Triptik përjetimesh për Nënë Terezën

Opinione

Triptik përjetimesh për Nënë Terezën

Nga: Andon Dede Më: 26 gusht 2016 Në ora: 07:05
Andon Dede

1.

Çdo fund gushti e fillim shtatori më kujton një përjetim jo të zakonshëm që do të dëshëroja ta ndaja me lexuesit, jo thjesht për të kënaqur një kuriozitet por dhe për të dhënë një mesazh.

Atë mbrëmje kishim për darkë dy miq dhe po bisedonim shtruar në tavolinë. Kur, papritur, transmetimet e televisionit ndërprtien, siç ndodh shpesh kur ka ndonjë ngjarje të rëndësishme: në aksidentin e Parisit, të transmetuar një ditë më parë, kishte mbetur e vdekur edhe Princesha Dajanë. U ndërprenë të gjitha emisionet e tjera, e gjithë media po merrej vetëm me këtë temë. Të krijohej përshtypja se ato mezi po e përballonin fluksin e jashtzakonshëm të lajmeve. I kushtuan shumë më tepër rëndësi nga sa mund ta kishim menduar.

Në bisedë e sipër u them të tjerëve, tek po shihnim kronikat e pandërprera: “Sikur po e tepërojnë ca, se ajo vërtet mund të ketë bërë shumë gjëra, po nuk është Nënë Tereza, de!? Nuk e marr dot me mënd se si do ta njoftojnë vdekjen e kësaj të fundit, me gjithë këto superlativa që po thonë për Dajanën…”

Kjo bisedë do të kishte kaluar si shumë të tjera, pa u kujtuar më për të sikur, pas disa ditësh, tek po pushoja në dhomë të gjumit, hyn ime shoqe e më thotë: “Vdiq Nënë Tereza!”.     Kërceva nga krevati për të ndjekur lajmet. Kujtova bisedën që bëmë para pak ditësh. Edhe për këtë ngjarje, të gjitha kanalet televizive, po jepnin kronikat e rastit. Kjo ndodhi edhe të nesërmen e vazhdoi për ditë me radhë. Por, për hir të së vërtetës, më duhet të them se princesha Dajanës iu kushtua shumë më tepër vëmendje. Kamerat zhvendoseshin herë pas here, prej Kalkute në Paris, buzë Senës, në tunelin e Pont d’Alma, ku kish ndodhur aksidenti i përgjakshëm. Emisionet e lajmeve fillonin shpesh me bukuroshen e vrarë dhe më pas vinte Nënë Teresa. Për më tepër flitej për dy bamirëset e mëdha që humbi njerëzimi, duke e portretizuar edhe princeshën me të njëjtat penelata. Mali i kurorave për të, në sheshin e Londrës, theu çdo rekord. Edhe për Nënë Terezën nuk u kursyen lulet, por jo sa ato për princeshën e Uellsit.

E di se nuk është mirë të flasësh sado pak keq për ata që ikin nga kjo botë dhe unë as që kam ndër mënd të flas e të shkruaj keq për Dajanën. Por, për të qënë i sinqertë me lexuesin, më duhet të pranoj se po më revoltonte pa masë gjithë kjo që po ndodhte?! Ku ka të krahasuar Nënë Teresa me Princeshë Dajanën?! Jam dakord se edhe kjo e fundit kishte bërë shumë bamirësira, për të cilat meritonte respekt. Jo vetëm kaq, por dhe sfida që i bëri ajo Familjes Mbretërore, si askush tjetër deri atëhere, ia shton vlerat biografisë së saj. Por jo, kurrsesi nuk mund të meritojë ajo një përcjellje më madhështore se Nënë Teresa. Dajana konsiderohej e mbahet akoma, nga shumë veta si “britanikja më e famshme e botës”.  Por, për hirë të së vërtetës duhet pranuar se nuk janë të paktë edhe ata që pohojnë se ajo e arriti këtë duke ndërruar fustanet, bizhuterite e makinat luksoze.

Ato dy ngjarje treguan edhe një herë se sa subjektiv apo dhe i padrejtë është njerëzimi në vlerësimin e personaliteteve që i kanë shërbyer atij.

Diskutova me shumë veta për këtë temë. Shumica më jepnin të drejtë. Por, aty-këtu, pati edhe ndonjë që përpiqej ta përligjte atë që po ndodhte, duke sjellë si argument faktin që Dajana ishte një figurë më e njohur publike se Nënë Tereza etj. Vulën ia vuri presidenti i Italisë, Skalfaro. Pyetjes së një gazetari, para se ai të nisej për në Kalkutë, në ceremoninë e varrimit, se, si shumë vëmendje po i kushtohej edhe princeshës Dajana dhe ç’mendim kishte, kur i krahasoje me njera tjetrën, ai iu përgjigj shkurt e prerë: ”As që kanë të krahasur! Nënë Teresa është shenjt i gjallë…Ka bërë aq shumë për njerëzmin sa nuk krahasohet me asnjë tjetër…”. Këtë e përforcoi më tej ambasadori amerikan në Vatikan, James Nicholson, kur u shpreh, pas vendimit të Papës për shenjtërimin e saj: “Nuk u habita që Papa ka zgjedhur të shenjtërojë Nënë Terezën. …Në këtë kohë të heronjve nga fusha e sportit dhe artit, ai ndjen se bota ka nevojë për lloje të tjerë heronjsh”, theksoi ai.

Kjo temë, qysh atëhere, më ka ngacmuar vazhdimisht. Kujtoj Dajanën që i ndërronte fustanet e bizhuteritë, disa herë në ditë, e që i shkëlqente fytyra prej së largu, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Edhe kur shpërndante ndihma, nuk e prishte luksin e vet mbretëror, pa hequr dorë prej argëtimeve e kënaqësive të një zonje të sërës së lartë. Dhe më del përpara Nënë Tereza, me atë veshje të thjeshtë, me sarin e saj të bardhë e të gjatë karakteristik që kushtonte vetëm një dollar, në atë trup të paktë, të mpakur, si gjithë nënat tona; me atë fytyrë tërë rudha e fisnike, tamam si mund të përfytyrohet një shenjt i gjallë. Më bënin përshtypje këmbët e saj të zbathura me sandalet e pluhurosura nga ecja. Hante e jetonte si të varfërit e të sëmurët e saj, prekte e ledhatonte me duart e veta trupat e tyre tërë plagë nga lebra e sëmundje të tjera, po aq të rrezikëshme e ngjitëse sa ajo. Po përmend vetëm një episod, nga të panumurtat që janë shkruar e thënë për të: Një e sëmurë rëndë, e befasuar që Nënë Tereza po e merrte në duar e po kujdesej për të si të qe motra e saj, e pyeti me buzë të dridhur: “Pse po e bën tërë këtë?”. “Sepse të dua, sepse Zoti ju do!” ia ktheu Nëna e Madhe. “Ma thuaj prapë. Eshtë hera e parë në jetën time që i dëgjoj këto fjalë...” – shtoi e sëmura. Dhe Shenjtorja e ardhëshme ia thotë përsëri e përsëri. “Nëse nuk mund ta shërojmë dot të sëmurin, të paktën t’ia lehtësojmë dhimbjet, ta ngrohim shpirtërisht, siç ngroh përqafimi i një nëne”, - ishte filosofia e saj.

Edhe njerëzimi sikur u ndie më jetim kur ajo mbylli sytë përgjithmonë. Të parët e shteteve të botës shkonin me radhë para arkivolit të saj, i ledhatonin ballin, i puthnin këmbët, binin më gjunjë, luteshin dhe përsiatnin aty, aq sa ndodhte të vinin kujdestarë nga personeli i shërbimit për t'i ngritur.

Nene Tereza nderroi jete me 13 shtator 1997. Ne varrimin e saj, moren pjese 1 milion vete, në një varg 9 kilometër të gjate; 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremonine e varrimit. Ajo nderroi jete, mbasi shenjtoret nuk vdesin. Si një mesazhere biblike, Shenjtorja e gjallë dhe e prekshme, sillte atë dashuri njerëzore që aq shumë i mungoi shekullit XX. Ndoshta vlerësimin më të madh për të e bëri presidenti Francez Zhak Shirak, i cili, ditën e vdekjes u shpreh: "Këtë mbrëmje, ka më pak dashuri, më pak humanizëm dhe më pak dritë në botë".

2.

Kisha pak kohë që pata filluar punë në JSA,(James Satërwajt Academy). Një ditë, vjen tek unë sekretarja, Ms. Darlin dhe me shumë takt e përzëmërsi, më thotë: “Zoti Dede, a keni ndonjë gjë për partin, ceremoninë që do të bëjmë për Vitin e Ri?”. “Jo!” – ia ktheva menjëherë, pa u menduar gjatë. Ç’ne unë, i sapovajtur aty të bëhesha pjesë e programit, kur atje kishte tërë ata me PH-dira e me përvojë apo dhe artistë të vërtetë për humor, këngë e të tjera si këto. Por, më pas, më lindi ideja për të recituar poezinë e nënë Terezës, “Sidoqoftë”, (Anyuay), që me siguri, një pjesë e tyre në mos të gjithë, nuk do ta kishin lexuar. U çova dhe ia thashë sekretares këtë ide e cila e mirëpriti. Ndërkohë, i them mikut tim, piktorit Hektor Alvarez që të ma printonte poemën sa më bukur, me letër speciale e me ngjyra, siç dinte ai. Qe mjeshtër për këto, ndaj dhe e kishin punësuar aty, si pllkatist. Dhe ai bëri një punë të shkëlqyer: me shkronja speciale, ngjyra të ndryshme, kornizë të bukur etj. që të tërhiqte edhe pa e lexuar atë ç’ka ishte shkruar në të.

Filloi parti dhe dikur prezantuesja më dha fjalën. Unë kisha përgatitur një hyrje të shkurtër: “Ju e keni dëgjuar dhe e njihni të gjithë Mother Terezën, por ndofta, jo të gjithë e dini, se ajo është nga vendi im, Shqipëria. Pavarësisht nga kjo, qëllimi im, nuk është ky, por desha të recitoj një poezi që hedh dritë mbi një anë tjetër, të panjohur të saj: ajo nuk qe vetëm bamirëse e shenjtore e gjallë, por dhe tepër realiste; e njihte natyrën njerëzore me thellësi, me të mirat e të këqijat e saj. Megjithatë, ajo nuk u lëkund për asnjë çast në vendimin që kishte marrë për t’i shërbyer njerëzve në nevojë.”

Më pas recitova poezinë e saj. Heshtje e plotë, si rrallë herë në atë sallë. Kur mbarova, pasuan ca çaste të tjera heshtjeje, a thua se pjesëmarrësit ishin shokuar apo ngrirë… Pas pak shpërthyen duartrokitje frenetike. Iu shpërndava të gjithëve nga një kopje të poezisë. Të dy palët ndjeheshim tepër të kënaqur, sidomos unë që ia arrita qëllimit. Por, kjo histori nuk mbaroi me kaq: sa e sa veta më erdhën më pas në kubikun ku punoja dhe më shprehën mirënjohje e falenderim, në emër të tyre apo të pjestarëve të familjes që ata ua kishin lexuar. Poezia e printuar nga piktori u afishua në tërë ato dyer e mure të Akademisë, ku mund t’i gjesh akoma, edhe pse kane kaluar gjithë ato vite. Nënë Teresa më dha kështu një kënaqësi aq të madhe sa rrallë e kisha provuar më parë.

3.

Falë erës demokratike që po frynte në të gjithë Evropën Lindore, Nënë Terez nuk mund të ndalej më dhe u lejua, më në fund, të vinte në Atdheun e saj, më 1989.

Në Botë, për Nënë Terezën qenë botuar libra e artikuj të shumtë, ndërsa në Shqipëri as edhe një rresht i vetëm. Megjithatë, ne kishim dëgjuar të flitej për të dhe, siç ndodh zakonisht, sa më tepër që të përpiqesh për ta fshehur një të vërtetë, aq më shumë i bën njerëzit kureshtarë për të. Ndaj dhe unë, si shumë të tjerë, isha kurioz ta shihja. Mora vesh se do të kalonte në bulevardin kryesor dhe po e prisja tek ura e Lanës, afër hotel “Dajtit”. Nuk vonoi të duket rreshti i gjatë i makinave. Hapa sytë që të mos më shpëtonte objekti dhe ia arrita qëllimit.

Po e riprodhoj edhe këtë episod jo rastësisht. Vë re se bashkë me mua, disa hapa më tej, po rrinte dhe po priste për ta parë Misionaren e njohur edhe një nga kuadrot e larta të PPSH-së, që e mbanin edhe si dorën e djathtë të udhëheqjes. Thoshin, madje, se nuk bëhej asgjë në politikën e jashtëme, pa miratimin e tij. Si i tillë, pa pikë dyshimi që ai kishte gisht në qëndrimin e mbajtur ndaj saj. Dhe ja tani, edhe ai, si unë, ndënji deri sa u largua karvani. Momentalisht apo dhe fizikisht, po kryenim të njëjtin ritual, por mendërisht e shpirtërisht, ishim në pozicione krejt të kundërta. Vetvetiu, nisa të përsias me vete:  “Ç’po bluan në mëndje ai, ndërsa  po ndjek me sy, gjithë përqëndrim, si unë vargun e makinave?! Mos vallë i vjen keq që iu iku nga duart e nuk e ndaluan dot as kësaj here?”

Tek e fundit, e ç’rëndësi ka edhe kjo?! E rëndësishme, për mua është që ndërsa mesazhet e fuqishme të saj, i dëgjon, i respekton e përpiqet t’i zbatojë gjithë bota përparimtare, në vendin tonë nuk ndjehet një gjë e tillë, në një kohë që, o kemi ne nevojë për to o asnjë tjetër. Nuk është vendi të zgjatem për ta shtjelluar gjerësisht këtë temë, por mjafton një argument për të më dhënë të drejtë edhe lexuesi më indiferent. Kur erdhi për herë të dytë në Shqipëri, në momentin e ndryshimit të madh, tek pa shoqërinë tonë të mbarsur me konflikte, si ato të një lufte civile, ajo dha mesazhin e madh: “Do ta doni më shumë Shqipërinë, po të doni më shumë njeri-tjetrin". Kur kemi parasysh situatën aktuale, po aq konfliktuale sa atëhere, në mos edhe më keq, a nuk ju duket ky mesazh më aktual se kurrë?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat