Krye-gjenerali amerikan paralajmëron rusët

Opinione

Krye-gjenerali amerikan paralajmëron rusët

Nga: Kolec Traboini Më: 13 tetor 2016 Në ora: 15:21
Kolec Traboini

  Gjenerali me katër yje, shef i shtabit të Ushtrisë Amerikane, Mark Milley me 5 tetor 2016 në një fjalim të tij në mitingun vjetor AUSA, paralajmëroi: "Unë dua të jem i qartë për ata që duan të na bëjnë dëm ... Forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara - përkundër të gjitha sfidave që kemi kaluar, pavarësisht nga çdo gjë që kemi bërë - ne do t'ju ndalim ju, ne do t’ju godasim më shumë se ju keni qenë goditur ndonjëherë më parë. Mos bëni asnjë gabim për këtë,"- tha Milley. Ai vazhdoi të paralajmërojë se Rusia dhe vendet e tjera kanë përfituar nga SH.B.A. që është angazhuar  në luftën kundër terrorizmit. "Vendet e tjera - Rusia, Irani, Kina, Koreja e Veriut, studiuan doktrinën tonë, taktikat tona, pajisjet tona, organizatën tonë, trajnimin tonë, udhëheqjen tonë. Dhe, nga ana tjetër, ata rishikuan doktrinat e tyre, dhe ata kanë modernizuar me shpejtësi kapacitetet e tyre ushtarake për të shmangur forcat tona me shpresë për të na mposhtur në disa pika në të ardhmen." Gjenerali Milley paralajmëroi se konflikti tjetër i madh do të jetë shumë vdekjeprurës."Kujdes mos të bëni asnjë gabim në lidhje me ketë, ne e kemi aftësinë për të vendosur me shpejtësi," tha ai, duke shtuar "dhe do të shkatërrojmë çdo armik kudo, në çdo kohë". Gjenerali amerikan Milley e bëri të qartë që ai ishte duke folur për atë çfarë kishte thënë një zyrtar i lartë rus, i cili kishte deklaruar se  "Rusia tani mund të luftojë një luftë konvencionale në Evropë dhe të fitojë." Komentet e ushtarakëve tregojnë  tensionet në rritje në mes të dy superfuqive. Kjo atmosferë nervoze lufte është edhe në Rusi ku 40 milionë rusë nga të gjithë sektorët kanë marrë pjesë në një stërvitje mbarëkombëtare për raste të rrezikut bërthamor. Në shtypin rus shkruhej këto ditë se bunkerë të mëdhenj nëntokësore bërthamore janë ndërtuar për të siguruar strehim për popullsinë 12 milionë të qytetit të Moskës. Ndërkohë që edhe një stacion televiziv kombëtar kishte lexuar udhëzimet nga Ministria e Mbrojtjes që paralajmëronte qytetarët e mbarë vendit për mundësinë e një konflikti bërthamor. Ndërkohë Putini u ka kërkuar të gjithë rusëve të kthejnë familjet e tyre në Rusi. Në këtë situate të tensionuar presidenti rus Vladimir Putin anuloi takimin me presidentin francez dhe sipas disa lajmeve ka lajmëruar popullsinë e vendit të vet të sigurojë ushqime për një kohë të gjatë. Konfliktet dhe përplasjet e interesave të fuqive të mëdha janë nga më të ndryshmet, por një gjë dihet. Mollë sherri kësaj herë është bërë Siria, ku Rusët godasin forcat kundërshtare të Bashar Asad-it të cilat janë aleate të Amerikës dhe kjo ka qenë e padurueshme për amerikanët. Po aq acaruese janë edhe lëvizjet e Putinit që krijoj aleance të ngushtë me Ergoganin e Turqisë. Turqia ani pse ka marrë armatime të shumta nëpër vite nga amerikanët dhe është anëtare e NATO-s, dyshohet se aleanca me Rusinë, po e shtyn për ti këputë lidhjet me perëndimin, çfarë tregon se edhe brenda aleancave ushtarake paska lidhje të brishta.  Bota mesa duket po shkon drejt përplasjesh të mëdha në të cilat edhe ne jemi të përfshirë për shkak të angazhimeve dhe nuk mund ta kalojmë me indiferencë këtë gjendje. Sa të përgatitur jemi ushtarakisht. Si do ta mbrojmë Atdheun? Me ushtarët që mbledhin kanoçe brigjeve të detit apo me policinë që është kthyer në një repart zjarrfikësish (lexo zjarr-ndezësish) nëpër skërkat e kanabisit. Indiferenca në fushën e mbrojtjes e sigurisë kushton shumë shtrenjtë e kërcënon fatet e kombit. Dhe kur mendohet se do të jetë një luftë ku mund të përdoret arsenali bërthamor i superfuqive, të vinë ndërmend fjalët e Ainshtajnit, që,  kur e pyetën se si do të përfundojë Lufta e III-të Botërore nëse ndodh, ai u përgjigj: Nuk e di si do të jetë Lufta e III-të Botërore, por ajo që me siguri di është se po ndodhi, Lufta e IV-t do të bëhet me gurë e shkopinj. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat