Zgjidhja e “Çështjes Çame” jo vetëm tek vullneti politik i shtetit Grek

Opinione

Zgjidhja e “Çështjes Çame” jo vetëm tek vullneti politik i shtetit Grek

Nga: Fahri Dahri Më: 15 tetor 2016 Në ora: 16:08
Fahri Dahri

E lexova me vemendje shkrimin: “Llogaritë e vogla politike meskine që fshihen pas sulmeve ndaj Ilir Metës”, botuar në gazetën në Gazetën “Koha Jonë” date 13.10.2016, dhe me shumë sinqeritet dua të veçoj disa momente, të cilat, sipas mendimit tim, duhen trajtuar me kujdes, sidomos nga pjesa intelektuale shqiptare.Thonë që prej të mënçurve duhet të mësohet, dëgjohet dhe mbi bazën e urtësive të tyre të  ecë shoqëria. Sa e vërtetë dhe sa qëndron kjo, nuk e them dot, por ka raste që dhe të mënçurit nuk i përmbahen realiteteve dhe rrëshqasin sa majtas, djathtas, lart, poshtë (nuk është fjala për krahët politike, sidomos ato tek ne).

Qëllimi i shkrimit, është të kujdesemi për të qenë sa më pranë problemeve, për të siguruar të vërtetat dhe pas saj komunikim të sinqertë dhe të qartë me lexuesit. Vizita e delegacionit tonë në Greqi, duke e parë nga jashtë zyrave diplomatike, pra me aq sa na informojnë mediat, lë përshtypje të diskutueshme:

Nëse ishte vizitë e kërkuar nga pala greke, në një kohë kur ka acarime të ashpra mes BE-së dhe qeverisë greke, pikërisht për “Çështjen Çame”, tregon se pala greke, e frikësuar nga trajtimi i kësaj çështjeje, krahas letrave, telefonatave greke drejt Brukselit, i duhej patjetër edhe një takim me palën shqiptare dhe mirë bëri. Dilema: Qeveria Shqptare, e cila vitet e fundit e ka trajtuar problemimn çam, disa herë edhe me palën greke, por me qasje të kundërta, nuk i shkonte për shtat shtetit grek që kërkesa për bisedime ti drejtohej asaj. Nuk paragjykoj, por ajo duke analizuar qendrimet shqiptare ndaj çështjeve të mëdha kombëtare, ka gjykuar se një delegacion nga institucioni parlamentar do ishte më i përshtatshëm. Edhe për këtë mirë veproi.

Trajtimi në shkrimin e më sipërmë, se debatet që po bëhen tek ne dalin sikur u diskutua vetëm për çështjen çame, mendoj se është i drejtë, pasi momenti i vizitës së delegacionit i përgjigjet ngritjes së këtij problemi nga BE-ja, dhe debateve të brenshme, tepër të ashpra ndaj qeverisë së Greqisë nga opozita e saj. Në këtë situatë, patjetër kërkohej që shteti fqinj të bënte manovrimet e  veta politike e diplomatike dhe i realizoi. A duhej pranuar apo jo ky takim, kjo ishte dhe mbetet kopetencë e shtetit Shqiptar.

          Sipas mendimit tim, krejtësisht të pavarur, mendoj se përfshirja në atë delegacion edhe pjesëtarë të PDIU-së, në kushtet kur shteti grek akuzon (sigurisht pa të drejtë) se ajo parti na qenka nacionaliste, bile akuzat janë deri edhe se kjo parti na qenka fashiste, bashkëpunëtore me okupatorin gjerman në kohen e Luftës Dytë Botërore. etj.etj. nuk ishte i nevojshëm

Nuk është as e re dhe as e padrejtë të themi që Beogradi dhe Athina, gjatë këtyre 100 viteve ndaj vendit tonë dhe shqiptarëve, kanë qenë dhe janë agresorë, krahas territoreve kanë diskriminuar, kanë vrarë, djegur dhe dëbuar dhunshëm nga vendlindja popullsinë autoktone. Nuk duhet të mbahen të mbyllura ngjarjet e rënda që kanë kryer këto dy shtete ndaj nesh, ku pikat kulmore arritën gjatë viteve 1944 e 1945 me Athinën dhe 1998-1999 me Beogradin. Ato ngjarje, për vetë brutalitetin, racizmin etno-fetar, tepër ekstrem, nuk mund të trajtohen si ngjarje historike që i takojnë së kaluarës. Janë pikërisht këto pika të historisë tonë me dy shtetet, që detyrojnë hedhje të hapave tepër të matura, të kujdeshme në bisedimet mes palëve për zgjidhjen e këtyre problemeve (të Çamërisë dhe Kosovës), të cilat nga mos transparenca më e vogël, dashje pa dashje kultivohet mendimi për “konçesione antikombëtare” .

Ndofta jam i gabuar, por edhe deklarata e bërë nga SHPAÇ, të cilën e lexova po në shtypin tonë, ku midis të tjerash bënte fjalë se nuk kërkohen ndryshime kufijsh, kërkon pak analizë. Sigurisht që “Çështja Çame”, nuk ka patur dhe nuk ka në qendër të zgjidhjes së saj kufinjtë shtetërorë, asnjëherë nuk është kërkuar një gjë e tillë, pasi nuk është ky problemi. Problemi qendron tek gjenocidi i ushtruar, tek mohimi i identitetit etnik të atij komuniteti, tek e drejta universale që i është mohuar e diktuar me dhunë nga ish qeveritë dhe shteti Grek i asaj kohe, por që e mban dhe e ruan me fanatizëm edhe Greqia e sotme. Deklarimi i mësipërmë, lidhur me kufijtë, lë përshtypjen sikur shkaku i mos pranimit të çështjes çame nga Greqia, na qenka frika e ndërrimit të kufirit dhe ne me bujari i themi:”mos ki frikë për kufijtë, se jemi ne garant, por pranoje problemin çam”. Ky qendrim, në dukje nuk lë vend për diskutime, as për dialog apo debate serioze për zgjidhjen e problemit. Problemi çam, nuk lindi si problem kufijsh, por si problem etnik, fetar dhe spastrim racor të hapësirës me kufirin e shtetit Amë nga banorët e etnisë shqiptare. 

Të deklaruarit se vizita e delegacionit shqiptar në shtetin fqinj, “e pakta që mund të thuhet ishte e shkëlqyer” (pa diskutim këtë dëshirojmë me gjithë shpirt e zemër të gjithë), në vetvete jep dy sinjale të panevojshme. Vlerësimi nuk mund të jepet vetëm duke u bazuar tek takimet, qoftë dhe me të gjitha institucionet shtetërore, por mbi bazën e arritjeve të marrëveshjeve të hartuara, të miratuara, të nënëshkruara dhe pastaj të vulosura në parlamentet përkatëse. Nga ana e shtypit ende nuk kemi konfirmime për marrëveshje të tilla, shpresojmë të bëhen me dije. Kur shprehemi në mënyrë absolute: “e pakta që mund të thuhet se vizita ishte e shkëlqyer”, vetvetiu lind pyetja, “kush ishte më e shumta që të arrihet tek mbi të shkëlqyerën”?. Përgjie të cilën nuk e lexuam në radhë e shkrimit në fjalë.

Mendoj se supozimet e shkruara si ato  për të thirrur “Rroftë Çamëria”, apo “tanket e Eduartd Shalsit”, siç është shkruar, as për të marrë “dru nga të Çamërisë”, e ulin gjykimin në nivele të papërfillshme dhe nuk zënë peshë për tu marrë në konsideratë, por le të mbeten si qendrime rutinë, inatçore ndaj ndonjë individi, apo ndaj ndojnë komuniteti, që as ndreqin e as prishin punë. Të kondicionosh “Çështjen Çame” me emigrantët shqiptarë në Greqi, nuk mund të  ketë interpretim tjetër, veçse të përulesh duke shitur parimet, virtydet, që të mundesh të shpëtosh nga frika, pra të mbetemi pengje të (mos) kthimit të emigrantëve. Të kuptohemi, nuk paragjykoj as për frikën dhe as për trimërinë, për rastin konkret, por duhet të flasim, mendojmë, gjykojmë dhe të ecim në rrugët tona me këmbë në tokë, pa djallëzira, pa kurthe, pa keqdashje të askujt, bile edhe pa mos prishje qejfi, apo buzëqeshje artificiale. Plagët, nëse pranohen të tilla, nuk kërkojnë për shërim ledhatimet, por ndërhyrjet mjekësore, përdorim të medikamenteve të përshtatshme dhe doemos në kohën e duhur.

Për respekt të lexuesve, lidhur me problemin kombëtar të Çamërisë, është folur në kohë të ndryshme, sipas këllqeve edhe nga qeveritë e para nëntëdhjetës, është folur në vitin 1996 me paktin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona, është folur edhe në vitin 2001, ashtu siç thuhet tek shkrimi, është folur edhe më pas, bile një ish ministër i jashtën ka folur tepër hapur në Athinë për çëshjten çame, deri edhe nga qeveria aktuale, sikunër është folur edhe në vitin 2004, me rastin e miratimit të Rezolutës Çame në Kuvend, ku “rrahën” telefonat: “Miratojeni rezolutën çame, por duhet të shkoni të prisni emigrantët në kufi”!!.  Problemi qendron tek vendosmëria për zgjidhjen e çështjes, tek hapat konkrete që të arrijnë realisht konsensusin me shtetin Grek. Nuk duhet mburrur, duke thënë se e trajtuam “Çështjen Çame” (në të vërtetë duhet thënë “Gjenocidin grek ndaj çamëve”), por duhet synuar pa llafe e bujë, drejt mirëkuptimit mes palëve dhe kjo arritje nuk duhet të  jetë e përsëritur dhe e pakufizuar. Nuk ka kuptim të mburremi se e ngritëm çështjn në mes të Athinës, kur Athina permanent deklaron prerë “Çështja Çame është inekzistente”.

Me një arësyetim dhe gjykim gjakftohtë, ç’fardo problemi kur shtrohet në tryeza bisedimesh dhe përsëritet po i njëjti qendrim, duhet kuptuar se arritja në zgjidhjen e tij është larg, për të mos thënë e pamundur, gjë që tregon as më shumë e as më pak se krijimi i atij problemi ka qenë plotësisht i padrejtë, por me pasoja tepër të rënda nëse shkohet në zgjidhje. Fjala këtu është për Ligjin e Luftës që shteti Grek e mban ende, duke deklaruar fjalë qetësuese, për të na hequr “frikën” se Greqia nuk ka ndërmend ti shpallë luftë Shqipërisë. Këto qendrime, tepër tallëse ndaj nesh, duhet të na zgjojnë, pra duhet “tundur” nga vendi (siç thotë populli) dhe që të “tundemi” kërkohet ndërrim qendrimi duke i thënë hapur shtetit Grek se:  “Ligji i Luftës” që mbahet nga ju, është i pallogjikshëm, i padrejtë dhe dëmton rëndë marrëdhëniet mes nesh, prandaj si vend anëtar i BE-së hiqeni atë dënim absurd, pranoni pasojat, për të krijuar atmosferë paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkan dhe më gjërë. Ky konkluzion arrihet si rezultat i praktikave “pa bereqet” i vizitave të shumta të ndërsjellta dhe qendrimi zyrtar grek ndaj këtij Ligji i shprehur qartë nga ish kryeministri Andreas Papandreu, i cili ka sqaruar hapur arësyen e mos heqjes dhe domosdoshmërinë e mbajtjes sa më gjatë të “Ligjit të Luftës” me Shqipërinë.  Papandreu më 3 mars 1986 ka deklaruar: "Heqja e Ligjit të Luftës do kishte pasoja vepruese për çamët myslimanë dhe gjithë atyre që synojnë rivendosje të mundëshme në Greqi. Qeveria jonë nuk ka asnjë gatishmëri që të bëjë tërheqjen më të vogël në këtë çështje"!     

Të arrihet në degradimin e çështjes, duke sulmuar mendimet pro dhe kundër ndaj vizitave, krijohet mendimi se shkrimi realizohet jo për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes, por për ta spostuar atë dhe të kalohet drejt diferencimeve politike, akoma më shumë partiake. Nëse impenjohemi për krahë politikë, ka probleme të tjera ku duhet prenoncuar, por jo në çështje tepër të rëndësishme si: të drejtat ndërkombëtare të njeriut, shkelja flagrante e të gjitha konventave ndërkombëtare etj. Në këto raste qendrimet politike dhe partiake bëhen një e të pandara. Nëse aderohet në një parti nga idealet e saj, le të vërtitemi rreth atyre idealeve, dhe si të tillë duhet të ndërgjgjesohemi se nuk ka vend për cilësime “Parti e madhe” apo “Parti e vogël”, secila prej tyre, e madhe apo e vogël e ka një pikë mbështetje dhe duhet respektuar. Nëse mbështetet ndonjë parti pa ideale, atëhere kalohet në militantizëm, mediokritet dhe prirje ndaj interesave të ngushta vetiake.

Nuk është e rehatshme dhe as e këshillueshme që, duke qenë se kërkohet për tu anëtarësuar në BE, meqense Greqia është vend anëtar, duhet të jemi të kujdeshsmë që të mos prishim marrëdhëniet. Sigurisht marrëdhëniet duhen ruajtur, forcuar dhe zhvilluar gjithmonë e më shumë. Por kjo nuk do të thotë që pala jonë për hir të “vetos” të bëjë veprime false, apo lëshime në parime, ndryshe as vendi ynë, as ai fqinj nuk mund të mbetet apo të bëhet vend demokratik.

Në përfundim, zgjidhja e “Çështjes Çame”, nuk mendoj se duhet të mbetet vetëm tek vullneti politik i shtetit Grek, siç pretendohet në shkrimin e më sipërm, kur të gjithë e dimë dhe e dëgjojmë përherë qendrimin e patundur, narcist grek: “Çështja Çame nuk ekziston”. Pavarësisht këtij qëndrimi aspak demokratik, as transparent, mos pranim dialogimi dhe debatimi dhe as mirëkuptimi, pala shqiptare lipset të bëjë përpjekje për tu ulur palët në dialog me prezencën edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Problemin çam nuk mendoj se i duhet pritur zgjidhja nga individë, qoftë edhe kur ata janë të veshur me shume pushtet (arësyet dihen). Problemi për zgjidhje duhet të jetë axhendë serioze dhe detyrimisht për ndjekje nëpërmjet rrugëve institucionale, në rastin konkret trajtimi i takon Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet ti drejtohet dyerve përkatëse të Bashkimit Europian, ku pjestare dhe anëtare me të drejta të plota është edhe Greqia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat