Pulat shqiptare

Opinione

Pulat shqiptare

Nga: Lis Bukuroca Më: 27 shtator 2016 Në ora: 22:15
Lis Bukuroca

Një plak doli në mal për të zënë një zog dhe për ta ruajtur. Atje gjeti një shqiponjë të vogël dhe e mori me vete. Me të arritur në shtëpi, e futi shqiponjën në kotecin e pulave, ku ruante edhe shota dhe gjela deti. Pas pesë viteve erdhi për vizitë një natyralist dhe duke shëtitur në oborr, pa shqiponjën mes pulave dhe tha: “Ajo atje nuk është pulë! Ajo është Shqiponjë!”

“Ke të drejtë”, tha ai, “ajo ishte shqiponjë, mirëpo e kam edukuar si pulë. Ajo nuk është më shqiponjë, edhe pse ka flatra tri metra.” 

“Jo”, tha dijetari, “ajo është akoma shqiponjë, sepse ka zemër shqiponje dhe ajo zemër, do t'i japë fuqinë të fluturojë drejt qiellit.”

“Jo, jo!, tha tjetri, ajo është tani një pulë e vërtetë dhe nuk do të fluturojë kurrë më!” 

Pas kësaj bisede, u morën vesh të provojnë se a do të fluturonte shqiponja. Dijetari mori shqiponjën, e ngriti lartë dhe tha: “Ti je shqiponjë, ti i takon qiellit dhe jo tokës: shtrij krahët dhe fluturo!” Shqiponja qëndroi mbi grushtin e tij të ngritur në ajër dhe hodhi një vështrim rreth e rrotull. Pas vetes pa ajo pulat, të cilat çukisnin drithë dhe kërceu në mesin e tyre. 

“Të thash, ajo është pulë!"

“Jo, ajo është shqiponjë, do ta provojmë nesër edhe njëherë”, shtoi natyralisti. 

Të nesërmen hipi me shqiponjën mbi çati dhe e ngriti atë para vete dhe bërtiti: "Shqiponjë, ti je shqiponjë, shtrij flatrat tua dhe fluturo!" Kur shqiponja pa se pulat po shpurdhnin në oborr, kërceu tek to dhe nisi edhe ajo të shpupurish me kthetrat e veta. 

"Të thash unë, ajo është pulë! Unë e kam bërë pulë!", përsëriti zoti i shtëpisë.

"Jo!",ia ktheu tjetri, "ajo është shqiponjë dhe ka akoma zemrën e një shqiponje. Ta provojmë edhe një herë të lutem. Nesër do të më bindet dhe do të fluturojë.

Të nesërmen u zgjua natyralisti me të gdhirë, mori shqiponjën dhe doli larg qytetit dhe larg shtëpive, rrëzë një mali të lartë. Në këtë çast dielli po lindte. Ai e praroi majën e malit dhe rrezatonte gëzimin e një mëngjesi të mrekullueshëm. Natyralisti ngriti dorën lartë dhe tha: "Shqiponjë, ti je një shqiponjë. Ti i takon qiellit dhe jo tokës. Ti je mbretëreshë e qiellit! Shtrij flatrat tua dhe fluturo!” Shqiponja shikoi rreth vetes dhe ndjeu një drithërimë në trup thua se po plotësohej me jetë të re, por megjithatë, nuk fluturoi. Natyralisti ia ktheu kokën shqiponjës drejt diellit dhe befasisht ajo shtriu flatrat madhështore dhe u ngrit me krrokëritjen e një shqiponje të vërtetë dhe fluturoi lart, shumë lart, derisa u zhduk dhe nuk u kthye kurrë më.

Tregimin që lexuat mund të gjendet nëpër shumë libra të psikologjisë pozitiviste, por shumë herë, nuk është shënuar autori i saj dhe rrëfehet si përrallë. E ka shkruar një prift nga Afrika Perëndimore, ganez, i cili quhej James Aggrey, në kohën kur Afrika ishte koloni e të bardhëve. James Aggrey tregimin e përfundon me këto fjalë:"Popuj të Afrikës! Ne jemi krijuar sipas imazhit të Zoti, por njerëzit na kanë mësuar të mendojmë si pula dhe ne akoma mendojmë se përnjëmend jemi pula! Ne jemi mirëpo shqiponja, prandaj hapni krahët tuaj dhe fluturoni! Dhe, mos u tregoni kurrë të kënaqur me drithin që ju ua hedhin para.

Po, ne? Jemi ne pula apo shqiponja? Kemi disa autoritete në jetë, që nuk pushojnë duke na mbushur mendjen, duke ushtruar trysni se jemi pula. Ne kokorisim, shpurdhim dhe çukisim për t'i bërë ata krenar me prerjen e flatrave tona, me në nënshtrimi tonë. Aq sa më gjatë në jetë të mbetemi pula, aq më shumë mburren ata me ne. Ata që shndërrojnë fëmijën në pulë gjatë edukimit të parë, janë prindërit. Nëse në Perëndim fëmija përgatitet për t'u bërë i pavarur në jetë, në shumë familje vazhdimisht sillen përreth ata, që përpiqen të pengojnë ngritjen dhe fluturimin. Shumë prej tyre, që merreshin me edukatë, nuk kishin lexuar më shumë se sa emrat dhe mbiemrat e vet në pasaporta! Ata ngulnin këmbë fëmija të mbetet i varur prej tyre dhe pulë shembullore, edhe pse vet nuk kishin dhënë asnjë kontribut që meriton të përkujtohet. Vendet e zhvilluara janë zhvilluar pse nuk kanë ngulur këmbë në përsëritjen e vetvetes, por në krijimin e individualitetit të ri. Aty ku mburren me pula, nuk prodhohet asgjë industriale, por janë konsumatorë vetëm, ose prodhojnë produkte bujqësore, ose shesin lëndë të para.

Mburrja me shndërrimin në pulë ka qenë e ndërsjellë. Si nga prindërit, ashtu dhe nga fëmijët. Kjo është arsyeja pse ai ka mbaruar fakultet, por nuk ka guxim të duket si shqiponjë dhe flet gjuhën, siç ka mësuar kur ishte pulë, edhe pse 16 vite e më shumë jashtë kotecit, në fakultet. Ai është si pulat e kooperativës, sa, sa herë i bërtet dikush, ai ngrit vithet. Ai ka frikë ta braktisë kotecin. Kjo është arsyeja pse ai shan siç bëjnë rrugaçët, sepse ai ka frikë të tregohet se është shqiponjë. Ai dëshiron të mbetet pulë, ose në rastin më të mirë, pulë në shtëpi, jashtë gjel krenar mbi pleh. Ai ka frikë të kritikohet nga masa dhe prandaj parapëlqen mbetjen në kotec, por jo të bëhet shëmbëlltyre e kotecit dhe motivues i pulave, që nga terrori në shtëpi, janë bindur se janë pula, edhe pse nuk janë.

Çdo njeri ka një aftësi për të ushtruar një profesion, që është pasion i tij dhe me të cilin mund të bëhet ndër më të mirët. Vetëm kur jetohet jeta sipas ideve tona, mund të jemi të lumtur. Einsteini thoshte se çdo njeri është një gjeni, por se nuk mund të quhet peshku budalla, pse nuk mund të ngjitet në një pemë. Pra, na duhet edhe rrethanat dhe kushtet. Ato kushte duhet krijuar vet! Ka më shumëse 2000 viteve që prodhohen në mënyrë industriale pulat tek ne dhe çdo shkëputje nga koteci, përjetohet si herezi, ose si prishje. Na bindën pushtues se jemi pula dhe vazhduam t'i mbushim vetes mendjen se vërtetë jemi. Dhe, mburremi kur të tjerët na lavdërojnë për tiparet puloze.

Jeta është e jotja. Përpiqu të fluturosh! Krijo jetën sipas shijes dhe bindjeve tua, jo sipas atyre që nuk kane lexuar kurrë dy faqe mbi lirinë, mbi jetën dhe mbi vdekjen. Disa prind, religjioni dhe diktatura, adhurojnë pula dhe kotecin plot, ku u ndukin vazhdimisht puplat, ku prihen vazhdimisht flatrat dhe ku pengojnë vazhdimisht lirinë për të jetuar jetën. Ata pengojnë ose gjykojnë fluturimin si arratisje, si dezertim, si shka dhe Ti nuk bëhesh kurrë prodhues, por vetëm konsumues, ose përtypës i ideve të përtypura! Për këtë nuk ka nevojë për shembuj. Kemi me shumicë dhe me tepricë. Ti nuk ke jetë tjetër. Kjo është e jotja. Demokracia të ktheu dinjitetin, Ty si grua dhe ty si burrë! Braktis kotecin dhe trego se je shqiponjë! Me frikë jetohet dhe ngordhet si pulë! Si njeri pulë nuk i duhesh botës. Bota ka nevojë për shqiponja. Bota ka nevojë për Ty! Për ata që synojnë lartësitë. Jo për ata që synojnë kotecin dhe bërjen e vezëve. Vezët klloçkë mund të shërbejnë për gjallesa tjera, jo për një popull! Provo fluturimin!

Nëse gjatë fluturimit rrëzohesh, jetë është kjo, ngrihu dhe mos fajëso njeri, vendimi ishte i joti. Jetë pa gabime nuk ka. Jetë pa dështime nuk ka! Provo përsëri! Më mirë të vdesësh duke u përpjekur të dëshmosh se je shqiponjë, se sa të ngordhësh duke kokorisur në kotec, duke besuar se je pulë, edhe pse je shqiponjë për nga natyra, për nga guximi dhe për nga flamuri. Fluturo! Ti je mbret i qiellit! Dëbo pulën nga shpirti! Të gjithë e kemi pasur apo e kemi akoma! Sa herë ke besuar në vetvete, sa herë ke besuar se je shqiponjë, ke qenë vetvetja! Ji vetja, ji origjinali, jo kopje e dikujt! Ti je i vetmi origjinal në këtë planet dhe i papërsëritshëm! I tillë i duhesh jetës, i tillë i duhesh njerëzimit! Fluturo! Nuk ke trurin për të kopjuar ide dhe veprime. Trurin e ke për të t'u bërë autor i jetës! Fluturo! Ti je shqiponjë! Kur të ngjitesh lart, do të shohësh sa të vegjël ishin ata që të mbushnin mendjen se ishe pulë. Prandaj përplas flatrat dhe fluturo!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat