Fjala e Frank Shkrelit me rastin e dekorimit nga Presidenti Nishani

Opinione

Fjala e Frank Shkrelit me rastin e dekorimit nga Presidenti Nishani

Nga: Frank Shkreli Më: 24 shtator 2016 Në ora: 17:01
Frank Shkreli, Bujar Nishani

I nderuar President Nishani, qëndroj para Jush me përvujtërinë më të thellë për nderin që më keni bërë, duke Ju falenderuar nga zemëra për këtë dekoratë, të cilën sinqerisht nuk e prisja për arsyen se nuk e konsideroj veten të merituar për një nderim të tillë të lartë, nga Shkëlqësia Juaj.   Sepse jam përpjekur të gjithë jetën, në heshtje dhe pa bujë, të kryeja detyrat me përvujtëri, pa pretendime për vlerësime ose shpërblime si ky.   Por e pranoj vlerësimin Tuaj, me mirënjohjen më të thellë, për Ju Zoti President, për shtetin shqiptar që ju përfaqësoni, por edhe ndaj atyre që kanë bërë rekomandimin.   

E ndjejë veten të privilegjuar gjithashtu edhe si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan.  Nuk ka privilegj më të madh për një shqiptaro-amerikan që në këtë mënyrë, të ketë patur mundësinë të japë kontributin e vet -- megjithëse tepër modest -- në ndërtimin e urave dhe në ruajtjen e miqësisë historike midis dy popujve tanë.  

Zoti President, nëqoftse më lejoni, dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen time personale për kujdesin dhe përkushtimin që kini treguar si President i Shqipërisë ndaj fatit të keq dhe ndaj vuajtjeve të të përndjekurve të regjimit enverist.   Interesimi Juaj për ‘ta i shërben pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve – për të cilat Shqipëria dhe kombi shqiptar kanë aq shumë nevojë.

Zoti President, si një shqiptaro-amerikan i lindur në trojet shqiptare nën Malin e Zi, dëshiroj t’ju përshëndes gjithashtu edhe për kujdesin vëllazëror që kini treguar për gjendjen e Shqiptarëve në trojet shqiptare dhe më larg.   Interesimi dhe kujdesi për fatin madje edhe të një shqiptari kudoqoftë – është interesim për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.   Për këtë u jemi mirënjohës.

Gjithashtu, ndonëse jetoj për pothuaj një gjysëm shekulli në Amerikë, identiteti im mbetet ai i Shkrelit dhe i Malësisë së Madhe.  Ju, Z. President, ndryshe nga të tjerët, gjatë mandatit tuaj kini treguar gjithashtu vëmendjen e veçantë ndaj Malësisë së Madhe – një krahinë e vuajtur dhe e presekutuar për gjysëm shekulli nga regjimi komunist enverist -- dhe kini vlerësuar vuajtjet dhe kontributin kombëtar të kësaj krahine gjatë historisë.   Me vlerësimet që i kini bërë kësaj mburoje shekullore të kombit, kundër armiqëve historikë të shqiptarëve, Ju Zoti President kini nderuar veten, por mbi të gjitha kini nderuar kombin, sepse historia e Malësisë së Madhe është historia e kombit shqiptar.

I nderuar Zoti President, megjithë problemet me të cilat po përballen shqiptarët gjatë 25 viteve të fundit, sfida të cilat miku im i ngushtë dhe kolegu prej shumë dekadash, Dr. Elez Biberaj – të cilin e falenderoj nga zemra për pjesmarrjen me bashkshorten Kadiren në këtë ceremoni, shprehet se ato janë “probleme të rritjes”.

Duhet të mbetemi optimistë se megjithë problemet me të cilat përballen sot shqiptarët, kombi shqiptar do të dalë ngadhnjyes.  Sepse -- siç është shprehur shkrimtari Ismail Kadare me rastin e Shënjtërimit të Nënë Terezës -- “Gjergj Kastrioti, simbol i vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mëshirimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë dhe Nënë Tereza -- mëshirimi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë -- janë vlerat tona morale ato që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”.

Zoti President, edhe njëherë u falënderoj nga zemëra për vlerësimin duke uruar që të jeni përherë të nderuar dhe që kombi shqiptar të jetë gjithmonë i bekuar nga i Madhi Zot dhe i nderuar ndër shekuj.

E përjetëshme qoftë miqësia midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat