Ministër, gabove!

Opinione

Ministër, gabove!

Nga: Rrahim Kastrati Më: 30 shtator 2016 Në ora: 14:05
Arsim Bajrami

Ministër, një pjesë e madhe e mësimdhënësve të asaj periudhe të mbijetesës së shkollës shqipe në Republikën e Kosovës, të periudhës së trysnive e përndjekjeve më të rënda, kanë ndërruar jetë, kanë mbetur edhe pak, e ju pritni derisa të “ecin” edhe këta, dhe pastaj miratoni ligjin në Parlament!

Të jem i sinqertë, për të kritikuar apo për të vlerësuar dikë, duhet të jesh paksa më i ngritur, apo së paku i nivelit të tij! Unë nuk jam profesor Universiteti, as doktor shkence, nuk jam as veteran i UÇK-së, me tre muaj pjesëmarrje në luftën e fundit, pa e mohuar kontributin e të gjithëve, sepse secili në një mënyrë, apo tjetër e ka pasur dhe e ka borxh-obligim, për t’i dalë Zot këtij vendi! Unë jam mësues-veteran, i pensionuar një vit më parë, pas punës së pandalshme 45 vjeçare në arsimimin dhe edukimin e nxënësve, punë që e kemi kryer me përkushtim, megjithë sfidat e kohës.

Por, Ministër, fjala e juaj ditë më parë për mësimdhënësit e viteve 90-ta, “që të mos presin dekorata”, më ka prekur thellë në zemër, madje jo vetëm mua. Na lëndove dinjitetin e mësuesit, ishte shprehje fyese për mësimdhënësit.

Me keqardhje të madhe, dhe me përgjegjësi morale, e them hapur, gabove Ministër! Konsideroj se, ju shprehët njëfar injorance ndaj mësimdhënësve të viteve të ’90-ta, në pyetjen e një deputeti për njohjen e meritave dhe kontributit të mësimdhënësve përgjatë viteve të ’90-ta në Kosovë!

Nëse ishim pjesë e rezistencës së përgjithshme popullore, pse vallë nuk na takuaka ndonjë lloj dekorimi apo njohje me ligj e beneficione e kontributit për ato vite?!

Ju kujtojmë se në shtetin e ri të Kosovës, çdonjëri që ishte i burgosur nga regjimi i kaluar komunist e serbojugosllav, qoftë për hajni e vëllavrasje, çdo ditë nga pushtetarët aktual dekorohet në emër të kontributit për shtetin e Kosovës! Pse vallë u dashka të privohen nga ajo e drejtë mësimdhënësit, ata që sakrifikuan vetën dhe familjet e tyre, vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë arsimin shqip për afër një dekadë nën rrethanat e okupimit barbar serb?

Po ashtu, nga viti i kaluar, u dekoruan me titullin “veteran-luftëtar”, edhe njerëzit që nuk kanë qenë fare në Kosovë gjatë periudhës së luftës çlirimtare! Fatkeqësisht fituan nga ligji, edhe bashkëpunëtorët dhe spiunët e Serbisë, apo edhe dezertorët e luftës për liri.

Përderisa lavdërohen si “kontribuues” shpërblehen dhe kanë përfituar materialisht edhe grupet që kanë penguar veprimtarinë arsimore dhe politike kombëtare të mbijetesës së viteve 90-ta, çuditërisht dhe paradoksalisht kanë mbetur të anashkaluar dhe harruar nga shteti dhe shoqëria ata që dhanë gjithçka patën, dhanë maksimumin për të mbajtur gjallë shtetësinë e Kosovës.

Po injorohen ata që sakrifikuan në kohët më të vështira! Jam vetëm një nga mësimdhënësit e viteve të 90-ta, e bëmë një rezistencë popullore, sakrifikonim çdo ditë për mbrojtjen e arsimit shqip dhe nuk nënshtroheshim, pavarësisht nga ndjekjet, rrahjet, burgosjet dhe kërcënimet e vrasjet nga regjimi okupues serb.

E ju Ministër Bajrami, për punën që bëni sot në shtetin e lirë të Kosovës, në emër të “shërbimit” për shtetin e Kosovës, pos pagave të majme, sot merrni edhe mëditje shtesë dhe benificione të panumërta. Vallë janë apo s’janë këto shpërblim, dekorata apo zhvatje e parasë publike të taksaaguesve të shtetit të Kosovës?

Janë apo nuk janë shpërblime e dekorata, mëditjet dhe benificionet që merrni ju dhe që marrin ministrat, zv.ministrat e deputetët, edhe pas përfundimit të mandateve? Këshu si mendoni ju Ministër, sot të gjithë paskan të drejtë të përfitojnë në emër të “punës” dhe “angazhimeve” për shtetin e Kosovës, pos kategorisë së mësimdhënësve që për një dekadë rresht, pa iu nënshtruar kurrë armikut, dhanë çdo gjë për arsimin shqip.

Por, ti, nuk je vetëm, pse nuk pati asnjë reagim zyrtar, qoftë ai zv.ministër, apo vet kryeministri? Ata me ndërgjegjën e pastër, do të duhej të reagonin dhe pranonin goxha moti kontributin e dhjetëra mijëra mësimdhënës të viteve të ’90-ta, si pjesë më e lavdishme e historisë së arsimit shqip në Kosovë.

Pra, Mirënjohje, dekorata dhe beneficione, madje të shumta, po i gëzoni ju Ministër, ministra, zëvendësministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë në institucionet publike të vendit. Dhe mos harroni se e gjithë ajo elitë qeveritare, parlamentare, keni mbërritur atje, duke kaluar përmes duarve të mësuesve, mësimdhënësve.

Unë e di, pjesë e asaj periudhe ishit edhe ju! Ministër, një pjesë e madhe e mësimdhënësve të asaj periudhe të mbijetesës së shkollës shqipe në Republikën e Kosovës, të periudhës së trysnive e përndjekjeve më të rënda, kanë ndërruar jetë, kanë mbetur edhe pak, e ju pritni derisa të “ecin” edhe këta, dhe pastaj miratoni ligjin në Parlament! Ministër, edhe diçka tjetër rreth mbajtjes së testit për mësimdhënës në nivel të shtetit.

Organizimi i këtij farë testi, për mendimin tim, është fyes dhe nënçmues për mësimdhënës, për Entet Pedagogjike (këshilltarët pedagogjik) që kanë hospituar dhe hospitojnë në orët mësimore. Konsideroj se vetëm këshilltarët, profesionistët janë më të thirrurit për të vlerësuar shkallën e dijes së mësimdhënësve në orët mësimore!

Paralajmërimi për një organizim të testit, duket qartë se është vetëm edhe një rast për përfitimin material, disafishimin e pagave të zyrtarëve të Ministrisë, vartësve tuaj! Ministër, shqetësim tjetër personal, imi, besoj edhe i shumicës së mësimdhënësve dhe prindërve, është furnizimi i nxënësve me tekste mësimore. Pothuaj përfundoi muaji shtator, e në shumë shkolla, ende nuk kanë arritur tesktet shkollore për nxënës.

Edhe nëse kanë arritur e janë shpërndarë, ato kanë arritur në numër të kufizuar, në numër të pamjaftueshëm ekzemplarësh. Ka dyshime për keqpërdorime të parasë publike të takspaguesve edhe sa i përket përcaktimit të Shtëpive botuese të teksteve shkollore përmes tenderëve, që u sjellin përfitime sidomos zyrtarëve në MASHT!

Pse vallë tekstet shkollore nuk u shpërndahen shkollave gjatë muajit gusht, kohë e pushimit, kur dihet se tekstet jepen falas pë nxënës?! Në këtë mënyrë, mësimdhënësit nuk do të humbasnin kohë në përgatitjen, përpilimin e planeve të tyre mësimore vjetore. Ministër, edhe vet kam qenë kuadër mësimdhënës, prandaj, konsideroj se në këtë drejtim, do të duhej të keni çasje më të mirë, më të kujdesshme dhe më serioze ndaj këtij segmenti!

Autori është mësues në pension.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat