Si të përkthejmë kryeprokurorin Llalla !?

Opinione

Si të përkthejmë kryeprokurorin Llalla !?

Nga: Guxim Alimani Më: 24 shtator 2016 Në ora: 23:35
Guxim Alimani

Ka dy ditë që titrat mediatike po njoftojnë se i pari i organit të akuzës z. Llalla jo vetëm qënka kërcenuar, por dhe paska shpërngulur dhe instaluar familjen e tij në një vend sekret e të sigurt.

Është normale që dhe kryeprokurori të kërcenohet në një vend si ky i yni ku krimi ka marrë qyetari. Për më tepër krimi është jo vetëm ordiner dhe me fuqi, por dhe politik. Krimi te ne është dhe deputet dhe ministër dhe kryebashkiak dhe kryepolic....dhe ..dhe..! Pra këtu buron dhe "normaliteti" i kërcenimit të  z. Llalla.

Po ashtu për një person të tillë që vendi i punës ja obligon të jetë përherë në luftë me krimin e kriminelët edhe sigurimi i familjes nuk përbën sensasion. Ajo që bën vërtetë lajm është fakti se pse Prokurori e bën publik këtë gjë dhe pse pikërisht tani??!!  Ai i ka të gjithë levat shtetërore dhe aksesin të përgjojë e indentifikojë kërcenuesin cilidoqoftë. Ai mund t’i drejtohet si institucion apo individualisht Ministrisë së Brendëshme apo Shërbimeve Inteligjente Kombëtare, por dhe atyre partnere!

Mirëpo z. Llalla zgjedh rrugën mediatike siç bëjnë rëndom disa azilantë duke trukuar që të përfitojnë leje qëndrimi në vendet e BE-së! Nuk besoj se Llalla ka intension argumentin e mësipërm. Atëherë mbetet për tu përkthyer mesazhi i tij që transmetohet përmes mediatizimit sensasional të këtij "incidenti". Sepse ky mesazh është shumë më i rëndë deri shokues kur vjen tek ne shtresa që nuk na mbron as ligji, as garda, as mundësia ekonomike e politike për t’u shpërngulur!

Natyrisht që Prokurori po mundohet të emëtojë diçka, por rrugën nuk e gjej as ligjore dhe as kurajoze...!  Sikundër disa kohë më parë atakova mesazhin e ngjashëm që Presidenti Nishani jipte me ankesën publike se po përgjohej. Unë nuk dëshiroj të ndajë me lexuesin të gjithë ç'mendoj për këtë rast, por nuk mund të mos them se e përkthej si ugur të keq...! Vetëm disa ditë më parë kam shkruajtur se parandjejë një revoltë pa formë në Atdhe.Ndoshta dhe mesazhi Llalla kumton diçka të tillë. Gjithsesi i mbetet lexuesit të gjykojë ftohtë e të përkthejë Kryeprokurorin shqiptar!

Një gjë nuk do koment. Z.Llalla po transmeton pesimizëm, jo vetëm institucional, por nacional! Dhe pikërisht tani në agun e pritshmërisë prej Reformës në Drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat