Kosovarizmi si antishqiptarizëm

Opinione

Kosovarizmi si antishqiptarizëm

Nga: Sylejman Salihu Më: 23 tetor 2016 Në ora: 20:27
Sylejman Salihu

Ka disa zëra që me entuziazëm dhe me intensitet të madh, qëkur është bërë Kosova e pavarur, kanë filluar të mendojnë dhe madje të përdorin një terminologji të re për identitetin kinse të ri të Kosovës dhe popullit shqiptar që jeton në Kosovë.Më saktësisht këta zëra të rinj kanë shpikur edhe teori të reja për nocionin komb, madje përpiqen që ta argumentojnë me çdo kusht tezën e tyre, për gjoja lindjen e kombit kosovar, i cili vjen si rrjedhojë e shtetformimit të ri , për pasojë me simbole të reja shtetërore si : flamurin, himnin dhe në vend të cilësorit të moçëm shqiptar sipas tyre duhet të konvertohet me cilësorin e ri : kosovar.

Çka nuk dëgjon njeriu!? Jemi lindur, jemi rritur, kemi menduar, kemi jetuar si shqiptarë me babë e babagjysh dhe tash brenda natës dikush na konverton, pa na pyetur fare në kosovarë. Ç’është kjo tendencë e re ndjellakeqe? Ç’është ky guxim i tepruar prej të marri? Ç’janë këto kukuvajka? Përse u dashka të ndodhë kështu në një kohë kur Kosova është e lirë dhe e pavarur? Kush na detyron? Në një kohë kur ne menduam se mund të jetojmë dhe të mendojmë të lirë, duke e ruajtur identitetin tonë kombëtar, tash na del trysnia e re brenda nesh, se duhet të bëhemi , deshëm a s’deshëm: kosovarë.

Dhe kjo vjen nga “teoricientë” ,”filozofë”,”politikanë” tanë, të cilët paturpësisht propagandojnë me zjarr dhe furi teza të tilla. Askush nuk e kupton këtë modë të re të këtyre “kombëtaristëve kosovaristë”, të këtyre sociologëve, filozofëve, analistëve, politikanëve, të cilët po bëjnë punën e djallit dhe me të cilën krijojnë konfuzion dhe huti në opinion. Në qoftë se për ndërkombëtarët kjo edhe mund të quhet e arsyeshme, sepse atyre aq u bën kjo punë, për shqiptarët vetë, kjo nuk është veçse një makth dhe një mohim i vetëvetes, mohim i identitetit dhe historisë, mohim i qenies sonë, i ekzistencës sonë me të cilën jemi mburr aq shumë dhe për të cilin kemi vuajtur aq shumë. Pra vuajtja, mburrja, sakrifica janë bërë që ky identitet të mos zhduket, por të kultivohet dhe të pasurohet edhe më shumë në rrjedhë të kohës dhe të historisë. Pse jemi quajtur shqiptarë pra? Mbase është e thjeshtë, se flasim shqip. Po tash që këta aventurierë politikë, që dashkan edhe të argumentojnë me “prova shkencore” duke e quajtur popullin e Kosovës komb kosovar,a do ta quajnë edhe gjuhën tonë “gjuhë kosovarishte”apo edhe më keq kosovarçe? Pra jemi kosovarë, sepse flasim kosovarisht,do të thoshte logjika e tyre e sëmurë.

Tek të huajt kjo asocon menjëherë me atë që dëgjon,prandaj sipas tyre kosovari duhet të flasë sigurisht kosovarisht.Cila qenka pra kosovarishtja e tyre që ata flasin? Ajo që ata flasin dhe që nuk arritën kurrë ta mësojnë mirë e drejt, në terminologjinë gjuhësore quhet gjuhë standarde apo gjuhë letrare. Është niveli gjuhësor, me të cilin një komb përfaqëson veten si qytetërim, si kulturë, si komb, si kujtesë historike . Populli i Kosovës është ndarë padrejtësisht pas shpalljes së pavarësisë më 1912 dhe jo se ai ka dashur t’i vë mur vetes dhe vendit të tij për t’u ndarë nga e ama e tij e quajtur Shqipëri, por gjuha shqipe bashkë me kombin shqiptar ka vazhduar mbijetesën e vet deri sot duke e ruajtur kështu edhe kombin dhe madje duke ia forcuar rrënjët e tij? Po të mos mëkoheshin me ndjenjën e shqiptarësisë dhe të kombit shqiptar dhe me gjuhën e bukur shqipe, nuk do të kishte më folës të kësaj gjuhe dhe asimilimi do të të kishte hangër miliona njerëz të kombit tonë . Teoria e këtyre “kombëtaristëve kosovarë” do t’ua mundësone këtë,sigurisht. Shqiptarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët e trojeve tjera etnike i ka udhëhequr maksima e njohur programatike : një gjuhë, një komb, një atdhe. Sikur të mos e kishin zbatuar këtë standard kombëtar që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, shqiptarët e mbetur jashtë trungut etnik shtetëror, do të shkriheshin në kombet dhe gjuhët e atyre kombeve me të cilët kanë jetuar dhe që sot ne i kemi fqinjë! Kështu shqiptarët e Malit të Zi do të quheshin malazezë, ata të Maqedonisë do të quheshin maqedonë dhe ajme,o zot , ata të Sërbisë do të quheshin serbë!!!

Çka i gjeti shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë ,të cilët nuk e ruajtën njësinë e gjuhës dhe të kombit dhe për pasojë u asimiluan deri në fund, sado tashti u ka dalë gjumi dhe duan të rizgjohen sërish. Kështu duan këta “ideologë” të sotëm shqiptarë, që u bien daulleve të heqjes dorë nga identiteti kombëtar shqiptar se teoria e tyre moderne e kërkon këtë. Katrahura të tilla me gjuhën dhe me kombin do të ngjanin tutje gjithandej ku kjo gjuhë dhe ky komb sot nuk do ta njihte veten dhe do të dukej i përçudnuar e shqipfolësit e mirëfilltë do të na mirrte malli për t’i takuar vetëm në Shqipëri. Këta telallë që dalin me teza të tilla shfaqen me zëra kakofonikë që të çojnë të vjellat dhe kur përjargen të prishin humorin dhe të cënojnë krenarinë kombëtare e gjuhësore. Kujt i shërbejnë ata? Çfarë shërbimeve sekrete u shërbejnë dhe kujt u çojnë ujë në mulli? Ç’përfitime kanë? Ç’mision kanë këta kukudhë të paudhë?

Ç’flamuj kanë përpara? Ç’ideale kanë? Janë shqiptarët gjithandej kudo që jetojnë, që kanë bërë një jetë të tërë me këtë flamur kombëtar dhe me këtë gjuhë të shenjtëruar dhe me emrin e bukur të kombit shqiptar, ndaj nuk kanë zemër as gjak ta braktisin,prandaj me këto edhe e kanë kultivuar ndjenjën e atdhetarisë kombëtare. Por ja që disa nuk duan ashtu. Sepse për disa gjaku u bëka ujë!! Kur udhëpërshkruesit e huaj në shekujt e kaluar vizitonin zonat e ndryshme të vendit tonë dhe kur vinte pyetja se çfarë përkatësie kishin ata ,shqiptarët pra,flakë për flakë përgjigjeshin se ishin shqiptarë, pa përmendur kurrë asnjë përkatësi tjetër as fetare e as krahinore.

Ata mund të ishin çam,lab,kosovar,preshevar, por ata theksonin vetëm njësinë e kombit shqiptar.Këta “teoricientë” sikur nuk duan të dinë se koha e formimit të kombeve ka përfunduar dhe pretendimi i tyre për të na kthyer prapa ngjan me veprimet e Don Kishotit , i cili nuk e kishte kuptuar se koha e romaneve kalorsiake mesjetare kishte mbaruar andaj edhe veprimet dhe taktikat e tij të mbështetura në fantazitë dhe akrobacitë kalorsiake ishin të vona dhe jashtë kohe e jashtë mode dhe për pasojë edhe kontraproduktive. A mos ata duan të na kthejnë në kohën e fiseve, që dikur ne i patëm me bollëk? Në cilat fise duan të na kthejnë ata? Në fiset e moçme ilire apo në ato pasilire, arbërore apo shqiptare,që ende aty-këtu janë mollë sherri ndër ne. Shqiptarët mezi e bën kombin dhe tash u dashka sërish ta zhbëjnë!! Apo vetëm pse disa fjalamanë e duan këtë? Jo, kombe të tjera për shqiptarët nuk mund të ketë? Na mjafton një dhe ta ruajmë, ta jetojmë e t’ua trashëgojmë brezave, siç na e lanë neve të parët amanet. Ç’është kjo kllapi, ky jermllëk, kjo përgjumje me këta njerëz dritëshkurtër? Sa shumë u gëzuam që shpëtoi substanca kombëtare nga gjenocidi i ushtruar mbi ne dhe tash na del se gëzimi paska qenë jetëshkurtër dhe i hershëm, se ja tash ne duhet të ndërrojmë emrin!!! A nuk kishte klithur shumë dekada më përpara me dhembje në shpirt poeti Esad Mekuli deri në qiell kur thoshte : “mos më thirr me emër të huej”?

Përse, atëherë këta “ideologë” na ngucin plagën e moçme nga e cila kemi vuajtur aq shumë? Ne duam të ruajmë identitetin tonë siç e patëm ndër shekuj për të qenë vetja e jo për t’i pëlqyer dreqit e të birit. Le të ketë shqiptarë gjithandej ,që flasin gjuhën shqipe dhe që kombëtarisht janë shqipëtarë e jo të quhen me emra krahinash e provincash shqiptare, sepse para kombit ato të gjitha shkrihen në një. Gjermanët kishin dy shtete dhe u quajtën gjermanë gjithmonë, pa formuar dy kombe , derisa u erdhi çasti i bashkimit, dhe asnjëherë nuk u shkoi ndërmend të quheshin me emër tjetër. Atëherë pse duhet ta bëjmë ne këtë? Pse nuk duhet të mendojmë e të punojmë edhe ne që një ditë t’ia arrijmë cakut të bashkimit, sepse kërcënimi na rri gjithmonë mbi krye.Si komb i bashkuar mund të jemi më ekuilibrues dhe Ballkani dhe Evropa do të na shikonte me sy tjetër e ne do të dukemi dhe do të ndjehemi më dinjitozë. Nëse jetojmë në dy shtete aktualisht, kjo nuk do të thotë se neve duhet të na zë gjumi por përkundrazi duhet të zgjohemi dhe neve duhet të na mbajë fryma e bashkimit të një kombi të ndarë që ka një ëndërr të gjithmonshme:bashkimin kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat