Dialogu i Brukselit nuk parashikon njohjen e Kosovës nga Serbia

Opinione

Dialogu i Brukselit nuk parashikon njohjen e Kosovës nga Serbia

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 23 tetor 2016 Në ora: 16:49
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

 *** Nelson Mandela: “ No single person, no body of opinion, no political doctrine, no religion doctrine can claim MONOPOLY  on TRUTH.”
 
*** Atifete Jahjaga ( ish-Presidente e Kosovës) para një viti ka deklaruar se “Serbia do ta njohë Kosovën, nuk ka alternativë tjetër përveç njohjes së pavarësisë. Kjo do të ndodhë pas përfundimit të dialogut në Bruksel. Kjo nuk është ëndërr.” (http://kosova-sot.info/lajme/34971/jahjaga-serbia-do-ta-njohe-kosoven-nuk-ka-alternative-tjeter/).
 
Vërtet, mesazhi i kësaj deklarate ka karakter pozitiv, por, nuk  është realist, as  i argumentuar sipas teorisë politike parashikuese (e cila është një nga teoritë më të vështira të  shkencave politike. Mirëpo, në rastin tonë konkret, është e tepërtë, nuk kemi se çfarë të parashikojmë, as të ëndërrojmë sepse, çdo gjë po shihet si dielli, se çfarë po do Serbia përmes dialogut saj në Bruksel, PO DO Kosovën nën Serbi), por është vetëm një ëndërr e bukur parashikuese, ndonëse presidentja (pa mbulesë konkretizuese me fakte dhe me argumente) , prerazi ka pohuar të kundërtën, “kjo nuk është ëndërr, se Serbia do ta njohë Kosovën, pas përfundimit të dialogut në Bruksel.”
 
Mirëpo, nëse ndodh kjo  ëndërr e mrekullueshme politike  e parashikuar nga presidentja e Kosovës, Jahjaga, atëherë,  Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, do të duhej  që Zonjën presidente ta propozonin  për  “Çmim Nobel”, pse jo.
 
Mirëpo, pa kurrfarë ironizimi kjo“prognozë politike” e presidentes Atifete Jahjaga se gjoja  “pas mbylljes së dialogut në Bruksel, Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës”,  faktet flasin dhe dëshmojnë krejtësisht të kundërtën, duke qenë se  Serbia, deri tani, nuk ka dhënë asnjë provë valide të qëndrueshme, se është në rrugën drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, këtë, ndër të tjera, e provuan edhe Marrëveshja e “Zajednicës serbe”, që është në funksion të dekompozimit territorial  dhe sovran të Republikës së Kosovës, si dhe refuzimi i kërkesës së Kosovës që të aderonte në UNESCO, si rrjedhim i  kundëreshtimit dhe lobimit ndërkombëtar të Serbisë, të Rusisë dhe të Kinës.
 
Deri  kur me parulla dhe me ëndrra  të shkreta?
 
-Mos e gënjeni më popullin dhe vetëvetën me opinionet e juaja të njëmendësisë, sepse   status quo-ja e  marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ndryshohet me ëndrra dhe me opinione politike kuturu “do të bie a nuk do të bie shi”, por me shembuj  konkret domethënës . –Serbia çdo ditë pohon se nuk  do ta njohë Kosovën(madje duke u kërcënuar edhe me luftë), kurse presidentja, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe disa ministra të tjerë siç janë Edita Tahiri dhe ish-ministri I Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pohojnë të kundërtën, se Serbia “de fakto dhe de jure e ka njohur Kosovën”!?
  
Kjo është më shumë se gënjeshtër politike, diplomatike dhe propagandistike, sepse diç e tillë nuk ka ndodhur as teorikisht, as verbalisht, as politikisht, as diplomatikisht, as juridikisht e as praktikisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
  
Pa asnjë dilemë se, edhe ne do të dëshironim që  Serbia ta njihte Kosovën. Mirëpo,   kjo nuk do të ndodhë  as në dialogun e Brukselit. Kjo është vetëm një dëshirë, iluzion dhe ëndërr jona e shkretë, që nuk kanë kurrfarë mbështetje  argumentuese të realizmit politik dhe të gjendejs faktike në terren, sepse Serbia po lufton intensivisht (duke përfituar nga mbështetja direkte dhe indirekte e Rusisë së Vladidmir Putinit), që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke e konsideruar si pjesë të territorit të vet.
 
Këtë e vërtetojnë edhe këto fakte: (1) Kushteta e Serbisë (2006) sipas së cilës “Kosova është provincë e Serbisë”, (2) Rezoluta 1244 e KS të Kombeve të Bashksuara në fuqi, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, (3) Plani 6 Pikësh i Ban Ki Moon-it, miratuar nga OKB, më 28 nëntor 2008, i inicuar nga Beogradi zyrtar dhe i mbështetur nga BE-ja dhe nga Kombet e Bashkuara sipas të cilit qe 6 vite (2011-2016) po zhvillohen negociatat kosovare-serbe në Bruksel dhe  (4) Marrëveshja e “Srpska zajednicës, e cila është bazamenti  për rikthimin e Serbisë  në Kosovë.
  
Të gjitha këto fakte janë në shpërputhje me ëndrrën e bukur të z. Presidente Atifete Jahjaga ngase që tani, e kemi të qartë rezultatin e prognozës politike dhe diplomatike të Beogradit zyrtar,  që  përmes dialogut të Brukselit, ta rikthejë sovranitetin kolonial të Serbisë në Kosovë. Kjo është poenta kryesore dhe objektivi parësor politik, gjeopolitik dhe gjeostrategjik i Serbisë (1844-2016).
  
-Po, skur Serbia  do të donte ta njihte Republikën e Kosovës, nuk do të nodhte dialogu në Bruksel, por atë do ta bënte në Begrad, pa shkuar fare në Bruksel. – E thjeshtë  kjo politikë dhe diplomaci për t’u kuptuar se çfarë po kërkon Beogradi zyrtar në negociatat me palën kosovare Hashim Thaçi, Isa-Mustafa dhe Edita Tahiri në Bruksel-JO NJOHJE  TË PAVARËSISË së Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo është përmbajtja e dialogut  serbo-kosovar të Brukselit (2011-2016).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat