Nënë Tereza na bëri të njohur edhe atje ku bota s'na njihte

Opinione

Nënë Tereza na bëri të njohur edhe atje ku bota s'na njihte

Harry Bajraktari Nga Harry Bajraktari Më 30 gusht 2016 Në ora: 00:33

Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 Shtator nga Papa Francisko në Vatikan do të jetë një ditë e madhe për popullin shqiptar dhe një ngjarje historike që gjithë shqiptarët i bënë aq krenarë para botës dhe qytetërimit të saj. Një populli i vogël, siç jemi ne, në këtë ditë të veçantë kombëtare, përmjet bijës së tij, Nënë Terezës, do të ndihemi të mëdhenj aq sa ishte shpirti dhe zemra e saj e madhe. Humanistja e famshme që me veprën e saj mahniti tërë botën, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza i dha vlerë dhe fuqi njerëzimit dhe dashurinë ndaj njeriut. Shqiptarja, Nënë Tereza, ishte e dashur për të sëmurët, për të varfërit, për të pastrehet, për të braktisurit, për ata që s' kishin dashurinë e të afërmve, për të pafuqishmit duke i ndihmuar dhe duke u dhënë gjënë më të vlefshme, shpresën për jetë. Për të gjitha këto bamirësi ajo arriti të jetë jo vetëm humanistja e Kalkutës, por e gjithë botës, atje ku shkeli e nuk shkeli këmba e saj.

Nënë Tereza lindi nga prindërit shqiptarë: Kolë e Drane Bojaxhiu në Shkup më 1910, atëherë qyteti me numrin më të madh të shqiptarëve në Ballkan. Rrugetimi i saj në botë, në një moshë të re, kishte vetëm një qëllim, t'u shërbejë njerëzve në nevojë të varfërve dhe të sëmurëve.
Nënë Tereza në vitin 1979 mori çmimin Nobel për Paqe, për shërbimin e saj ndaj të sëmurëve dhe të pafuqishmëve. Pas marrjes së këtij çmimi të lartë ajo pat deklaruar:“ Jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është  Shqipëria". Ajo u lumturua nga Gjon Pali i II dhe mbante korrospondencë të përhershme me të dhe me personalitete të tjera të Vatikanit.

Gonxhe Bojaxhiu vizitoi Kosoven në fund të viteve 70-ta, ndërsa në Shqipëri iu mohua kjo nga diktatori Hoxha. Shqipërinë e vizitoi në vitin 1989 në prag të rënies së komunizmit.

 Nobelistja shqiptare doli nga një popull i vogël me civilizim të hershëm antik, ku me mrekullitë e saj tregoi se shqiptarët janë një racë që e duan njërzimin dhe të gatshëm të sakrifikohen për humanizëm dhe paqe në mes njerëzve dhe popujve të përkatësive të ndryshme fetare. Nënë Tereza na bëri të njohur edhe atje ku nuk na njihnin. Ajo u takua me njerëz të fesë e Zotit, me personalitete të mëdha të artit dhe kulturës, me presidentë shtetesh dhe nga Vatikani u vlerësua si Nënë e Botës. 

Ish presidenti i SHBA, Bill Clinton në vitin 2002 qe shprehur fuqishëm rreth personalitetit të saj: “Nënë Tereza, ishte e para qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

"Me gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane, dhe me zemer i perkas Jezu Krishtit", janë fjalët e Nënë Terezës që i kanë cituar shumë biograf të saj. Mbi jetën e Nënë Terezës janë shkruar shumë libra në gjuhët të ndryshme botërore dhe në gjuhën shqipe. Biografi më i njohur shqiptar i saj është Dom Lush Gjergji, i cili nga afër e ka njohur nobelisten e gjithëbotshme Anjezë Gonxhe Bojaxhiun.

            Miliona njerëz nga e gjithë bota së bashku me shqiptarët krenarë po e presin ceremoninë e madhe të shekullit, Shenjtërimin e Nënë Terezës, ndërsa mijëra e mijëra pelegrinë do të mbushin Sheshin Shën Pjetri në Vatikan. Këtu do të jenë të pranishëm shqiptarët nga vendlindja e saj, Shkupi, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe shqiptarët nga SHBA dhe Evropa. 

Nënë Tereza i përket gjithë njerëzimit, ndërsa ne na bëri të njohur edhe atje ku bota s'na njihte. 

Gjithmone qofte e bekuar shpirti i nene Tereses!

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në SHBA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat