Ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Opinione

Ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 21 tetor 2016 Në ora: 00:14
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Ambasadori i Repblikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka deklauar se “Kosova e Shqipëria duhet të mbeten siç janë”. (http://fax.al/read/news/5786480/12897476/ambasadori-minxhozi-kosova-e-shqiperia-duhet-te-mbeten-sic-janepor duhet angazhim në zhvillimin ekonomik)/17 tetor 2016).
 
-Deklaratë e keqe dhe pa kurrfarë mesazhi  dhe dobie racionale për interesin e përbashkët të shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Mirëpo, shikuar politikisht dhe diplomatikisht është tejet e qëlluar dhe e pranueshme, sepse është në interesin e hajnave dhe të mafiozëve politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë, që me të gjitha mjetet dhe format bizare antishqiptare po luftojnë kundër ribashkimit kombëtar shqiptar dhe të ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, me qëllim që të ruajnë “triskat e abonimit” të pushtetit të tyre  të  “përjetshëm” dhe pasuritë milionshe e miliardshe të paligjshme në kurrizin e popullit të Kosovës dhe të Shqipërisë(1990-2016).
 
Gjithashtu, shkiuar më thellësisht dhe në mënyrë komplekse në sfondin e politikës së marrëdhënive ndërkombëtare, kjo deklaratë e ambasadorit Minxhozi është tejet e kapshme dhe për Serbinë, për Rusinë dhe për aleatët e tyre tradicionalë të sferave të interesit në Ballkan, që Kosova të mos ribashkohet me Shqipërinë ngaqë vazhdimisht interresi i tyre i njësuar strategjik politik, ushtarak dhe ekonomik është që territoret e gjysmës së Shqipërisë Etnike, t’i mbajnë edhe më tej nën  shfrytëzimin dhe nën ndikimin e “ombrellës” ruso-sllave mbase kjo është zgjidhja më opportune për ta ndjekur Amerikën dhe  NATO-n nga Ballkani.
 
Vetëm ribashkimi  me Shqipërinë e shpëton Kosovën nga shthurja e shtetësisë  së saj të pavarur!
 
Kot i besoni propagandës antiribashkim, premtimeve boshte dhe mashtrimeve skrupuloze, se  një ditë të ardhme Shqipëria dhe Kosova, do të bashkohen në Bashkimin Europian(BE). Kjo është gënjeshtër  më se 20-vjeçare, se Shqipëria, do të bëhet anëtare e BE-së. Mirëpo, kjo nuk ndodhi deri tani 1990-2016).
 
Po ashtu e njëjta gënjeshtër po i bëhet Kosovës nga ana e sundimtarëve milionerë dhe miliarderë, të cilët për  ta ruajtur  rendin, qetësinë, postet-kolltukët  dhe eurot milionshe  perandorake të tyre (1990-2016), po gënjejnë popullin se kinëse Kosova, do të jetë një nga shtetet anëtare të BE-së.
 
Thjesht, ato marioneta që po gënjejnë se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen në BE, janë fatkeqësia më e madhe dhe pengesa kryesore, që po përjeton, edhe sot ( në erën e integrimeve europiane) Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të ndara me interesa të ndryshme.
 
Bashkimi Evropian (BE-ja) nuk do t’i pranojë Shqipërinë dhe Kosovën si anëtare me të drejta të plota sikurse shtetet e tjera, tanimë të integruara në kuadrin e strukturës së saj, sepse  deri tani (2016) nuk ka praktikuar, që t’i pranojë dy shtete të njëjta me popullësi dhe me territor të njëjtë sikurse që janë Kosova dhe Shqipëria.
 
Pra, me gjithë dëshirën dhe leverdinë e ndërsjellë të BE-së, të Shqipërisë dhe Kosovës, dy shtete shqiptare me popullsi dhe me territor të njëjtë shqiptar, dot nuk kanë gjasë reale, që të aderojnë në Bashkimin Evropian(BE), sepse një standard i këtillë nuk është i parashikuar dhe i praktikuar në agjendën strategjike të integrimit evropian të BE-së.

Perspektiva e mugët  e së ardhmes së  Kosovës
 
Derisa Shqipëria nuk kërkon ribashkimin me Kosovën, Serbia nuk do të heqë dorë nga pretendimet dhe aspiratat negative kolonialiste për ta rikthyer Kosovën nën sovranitetin e saj të dikurshëm kolonial (1912-1999).
 
Këtë rrezik, duhet ta mbajnë parasysh “pajtangjinjtë”  e  Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare. Nëse Kosova lihet vetëm me ushtrinë (që ende nuk është zyrtarizuar) dhe me policinë e saj, pa mbikëqyrjen dhe pa mbrojtjen e permanente të Amerikës dhe të NATO-s, ajo, jo vetëm se do të jetë në konflikt të vazhdueshëm me Serbinë, por edhe i kanoset shthurja totale si shtet i pavarur. Të mos na vijë keq dhe, të mos e mashtrojmë vetëvetën, Kosova nuk ka perspektivë  të “mbijetojë”  gjatë si shtet i vetëm nëse nuk ribashkohet me Shqipërinë.
 
Prandaj,   deklarata e ambasadorit të nderuar të Shqipërisë në Prishtinë, z. Qemal Minxhozi, se “Kosova  e Shqipëria të mbesin kështu siç janë” (domethënë si dy shtete të ndryshme –MH), para  së gjithash, do t’u konvenonte shumë Beogradit, Moskës dhe  “perandorëve”  të rinj skllavopronarë  miliarderë- karrieristëve të sëmurë dhe të pamposhtur në Kosovë dhe në Shqipëri.
 
Për të mirën dhe ardhmërinë e gjithë kombit dhe të Shqipërisë Etnike, të mos vetëviktimizohemi para atyre  “aradhave  proletare” të xhepit, të drogës, të krimit, të korrupsionit, të shkombëtarizimit, të shitjes  së interesave dhe të vlerave kombëtare shqiptare, që janë bërë kështjellë e fuqishme për luftimin e idesë dhe të kërkesës legjitime të ribashkimit të Kosovës dhe të Shqipërisë.
 
Për të “paralizuar” dhe penguar një komb të tillë me përmasa gjithëkombëtare, Tirana zyrtare, urgjentisht, do të duhej, që të ndërtonte strategjinë e saj gjithëkombëtare dhe shtetërore, që si hap të parë të rëndësishëm historik, politik dhe diplomatic, Kosovën ta rikthente nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të Shqipërisë.
 
Pra, çasti historik, politik dhe interesi gjithëkombëtar e do, që t’i flakim recidivat e dikurshëm të fanatizmit, të fatalizmit, të vazalitetit, të kapitullimit dhe të përçarjes katastrofike dhe tragjike kombëtare.
 
Po ritheksoj se, nëse Shqipëria e Edi Ramës, sa më të jetë e mundur nuk ribashkohet me Kosovën, nuk ka dilemë se ajo do të falimentonte edhe si komb, edhe si shtet në Ballkan.
 
Këtë rrezik e paralajmërojnë, edhe “pazaret” e faktorëve ndërkombëtarë, që po parashikojnë dhe po nxitojnë  ridefinimin e kufijve  të rinj gjeopolitkë të Ballkanit, pa shpërthimin e ndonjë lufte me karakter botëror.
 
Po ashtu, të mos   e heshtim dhe të mos e injorojmë  faktin se,  qe disa vjet në Kosovë (jo rastësisht dhe pa ndihmën e ndokujt) po qarkullon teza e  krijimit të “kombit kosovar”, të cilës dhjetra e dhjetra herë iu kemi referuar, se ajo është inekzistente dhe absurd sui generis. Mirëpo, ia vlen të nëvizojmë se, deri më sot, asnjë institucion shtetëror as në Shqipëri e as në Kosovë nuk e ka kundërshtuar  tezën “kombi kosovar” të autorit Prof.Dr. Nexhmedin Spahiu, të cilin e mbështesin edhe një numër i caktuar intelektualësh, jo vetëm në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat