Unë ''sundimtari'' i botës!

Opinione

Unë ''sundimtari'' i botës!

Nga: Faik Krasniqi Më: 24 gusht 2016 Në ora: 09:35
Faik Krasniqi

Një ditë do të bëhem sundimtari i botës. Do ta sundoj gjithë botën. Mund të ju duket qesharake, por është shumë e vërtetë kjo se çfarë po them. Nuk po tallem. E kam shumë seriozisht. Në daç besoni e në daç mos besoni. Punë e madhe. Është problemi juaj.

Por do të bindeni edhe vetë. Kur duruat diktatorët më të mëdhenjë të botës, pse mos të më duroni edhe mua. Në Shqipëri e duruat Enverin në diktaturën e tij për gati 50 vjet. Ju vrau, ju poshtëroi, ju internoi, ju izoloi, ju varfëroi, ju dhunoi dhe asnjë nga ju nuk guxoi që të ngritet kundër tij. Nuk e patët fare guximin. Kishit frikë nga ai. U bëtë servilët e tij. Sepse ju bëri të mendoni që ai është ''Zoti''.

Në ish Jugosllavi duruat Titon poashtu për rreth gjysëm shekulli. Askush nuk u ngritë kundër tij, por sikurse shumica e diktatorëve edhe ai vdiq në shtrat. Rusët duruan diktaturën e Stalinit, Leninit dhe pasardhësve të tyre, për më shumë se 70 vite. Stalini shfarosi mbi 27 milion rusë, por populli rus nuk u ngritë për ta përmbysur regjimin e tij të egër. Pse? Sepse kishin frikë të tmerrshme nga Stalini.

Pol Poti gjatë diktaturës së tij shfarosi mbi 3 milion kamboxhian dhe populli kamboxhian e duroi. Nuk u ndëshkua kurrë për krimet e tij, nuk e vrau askush, por vdiq nga një sulm në zemër. Hitleri nuk ishte diktator për popullin e tij, por i urrente hebrenjtë, sllavët, romët dhe homoseksualët. Vrau me miliona prej tyre. Franco i Spanjës sundoi egërsisht për 40 vite rresht. Vrau, torturoi dhe burgosi me mijëra e miliona spanjollë.

Por edhe spanjollët e duruan. Edhe ai vdiq në mënyrë natyrale. Jetoi goxha shumë. Kaloi mbi të 80-tat. Pinoçeti ishte poashtu diktator. Edhe ai vrau me mijëra bashkëkombas të tij. Jetoi sa deshi vetë, ose më mirë të them sa kishte thënë Zoti që të jetoj. Vdiq i qetë në moshën 91 vjeçare. Jorge Rafael Videla, Gadafi, Mubaraku, Sadami, Idi Amini e qindra e qindra të tjerë poashtu ishin diktatorë. Kemi edhe sot diktatorë të shumtë në këtë shekull që po jetojmë.

Në shekullin 21. Duke filluar nga Kim Jongu, Bashar Al Asadi, Robert Mugabe e shumë të tjerë në shtetet me pseudodemokraci. Ja e kemi Kim Jongun. Diktatorin më të ri dhe më të tmerrshëm. Më mizor edhe se i ati dhe gjyshi i tij. Edhe koreanët e veriut po e durojnë, edhe pse prej 70 vitesh diktatura të cilën ai e ka trashëguar nga babai dhe gjyshi i tij, ka vrarë me miliona koreanë.

Miliona koreanoverior të tjerë vdiqën dhe po vdesin edhe sot nga uria. Edhe monarkët ishin diktatorë. Edhe në kohën antike udhëheqësit ishin diktatorë. A mund të themi që njerëzimit i pëlqen diktatura, derisa duron dhe nuk e merrë mundimin që t'i heq diktatorët? Kjo na është dëshmuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit.

Po na dëshmohet edhe sot me këta diktatorët e rinj, të cilët po i durojmë pavarësisht se po na sundojnë egërsisht. Apo diktaturat i durojnë vetëm popujt frikacakë e servilë. Popujt që ju pëlqen nënshtrimi.

Po na vrasin, po na rrahin, po na ofedojnë, po na përbuzin, po tallen me ne, po na torturojnë nga mengjësi e gjer në darkë. Po na vjedhin, po na lënë pa bukë, po na fusin në burg, po na lënë pa punë e prapë po i durojmë. Le të më thotë dikush që nuk është e vërtetë?

Jo, s'mund të më thotë askush, sepse është plotësisht e vërtetë kjo që po them. Të gjitha këto po i përjetojmë çdo ditë në lëkurën tonë. Edhe ne po heshtim ashtu siç heshtën ata që e përjetuan diktaturën para nesh. Nga frika po heshtim dhe nuk po i largojmë, apo jemi servilë ose më mirë të themi që jemi një popull sadomazohist. Çfarë po prisni, ngrituni kundër këtyre që po ju vrasin çdo ditë. Kundër atyre që ua premtuan parajsën e ju dërguan në ferr.

Nuk po e shihni veten që jeni bërë kufoma të gjalla? Atëherë, pse të mos më duroni edhe mua kur duruat diktatorët më të mëdhenjë që ka njohur njerëzimi? Unë s'do të jem diktator sikurse ata të mëhershmit, e as sikurse këta të sotshmit. Por thjesht dua ta ''sundojë'' botën.

Do të jem shumë i mirë. I mirë ashtu siç e kam edhe zemrën e mirë. Ta bëjë këtë botë më të mirë për të jetuar. Një botë më të pastër. Një botë të drejtë për të gjithë.

Pa politikanë, biznesmenë, gjykatës, avokatë e prokurorë kriminelë e të korruptuar. Pa burokratë e buruokraci. Pa mite e heronjë të rrejshëm. Një botë pa servilë e servilizëm. Një botë pa mashtrues e mashtrime. Një botë më sigurt për të jetuar. 

Një botë ashtu siç të gjithë e ëndërrojmë. Në botën time të re do të jetoni si në parajsë, e jo në ferr siç jetuat me diktatorët që i deshët aq shumë. I deshët nga frika, por edhe pse ishit servilë. Akoma jeni duke jetuar në ferr, me sundimin e këtyre diktatorëve të rinjë.

Të këtyre rrugaçëve e halabakëve, të zbritur nga mali. Unë s'do t'ju vras, s'do ju rrahi, e as nuk do t'ju fus në burg. Do të keni liri sa të duash. Do ketë punë për çdonjërin prej jush. Paga të mira, makina, vila, pushime. Arsim dhe shëndetësi cilësor. Siguri, paqe, mirëqenie. Do keni gjithçka. Për këtë ju garantoj. Mos më thuani nesër që nuk ju kam treguar. Unë, ''sundimtari'' i kësaj bote!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat