Kombi dhe ndërgjegjja kombëtare është një dhe vetëm një tërësi etnike

Opinione

Kombi dhe ndërgjegjja kombëtare është një dhe vetëm një tërësi etnike

Nga: Fahri Dahri Më: 22 tetor 2016 Në ora: 11:43
Fahri Dahri

Nuk di nëse do arrij tëshprehem qartë, mbasi realisht, në gjykimin tim, kjo nuk është temë për tu zhvilluar, sepse është e tejkaluar. Mirë bëhet, që askush që e mendon se mund të ndryshojë mentalitetin, bindjen dhe ndërgjegjësimin e shqiptarëve, kudo ku janë, për të spjeguar se na paska komb shqiptar dhe komb kosovar, apo broçkulla të tilla, jo vetëm që gabon, por pa mëdyshje i shërben vetëm sjelljes (prurjes) të së keqes për shpërbërjen e etnisë shqiptare dhe historikisht do të gjykohet si i “përdalë” politik apo spurdhjak historik.

Nga ndonjëherë e sjell nevoja që të theksojmë ngjarjet e mëdha historike, të cilat, pavarësisht se vitet largohen, ato na afrohen dhe burrat e lavdishëm të kombit, na shfaqen ashtu si mësuesit për nxënësit, duke na treguar sakrificat deri sublime për të shpëtuar kombin dhe territorin nga gllabërusit e egër, të cilët ditë e natë rrijnë përqark gjerdheve, për gjetjen e ndonjë “deriçke”, e cila do u mundësonte rrëmbimin e presë.

Ishte 10 qershor i vitit 1878, kur prijësi i qyteteve shqiptare, Prizreni, priti në Kuvend delegatët nga të katër vilajetet shqiptare, Shkodra, Manastiri, Janina dhe Kosova. Idea e Kuvendit ishte “Bashkimi Kombëtar dhe territori”. Nga ajo “Lidhje”, midis shumë zërave, ka mbetur i fuqishëm zëri i Abdyl Frashërit, jo vetëm i paharuar, por obligim i tërëjetshëm që tingëllon gjatë 24 orëve në çdo qelizë të pasardhësve të atyre dijetarëve dhe trimave të kombit shqiptar, jehona e atij zëri do vazhdojë të dëgjohet ndër breza: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit tanë”.

Sot arrijmë të dëgjojmë nga disa politikanë të mjerë dhe intelektualë të varfër nga dijet, pa u trembur qerpiku, etninë shqiptare na e ndajnë në dy a tre kombe, thuaj se çdo krahinë e banuar nga shqiptarët ndër mijëvjeçarë, na u ndaka prej tyre në kombe!. 

Në kohën e “Rilindasve”, burrat e dijes dhe të pushkës, u përpoqën me të gjitha mënyrat për të krijuar “ndërgjegjen kombëtare” tek “vegjëlia” (po e shpreh siç flitej në atë kohë për gjithë njerëzit e etnisë shqiptare). Dihet, në ato kohëra fshatarësia, banorët e qyteteve dhe të qytezave, duke qenë nën sundimet shumëvjeçare, ishin të pa shkolluar, u mungonin dijet, dhe nuk kishin arritur të kuptonin konceptin e bashkimit kombëtar. Në ato kohëra më tepër mbizotëronte “ndërgjegja” (“parcelizimi”) feudal feudale; ndërsa popujt fqinjë i kishin kapërcyer ato ideale parcelizimesh dhe e kishin formuar ndërgjegjen kombëtare. Pikërisht ishte kjo detyra imediate e intelektualëve fisnikë, trima e burra shteti që morën përsipër ndërgjegjësimin e “vegjëlisë” dhe e kurorëzuan atë në “Lidhjen e Prizrenit”.

Ndërsa sot, habitemi kur dëgjojmë nga disa “politikanë” apo “intelektualë”, nga të dyja anët “lumenjëve”, që kombin shqiptar ta copëzojnë në dy a më shumë kombe, ashtu siç bëri perandoria romake, me ndarjen e Ilirisë në katër pjesë dhe në çdo pjesë të saj bëri “paçamur” me racat e tjera, po ashtu ndodhi edhe në vitin 1912-1913, kur fuqitë e mëdha, e ndanë popullin dhe territorin shqiptar në katër pjesë, duke u a kaluar shteteve të tjera. Ndërsa sot na ndodh e kundërta e “Rilindjes”, “të paktët” duan të prishin ndërgjegjen kombëtare”, por të “shumtët” ose “vegjëlia”, e vendosur për forcimin e ndërgjegjes kombëtare, ka filluar të “tallet” me të “paktët” e pavlerë kombëtarisht. 

Fenomeni që qarkullon është një fatkeqësi, e cila po trashet çdo ditë dhe del nga goja e atyre që absolutisht nuk duhet të dalë. Nëse janë emocione, apo mendësi, që kjo është pjesa ime dhe ajo është pjesa jote, të jenë të sigurtë se nuk kanë pjesë të ndara dhe as që do arrijnë të ndajnë vëllazërimin etnik të kombit shqiptar, por janë “zgjedhur” për kohën, të mbajnë qendrime serioze ndaj “posteve” ku ndodhen dhe njerëzve, që shanset u a kanë sjellë për ti drejtuar, apo udhëhequr.

Veprime të tilla krejtësisht të pa pranuara dhe të pakonceptuara, të jeni të sigurtë, jo se jemi mësuar të themi armiku, armiku, armiku...etj, por në shërbimin e këtij fenomeni, është pa asnjë dyshim “vërtet armiku, veprime të qarta armiqësore”, dhe më e habitshme dhe kryesore është të vetqënurit armik i “etnisë dardano-arbëroro-epirote”. Dikur Heroi kombëtar Gj. Kastrioti, kërkonte dhe porosiste popullin e etnisë së tij, se të bashkuar si komb etnik, do të jemi më të fortë ndaj çdo fenomeni natyror apo shoqëror.

Për fenomenin që po trajtohet, dëshiroj të këshilloj, që të punohet për rritjen e numurit të shteteve për njohjen e shtetit të Kosovës (nga të dy shtetet) dhe të dy “elitarët” e shteteve të realizojnë premtimet e dhëna gjatë elektoratit përkatës në drejtim të zhvillimit ekonomik, social, kulturor, ushtarak, etj. në forcim të bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë mes popujve dhe shteteve fqinjë dhe më gjërë.

“Cic-micet” djaloshare, apo të adoleshencës nuk vlejnë për nivele të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat