Referendumi ishte ide e heroit Fehmi Agani, e përqafuar nga Ibrahim Rugova dhe nga populli

Opinione

Referendumi ishte ide e heroit Fehmi Agani, e përqafuar nga Ibrahim Rugova dhe nga populli

Prof.Dr.Mehdi Hyseni Nga Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më 1 tetor 2016 Në ora: 18:39
Fehmi Agani dhe Ibrahim Rugova

 Barometri diplomatik
  
*** Parimisht  nuk pajtohem me opinionet e njëanshme individuale e as partiake, se gjoja “Rugova nuk ka bërë asgjë për Kosovën” (1990-1999). Një konstatim i tillë është nonsens i paqëndrueshëm dhe i pajusitifikueshëm si për politikën, ashtu edhe për hostorinë e re të Kosovës. S’ka dyshim se mund të kritikohet politika e Rugovës për gabimet dhe të metat e saj nëntëvjeçare (sepse politika e Rugovës nuk ishte e shnejtë e as ai nuk ishte profet), por gjithmonë duhet mbajtur parasysh  faktin se, ajo politikë zhvillohej në  kohë lufte dhe agresioni, jo në kohë paqeje nën mbrojtjen dhe me përkrahjen e Amerikës dhe të NATO-s. Kjo është asimetria e politikës së Rugovës dhe e politikës paqësore (2000-2016).

Duhet shikuar në sy të vërtetën se, qe  16 rresht vjet në liri dhe në paqe,  me plot të drejtë po kritikohet, edhe  politika qeverive korrupsioniste dhe  mafioze të klasës sunduese të Kosovës për huqet dhe për skandalet e tyre katastrofike), por, duhet, të mbajmë parsysh faktin se  nuk ka politikë  dhe lider politik  në botë pa gabime. Mirëpo, Rugova nuk mund të mohohet si vlerë historike, politike dhe kombëtare shqiptare (1990-2006). Pra, me një fjalë ish-presidenti Rugova bëri atë që mundi në kushtet dhe në rrethanat e rënda të okupimit të Kosovës nga Serbia policore, militariste dhe gjenocidale e Slobodan Milosheviqit. Rugova nuk mundi të bënte më shumë, sepse nuk e kishte mbështetjen  e faktorëve ndërkombëtarë sikurse që pati qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi më 17 shkurt 2008, të cilën e njohën Amerika dhe aleatët e saj evro-perëndimorë.
 
 
*** Edhe drejtësia, ashtu sikurse historia do argumente dhe prova  materiale aksiomatike, ndryshe nuk mund të ketë kurrfarë konkluzioni pozitiv racional  të ndriçimit të së vërtetës. Politika matet vetëm me rezultate konkrete, jo me  thashethëna ose me  fiksione politike dhe me diletantizëm politik  të karrieristëve dhe të latifundistëve të “parapaguar” për përhapjen e mjegullave të politikës fiktive prej së cilës nuk fiton  asgjë interesi i përgjithshëm as i popullit e as i atdheut, por vetëm mafiozët, korrupsionistët dhe kriminelët e ndryshëm, që kanë për detyrë  bastardimin, shkatërrimin dhe eliminimin e vlerave të njëmendta të një populli a shteti.
 
 
*** Jusuf Buxhovi: “Dritën e gjelbër, në vitin 1991, për Referendumin për Pavarësi, e ka sjell presidenti Ibrahim Rugova, pas një vizite që ka bërë asokohe në SHBA. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe referendumin e kanë ndjek rreth 200 vëzhgues të OSBE-së, se ishin 900 mijë votues, dhe se kjo ngjarje ishte gurthemeli i shtyrjes para të proceseve për Kosovën.“(http://www.botasot.info/aktuale-lajme/583363/buxhovi-rugova-e-solli-nga-shba-ja-driten-e-gjelber-per-referendumin-me-1991/).
 
 
Nuk është fare e rëndësishme se çfarë ka thënë ish-kryetari i LDK-së, përkatësisht ish-presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, pas përfundimit të vizitës së tij në Amerikë, në fillim të viteve të 90-ta të shekullit XX, por e vërteta e pamohueshme është se Uashingntoni zyrtar nuk e ka njohur Republikën e Rugovës, të dalë nga Referendumi i vitit 1991. Ky është argumenti, të tjerat janë thashethëna post festum   sa për t’ia bërë qejfin një politike të brishtë të  kohës së shkuar, nuk kanë kurrfarë peshe   përsa i përket historikut të Referendumit të vitit 1991. Pra, e rëndësishmja është që  Rugova e kishte përqafuar idenë e nënkryetarit të LDK-së, të  akademikut dhe të heroit të Kosovës, Fehmi Agani. Pra, ideja  për shpalljen e Referendumit 1991 ishte shqiptare, jo europiane e as amerikane.
 
Historia nuk shkruhet  vetëm me deklarata  të  thata të ekzagjeruara dhe me fjalë boshe për  ta hymnizuar kultin e ndonjë kryelideri, ose të ndonjë partie politike; për ta ngritur-vlerësuar dikë, ose për ta ulur-zhvlerësuar dikë në “stilin”  e demagogjisë politike: "futja prej shpati", sipas njohësisë, simpatisë dhe interesave të individëve, të grupeve, të klaneve, të mahallave, të provincave, të partive dhe të ideologjive të ndryshme “sipas kohës ktheje gëzofin” : bëri, nuk bëri,  më tha, i thash, ka thënë, nuk ka thënë, e meriton, nuk e meriton, patriot, tradhtar… etj., por vetëm me argumente të dokumentuara. Edhe historia është sikurse drejtësia, do prova materiale jo thashethëna si thonë  “bisht mbas gardhi”, sepse ato nuk çojnë kurrfarë peshe në zbardhjen e së vërtetës  historike e as  të asaj juridike, porse vetëm e mjegullojnë, duke e lënë të pathënë dhe të padokumentuar atë.
 
Refrendumi-produkt i vlerave akademike shqiptare të Kosovës
 
Nuk ka asnjë dilemë se Referendumi vitit 1991(26-30 shtator) ishte një  akt i rëndësishëm  historik, politik, demokratik dhe patriotik  kombëtar për  pavarësimin e Kosovës, ashtu sikurse Deklarata e 2 korrikut 1990, si dhe Kushtetuta e Kaçanikut e 9 shtatorit  1990. Mirëpo, për mbajtjen e tij, ideja dhe “drita e gjelbër” ishin shqiptare, jo ndërkombëtare ngaqë deri në organizimin e Konferencës së Rambujesë në Francë (6 shkurt - 18 mars 1999 ) as  Amerika e as Evropa Perëndimore nuk patën dhënë kurrfarë “drite jeshile” për mbështetjen, përkatësisht njohjen e Republikës së Rugovës, sepse ishin të involvuara në zgjidhjen e konfliktit  serbo-kroat-boshnjak në Kroaci dhe në Bosnjë, problem ky, që u mbyll me nënshkrimin e   Marrëveshjes së Dejtonit, të nëshkruar në Paris, më 14 dhjetor 1995 nga  përfaqësuesit e palëve në konflikt: Franjo Tugjman, Slobodan Milosheviq dhe Alija Izetbegoviq.
 
Duhet të jemi aq  korrekt, objektivë dhe  mirënjohës  të vlerave tona akademike  kombëtare, të njohura dhe të çmuara, edhe në dimensione  ndërkombëtare, se ideja për shpalljen e Referendumit  të vitit 1991, nuk ishte ide e sugjeruar, as e mbështetur nga jashtë, as nga shtetet e Evropës Perëndimore e as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ishte ide dhe vepër konkrete  e brendshme autenike,  e propozuar nga mendja e mprehtë dhe e ndritur e diturisë dhe nga ndërgjegja e lartë e atdhedashurisë  së   elitës akademike të Kosovës: Akademik Fehmi Agani( kryeforca motorike-arkitekti i LDK-së), Akademik Gazmend Zajmi ( “ iniciator dhe autor i Apelit 215 të intelektualëve shqiptarë në mars të vitit 1989. Në vitin 1990 ishte kryehartuesi i Deklaratës së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës dhe përpilues i tekstit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe të dokumentave të tjera për avancimin e pozitës konstitucionale-juridike të Kosovës”) dhe Akademik Esat Stavileci (jurist dhe pedagog  me renome kombëtare dhe ndërkombëtare).  Këta janë akademikët tanë të shuqar , vizionarë dhe të guximshëm,  që Ibrahim Rugovës ia sugjeruan mbajtjen e Referendumit për  pavarësinë e Kosovës (1991), të cilin ai  e përqafoi me mençuri dhe me guxim, edhe pse Kosova ndodhej në flakën e terrorit dhe të dhunës barbarike të Serbisë gjenocidale dhe kolonialiste (1989-1999).
 
Kjo ishte  “drita e gjelbër” për mbajtjen e Referendumit historik të Kosovës (26-30 shtator 1991), e inicuar nga Akademiku, Profesori dhe Heroi ynë Fehmi Agani, të cilin e mbështeti  kryetari i LDK-së, përkatësisht presidenti Dr.Ibrahim Rugova dhe populli me votën e tij demokratike mbi 90%, që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran. Mirëpo, këtë Referendum nuk e njohu asnjë shtet i bashkësisë ndërkombëtare, përpos  Republikës së Shqipërisë (1991).
 
Dy argumente përgënjeshtruese  të “dritës së gjelbër” ndërkombëtare
           
Duke qenë se, tanimë , ish-presidenti i ndjerë Rugova nuk është në mesin tonë (2006), nuk kemi arsye, që  të mos i besojmë kësaj deklarate   të  Prof.Dr. Jusuf Buxhovit (poet, shkrimtar dhe historian i njohur  i Kosovës) të dhënë                                              përmes një interviste “TVRrokum Roll”  të Prishtinës, sepse   siç e dimë të gjithë, Buxhovi  ishte një nga bashkëthemeluesit  e LDK-së dhe njëri  nga  bashkëpunëtorët më të afërt të ndjerit Ibrahim Rugova, i cili, “pas një vizite që i paska bërë Amerikës” me t’u kthyer në Kosovë   paska njohtuar se  nga Uashingtoni “kishte marrë dritën e gjelbër për mbajtjen e Referendumit të shtatorit (26-30- shtator 1991)”.
 
Mirëpo, këtë pohim të Rugovës, të ditur nga  Jusuf Buxhovi, e konteston ky argument i parrëzueshëm: -Po,  meqë shpallja e Referendumit për Republikën e Kosovës, paska qenë ide sugjeruese e  qarqeve zyrtare të Uashingtonit, atëherë, me arsye  shtrohet kjo pyetje thelbësore, pse  Amerika nuk e mbështeti dhe nuk e njohu Referendumin e datës 26-30 shtator të vitit 1991?
 
Kjo është thelbësorja, jo se çfarë  ka thënë Rugova lidhur me përshtypjet e vizitës së tij në Amerikë. Ndaj, logjika e shëndoshë  e filozofisë politike dhe pragmatike e thotë, sikur Uashingtoni zyrtar ta kishte sugjueruar Referendumin për shpalljen e Republikës së Kosovës, mirëfilli, Amerika, edhe  do ta kishte njohur Republikën e Kosovës në shtatorin e vitit 1991.
 
Ndërkaq, argumenti dytë është se, Amerika gjatë viteve 1991-1999, nuk e ka njohur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, edhe pse shkruhet dhe flitet me pompë, se gjoja( sipas  deklaratve të Rugovës), “Amerika i kishte premtuar atij” se do ta njihte Republikën e  Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur në praktikë gjatë asaj kohe të theksuar . Si rrjedhim  në skenën politike dhe ushtarake doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) me krykomandantin dhe me kryeheroin  legjendar Adem Jashari, të cilën në Konferencën e Rambujesë (18 mars 1999) e mbështeti Amerika, me ç’rast de fakto dhe de jure u ndërkombëtarizua zgjidhja e çështjes së Kosovës, duke qenë se NATO-ja  me urdhërin e Amerikës së presidentit Bill Clinton, e komanduar nga gjenereali amerikan Wesley Clark, më 24 mars 1999 filloi bombardimet kundër Serbisë.
 
Amerika zyrtare nuk i kishte premtuar asgjë Rugovës për njohjen e Republikës së Kosovës (1991-1999)!
 
Lidhur me këtë çshtje, duhet të nënvizojmë faktin e rëndësishëm se gjatë historisë së derisotme të Amerikës, nuk ka ndodhur, që kjo të ketë premtuar, e të mos ketë realizuar premtimin e saj në praktikë.
 
Prandaj, nuk ia vlen që  edhe  sot, pas pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008) me ndihmën kokrete humanitare, ushtarake, luftarake, politike dhe diplomatike të Amerikës dhe të NATO-s,  të merremi dhe të  “ushqehemi” me spekulime të politikës së dikurshme ditore të disa eksponentëve të LDK-së (që kanë bërë karrierë dhe janë pasuruar deri në qiell, duke e abuzuar emrin e  paqësorit Rugova dhe misionin politik të LDK-së, të cilët, pa vdekjes së Rugovës më 2006, treguan surratin e vërtetë sesa janë në vijën e kursit dhe të doktrinës politike, demokratike dhe paqësore  të tij), se gjoja Amerika “i kishte premtuar” Rugovës për njohjen e Republikës së Kosovës  së dalë nga Referendumi i datës 25-30 shtator 1991. Kjo nuk qëndron, as në figuron në asnjë dokument zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës qoftë me karakter politik, diplomatik apo jurdik (1991-1999).
 
Kjo është e vërteta, ndryshe, sikur  Uashingtoni zyrtar të kishte   premtuar një gjë të tillë, pa asnjë dyshim se, Amerika do ta kishte njohur, që atëherë Republikën e Rugovës në bazë të Referendumit të vitit 1991.
 
 
Pra, duhet pranuar faktin se, gjatë asaj kohe as Amerika e as Evropa Perëndimore nuk kishin shprehur kurrfarë gatishmërie për ta njohur Republikën e Kosovës sipas Referendumit të theksuar. Përkundrazi Uashingtoni dhe BE-ja  angazhoheshin, që Prishtina dhe Beogradi, të gjenin gjuhë të përbashkët kompromisi të dialogut politik  dhe paqësor për zgjidhjen e krizës së Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, do të thotë një lloja autonomie nën Serbinë e Slobodan Milosheviqit.
 
Pra, të jemi të sinqertë, të mos manipulojmë me  emrin e Rugovës  në opinionin publik, as në çasjet historike, politike, juridike dhe diplomatike të historisë së re të Kosovës (1990-2016), sepse Uashingtoni zyrtar, asnjëherë, as me gojë e as me shkrim nuk i ka premtuar Rugovës (1990-1999), se do ta mbështeste  Republikën e Kosovës sipas Referendumit të vitit 1991. Këtë  të vërtetë e dokumentojnë edhe  memoaret e ish-sekretares së Departamentit  Shtetëror Amerikan, Madeleine Albright(“Madame Secretary A Memoir Madeleine Albright” New York, 2003).
 
Duke qenë se i kam lexuar të gjitha dokumentet  e PUBLIKUARA PËR OPINION në anglisht të Stejt Departamentit Amertikan, që i referohen Kosovës (1990-1999) diçka e tillë me shkrim (qoftë edhe në formë deklarate për shtyp nga ndonjë përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë, i Kongresit apo i Senatit) nuk figuron në asnjë dokument. Ndoshta, nuk  përjashtohet mundësia, që, ndonjë zyrtar i lartë amerikan, atë t’ia ketë thënë Rugovës privatisht në mënyrë verbale joprotokollare  në ndonjë takim joformal tête-à-tête në  Uashington apo në Nju-Jork. Mirëpo, kjo nuk lot rol, kryesorja, Referendumi është mbajtur në momentin e duhur historik dhe politik (26-30 shtator 1991), ku  mbi 90 per qind të votuesve shqiptarë u deklaruan pro  pavarësisë së Kosovës.
 
Prandaj, pavarësisht se e kujt ishte ideja, që pas Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës ( 2 korrik 1990) dhe të Kushtetutës së Kaçanikut (9 shtator 1990), të bëhej edhe Referendumi  në shtatorin e vitit 1991, ishte plotësisht e drejtë, e pranueshme dhe e justifikueshme ngase populli në mënyrë plebishitare, i tha, PO,- Pavarësisë së Kosovës. Ndaj, nuk ka asnjë dyshim se të gjitha këto akte  dhe vendime historike, juridiko-politike, demokratike dhe kushtetuese  janë bazamenti historik i krijimit të Republikës së Kosovës. Këto, patjetër, dhe, pa asnjë pikëpyetje, duhet të stipulohen në pjesën e historikut të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (15 qershor 2008). Ndryshe, ajo Kushtetutë do të jetë e mjegullt dhe me shumë pikëpyetje për historinë e re të Kosovës (1990-1999).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat