Kosova është faktor stabiliteti në rajon

Opinione

Kosova është faktor stabiliteti në rajon

Nga: MA.Ridvan Emini Më: 1 shtator 2016 Në ora: 00:02
Ridvan Emini

Kolonizimi si proces ka qenë mjaftë i gjatë, ku ka prodhuar shumë luftëra dhe shumë vuajtje, sidomos për popujt të cilët kanë qenë kolon të popujve të tjerë. Ndërsa, dekolonizimi po ashtu ka qenë mjaftë i gjatë, madje është vështirë të thuhet se ka përfunduar si proces. Mirëpo, në disa raste kemi popuj të cilët nuk e konsiderojnë vetën si  popuj kolon, e këto raste i hasim kur kemi të bëjmë me ato vende të cilat kanë një status special e që në aspektin historik njihen si territore speciale. Njihen si të tillë për shkak të proceseve të përgjithshme historike nëpër të cilat kanë kaluar. Por, kjo varet nga stadi në të cilin gjenden ato territore, e i cili ka një barometër të vështirë matës të kombinuar ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe shkallës politiko-historike.  Tendenca e parë shpie kah kërkesa për pavarësi, qoftë ajo e shprehur hapur apo me fjalorin e stërholluar që krijon diplomacia, proces ky të cilin Kosova e ka kaluar tash e tetë vite.

Kosova si vend relativisht i ri në kuptimin e shtetit, nuk mund të thuhet se ka një progres të mirëfilltë ekonomik, por në aspektin politik qëndron edhe më keq. Kjo e bënë vendin jo-stabil edhe në rrafshin social, madje edhe kulturor. Por, pavarësia e Kosovës ka shërbyer si model për shumë vende të ndryshme të botës. Kosova shtet, ka qenë dhe vazhdon të jetë faktor stabiliteti edhe për vendet fqinjë si Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Ajo se çfarë ngjau në Maqedoni, përkatësisht në Kumanovë me djemtë nga Kosova, ajo se çfarë po ngjanë me demarkacionin me Malin e Zi, ajo se çfarë po ngjanë me gjuhën ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës lidhur me daljen nga kombëtarja e Shqipërisë të disa futbollistëve nga Kosova, po e pozicionon Kosovën në një vend jo të këndshëm, pra në një shtet destabilizues. Këtyre ngjarjeve të cilat janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe rajon i ka parapri edhe një fushatë tjetër e cila e ka bërë që Kosova të duket si një vend ku prodhon terrorist, ku qindra djem nga Kosova udhëtuan drejt Sirisë, për të luftuar në një luftë e cila po ashtu zhvillohet për pushtet dhe territore.

Nga ana tjetër ngjarjet e brendshme në Kosovë të zhvilluara ndërmjet pozitës dhe opozitës janë si rezultat i luftës për pushtet. Demarkacioni nuk është as më shumë e as më pak se sa një temë e shpikur ku në prapavijë e ka luftën për pushtet; nga njëra anë për të vazhduar pushtetin dhe për të bërë që opozita të merret me tema koti, dhe nga ana tjetër opozita duke u kapur për një ‘kauzë’ të tillë të bëjë që ai i cili nuk është kundër demarkacionit është tradhtarë. Këtu, përveç që po zhvillohet luftë për pushtet, po bëhen edhe linçime si nga njëra palë po ashtu edhe nga pala tjetër. Kjo luftë për pushtet në mes të pozitës dhe opozitës, ka prodhuar një gjuhë agresive dhe po ashtu ka prodhuar një frikë ndër qytetarë se me datën 1 shtator do të ndodh kjo apo ajo.

Nga ana tjetër tema e radhës pas demarkacionit është ajo e Asociacionit. Njëri ndër hapat të cilët duhet të ndërmerren para themelimit të Asociacionit është edhe ‘Ura e Ambasadorëve’, pra ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ajo urë duhet të hapet për qytetarët. Dje, në një vizitë të bërë kësaj ure nga ministrja znj.Edita Tahiri dhe nga kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut z.Agim Bahtiri, u bënë edhe disa deklarime të cilat ishin më shumë për të treguar ‘punën’ e tyre të suksesshme për hapjen e kësaj ure e cila është e mbyllur më shumë se një dekadë. Mesazhet që dhanë për media nga ura dhe pirja kafe në njërën nga kafeterit përtej urës nga ana veriore (Dolce Vita - Kafeteri ku shpesh herë ka qenë vend i krimit) bëri që kjo kafeteri të djegat në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.

Këto ngjarje të zhvilluara nuk janë as më pak e as më shumë se sa provokime, të cilat vijën  për luftën për pushtet dhe mbajtje të pushtetit dhe famës. Kosova duhet të kaloj pragun e krijuar pa nevojë të shtetësisë pikërisht nesër. Duhet të tregoj se është faktor stabiliteti për rajonin, por gjithashtu duhet të tregoj se është shtet i cili vë rend dhe ligj, dhe të gjitha ata të cilët bëjnë krime, duhet të vihen para drejtësisë. Të gjitha ata të cilët  ushtrojnë dhunë apo kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve të shtetit duhet të vihen para drejtësisë. Po ashtu të gjithë ata të cilët kanë keqpërdorur institucionet e shtetit për interesa klanore apo personale e partiake, duhet të vihen para drejtësisë dhe ligjit. Kështu, mund të vëmë vendin tonë në rrugën e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat