Softueri për të krijuar kriza

Opinione

Softueri për të krijuar kriza

Nga: Fadil Lepaja Më: 28 shtator 2016 Në ora: 09:00
Fadil Lepaja

Analisti James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, shprehu këto ditë zhgënjimin e tij të thellë me mënyrën si po zhvillohet politika në Kosovë. Qysh po e shihni edhe vet, në Amerikë, procesi shkon në anën e kundërt nga ajo që jemi mësuar të shohim ne në Kosovë. Pra, analist bëhesh pasi ke dalë nga politika, pasi I ke njohur mirë proceset, vendet, faktorët dhe personalitetet e politikës madje. Te ne shoqëria civile, apo pavarësia analitike, janë veç rrugë e pashmangshme drejt politikës.

Ish zyrtari i shtetit mik, ishte i zhgënjyer me të gjithë përveç  me  presidentin aktual, të Kosovës, të cilin ai, me gjasë e kishte njohur në role tjera politike. Zhgënjimin pra e kishte me klasën e vendimmarrësve kosovarë në përgjithësi.

Për të zbërthyer këtë deklaratë, në dukje kontradiktore, plot zhgënjim për qytetarët të cilët nuk po e kuptojnë presidentin e tyre, me të cilën do të njiheni më poshtë, po e fusim në lojën e argumenteve edhe një biznesmen të fuqishëm, i cili dikur pat ngritur shumë pluhur, kur ishte bërë pjesëtar i partisë në pushtet, partisë së dyshuar publikisht se drejtonte krejt proceset korruptive, edhe kriminale në vend. Politika nuk bënë të përzihet në biznese, ishte slogani, I tyre, por biznesmenët në politikë ishin të domosdoshëm për të legjitimuar shtetin si biznesmenin kryesorë në vend, dhe partinë si pronare të tij. Biznesmenët kryesorë u rehatuan aty dhe më nuk kishte luftëra për buxhet.

Nejse, ky biznesmeni, e mori këto ditë, krejtësisht vullnetarisht, e për dikë mbase edhe arbitrarisht rolin e faktorit  të unitetit të popullit, përkatësisht të presidentit të vendit, për të ndërmjetësuar në çështjen e cila po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave , i cili për qytetarët e këtij vendi ka rëndësi të madhe për të mbijetuar. Politika asnjëherë nuk kishte problem me vizat, edhe pse gjithnjë ishte e dyshuar , sidomos për korrupsion. Disa zyrtarë lokal, madje me dënime serioze për korrupsion, ikën me letra në rregull dhe presin pa e prishur terezinë nëpër vende demokratike, që lënda e tyre të vjetrohet.

Edhe vet i përfolur për shumëçka, përpara, gjatë dhe pas lufte, biznesmeni pasi  e reklamoi vilën e tij luksoze dhe pasi ekspozoi fuqinë e tij ekonomike, pretendoi të marrë rolin  e një personi (tjetër) formal, i cili përpos të jetë faktorë uniteti, do të duhej të përfaqësonte edhe vullnetin  e popullit. Së paku kështu e kërkon kushtetuta që të jetë presidenti i Kosovës, roli i të cilit është që të krijojë unitet për çështje të cilat rrezikojnë të i dëmtojnë interesat e vendit apo të e destabilizojnë atë. Por, presidentin nuk e qasë askush. Ai nuk mund të pajtojë tashmë as fraksionet e deputetëve në ish partinë e tij. Edhe ata I rehatoi, pra i futi në luftë në mes vete. Ky është mekanizmi vetshkatërrues të cilin ai e montoi gjithkund  ku aderoi.

Sidoqoftë, për dikë ai ende mbetet model i politikanit të mire si për shembull për analistin amerikan, I cili e lavdëroi atë, dhe në fund me keqardhje u pajtua se modelin e tij nuk e donte shumica e popullit.

Kështu, tash ndër ne, pas gati një shekulli flitet për mbretin Zog, i cili shahej nga populli, por e donin të gjithë të huajt, miq apo armiq. Me miqtë dredhte duhan, e me armiqtë bënte marrëveshje të fshehta, u dhuronte territore, dhe pastaj e tradhtonte edhe atë, pasi dashurohej në armikun e radhës. Në fund të lojës ikte nga vendi dhe linte popullin në mëshirën e armiqve.

Ai ishte bindur se ndër shqiptarët demokracia vështirë funksionon, prandaj u shpall mbret. Ky i yni, idhulli i analistit, tashmë të pavarur amerikan, nuk mund të shpallet mbret, por mundet të e bëjë Kosovën presidenciale. Kështu, disa pazare i ka bërë, e disa  pritet të i bëjë dhe askush nuk i kryen këto pa fjalë dhe pa telash sikur ai. Është fleksibël dhe konstruktiv, sidomos për rajonin, shprehet Hooper.

Qytetarët e Kosovës vërtetë nuk janë më të sigurt se a po mendojnë për të njëjtin personalitet të (para)politikës kosovare. Nuk po dinë, se a duhet ti besojnë vetës apo analistit?! Në fakt, pyetja kryesore është: a i duhet legjitimiteti presidentit?

 Në fakt, kosovarët, së paku disa me të cilët më rastisi të flas për këtë, nuk po e kuptojnë se si mund të e quaj dikush model, njeriun  i cili faktikisht u instalua në krye të shtetit , përkundër vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, pikërisht në kohën kur politika të cilën e kishte prodhuar pikërisht ai në dy mandate si kryeministër i vendit, po rrokullisej shesheve të Prishtinës në mes tymit dhe zjarrit.

Nëse analisti  i njohur, sugjeron se politikan i mirë mund të jetë veç dikush i cili e mban të izoluar dhe në mjerim popullin e vet, dhe të cilin nuk populli i vet nuk e do, padyshim se është një deklaratë për të u shqetësuar.

Ndoshta  me këtë, nga ana e z.Hooper sugjerohet se populli nuk është faktorë në politikë? A po defaktorizohet populli duke i vënë, dhe duke e mbajtur me çdo kusht  në krye një personalitet jopopullor? Vullnetin e kujt e përfaqëson presidenti?

Nëse ai duhet të zgjidhet me votën e deputetëve, si përfaqësues të qytetarëve, të cilët morën mandatin kryesisht  duke klithur nëpër mitingje parazgjedhore, kundër politikave dhe interesave të ngushta që i përfaqësonte dhe ende e bënë po ky president, pra kë përfaqëson ai?

Çka sugjeron analisti? A mund të e ketë gabim një analist amerikan i cili , aq më tepër dikur ishte pjesë e stafit të departamentit të shtetit? A kemi obligime morale ndaj çdo individi i cili dikur ishte zyrtarë i lartë në shtetet që na përkrahën, edhe pse ata tashmë nuk e përfaqësojnë shtetin por vetëm interesat e veta, e shpeshherë  edhe të bizneseve të interesuara për rajonin?

Kjo pyetje nuk ka të bëjë vetëm me analistët, por ka të bëjë edhe me biznesmenët e ndryshëm,  ish- politikanë, apo ish-ushtarak, të cilët tash vijnë në rolin e anëtarëve të bordeve të kompanive, apo edhe si pronarë të tyre, për të cilët na sugjerohet se përkundër interesave nacionale kemi borxhe morale jo vetëm ndaj shteteve, por edhe ndaj atyre si individ, apo edhe ndaj bizneseve të tyre private. Apo, mos kemi të bëjmë këtu më tepër me fshehjen e oligarkisë kosovare pas ish- emrave të bujshëm të makinerisë politike dhe ushtarake në botë, të cilët ende në veshin tonë tingëllojnë aq besueshëm? Mos kanë mare rolin e zëdhënësve të politikanëve tone multimilionerë?

Pra, derisa thotë se në Kosovë ka shumë pak udhëheqës me vizion, z. Hooper mendon se zoti Thaçi e ka treguar se është udhëheqës i mirë dhe e ka treguar se është serioz për të luajtur një rol konstruktiv në rajon. “Ai është shumë elastik dhe konstruktiv” thotë ai, përkundër faktit se mendon se shumë pak veta e pëlqejnë zotin Thaçi në Kosovë.

Ndërkaq, opozitën e përmend në kontekst të keq, sidomos për demarkacionin e kufirit  me Malin e Zi, ku pasi thotë se nuk është ekspert  për këtë çështje, shprehet  se udhëheqësit  kosovar nuk i kanë trajtuar këto negociata me seriozitetin që ato e kërkonin dhe ndoshta krejt këtë proces e morën pak lehtë,  dhe si përfundim ata patën një rezultat që nuk e shisnin dot në Kosovë. Nuk ia hodhën dot  popullit, me një fjalë !Veç modeli, kryen punë pa fjalë...! Pasi u përmend vizioni, ai nuk ka vizion. Nuk i duhet. Ka softuer të integruem! Softuer për të krijuar kriza!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat