Shpërbërja e brendshme

Opinione

Shpërbërja e brendshme

Nga: Lis Bukuroca Më: 31 gusht 2016 Në ora: 07:19
Lis Bukuroca

1. Armët e sekuestruara tek anëtarë e VV, tregojnë se ajo parti, nga paleoliti (Epoka e Gurit), kaloi në atë të Zjarrit dhe Tymit, për të përfunduar në Epokën e Hekurit dhe Bronzit. Zakonisht kur kalohet me shpejtësi nëpër këto epoka, radikalizmi është kristalizuar deri në atë nivel, sa përdorimi i dërrasave, është i pashmangshëm dhe koha do të tregojë, kush do të shtrihet dhe si do të quhet.

2. A thua sa veta do të vdesin me një shtator në Kosovë? A janë marrë vesh qeveria dhe opozita për porositjen e arkivoleve dhe a kanë caktuar vendin, ku do të varrosen ata?

3. Ata që duan përparimin e Kosovës, nuk dalin në demonstrata me 1 shtator. Ata që përpiqen të ndryshojnë atë çfarë qeveria jonë (mafioze, por e jona) dhe perëndim konsiderojnë të drejtë, mund të kenë vetëm një sukses: izolimin e mëtutjeshëm të gati dy milion banorëve. Kosova ka humbur më shumë me ndërmarrjet publike të shitura me çmime banale, se sa do të humbte me firmosjen e shënjimit të kufirit. Dashuria ndaj atdheut nuk dëshmohet duke u përpjekur të merren apo të mbahen disa kodra, por duke mos dëmtuar gati dy milion veta.

3. Kundërshtarët i ngjajnë një sekti fetar radikal, që pranon edhe fundosjen, por jo ndryshimin e qëndrimeve. Me këtë sekt në skenë, Hashimi dhe Isa, do ta sundojnë Kosovë edhe 20 vite. Mbetjen në pushtet, ua garanton dhe siguron opozita. Me këtë opozitë, Hashimi nuk do të gjykohet kurrë! Lirinë ia garanton sekti! 

4. Prind të mirë janë ata prind, që rriten me fëmijët. Nëse ata qajnë kohën e vet dhe quajnë degjenerim të fëmijëve, atëherë ata vajtojnë llambën me gaz dhe urrejnë rrymën. Fëmija nuk ka asnjë nostalgji për atë kohë dhe nuk i bën përshtypje. Tëhujatësimi dhe moskuptimi i epokave nis, me një distancim socio-psikologjik në mes fëmijëve dhe prindërve. Prind përparimtar është ai që nuk i shkëputet rrugëtimit të fëmijëve, jo ai që fut veten vullnetarisht turshi. Prind regresiv janë ata që fusin veten vullnetarisht në kacë dhe detyrojnë edhe fëmijët të zbresin brenda. Duke u bërë konservë, turshi e përbashkët! Mund të mos ketë ndryshuar socializimi primar, por ai sekondar, në mënyrë dramatike!

5. Talebanët nuk mund të pajtoheshin me budizmin e stërgjyshërve të vet dhe rrënuan përmendore e Budës. Në këtë mënyrë veproi edhe Kalifati me monumentet historike. Ka dhe shqiptarë që do të çrrënjosnin çdo gjë nga e kaluara sepse nuk i përshtatet koncepteve të tyre. Nëse popujt ndryshojnë çdo pesë shekuj, atëherë çdo pesë shekuj duhet të merren me shkatërrimin e historisë së vet. Historia nuk mund të ndryshohet, ajo mund vetëm të mësohet ashtu si ishte. Ai që turpërohet nga e kaluara e katragjyshave, ai nuk ka identitet të kristalizuar dhe ndjen turp për origjinën e vet. Religjioni është vetëm besim, jo shqyrtim, por vetëm nënshtrim. Prandaj, cogito ergo sum...unë mendoj, unë jam. Nëse unë besoj, unë besoj vetëm! Besimi ndalon dyshimin, dyshimi krijon shkencë! Besimi krijon vetëm dogmë.

6. Ata që pyesin: "Çfarë ka bërë për kombin Nënë Tereza!" para se ta shkruajnë këtë fjali, le të njoftojnë, çfarë kanë bërë ata për kombin dhe në cilën gazetë dhe me google, a mund të gjendet një fjali për ta, ku së paku shkruan:" e, i,  lindur këtu ose atje dhe shqiptar/e...!" Ose më qartë: çfarë kanë bërë për kombin prindërit tanë, veprimtari që e pretendojmë nga një grua, por jo nga miliona burra në fisin tonë! Mund të mos e duam, është e drejtë njeriu, por askush nuk ka të drejtë të pretendojë diçka prej saj, as prej dikujt tjetër, por vetëm nga vetja. Ajo ka vdekur, vet fakti se flasim për të, tregon për vlerën e saj!

7. Kundër Grabovcit hapet procedura e hetimeve, por jo kundër shefit te Grabovcit, Thaçit. Ky është pampers-shtet!

8. Isa Mustafa: “Të lirojmë nga kapja çdo segment të shtetit.” Eh si? Kur bosi i bosave është akoma në krye të shtetit, të cilin ti e bëre kryetar?

9. "Nuk mund të vendosni për fatin tonë. Kosova ka institucionet e veta, Presidentin, Kuvendin dhe Qeverinë " Oda Ekonomike e Kosovës Ramës dhe Vuçiqit

E VËRTETË! Kosova ka institucionin e vet: Grabovcin.

10. Kur shajmë, nuk e bëjmë pse vërtetë ai njeri meriton atë ofendim (shpesh nuk dimë më shumë se emrin dhe mendimin që lexuam), por duket se nëndija shtyn njeriun të ofendojë, për t'u ofenduar pastaj nga i ofenduari. Kjo duhet të jetë pritshmëria. Sepse si fëmijë, kur na kanë sharë, na kanë marrë seriozisht dhe ajo poshtërim, ka krijuar viktimë prej nesh dhe ka ngjallur dhembshuri tek të tjerët! Kam përshtypjen se sharja e tjetrit, degradimi dhe përbuzja vetëm pse mendon ndryshe, është pasojë e traumave në fëmijëri! Dhe dënimi më i madh që mund t'i bëhet sharësit është shpërfillja! Nëse shahet, ai shpërblehet, sepse kur ai ka sharë, pret edhe ai vet ofendimin! Aty konstaton u se u hodh në qendër të vëmendjes dhe pret mbështetje dhe dhembshuri prej tjerëve sepse ndjehet viktimë! Si dikur si fëmijë! Pastaj, ata ofendojnë mu si janë sharë ata, sepse janë të bindur se pesha e dhembjes, është si ajo që ka traumatizuar ata. Si sharja si, mossharja janë rezultat i (mos)edukatës në shtëpi!

11. Aq sa më shumë diskutohet për kombin kosovar, aq më të rëndësishme ndjehen ideologët e saj. Ndjenja dhe bindja kombëtare janë premisa subjektive që shpijnë në një konkluzion vetjak. Këmbëngulja në kombin kosovar, domethënë krijimi i dy kombeve në një territor shumë të vogël: shqiptar dhe kosovar. Ideologët e saj, sillen si komunistët që citonin Marxin, Engelsin dhe Lenin, por populli është popull dhe nuk i plas shumë për teoritë. Sociologët nuk mund të krijojnë kombe, sepse nuk mund të imponojnë bindje dhe ndjenja. Mund ta bëjnë shtetet, por as ata jo gjithmonë. Gjermania ka qenë me dekada e ndarë, por nuk ka krijuar komb të ri. As dy Koretë, as njëzetedy vendet arabe, jo. Dënimi më i madh që mund t'u bëhet inkubatorëve të rinj, është shpërfillja.

12. Duke përjetuar historinë shqiptare 'live' dekadave të fundit, kam ardhur në përfundim, se sa më shumë të ushtrohet trysni mbi shqiptarin, sa më shumë që të kërcënohet, aq më i guximshëm dhe më i qëndrueshëm bëhet. Nëse mirëpo i jepen para, mund të jetë i gatshëm t'ia shajnë nënën vetvetes dhe qëndrimeve të dikurshme. Ndoshta jo shumë, por kemi mjaftë, të cilët mund të blihen si gjësende apo si kafshë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat