Demarkacioni sipas modelit Pronto

Opinione

Demarkacioni sipas modelit Pronto

Nga: Gazmend Abrashi Më: 31 gusht 2016 Në ora: 09:42
Gazmend Abrashi

Përkundër rezistencës së partive opozitare dhe shoqërisë civile, është e mundur që marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi të miratohet në Kuvend. Nuk do tu kthehem argumenteve se përse kjo është e dëmshme. Kemi prodhuar mjaft fakte e dëshmi prej shtatorit të 2015-ës.

As nuk kemi motiv si Kosovë të tregojmë bujari të paarsyetuar ndaj fqinjit tonë: dorën në zemër, Malit të Zi me sipërfaqe rreth 14 mijë kilometra katrorë përvetëm 600.000 banorë, nuk i vyejnë më tepër sesa neve ato 9 mijë hektarë, kur dihet që Kosova ka sipërfaqe më të vogël dhe popull si tre herë më të madhe në numër. Në kuptim të densitetit të popullsisë raporti është 1 me 4:45 banorë për kilometër katror vendi fqinj, përkundrejt 160 për të njëjtën njësite ne.

Po ashtu nuk mendoj se jemi më nevojtarë se malazezet për shënjimin e vijës së përbashkët kufitare. Kosova ka urgjencën peër liberalizimin e vizave, por edhe me të madhe e ka urgjencën Mali i Zi si një shtet që po e ndjen shumë prezent rrezikun rus dhe i duhet me domosdo anëtarësimi në NATO brenda këtij viti. Në Podgoricë do të ishin të lumtur të na ofronin zgjidhje shumë më të pranueshme…sikur dikush këtu t’i qaset me seriozitet problemit.

Por kjo klasë politike në pushtet nuk ka lidhje me seriozitetin. Që nuk janë të dijshëm nuk është sekret. Por jo-serioziteti i tyre e tejkalon disa herë padijen. E them këtë sepse një farë përvojë e kanë bërë: kanë kaluar disa raunde negociatash dhe do taktika i dinë.

Atë çka unë e quaj jo seriozitet, të tjerë e kanë quajtur ‘tradhti’. Nuk do e përdor këtë fjalë, megjithëse i afrohet më së shumti realitetit- secili mban peshën e veprimeve të veta dhe në kandarin e historisë, kjo do të jetë njollë e turpshme, e pashlyeshme për kuzhinierët e kësaj afere katastrofale.

Po i kthehem tani shpjegimit se përse mendoj që marrëveshja do të miratohet. Përgjigjen ma dha afera Pronto2.

Gjithçka është e lidhur me gjithçka në këtë vend, ku integriteti është cilësi në zhdukje. Jo se nuk kishte ndodhur më herët. Para Pronto2 ishte Pronto1. Mirëpo në secilin prej nesh jeton shpresa se e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara dhe gjërat do ndryshojnë për mbarë. A në fakt, kjo nuk ka ndodhur. Ky shtet është i kapur, sot me shumë se kurrë.

Kjo qeveri ka instaluar logjiken e vendosjes së gjithçkaje dhe kujtdo në shërbimin e pak njerëzve në majën e piramidës. Ka mbledhur në duart e veta pushtetin ekonomik, politik, gjyqësor, e madje edhe fetar- njëherë duke i afruar përcëllimet e veta, e pastaj duke i dërguar në burg të njëjtët. Mesazhi është i qartë: Zoti në qiell, e Shefat mbi tokë.

Për deputetët e shumicës në Kuvend, detyra e lartë që ushtrojnë është veçse një vend i shkëlqyer pune. Ata do tu binden shefave, sepse shefat i kanë çuar atje dhe shefat kanë fuqinë t’i heqin prej atje. Fatkeqësisht gjithçka e gjithkush në këtë vend e ka një çmim dhe blerja e deputeteve është lehtë e ‘përballueshme’ – një punësim për familjarë diku, një tender diku tjetër, një post ambasadori për me krye fortët, etj. Kjo histori do të vazhdojë e do teë përsëritet për aq gjatë sa shtet i mbetet punëdhënësi kryesor, për aq gjatë sa mbizotëron mendësia se marrja e pushtetit do të thotë gjueti për vende pune dhe privilegje.

Për t’iu dhënë një shembull: e keni parasysh si hesht Prishtina në dite pushimi Nuk e kam fjalën për të dielat por për ditët e pushimeve zyrtare. Qyteti shkretohet. Unë dhe ju e kuptojmë zbrazjen e një  qendre administrative si Ankaraja, apo Haga, çka nuk ndodh me kryeqendrat e shteteve përkatëse – Stambollin apo Amsterdamin.

Ndërkohë që Prishtina është jo vetëm qendra administrative e Kosovës, por edhe kryeqyteti i vendit. Çka me çon në konkluzionin e fundit për këtë shkrim- ky vend nuk do jetë me i mirë se sa shumica e qytetarëve të vet. Ky vend nuk do ketë integritet nëse nuk kanë qytetaret e tij. Por qytetaria dhe integriteti nuk kanë shanse të ndërtohen me këtë model.  Demokracia nuk është e qëndrueshme në një  vend që varet nga shkëmbimi i votës për një vend pune neë ‘punë shtet’’. Liria e humb kuptimin në një  vend ku qindra mijëra njerëz janë plotësisht teë varur nga ndihma sociale.

(Autori është ekonomist, sipërmarrës dhe nënkryetari AAK-së. Ky shkrim pasqyron pikëpamjet personale)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat