Skandalet që po tronditin policinë e Kosovës

Opinione

Skandalet që po tronditin policinë e Kosovës

Nga: Fadil Kajtazi Më: 11 tetor 2016 Në ora: 11:32
Fadil Kajtazi

Edhe pse shumica e anketave, Policinë e Kosovës për ka besueshmëria, e klasifikojnë lart në rangun e institucioneve shtetërore, skandalet e vazhdueshme që e përcjellin këtë institucion, flasin për një institucioni i cili le shumë për të dëshiruar. Besimi i popullatës në Policinë e Kosovës është refleksion i idealizmit për të pasur Kosova polici të vetën, dhe për faktin, se pjesa e policisë e cila është në kontakt të përditshëm me popullatën (Policia e Komunikacionit) reflekton mirë dhe krijon perceptim si institucion i besueshëm.

Mirëpo, Policia e Komunikacionit është njëri nga segmentet e këtij institucioni të rëndësishëm për një shtet, kurse gama e fushëveprimtarisë së policisë është më e gjerë dhe, sipas kushtetutës (Neni 128) dhe ligjit (Nr. 04/L-076), ajo mbulon një pjesë thelbësore të zhvillimit të aktiviteteve tona të përditshme prej te cilave varët funksionimi i rendit kushtetues, apo me një fjalë, funksionimi i shtetit të Republikës së Kosovës.

Por a është e denjët kjo organizatë të përmbushë këto obligime kushtetuese dhe ligjore?

Skandalet që e përcjellin në vazhdimësi  Policinë e Kosovës, ku spikat rasti i fundit i kolonelit Nehat Thaqi, tregojnë për brishtësinë e kësaj strukture. Raporti i progresit i hartuar nga Komisioni Evropian, në pjesë e cila i referohet Policisë së Kosovës, në vazhdimësi, nga viti 2008, evidenton të arriturat dhe faktin se ky institucion vazhdon të jetë i besueshëm për popullatën e Kosovës, por gjithashtu evidenton edhe mangësi. Ndonëse gjuha e adresimit të këtyre mangësive është e butë, për vrojtuesin e kujdesshëm ato janë ndër më thelbësore. Vërejtjet e modifikuara në nuanca nga viti në vit nga ky institucion kredibil se; “policimi i udhëhequr nga inteligjenca mbetet i dobët” ose “ndërhyrje të pavend nga politika në emërimet të larta të policisë dhe në kryerjen e operacioneve të ndjeshme të policisë”, paraqet një nga vërejtjet më serioze dhe sfidë për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të policisë të cilën Ministria e Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës është dashtë ta marrin në konsideratë.

Por cilat janë arsyet që ekspertët e Komisionit Evropian, gjatë hartimit të raporteve te progresit, këto vërejtje esenciale i thonë në mënyrë “të butë”, gjë e cila bën që përmirësimet e këtyre dy vërejtjeve t’i përkasin karakterit terciar e që në fakt duhet të ishin primare.

Arsyet janë të shumta, por po i veçojmë disa; së pari shkak se “policimi i udhëhequr nga inteligjenca mbetet i dobët” është “ndërhyrje të pavend nga politika në emërimet të larta të policisë...” gjë e cila është e instaluar në kohën e UNMIK-ut. Kjo ndërhyrje është masive, nga shumë drejtime. Mënyra se si është rekrutuar Shërbimi Policor i Kosovës ka krijuar heterogjenitet, apo qarje të madhe. Në regrutimin e pjesëtarëve të SHPK kanë marrë pjesë oficer policie nga e gjithë bota, përfshirë vendet që nuk na njohin neve si shtet, vendet të cilat janë burim i  ekstremizmit fetar dhe vende me kulturë shtetërore më të ulët se ne. Këta rekrutues përpos tjerash janë ndikuar nga stafi vendor, kryesisht asistent teknik dhe përkthyes të cilët kanë imponuar kërkesat e tyre. Për ata që ju kujtohet, hilja fillonte nga mbushja e testit me laps të thjesht të cilin kontrolluesit e testit e rregullonin pastaj sipas preferencës.

Cilat ishin preferencat?

Zakonisht ato imponoheshin nga nivelet e ndryshme politike, të cilët përmes stafit të përkthyesve influenconin te ndërkombëtarët, ku stafi i asistentëve teknik dhe përkthyesit, në këtë kohë ndikoheshin nga “krahu i luftës” dhe një pjesë e madhe e kuadrit u zgjodh nga kjo kategori pa marrë parasysh se a i plotësonin kushtet apo jo. Kishte aplikant që nuk kishin të mbaruar as shkollën e mesme dhe vetëm se ishin e preferuara e kësaj kategorie u pranuan në polici.

Preferenca tjetër, ishte e stafit ndërkombëtarë të cilët, nga vendet ku vinin, kishin edhe obligime zyrtare. Një nga këto ishte krijimi i agjenturës së këtyre vendeve. Dhe po të shikohet gjeografia e policëve ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në regrutimin e Policisë së Kosovës dhe të krahasohet me gjeografinë e vendeve që nuk na njohin subjektivitetin tonë  ndërkombëtar, na shfaqet një tablo e zymtë. Një pjesë e madhe e këtyre policëve vinë nga shtetet që kanë predispozita subversive në drejtim të Kosovës; policët rusë, për shkak të ridefinimit të gjeopolitikës ballkanike të Rusisë e në raport me SHBA dhe perëndimin; policët e vendeve arabe për shkak të përhapjes së doktrinave të tyre fetare; Turqia, për shkak tendencave në rritje të të ndikimit në hapësirat ballkanike. Nëse një policit nga këto hapësira i ka takuar të rekrutonte dhjetë polic, ai një e ka rekrutuar për veprimtari spiunazhi për shtetin e vet, dhe me kënaqësi e ka përmbushur kërkesat e asistentëve dhe përkthyesve, për ndikimet nga krahu i luftës, për familjarët e tyre, për biznesin e këtij stafi i cili aplikantëve të rëndomtë ju kërkonte edhe tallin. Kjo mundë të duket hipotetike, por është realiteti i hidhur i krijimit të këtij institucioni që është njëra nga bazat mbi të cilat qëndron shtetësia e Kosovës. Dhe realiteti i brishtësisë së kësaj shtetësie është pikërisht mosfunksionimi si duhet i këtij segmenti.

Preferenca tjetër e të rekrutuarve ishin të përzgjedhurit e shërbimeve serbe të cilat për shkak të infrastrukturës së tyre në Kosovë arritën shpejt të konsolidohen edhe në Policinë e Kosovës. Preferencën e kësaj strukture e dëshmon dezertimi (2004 ose 2005) dhe kërkimi i azilit politik në Britani të Madhe të oficerit Shërbimit Policor të Kosovës Osmon Musa. Ai kërkimin e azilit në Britani e kishte arsyetuar se ishte agjent i shërbimit sekret serb. Kur kihet parasysh fakti i pozitës që ky person ushtronte në kohën sa ishte polic, për një institucion normal kjo do të paraqiste skandal të madh dhe do të duhej të bëhej një analizë nga ekipe të specializuara për dëmin e shkaktuar nga ky person. Dhe dëmi është, apo duhet të ishte i përmasave të mëdha nga se personi në fjali kishte punuar në sektorin e Standardeve, sektor ky i cili merrej me pastërtinë e figurës së oficerit policor. Ky sektor kishte ndikimin kyç në gradimin e oficerëve policor. Nëse ky person nuk ka arritur ta konstruktoj “rrjetën e merimangës” të shërbimit serb brenda Policisë së Kosovës, domosdo se ka ndikuar që të mënjanohen dhe mos të gradohen ata që e meritonin, dhe kategoria pa merituar, të gradohet e të cilët, në vazhdimësi ndikojnë që “policimi i udhëhequr nga inteligjenca mbetet i dobët” dhe të bëhen vegla të ndërhyrjeve politike.

Dezertimi i kolonel Nehat Thaqit

Si ta kuptoj një qytetar i rëndomtë i Republikës së Kosovës, hyrjen në territorin e një shteti armik të një koloneli të Policisë së Kosovës. Për mendjen e shëndosh kjo nuk ka së si kuptohet ndryshe pos si një dezertim. Por rrethanat e cekura më lart mbi mënyrën e regrutimit të policisë këtë akt e zhvendosin në një plan tjetër. Ky është një kombinim klasik agjenturor; komandantë të shumtë hyn e dalin në Serbi dhe kush nuk e merr vesh, por shërbimeve sekrete serbe përshtypje ju ka bërë drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, dhe nga prokurorët për krime lufte, ai merret në pyetje formalisht, ose sa për t’u frikësuar. Pyetjet e vërteta atij janë duke ja bërë specialistët e BIA-së nga sektori për regrutim të agjentëve. Pozita e drejtorit dhe e kaluara do të jenë sfida të kolonel Nehat Thaqit gjatë seancave me specialistët e BIA. Sa do t’i rezistoi koloneli presionit vështirë të dihet, por një gjë është e sigurt se ai nuk do të ishte ndalur nëse BIA nuk do të kishte për të diçka më shumë se “krimet e luftës”. Ky skandal, së bashku me dezertimin e Osman Musës dhe me vjedhjen e dhomës së dëshmive, tronditin thellë themelet e Policisë së Kosovës. Deri sa këto nuk ndriçohen plotësisht, në këtë institucion do të ketë probleme serioze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat