veta u përgjigjet kërkesave të kohës moderne për luftë kundër kriminalitetit, por në radhë të parë në aspektin e kriminalistikës represive, dhe vetëm pastaj pjesërisht edhe preventivës kriminalistike. Mundësitë e kriminalistikës preventive, siç duket, shihen dhe shfrytëzohen vetëm pjesërisht duke iu falënderuar faktit që disa forma të veprimit kriminalistik, duke pasur parasysh natyrën e vet, krahas karakteristikave represive i kanë edhe karakteristikat preventive. Kriminalistika preventive si një nga segmentet e shkencës së kriminalistikës duke i zhvilluar njohuritë e veta, rrënjësisht i kontribuon lëndës së studimit të kriminalistikës. Përveç asaj, njohuritë dhe të arriturat janë jashtëzakonisht të rëndësishme si nga aspekti i përcaktimit të qëndrimeve si edhe nga aspekti i ndërmarrjes së aktiviteteve gjegjëse në lëmit e tjera të preventivës ndaj kriminalitetit siç është politika ndaj kriminalitetit etj. Përvoja ka dëshmuar se modelet më të hershme të luftës kundër kriminalitetit sipas përmbajtjes së tyre kanë qenë shumë represivë dhe nuk ka mundur që në mënyrë adekuate t’u përgjigjen kërkesave që janë parashtruar para tyre. Nga arsyeja që u tha, u krijua lëmi shkencor i cili merret me problemin e kriminalitetit dhe pati kthesë të rëndësishme që pasqyrohet, në radhë të parë në adaptimin-pranimin e vizioneve të tilla të luftës ndaj kriminalitetit të cilat nuk i përjashtojnë metodat gjegjëse për pengim krahas komponentit mbisundues represiv, të mëtejshëm. Gradualisht, megjithatë, edhe njohuria se pa pranimin e preventivës si represion me qasje të njëjtë juridike kundër sjelljes kriminale nuk është e mundur kundërvënia ndaj kriminalitetit dhe përgjigjja kërkesave të shoqërisë moderne në këtë lëmi. Preventivës në kriminalistikë, megjithatë i është dhënë aq vëmendje që në momentin e caktuar instituti apo procedura kriminalistike, krahas karakterit represiv ka pasur karakter preventiv. Klasicizmi i cekur kriminalistik siç duket në kohën e fundit çdo ditë e më tepër është duke u tejkaluar. Kriminalistika sipas fizionomisë së disiplinës shkencore çdo ditë e më tepër në burimet e literaturës definohet si shkencë e cila në lëmin e hulumtimeve të veta gjithsesi e përfshin edhe preventivën. Megjithatë, theksohet se si kjo lëmi e punës kriminalistike dhe e hulumtimeve ende është në fillet e saja dhe pritet zhvillimi i saj si në aspektin teorik ashtu edhe në praktikë..

Zbulimi i veprave të kryera penale si dhe tentimi i tyre, në institucionet e ekzekutimit të sanksioneve penale, realizohet me zbatimin e masave kriminalistike dhe të veprimeve e që më atë rast është shumë i nevojshëm profesionalizmi i lartë i punëtorëve të institucionit për ekzekutimin e sanksioneve penale, jo vetëm nga aspekti kriminalistik, por edhe njohje e shkëlqyeshme e së drejtës penale (materiale dhe të procesit), kriminologjisë, penologjisë, psikologjisë kriminalistike, viktimologjisë, andragogjisë dhe disiplinave të tjera të ngjashme të kriminalistikës. Përgatitja profesionale e kundrave të atyre institucioneve, në këtë lëmi është e patjetërsueshme. Në këtë procedurë me rëndësi të veçantë është veprimi i mbledhjes së të dhënave dhe paraqet bazë themelore për mbledhjen e dëshmive. Ky veprim e ka rëndësinë e përgjithshme, por jo edhe rëndësinë e dëshmimit. Varësisht nga rezultatet e mbledhjes së të dhënave, qëllimi themelor më vonë mund të orientohet në kërkesa plotësisht të reja, të cilat në situatën konkrete, mund të dëshmohen si të nevojshme. Me rastin e mbledhjes së informatave është e nevojshme të harmonizohen metoda të ndryshme për ndërmarrjen e këtij veprimi, veçanërisht kur është në pyetje mënyra e ndërmarrjes (p.sh. mënyra konstruktive e fshehtë apo mënyra e hapët-publike). Ashtu që arrihet qëllimi dhe nacionaliteti, duke pasur parasysh se kështu eliminohet mundësia e shumëfishimit të panevojshëm të përpjekjeve.

Kriminalistika si shkencë dhe roli i saj

Kriminaliteti si dukuri shoqërore është i njohur që nga kohërat e lashta, ashtu që shoqëria nga kriminaliteti është mbrojtur me ligje represive. Vështrimi i sistemeve të rëndësishme dhe kodifikimeve juridike, që nga Kodi i Hamurabit e deri më sot, dëshmon se lufta kundër kriminalitetit ka qenë prezent gjithherë që nga lashtësia dhe se shoqëria gjithë herë ka tentuar që të luftojë kundër kësaj të keqe në mënyrën më efikase. Njëra nga ato mënyra është edhe kriminalistika si shkencë, e cila sot ekziston si “disiplinë e pavarur shkencore, sepse disponon me objektin e vet të studimit të përgjithshëm dhe të përveçëm dhe bën hulumtime, sepse ka qasje specifike për studimin dhe hulumtimet e objekteve të saja hulumtuese si dhe metodat dhe mjetet e veçanta të pavarura të hulumtimit (metodologjia), disponon me strukturën e vet të brendshme, me aparatin e vet të nocioneve, teoritë dhe parimet e veta, disponon me fondin e njohurive të sistematizuara në formë rregullash, e që në hapësirën e caktuar e mundëson realizimin e këtyre njohurive të reja shkencore, zbulimin e njohurive të reja dhe fakteve të panjohura deri më tani si dhe ligjshmërive. Kriminalistika sot është sistem unik i parimeve, teorive dhe metodave shkencore. Lënda e saj e studimit janë hulumtimet e lidhura me praktikën e që shërbejnë si njëri prej kritereve themelore të së vërtetës. Për t’u realizuar e tërë kjo, shërbimet për zbatimin e ligjit, duhet të jenë të përgatitura teknikisht dhe të aftësuara profesionalisht. Për këtë shkak është e nevojshme që të jepet definicioni i kriminalistikës, e që për ne si definicion i pranueshëm merret: “Kriminalistika është shkencë e cila i gjënë, i perfeksionon dhe i aplikon metodat e caktuara shkencore apo metoda dhe mjete që bazohen në përvojat praktike të cilat janë më të përshtatshme për ta zbuluar dhe zbardhur veprën penale, për ta zbuluar dhe kapur kriminelin, si dhe për t’i siguruar faktet që mund të shërbejnë si dëshmi, por gjithashtu edhe të pengohet kryerja e veprave penale të planifikuara”. Thënë shkurt kriminalistika është shkencë mbi taktikën, teknikën dhe metodikën e hulumtimit dhe pengimit të veprave penale. Kriminalistika përveç se është shkencë - është edhe profesion.

Qasja heuristike

Kjo qasje përbehet nga zbulimi dhe caktimi i shkaqeve të pa njohura apo plotësisht të panjohura të veprave penale në bazë të pasojave (mbetjeve), si rezultat i veprës dhe formave tjera ndërlidhëse. Shkaktari aktiv (subjekti) i ndryshimeve që mund të bëhen dëshmi se kryerësi i veprës penale i cili ka ndërmarrë veprimin e kryerjes së saj, në atë rast shkaktohet lidhja në mes të shkakut-pasojës dhe subjektit të veprimit (veprim apo jo veprim) nga njëra anë dhe rezultateve (pasojave) nga ana tjetër. Procesi i njohurisë shkon nga pasojat kah shkaku. Sipas pasojës dihet shkaku. Me atë rast formën e lëndës së veprimit të shqisave e definojnë normat ligjore të procedurës penale, ndërsa përmbajtjen ja japin shkencat e kriminalistikës dhe të forenzikës. Shpesh duhen definuar subjektet aktive të veprës penale dhe vet vepra që ka ndodhur, përmes diagnozës diferenciale kriminalistike. Në raste të tjera kur që nga fillimi është ditur se kemi të bëjmë me vepër penale dhe se duhet zbuluar vetëm kryerësi si subjekt i shkaktimit të veprës penale apo vetëm veprimin e kryerjes, sepse me konstatimin e veprës eoipso konstatohet mjeti apo kryerësi si p.sh. te vepra penale e shpërdorimit-keqpërdorimit. Mjetet dëshmuese (lat.media probandi) është burim nga i cili nxirret baza dëshmuese, burim nga i cili nxirren faktet, që do të shërbejnë si bazë për të përfunduar mbi vërtetësinë apo pa vërtetësinë e çështjes që është lëndë e dëshmimit. Realisht, fjala është për veprime procedurale me të cilat nxjerrën dëshmitë. Veprimi procedural si sistem i mjeteve të rregulluara penalo-juridike, si sistem i mënyrave dhe metodave të përcaktimeve dhe nxjerrjes së realitetit shfrytëzohet për të zbuluar, fiksuar, servuar, verifikuar, vlerësuar dhe shfrytëzuar informata dëshmuese apo dëshmitë e llojit të caktuar. Veprimi procedural vetvetiu asgjë nuk dëshmon, që do të thotë se është indiferent ndaj dëshmive. Fjala është për të gjeturat objektive që krijohen gjatë tentimit apo kryerjes së veprës penale e që mund të shfrytëzohet për qëllime dëshmuese drejtpërdrejti nga ana e organit të procedurës pa ndihmën e personave profesional apo pa ndihmën e ekspertëve. Që dëshmitë reale të mund të shfrytëzohen në procedurën penale duhen të jenë të njohura nga ana e organit të procedurës në mënyrën e definuar me dispozitat e kodit të procedurës penale. Fjala është për nxjerrjen e dëshmive në kuptimin procedural. Me fjalë të tjera dëshmitë reale janë ndryshime objektive të natyrës në hapësirën e jashtme të cilat organi i procedurës mund t’i njoh dhe vlerësoj pa njohuri të veçanta profesionale të lëmive jo juridike. Këto janë rastet kur ato dëshmi nuk kërkojnë shpjegim profesional sepse ato flasin vet për vete (resipsaloquitur). Pra, ato dëshmi drejtpërsëdrejti (strictosensu) shërbejnë për qëllime të dëshmimit. Të njëjtat kërkojnë identifikim, por me atë identifikim nuk vjen në pikëpyetje shfrytëzimi i tyre direkt për qëllime dëshmimi nga organi i procedurës. Dëshmitë reale i krijon (shkakton) kryerësi i veprës penale dhe viktima, ndërsa organi i procedurës i gjen dhe i shfrytëzon për qëllime dëshmimi. Në ndryshimet materiale, që i quajmë gjurmë dhe gjërat në lidhje me veprën penale janë të përfshira informatat në formën “materiale”. Të njëjtat kërkojnë testime dhe interpretime, që shpesh herë e kanë karakterin e deshifrimit (dekodimit). Dëshmitë reale nuk janë vetëm gjurmët dhe gjërat ekzistuese, por edhe mos ekzistimi i tyre, respektivisht ekzistimi i “ecjes së gjërave” në kundërshtim me përditshmërinë. Këto janë të ashtuquajturat fakte negative apo mohuese. Dëshmitë reale nuk janë gjithherë decidivisht dëshmi indice. Ato dëshmi mund të jenë të drejtpërdrejta. Për këtë shkak është e gabueshme të barazohen nocionet “dëshmi të vërteta” dhe “dëshmi indiciesh”

Qasja silogjistike

Kjo lloj qasje në lëmin e shkencës së kriminalistikës i dedikohet përmbajtjes, modaliteteve, përzgjedhjes së veprimeve procedurale, qëllimit, planifikimit të zhvillimit të procedurës penale, shpjegimit sistemor të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të kryerësit, përpunimit të vendimit si dhe të gjitha aspekteve të tjera të realizimit të procedurës konkrete penale. Kriminalistika silogjistike në aspektin sistemor është tërësi e rregulluar dhe vendosur mbi përbërjet e vërteta të veprimeve hetuese të veprës penale. Për dallim nga kriminalistika heuristike, veprës penale i qaset si një dukurie reale, por si lëndë të procedurës dhe të drejtës penale. Qasja silogjistike niset nga probabiliteti (bazat e dyshimit) që personi i caktuar ka kryer një vepër penale dhe i shqyrton mënyrat më të mira të mundshme për veprime procedurale, veçanërisht nxjerrjen e dëshmive individuale. Në atë kuptim, mjetet e kriminalistikës silogjistikë janë të kufizuara me dispozitat e procedurës penale dhe në të njëjtin kuptim është i definuar edhe i tërë procesi i njohurive. Në kriminalistikën silogjistike kërkohen përgjigje të besueshme ndaj karakteristikave ligjore të veprës penale, personit që e ka kryer veprën, çështjeve të fajësisë etj. Silogjistika kriminalistike në të vërtetë është kriminalistikë e procedurës penale. Lënda e saj është e definuar me dispozitat procedurale. Veçanërisht kur kemi të bëjmë me hulumtimin e mekanizmave të kryerjes, zbulimit dhe formësimit të informatës dëshmuese dhe shndërrimit të saj në dëshmi. Dëshmitë janë të rëndësishme nëse i dëshmojmë apo i eliminojmë në mënyrë logjike disa çështje që duhen dëshmuar. Që do të thotë se mjafton të thuhet, duke rrezikuar etimologjinë e tautologjisë, që dëshmitë e rëndësishme (që dëshmojnë apo eliminojnë) janë ato dëshmi të cilat përbëjnë çështjen, që duhet dëshmuar si më e besueshmja. Në decenien e fundit të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI në lëmin e se drejtës procedurale dhe dëshmisë janë shënuar dy fakte jashtëzakonisht të rëndësishme. Nga njëra anë të arriturat shkencore, veçanërisht në shkencat teknike dhe të natyrës, kanë mundësuar si shkenca përparim jashtëzakonisht të madh edhe në lëmin e shkencave të kriminalistikës dhe të forenzikës si dhe nënshtrimin e përpunimit dhe trajtimit të dëshmive. Nga ana tjetër, përafrimi i procedurës penale kontinentale - evropiane tipit anglo-amerikan në procedurën penale akuzatore, na lidh në një dimension plotësisht të ri të hetimit të veprave penale dhe kryerësve si dhe vlerësimin juridik në procedurën gjyqësore. Konstatimi i vërtetësisë e fakteve vendimtare, të cilat në procedurën penale bëhen në procesin e dëshmimit, është detyrë e ndërlikuar dhe me shumë përgjegjësi. Kjo detyrë duket edhe më e ndërlikuar kur është fjala për ato burime dëshmuese që me inercinë logjike dhe procesit të rregullt të vlerësimit paraprakisht i nënshtrohen analizës profesionale jo juridike, ashtu që pastaj të bëhen objekt i vlerësimit nga ana e gjykatës. Në radhë të parë këtu hyjnë gjurmët dhe gjërat të cilat, jo fort rrallë, në procedurën penale paraqiten si burim jashtëzakonisht i rëndësishëm për mohim, për gjykim të drejtë të çështjes mbi çështjet relevante. Vështruar nga aspekti kriminalistik-forenzik, gjërat dhe gjurmët përfshihen në një varg të tërë procedurash gjegjëse të orientuara për gjetjen e tyre, mbledhjen, sigurimin dhe më në fund për ekspertizë. Nuk është e nevojshme që veçanërisht të theksohet se si inicimi i procedurës penale në rrethanat e caktuara, por edhe rezultati përfundimtar, në masë të madhe mund të varen nga procedurat e theksuara.. Në vet procedurën, gjykata, në shumicën e madhe të rasteve, kur është fjala për burimet e atilla të dëshmimit, do të jetë në gjendje ta vlerësojë gjendjen faktike, që i prezantohet nga ana e “shkencës dhe profesionit” e që nën ndikimin e fakteve të theksuara më lartë, veçanërisht përparimit të shkencave natyrore dhe teknike, me siguri do të thotë edhe varësi më të madhe të gjykatës nga rezultatet e hulumtimeve dhe analizave të ndryshme kriminalistike-forenzike. Në atë kontekst mund të parashtrohet çështja, cili është vërtet roli i konkludimeve të gjyqtarit mbi dëshmimin apo mos dëshmimin e ndonjë fakti relevant juridik në procedurën penale. Më fjalë të tjera, gjurmët dhe gjërat si burim i njohurive mbi faktet vendimtare në procedurën penale të parimit të vlerësimit të lirë te dëshmive, në kohën moderne, ndaj disa burimeve të dëshmimit, a thua ndikon në natyrën deklarative, në kuptimin e asaj që roli i gjykatës është vetëm në zbatimin e normës juridike për gjendjen e konstatuar faktike nga ana e atyre jashtë gjyqit dhe se shpesh gjyqtari lajmërohet në funksionin e vendimmarrësit, apo me gjithë atë i përmbahet kuptimit real burimor me gjykatësin si: iudex-om facti. Edhe pse ajo që u tha as për së afërmi nuk e përfshin tërë problematikën e këtij lëmi të së drejtës së dëshmisë, megjithatë e thekson tërë kompleksitetin e shfrytëzimit të gjërave dhe gjurmëve si burim informatash mbi faktet vendimtare në procedurën penale dhe është arsye që të njëjtat “si burim dëshmues” prezantojnë sfidë unike për teorinë dëshmuese të së drejtës procedurale, si dhe në të vetë realitetin procedural juridik.

Vrasjet në Kosovë sipas statistikave ato jo që kanë rënie në aspektin numerik por po shndërrohen në një fenomen në rritje e sipër. Gjatë këtij viti, sipas statistikave zyrtare, janë shënuar 23 vrasje, ndërsa vitin e kaluar ishin shënuar 11 vrasje. Këto të dhëna, sipas autoriteteve të rendit, dëshmojnë se numri i vrasjeve nga viti në vit është në rritje. Ndërsa, gjatë pasluftës, ku përfshihen periudha nga qershori i vitit 1999 e deri më 2014, statistikat e Policisë së Kosovës flasin për rreth 1500 vrasje me motive të ndryshme. Mendoj se në përgjithësi ka një devalvim të vlerave në shoqëri, andaj edhe në situata të tilla, shtohet numri i dukurive negative. Këndvështrimi im për vrasjet në Kosovë i takon asaj që në vend, është instaluar njëfarë anomalie e vlerave dhe standardeve. Njerëzit nuk po dinë më se kujt ti besojnë dhe çka të respektojnë. Jemi të bombarduar prej devalvimit të vlerave dhe mungesës së implementimit të ligjit. Në këtë kontekst, fajtorët nuk e marrin dënimin e merituar, kurse, te populli shfaqet bindja se pavarësisht nëse vepron në mënyrë devijuese apo të drejtë, sërish mbetesh si pjesë e fajit. Një perceptim i tillë, sipas tij, e përbën një prej faktorëve që po ndodhin kaq shumë vrasje. Sipas mendimit tim edhe papunësia, varfëria mund të ndikojnë në rritjen e kriminalitetit (vrasjeve), gjithashtu edhe mungesa e vendeve rekreative që të kalohet koha e lirë, por mendoj se kryesorja është se njerëzit po e shkelin ligjin, kanë afera të ndryshme dhe këto sjellje po i bëjnë model për shoqërinë. Disharmonia familjare është njeri ndër faktorët që individin e bën për tu marr me kriminalitet dhe që mund të përfundoj edhe si vrasës, nëse një fëmijë ka qenë i keqtrajtuar nga atëherë pa dyshim se praktika ka treguar se në të shumtën e rasteve këta fëmijë kanë ndjekur rrugën e krimit. Sipas shumë psikologëve se një numër i vogël i njerëzve lindin kriminel, por prapë sipas psikologëve vijmë në përfundim se fëmijët nuk do të bëhen kriminel nëse kishin pasur një fëmijëri të lumtur, pra dhe si e kanë thënë shumë psikolog se vetëm rrethanat e jetës mund të bëjnë kriminel. Psikopatia mund të shpjegohet lehtë, duket se ata kanë lindur pa aftësinë empatike, pra kanë mospërfillje të plotë për vuajtjet e të tjerëve. Psikopati sadist, i cili është i rrallë, me gjakftohtësi kënaqet në dhimbjen që ua sjell të tjerëve. Kështu, vrasja nuk nënkuptonte asgjë për ata kriminel të cilët njerëzit nuk i llogarisin madje as si kafshët. Vrasësit psikotik shpesh vuajnë nga skizofrenia dhe sëmundjet që karakterizohen nga halucinacionet apo humbja e emocioneve, tetë folurit apo motivimit. Skizofrenia është një sëmundje e paracaktuar gjenetikisht, por qëndron e fjetur deri tek vitet e adoleshencës ose në fillim te të njëzetave. Depresivët më hakmarrës më së shpeshti fajësojnë të dashurën, shefin ose kolegët e shkollës. Disa kanë për qëllim të vrasin cakun e tyre. Por, vrasësi eventual masiv këtë e sheh ndryshe: për të nuk është fajtorë një njëri apo dy, por të gjithë njerëzit. Shoqëria është brutale për ta, ndërsa tërë bota është e keqe. Dhe, kjo është arsyeja e tyre se pse të gjithë, sipas tyre, duhet të paguajnë! Për të gjithë këta njerëz që vuajnë nga ndonjë çrregullim psikik e që e cekëm më herët për krimin që e kryejnë, shteti dhe mekanizmit përgjegjës duhet të ndërmarrin masa lidhur me parandalimin e krimit nga ana e personave depresiv. Faktori tjetër shumë esencial është një numër shumë i madh i armëve në duar të popullatës civile. Gjithashtu, neglizhenca e institucioneve të sigurisë, atyre të hetuesisë dhe të drejtësisë, si dhe e treta, mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin politik në Kosovë, e sidomos në atë të drejtësisë. Ekziston edhe më tutje ndjenja te qytetarët që më lehtë mund t’i qërojnë hesapet personalisht, sesa të shkojnë përmes institucioneve të drejtësisë. Nëkëtë drejtim duhet te organizohen fushata te ndryshme nga institucionet për zbatimin e ligjit, institucionet e arsimit të ulet deri të ai me i larti, nga shoqata të ndryshme të cilat merren me etiologjinë dhe fenomenologjinë e krimit etj.Vrasjet e fundit të qytetarëve, si gjithmonë, janë shqetësuese dhe duhet të japin alarm për institucionet e sigurisë. Kjo nuk do të thotë që Policia e Kosovës nuk është duke e bërë punën e vet ditore, sepse armët pa leje janë shqetësim parësor i tërë shoqërisë Kosovare. Reagimi me kohe dhe adekuat i organeve të sigurisë do të ulë në masë të duhur vrasjet në Kosovë. Përpjekjet e organeve të ndjekjes, PK-së dhe Prokurorisë në arrestimin dhe akuzimin e personave të cilët mbajnë në pronësi armë pa leje, pa dënim meritor nga ana e gjykatave rezultojnë të dështuara. Mbajtja në pronësi e armëve pa leje paraqet vepër penale, e cila dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. Absurdi më i madh i kësaj dispozite qëndron në faktin e dënimit primar, i cili është me gjobë, ndërsa lartësia e dënimit sekondar është tetë vjet burgim. Mundësia e shqiptimit të dy lloj dënimeve nuk është harmonizuar me rrezikshmërinë e kryerjes së kësaj vepre penale. Falë kësaj dispozite dhe politikës tejet të butë ndëshkimore të gjykatësve, duke ju referuar statistikave te Këshillit Gjyqësor të Kosovës, prej vitit 2014, 2015 dhe nëntë mujorit të vitit 2016, janë raportuar 2406 raste të poseduesve të armëve pa leje, prej ketyre kanë përfituar dënime 111 me burgim shprehur ne përqindje 4.6%,  1097 me gjobë 45.6%,803 me kusht 33.4%,58 dënime të tjera apo lirues 2.4%, të parashkruara 24 ose 1.0%, me aktgjykim refuzues 313 shprehur ne përqindje 13%. Dënimet me gjobë janë shqiptuar në minimumin ligjor, ku pjesa dërrmuese deri vonë kanë qenë 200-300 euro. Përkundër numrit të lartë të personave të akuzuar për armëmbajtje pa leje gjatë viteve 2014, 2015  dhe për nëntë mujorin e vitit 2016, vetëm 4% janë dënuar me burgim efektiv. Qka nënkupton se reagimi i dobët dhe jo adekuat i organeve për zbatimin e ligjit dhe duke pasur parasysh rrezikshmërinëe të mbajturit në posedim të armëve mund te konkludojmë se si pasoj e kësaj është edhe numri i vrasjeve në rritje e sipër. Edhe në këto raste të burgimit, gjykatësit kanë shqiptuar minimumin ligjor të burgimit efektiv. Me ndryshim plotësimin e kodit penal duhet të rishikohet kjo dispozite ligjore dhe të ndryshohet nga organi ligjvënës në mënyrë qe denimët e parapara për ketë veper penale të arrijnë efektin e vete dhe të gjejnë zbatim ne praktiken gjyqësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat