Me im at dikur në Gjermani...

Opinione

Me im at dikur në Gjermani...

Nga: Agron Shabani Më: 29 gusht 2016 Në ora: 18:42
Agron Shabani

Nën shkëlqimin dhe impresionin e papërmbajtur të dritave, shandaneve dhe atyre llambadareve të prarura prej neoni dhe kristali që bënin dritë dhe qëndronin ndezur ditë e natë e natë, si dhe nën "ansamblin" ose "baletin e aeroplaneve" dhe yjeve të panumërt në qiellin dhe horizontin e pafund. Me një copë qielli në dritat e syve, Ai po i zbriste shkallët e fundit të avionit ( aeroplanit) të linjes ajrore Shkup- Düsseldorf. Ishte im at i dashur me të cilin kishte vite që nuk ishim takuar. Sytë e tij, të hutuar dhe përhumbur paksa në atë zgjua të madh njerëzish ose pasagjerësh të panumërt nga e gjithë bota në Aeroportin e njohur të Düsseldorfit në Gjermani, sikur po shihnin ose shikonin të përmalluar krejt dikund tjetër. Duke na kërkuar ose gjurmuar vazhdimisht neve- femijëve ose djemve të tij që kishim dalur të prisnin në Airoport babain tonë të dashur të cilin nuk e kishim takuar kaherë. Dorën në zemër, kisha emocione të shumëta në ato momente. Vetja ime ne ato caste me ngjante në një pikë cuditëse (!) tek po e shihja i ngrirë ose i stepur për vendin babain tim i cili me ato duar të hapura krah e krah, si dhe me një rigë lotësh në faqe, po afrohej drejtë nesh. Mbaj mend se pos atyre përqafimëve të "njomura" me shiun e lotëve, babai ynë atëbotë na e kishte sjellur me veti edhe një trohë aromë t´këndshme atërore, atdhetare dhe vendlindore këtu në mërgim..Ishte stinë vere në vjeshtë....Kombi dhe atdheu ynë i dashur në Kosovë, asokohe ndodhëshin nën prangat dhe zinxhirët e serbit! Ndërkohë që rrudhat e shumëta në fytyrë dhe ai tis i thellë gjaku në ballin e tij fushe, po ma sillnin dhe rikujtonin në sfond portertin e atëherëshëm të njeriut ose intelektualit shqiptar në Kosovë i cili po jetonte me litar në shpirtë, me lak në fyt, me pranga në gjuhë si dhe me zinxhirë të serbit në sy! Por, pa u përkulur ose dorëzuar kurrë. Shpresa dhe besimi i njohur i njeriut ose intelektualit shqiptar atëbotë sikur  po ruhëshin dhe banonin në qiell. 

Me kujtohet se im at i cili nuk ndodhët më në jetë ( Dritë pastë!), asokohe gjatë vizitës së tij në Gjermani, sikur i kishte zgjedhur ( tubuar) dhe bërë bashkë fjalët, kujtimet dhe buzëqeshjet e jetës ose motmotit, si për të na dhënë një trohë kurajo dhe moral ne të tjerëve që po ia lëxonim në sy dhembjet, plagët dhe pezmatimet e tij. Gjegjësisht, dhembjet, plagët dhe pezmatimet e thella skeletore dhe gjenetike të shumicës së njerëzve ose prindërve shqiptar në Kosovën e sunduar nga regjimi kriminal dhe gjakatar i Millosheviqit. 

Pas vetës Ai i kishte edhe mësimet dhe përvojat e ndryshme objektive dhe subjektive ( me tepër se 45 vjecare) si arsimtar dhe drejtor shkollash shqipe në Kosovë. Duke i mbajtur të ndrojtura (të ndrydhura) në maje të gjuhës së bashku me shumë kujtime të tjera jetësore ose personale që i ruante me xhelozi. " Është një situatë krejt tjetër nga ajo që e keni lënë dikur ju në Kosovë; biri im! Një zhvillim tjetër dhe dinamikë e re. Shqiptarët janë lodhur nga sundimi dhe tirania e serbëve, ndërsa serbët ndodhën të alarmuar dhe në panikë të thellë nga durimi dhe rezistenca e shqiptarëve të Kosovës e cila për Millosheviqin dhe regjimin e tij, paraqet një ekuiacion të madh me shumë të panjohura dhe të papritura. " Do me thoshte asokohe im at i ndjerë Mehmeti ( Ndjesë pastë!) . Ndërkohë që lufta e njohur në Kosovë ndodhej në prag. Dhe, kjo në formën dhe profilin e njohur të një " paraloje të butë revolucionare dhe politike" të Dr. Rugovës dhe filozofisë së tij konspirative dhe logjistike ne sfond.

Gjate vizitave të ndryshme nepër qytetët ose metropolat e njohura gjermane, me kujtohet se i mrekulluar dhe fascinuar nga zhvillimet e këtushme shkencore, industriale dhe teknologjike, im at me thoshte shpesh se njerëzit krijues ose inovator, janë të lindur për të punuar dhe krijuar, ashtu sikurse shqiponjat ose dallendyshet që janë të lindura për të fluturuar. I çmonte shumë dhe njerëzit krijues ose inovatorë.

Në ndarje me të në Aeroportin e Düsseldorfit ku e kishim pritur me padurim ardhjen dhe vizitën e tij tek ne këtu në Gjermani, im at do m´i thoshte edhe këto fjalë: Njëra prej gëzimëve ose lumturive me të mëdha të jetës sime do jetë dita kur do të me mbushet sërish sofra ose tryeza ime jetësore dhe familjare me femijët, nipat dhe mbesat e mia atje në Gjakovë ( Kosovë). Kam ngelur vetëm, sall me plakën dhe vëllun tuaj me të vogël, biri im! Po mërzitemi pa ju! " Me tha atëbotë në ndarje im at. Si për të m´i lënë si plagë të përhershme fjalët e tij. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat