Ngjyrat i japin kuptim jetës

Opinione

Ngjyrat i japin kuptim jetës

Nga: Delvina Kërluku Më: 23 tetor 2016 Në ora: 13:15
Delvina Kërluku

Qe tetori i vitit t? kaluar kur takova Artinin, i cili sapo kishte mbushur nëntë pranvera. Vuante nga sëmundja e autizmit. Prindërit që e përjetonin rëndë  sëmundjen e djalit kishin hequr dorë nga të mirat vetjake, nga gjithçka e nevojshme a e shtrenjtë, vetëm për të arritur qëllimin kryesor në të mirë të birit të tyre.  Ndërkaq, ca muaj më parë, kisha takuar Jasirin, djalin nga Gazi Baba e Shkupit, me probleme psikike. Pastaj Shkëlzenin, po nga lagjja shqiptare, i cili dergjej në shtrat dhe ku mbikëqyrej vetëm nga e ëma. Bujarin, nga Dizhoni, i cili për një ndihmë financiare do të shkëputej nga karroca dhe kukëzat. Por, familja i ishte bërë hije Bujarit dhe jo shteti.

E kujtoj kohën kur bëra hulumtimin në qendrën e të rinjve me nevoja të veçanta, madje ditën e parë kur hyra me aparatin fotografik në dorë, ku qindra fëmijë, jo më shumë se 25-vjeçar?, të leckosur e me dukje jo të zakonshme, m’u vërsulën dhe më futën në mes. Unë, si e përhumbur nga ajo skenë, dëgjoja ‘doagja ubavinata’, që në gjuhën shqipe do të thoshte erdhi e bukura!

Ata jetonin të izoluar midis katër mureve. Drejtori, një burrë shtatlartë dhe aspak i hajthëm, për çudi, e çau  turmën e tyre dhe bëri sikur më dha dorë, por ishin të rinjtë me nevoja të veçanta që m’i zgjatën duart të ngrihesha dhe përmendesha- derisa qëndroja e stepur nga ato pamje të trishtuara.

Burri u kthye në vendin ku qëndronte, te rrapi, ku hija e tij e ndalte diellin me dhëmbë të asaj dite të nxehtë vere. Meqë në atë pushimore po shihja njerëz me uniforma dhe që dukeshin normal, për dallim nga fëmijët, të cilët vraponin të hutuar gjithandej oborrit të institucionit, kërkova përgjegjësin, drejtorin. Ishte nisma e parë pikërisht në këtë institucion për të vazhduar më pas në spitalin e të çmendurve, por nuk pata guxim ngaqë më tmerrojnë shëndetligët. Pashë punën e lodhshme të mësuesve në këtë institucion gjë që edhe ishte qëllimi im si gazetare. Ata më vonë e kuptuan rëndësinë e vizitës sime.

Takimi me fëmijët e atjeshëm më sfiliti. U ligështova. Një dhimbje më shponte në kraharor e ma rëndonte shpirtin. Kështu edhe unë u shtriva në shtrat, për ca kohë. Atje kishte  mungesa të shumta për jetën e përditshme të atyre fëmijëve, mungesa që sillnin edhe më shumë mundime e vuajtje. Atje ishin fëmijët e shtresave më të varfra në Maqedoni, braktisur nga prindërit ose dërguar atje për një kafshatë buke. Të lënë në mëshirën e Zotit, në këtë rast në dorën e një mësuesi, disa herë të pandërgjegjshëm. Janë fëmijë me nevoja të veçanta që hasen edhe në kopshtet tona, shkolla fillore dhe të mesme, ku ardhmëria e tyre është në mëshirën e Zotit ose në dorën e ndonjë varfanjaku që ka zgjatur dorën për ndihmën e tjetrit, se përkrahje nga shteti ka fare pak, e në rastet e komunitetit shqiptar aspak.

Unë besoj se secili nga prindërit e këtyre fëmijëve përhumbet në ëndrrat e larme për një fëmijë normal.

Lexues i dashur, e bëra këtë përshkrim pas rrëfimit të publicistit e përkthyesit Edmond Tupja, për birin e tij, Gesin. Këto ditë takova Edmondin në Tiranë. Duke shëtitur bulevardit të kryeqytetit, të paktën ia bëra me dije se kam lexuar fjalën e tij në libër e gazeta, e kam dëgjuar në televizionet shqiptare në Shqipëri, por biseda mori kahe tjetër, pashmangshëm si përherë futej çështja politike dhe kombëtare, si shkak për të dalë nga ngjyrat e jetës sonë.

Ika me mbresën e duartrokitjeve të tij dhe të tiranasve gjatë interpretimit të poezisë në një festival poetik.

Z. Tupja e kishte publikuar qëkur faktin se fëmija i tij ishte hendikep. I thashë atë ditë vjeshte se kisha dëgjuar rrëfimin e tij për Gesin. Ndërsa fill pas një jave që u ktheva në Shkup, Tupja rrëfen një nga dhimbjet e tij, të një nate pa gjysmëhëne. Ai kështu këlthet e përgjërohet që dikur të rrëshqasë përhumbshëm në krahët e ëndërrimit si vetë shkrimtari. Do të dridhej tokë e qiell kur të jehonte mrekullia në hapësirë: Ati e Biri  e Shenjti bashkë nadje -mbrëmje, duke kuvenduar normalisht. Por, vegimi ëndërror zgjohet beftë  dhe shkrimtari përplaset me realitetin. Ndihet vetëm një bëzamë që del e s’dihet në këndon ditë e natë a është vaj i përjetshëm. I zhuritur, në kërkim të shtegut për të dalë nga harta tragjike. Këtë fat e kanë edhe fëmijët tanë e prindërit e tyre në Maqedoni, madje, mbase edhe më keq, sepse ata janë të varfër sa vetë varfëria, pa asnjë anëtar të familjes të punësuar.

E, megjithatë, familjet e këtilla nuk janë të varfra sa varfëria e pasanikëve të pushtetshëm, për humanizëm dhe as sa varfëria shpirtërore e politikanëve tanë që shpërndajnë një ndihmë të mjerë për këta fëmijë që kërkojnë përkujdesje të vazhdueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat