Shqiptarët besojnë tek vetja, tek bashkimi kombëtar

Opinione

Shqiptarët besojnë tek vetja, tek bashkimi kombëtar

Nga: Genc Drini Më: 24 gusht 2016 Në ora: 08:38
Genc Drini

Në fillimin e këtij shekullit të ri, sot në vitin 2003, Bashkimi Europian është në kurthën e një dileme hamletiane për ekzistencën e vet. Sidoqë shpresojmë ta kalojë këtë situate pasigurie dhe të ecë suksesshëm, nuk ka si të mos kuptojmë se BE edhe mund të zhbëhet.

Që në fillimet e tyre dy mallkime kishin lëshuar komunistët: njërin kundër kombit të cilin e mohuan për një bashkësi ‘të ardhëshme’ iluzore komuniste dhe internacionale, tjetrin kundër kapitalizmit dhe shteteve kapitaliste si armiq të përjetshëm. Po në reciklimin e vet të detyruar pas vitit 1990, Partia u tha komunistëve: “tashmë kapitalizmin dhe shtetet e huaja kapitaliste nuk i kemi armiq. Jo pa dhimbje ata panë se diçka po ndryshonte, nuk mund të ishin më komunistë!

Po u qetësuan disi kur e gjetën ngushëllimin, u quajtën “ish” komunistë. Nuk qe dhe aq keq, fjala komunist nuk qe zhdukur krejt, jo vetëm i gruponte bashkë, po dhe nuk pësuan asgjë, privilegjet e përfitimet pasuritë e grumbulluara do ti kishin, edhe “namin” që kishin fituar nga ajo kohë për çfarëdo që kishin bërë, në cilindo sektor që të kishin punuar si pararojë e diktaturës, deri në ato më të ashpërit, do ta mbanin me “kryelartësi”, nuk po ua hiqte kush! Po ama në një pikë mbetën komunistë të pa lëkundur, dje për komunizmin e tash për idetë e reja që “përqafuan”, europeizmin dhe globalizmin, u treguan të pa mëshirshëm me kombin dhe nacionalizmin shqiptar. I mohuan dhe i lanë prap në radhën e armiqve “të mallkuar”. Ishte porosia kryesore që ua dhanë sllavët më 1941 dhe nuk e tradhëtuan!

Ashtu siç i kishin bërë që gjatë kohës së luftës kur me porosi të sllavëve komunistë e dërmuan nacionalizmin me luftë civile, me diktaturë, me luftë klasash dhe nga këshilla e “miqve” të tyre sllavë nuk përfituan pak, ndenjën afër gjysëm shekulli kaluar mbi popullin shqiptar...Miqtë e rinjë, shtetet kapitaliste nuk shprehën ndonjë çudi për “këtë hollësi”, ishin ata vetë që propagandonin këto dy ide globale, sidoqë duhet thënë se secili prej atyre shteteve mbronte me dhëmbë interesat nacionale dhe kishin në këmbë ideologji dhe parti nacionaliste që përfaqësoheshin fuqishëm në parlamentet e tyre.

Si e panë pas viteve 90 shqiptarin tu ikte i liruar prej kthetrave të “Partisë mbi të gjitha” dhe nga iluzionet e një bote ‘’kolektive’’në të cilën ata si komunistë e kishin pas futur për ta dominuar, tani si ish komunistë patën vetëm një shqetësim strategjik, si ta dominonin shqiptarin përsëri. Doli e lehtë. Pas gjysmë shekulli goditjesh të tmerrëshme diktatoriale që u kishin dhënë shqiptarëve, kishin arritur të vetmit si një forcë e organizuar, nuk kishin asnjë konkurrent përballë,“çelën”disa parti, dy kryesore dhe morën sërish pushtetin me radhë njëra pas tjetrës. Për të qeverisur lehtë mbi njerëzit përdorën si instrument hutues propagandën e re me koncepte evazive për europianizëm dhe globalizëm. Me ta krijonin aq shumë tymnajë dhe hapsirë veprimi dhe manipulimi sa pa i dhënë llogari askujt mund bënin çfar të donin duke përfituar sërisht për vete mbi kurrizin e shqiptarëve.

Prandaj në asnjë mënyrë nuk lanë të ringrihet ideologjia kombëtare, e kishin si porosi të trashëguar nga parardhësit, dhe ato siç thamë nga sllavët. Dikuj mund ti duket i çuditshëm ky qëndrim,  kur serbët e grekët e të tjerët mbaheshin fort pas ideologjive të tyre kombëtare, deri shoviniste. Serbët e treguan në luftat e Jugosllavisë në këto vite dhe grekët me pretendimet e pa prera shovene për tokat shqiptare, për “vorio Epirin” dhe trajtimin shoven të çështjes çame. Po ish komunistët edhe për një shkak praktik ishin kundër, me kombin “nuk merresh vesh kollaj”, prandaj e kishin luftuar që gjatë luftës. Është i përcaktuar mirë, është një ndërgjegje në këmbë në të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet shqiptare, dhe themelisht shtyn drejt Bashkimit Kombëtar.

Është i pa ndryshueshëm në kohë, nuk pranon kompromise dhe nuk i linte të vepronin kundër interesave kombëtare, dhe nuk i linte të grabisnin për vete pasuritë e të gjithë shqiptarëve. Kombi i bën jashtëzakonisht të qartë dhe të ndërgjegjshëm shqiptarët për detyrat dhe të drejtat e veta. Shkurt nuk mund t’ia hidhnin kombit i cili do ti detyronte të punonin për të gjithë shqiptarët. Po të mbaheshin shqiptarët pas kombit, ish komunistët do ta kishin pisk. Atëherë mbetej një zgjidhje, tua hiqnin mëndjen shqiptarëve nga Kombi Shqiptar, e nga Shqipëria pa tjetër, dhe tua shpërndanin vëmendjen drejt botës së madhe të pa përcaktuar iluzore europeiste dhe globaliste. Prandaj me zell nisën të lëvdonin e të ngrinin në qiell individin absolutisht të liruar nga çdo ndërgjegje nga çdo ideal, duke e ia mbushur mendjen çdo shqiptari të shmangë gjithçka kombëtare, ta konsiderojë veten një ‘”qytetar i lirë” i Botës”, dhe të marrë rrugët e botës.

Kështu ish komunistët kryesorë shpëtonin njëherit si prej kombit shqiptar “ngatërrestar” ashtu dhe prej shqiptarëve “të tepërt”që u prishnin punë. Nga diktatura direkte mbi shqiptarët, me të cilën arrije gjithçka, u kalua në hilekraturë, grabitje dhe kapitalokraturë, mafjekraturë. Kishin rikapur majat e shtetit. Shkëlqyen dhe nga padija e madhe në filozofinë politike, në politikë, dhe në punët e shtetit, elemente shtesë këto që përcaktuan atë klasë politike. E dështuan keqas shtetin, e bënë të futet në vetëluftë, të falimentojë. Pas 1992-shit, kur pas shporrjes së diktaturës u krijua mundësia e ripërtritjes, nuk u ngrit as nga Akademia dhe nga asnjë institucion tjetër asnjë ideologji a program kombëtar. Vetëm gjeste të veçuara konfuze të drejtuesit kryesor të së djathtës si një kalorës i vetmuar. Dhe një parti e vogël në pauses, me programin e plotë të saj, a në detaje të ndonjë tjetre, po që pretendonte synime Rimëkëmbjeje kombëtare që nxirrte dhe një gazetë me të njëjtin emër u muar para nga partitë e mëdha.

Në Kosovë ngjarjet shkuan ndryshe, lufta dhe fitorja kundër forcave serbe u çuan para nga fryma nacionaliste atdhetare për liri dhe lufta e shqiptarëve, qëndrimi i pa lëkundur i SHBA, i BE dhe ndërhyrja e pa epur e NATOS. Ka përsëri shumë rrugë për të bërë sepse serbët e rusët aty janë si barrierë e egër kundër shqiptare. Më së pari duhen demokratizuar dhe ambiciet e pa fre për pushtet të figurave drejtuese që mund të kthehen në një faktor shumë pengues në rrugëtimin shqiptar.

Po sot pas gjithë kësajë katrahure çfarë duhet të bëjnë shqiptarët kudo që janë? Atë që është në interesin e të gjithë shqiptarëve. Të kundërtën e asaj që i shërben një grushti drejtuesish të babëzitur për grabitje, u duhet forcimi i ndërgjegjes kombëtare, i duhet vetja e vlerësuar, i duhet kombi shqiptar i vlerësuar. Kjo është premisa e parë dhe e vetme për shqiptarët që ndalon shkatërrimin, shpërbërjen, çon në bashkimin kombëtar që është rruga e vetme dhe e sigurtë e dinjitetit dhe përparimit të gjithë shqiptarëve. Më pas vjen natyrshëm edhe integrimi në BE që e dëshërojnë të gjithë shqiptarët dhe që siguron një të ardhme më të sigurtë dhe më të mirë. Do ishte për të parën herë në histori një integrim i kërkuar nga shqiptarët, krejt ndryshe nga gjithfarë ‘’bashkimesh” të imponuara nga dhuna dhe pushtimet gjatë për rreth dymije viteve.

Po atëherë çfar të keqe ka propaganda europeiste? Faktet reale politike të BE janë të mirëpritura, po e keqja është me kuptimin dhe manipulimin politik dhe historik të shqiptarëve për BE nga politikanët tanë që në pritje të integrimit në BE me zell deformues mistifikojnë Europën. Flasin për një BE sikur të ishte e kryer, e përjetëshme, që bën të pa nevojshëm çdo koncept tjetër politik dhe moral, deri dhe pavarësinë edhe atdheun.

Një Europë ku do “zhduken” jo vetëm kufijtë tokësor po dhe kufijtë e ndërgjegjeve kombëtare dhe identiteti i shqiptarëve do mbetet si relike arkaike dhe i pa vlerë për tu marrë me të. Flasin për një identitet të sajuar europian që do fitokan shqiptarët brënda familjes europiane, ku fjala “e nderuar” nxjerr kokën me naivitet sikur të flitej për ndonjë krushqi e nuk mungon kurrë pa u shtuar, e që sigurisht për “familjet tjera” tingëllon ksenofobe. Po pasi hutojnë dhe shpërqëndrojnë shqiptarët që të ikin nga koka këmbët ato gupe drejtuesish të shtetit a partive të të gjitha grupimeve që bërtasin aq shumë për këtë lloj Europe, a e mishërojnë të njëjtën mendësi që propagandojnë? Absolutisht jo! Nuk lëvizin një hap, janë kapur me dhëmbë pas Shqipërisë, e nuk i shqiten. I janë futur korrupsionit të thellë, grabitjes së shtetit.

Të lidhur me kastën e gjyqtarëve shumica ish komunistë që shkelin ligjin, shkelin të drejtat, grabisin pronën private të shqiptarëve, zhdukin kufijtë e pronës shtetërore duke e kthyer hap pas hapi në pronë të tyre vetiake, grabisin pasuritë natyrore të Shqipërisë, shesin interesat kombëtare. Të gjitha këto i bëjnë gjysëm fshehtas, ndërkohë që lëshojnë për të tjerët haptas berihajn: “O burra për në BE”

Asgjë e tillë nuk ndodh në shtetet e BE, sundon ligji. Është një bashkësi politiko ekonomike shtetesh e përcaktuar nga traktate të njohura përafruese në interes të secilit prej shteteve, po dhe me distancë të përcaktuar nga njëri tjetri, me sovranitet të pa cënuar. Secili shtet kultivon me forcë ndërgjegjen e vet kombëtare dhe ruan interesat kombëtare. Për asnjë sekond nuk është thënë se në BE do zhduken kufijtë, po ti zhysim pak që të mos na pengojnë marëdhëniet. Po edhe nëse BE do ketë jetëgjatësi, kufijtë aty janë dhe aty do mbeten gjithnjë.

E nëse dështon BE kufijtë janë të ngritur vetëvetiu që të duken qartë dhe të pengojnë tjetrin. BE nuk është një rrugëtim veç me një kahje, prandaj është parashikuar si mundësia e hyrjes në BE, ashtu dhe kushtet sesi një shtet anëtar i BE mund të largohet në rast se ai shtet vendos. Optimizëm dhe skepticizëm, një ndërgjegjësim realist për të dy anët e medaljes. Europianët e njohin historinë e cila rrëfen dhe për fundin e grupimeve të mëdha perandorake. Sidoqë suksesi i BE i kësaj perandorie të vullneteve të lira të disa shteteve, si kurrë ndonjëherë është shumë i dëshëruar për fatin e kontinentit dhe për shqiptarët, ekziston dhe një mundësi dështimi të BE, madje jo e largët, BE është në zgrip. Shihni kryetarin Prodi, President i Komisionit Europjan që nga viti 1999, i cili përballë vështirësive të aprovimit të Kushtetutës Europjane nga shtetet pjestare, thërret i dëshpëruar: “Ose do të ketë bashkim të Europës, ose nuk do të ketë fare’’. Europa ose duhet të bashkohet e tëra dhe në interes të të gjithëve ose nëse do vazhdojë imponimi i interesave të shteteve të mëdha Europa nuk do bëhet. Dialektikisht brënda BE nuk mund të mungojnë kontradiktat, dhe ku ka kontradikta mund të ketë dhe zhbërje.

Po ne si shqiptarë a jemi të kujdesshëm për perspektivën e një çbërjeje të BE? Si do gjindeshin përballë vetes pasi të zhdukej perspektiva e BE? Si do ktheheshin shqiptarët drejt vetevets pas këti rrënimi të thellë të ndërgjegjes kombëtare fillimisht nga sistemi diktatorial çiflik komunist dhe tash nga pa përgjegjësia e drejtuesve aktualë? A janë të shqetësuar ndopak  rastësisht “drejtuesit” e sotëm? 

Aspak! “Drejtuesit” shkojnë kuturu “kudo rasha mos u vrasha” për shqiptarët, po jo për vete, dhe ja megjithëse nuk jemi aq afër integrimit në BE jemi shumë afër humbjes së vlerave tona. E kemi lëshuar veten në turr të pa përmbajtur përpara, “të lumtur” që po shkojmë qoftë dhe ‘lakuriq’ në Europë...”Lakuriq” do mbeteshim në “dimërin” e ftohtë në rastë se BE do shpërbëhej e nuk do dinim si të mblidheshim drejt vetes, nuk do kishim asnjë ideologji në këmbë! Europa do kalohej në skemat e vjetra, secili shtet në “vetminë” e tij.

Për fat të mirë do mbetej në këmbë një strukturë shumë e rëndësishme ku përfshihet dhe aleati ynë strategjik SHBA, organizata e NATO-s ku shpresojmë që Shqipëria të bëhet anëtare. Areali Ballkanik është i lëkundshëm, i pasigurtë, e nesërmja është fluide, sjell gjithmonë situata të ndryshme të pa pritura dhe do ta pësojnë ata kombe që do kenë homogjenitetin më të dobët, kombin të copëzuar, ndërgjegjen kombëtare të zbehur, organizimin të shthurur, partitë që e çojnë vendin në grindje e deri në luftë si më 1997-ën mjeruese, korrupsionin në majë, si rrjedhojë dhe ekonominë të rrënuar. Pikërisht për ti lënë kështu, të ndarë e të përçarë shqiptarët, në Shqipëri dhe në gjithë trojet tona për tu dhënë teposhten dhe dominuar gjithnjë nga popujt tjerë, u është predikuar një ikje nga një strumbullar i pa tjetërsueshëm, ikja nga ndërgjegjëja dhe ideologjia kombëtare.

Po pas ngjarjeve të mëdha të v. 1999 në Kosovë, që më tej do çojë natyrshëm drejt pavarësisë së saj, dhe luftës së v. 2001 të shqiptarëve në Maqedoni nisi ndryshimi i thellë për shqiptarët. Të gjitha flasin për një ngritje të shqiptarëve dhe kështu duhet të ndodhë. Le të punojmë. Po duhet ta dimë se jemi në gjendje copëzash e “copëzat” edhe ato si çështje të pa zgjidhura dhe që nuk e zgjidhin as problemin e vetë copëzave, dhe as problemin e së tërës. Vetëm bashkimi i pjesëve bën që përpjekjet të mos mbeten “manovra në zunkthit”, dhe ku secila pjesë, Shqipëri ,Kosovë , Shqiptarët e Maqedonisë etj, do dështonin dhe do rrokullisnin në dështim të thellë dhe të tërën. Do rrezikonin Bashkimin Kombëtar programin themelor dhe absolutisht të domosdoshëm për shqiptarët. Pa këtë bashkim e ardhmja e shqiptarëve është e komprometuar rëndë edhe materialisht, ndërsa ajo shpirtërore gradualisht dhe praktikisht do nulizohej, pra do kthehej në hiç.

Sigurisht është një mision i vështirë Bashkimi Kombëtar, po më vështirë dhe më keq do e pësojnë të gjithë shqiptarët nëse nuk e përmbushin këtë mision. Shihni historinë e ditëve që jetojmë, ec kaq shpejt, ndërkohë që ti merresh me zënkat politike me kundërshtarin politik për pushtet disa dhe për fitime material të pa ndershme, historia ti përplasë befas ngjarje tjera historike te dera njërën pas tjetrës, dhe të bllokon, e ti sheh i tmerruar se je vonuar dhe nuk ke më kohë fare të pendohesh e të veprosh, je i humbur.. Shqiptarët nuk duhet të mashtrohen dhe tu devijohen vullnetet. Bashkimi Kombëtar nuk mund të pengohet nga “sugjerime” tejet mashtruese nga kushdo qoftë që shqiptarët të jenë të qetë se ‘’në një farë mënyre’’ do të bashkohen në BE, e aty mund të mbrojnë interesat e tyre.

Do thotë se edhe në BE do duheshka përsëri të përpiqemi për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta shqiptare! Atëherë meqë dhe në BE do kemi vështirësi e u dashka përsëri të përpiqemi, përse të mos përpiqemi ti mbrojmë interesat që sot paraprakisht duke punuar për tu bashkuar që sot? Kushdo që e thotë që ’në një farë mënyre’’ do të bashkohemi në BE, mashtron, qoftë ai Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri apo kryetar Partishë, në Shqipëri, Kosovë a Maqedoni, a politikanë të huaj. Mashtrojnë për të shijuar pushtetin pa u trazuar shumë për çështjen e shqiptarëve.

E në rast se BE shpërbëhet shqiptarët mbeten të copëzuar, në copza të rrezikuara e me gisht në gojë. Nuk ka mënyrë më mashtruese për tu tallur me shqiptarët dhe penguar rëndë frymën dhe impulset, përpjekjet e tyre për të shkuar drejt bashkimit kombëtar. Në kthimin e kësaj të folure diplomatike në të folur të zakonshëm, do të thotë saktësisht‘’ kurrë’’, shqiptarët le të rrinë copë copë ashtu siç janë! Fqinjët janë aty që të n’a pengojnë vazhdimisht, kuptohet për interesat e tyre. Ministri i jashtëm i Greqisë, është shtet anëtar i BE pra ku ne duam të integrohemi, deklaronte disa muaj më parë në një emision televiziv në BBC se deri në vitin 2020 shqiptarët do jenë njëzet miljonë dhe një faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe ne duhet ta kemi mirë me ta, por njëkohësisht do na duhet ti përmbajmë etj…

E pabesueshme që shprehet kaq hapur. Po përse të mos e thotë? Është linja e vazhdueshme e politikës diversive penguese greke. Hallin e fqinjëve kishte e përjavëshmja gjermane ‘‘Die Zeit’’kur në qershor 2002 shkruante se “pas shumë përpjekjeve politike bërë nga amerikanet që të bindin rusët të heqin dorë nga Ballkani është vënë në rrugë projekti i pavarësisë së Kosovës, po Pavarësia e Kosoves krijon parakushtet për bashkimin shqiptar, gjë që siç thuhet është shqetësuese sepse detronizon gjithë rajonin”. Eshtë e vërtetë se kjo shqetëson ata shtete që sot janë ende në majën dominuese “të fronit” ballkanik, nuk duan të lëshojnë as kolonitë dhe as zonat e influencës, e gjithë kjo në vatrat dhe mbi shpinën e shqiptarëve. Duke para ndjerë peshën e shqiptarëve, ecjen e tyre përpara, parandjejnë dhe humbjen e majës. Pavarësia e Kosovës do shpallet, ngjarjet në Maqedoni duhet të marrin në të mirë të shqiptarëve, çështja çame po ashtu.

Do punojmë, dhe Bashkimi Kombëtar do të ndodhë, nuk mund të neglizhohet as për “hesape” të integrimit në BE dhe për asgjë.  Askush nuk mohon vlerat e mëdha të bashkëpunimit dhe integrimit në Bashkimin Europjan të organizuar mjaft mirë me një monedhë të përbashkët, një kushtetutë që po miratohet etj., dhe integrimi ynë në BE është objektiv real, por në të njëjtën kohë askujt nuk i lejohet të fetishizojë dhe adhurojë naivisht atë. Askush të mos të mendojë se shpëtimi i shqiptarëve është Bashkimi Europjan, dhe të nënshtrohet pazotësisht sa të paralizojë vullnete politike për gjykimin real të interesve tona në çdo hap që hedhim. E ardhmja e vërtetë e shqiptarëve është vetëm në dorën e shqiptarëve dhe vetëm kur shqiptarët do të jenë të integruar më përpara në një Shtet të Bashkuar Shqiptar, futja në BE kthehet në një interes real. Vetëm kështu mund të mbrojmë të gjitha interesat tona shpirtërore materiale dhe duke qenë shtet anëtar i BE.

Pa këtë bashkim, e ardhmja e shqiptarëve në B.E. ose jo në BE është e komprometuar rëndë, dhe viset shqiptare do vazhdojnë të jenë pre e çorbëzimit aq shumë të dëshiruar nga të tjerët, të copëzuar në disa qendërza politiko-ekonomike si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. në ‘’copëza’’ të cilat gradualisht do futeshin nën ventuzat thithëse me ideologji kombëtare më të homogjenizuar, dhe me ventuzat politike-ekonomike të gatëshm si Beogradi, dhe Athina etj. Bashkimi Kombetar është një domosdoshmëri, nuk mund të pengohet më as para dëshirës, nevojës, ngutjes, a presioneve integruese në B.E. Kërkohet që shqiptarët të nxisin zhvillimin dhe të arrijnë një nivel ekonomik që të bëhen kandidatë të mundshëm për në B.E. Europa ofron ndihmat e veta që padyshim mirëpriten nga shqiptarët. 

Po BE dhe shqiptarët nuk kanë gjithnjë të njëjtat prioritete. Shqiptarët kërkojnë mbështetje nga BE për ‘Koridorin Durrës Prishtinë’ që është synimi kryesor dhe hapi i parë me një rëndësi të jashtëzakonëshme dhe për integrimin e natyrshëm ndërshqiptar dhe është alfa e një rimkëmbjeje ekonomike, por BE as që i hudh sytë drejt tijë dhe deklaron që interesat e tij janë vetëm per Koridorin Danubian, shmang shqiptarët.Të presim BE-në? Jo! Të entuziazmon ngritja nga 91 deputetë nga të gjithë krahët politikë, e një lobi për mbështetjen e koridorit Durrës-Prishtinë, dhe jo vetëm kaq por kërkojnë për të zbatuar ‘’Variantin 3’’ si i vetmi variant i pranueshem sepse është më i shkurti dhe gjithëvjetor, nuk ndërpritet nga kushtet klimatike. Ky është një shembull ndërgjegjësimi të vërtetë i një pjese të madhe nga të gjithë krahët e politikës shqiptare për mbrojtjen e interesave gjithëshqiptare si domosdoshmëri absolute dhe pa tjetër rrugë e ndërintegrimit dhe bashkimit të shqiptarëve.

Një rrugë që ndihmon daljen nga dara e egër dhe e pamëshirëshme e konkurrencës së të tjerëve, të fqinjëve, që po peshon fort mbi kurrizin e çdo shqiptari! Edhe pse Koridori tjetër, koridori 8 do ta kthente Shqipërinë në një partner të detyruar strategjik-ekonomik, dhe në një portë në rrugën perëndim lindje dhe anasjelltas, duke favorizuar dhe Maqedoninë dhe Bullgarinë, B.E. deklaron haptas se nuk ka interes për të, dhe e shtyn papërcaktueshmërisht, diku aty pas vitit 2020, ndërsa në anën tjeter subvencionon koridore që kalojnë në territorin grek. Grekët që janë në BE, mbështesin arteriet e tyre ekonomike dhe pengojnë hapjen e koridoreve ndërshqiptare. Në këtë lojë po ndihmohen dhe nga qeveritarët tanë. Asnjëherë nuk do mungojnë prioritetet e ndryshme në mes shqiptarëve dhe BE.

BE aktualisht ka interesat dhe planet e veta. Ne duhet të kemi tonat. Shqiptarët kanë ngutjen e tyre, u duhet të punojnë për zgjidhjen e vetme që i siguron të sotmen dhe të ardhmen shqiptarëve, për Bashkimin Kombëtar. Europa ka ngutjen e vet, kërkon që sa më shpejt të shpëtojë nga skepticizmi dhe dilemat hamletiane të mbijetesës së Bashkimit Europjan që i shprehu haptas dhe Kyeministri Berluskoni, në ditën e parë të inaugurimit të presidencës europjane. Vetë ideja që të shtrohet për miratimin e projekt kushtetutës së BE në referendum, i shtin të dridhurat politikanëve të bashkimit dhe u jep argumenta euroskeptikëve të deklarojnë se BE po përpiqet të imponojë një kushtetutë kundër vullnetit të popujve europjanë.

BE do gjej fundin po eci në këtë rrugë, prandaj ajo synon të shmangë sa me shumë grindjet që do shkatërronin përfundimisht qëllimet e saja. Deklaron poashtu se do të përshpejtojë pranimin e shteteve te Europës jugëlindore në BE sa nuk është vonë, që ata vende të mos bëhen pre e influencave të tjerëve, dhe vatra shqetësimi permanent për Europën. Kjo eshte arësyeja që Europa, pas lejimit të anarshisë së shkaktuar nga e majta shqiptare mbi mangësitë e qeverisjes, tash po jep një kontribut të rëndësishëm politik, financiar, teknik në të gjitha fushat në rimëkëmbjen e Shqiperise dhe e njeh si pjesë që shpejt do integrohet në Europë, por vetëm kjo nuk mjafton. Europa duhet të ndërpresë mbështetjen që u jep tezave dhe ideve ekspansive shovene serbe dhe greke dhe duhet të nderpresë përpjekjet absurde shumë të rrezikëshme per krijimin e bashkimeve multietnike me ngjitje të shteteve sllave me shqiptarët në to, gjë që kurrë s’ka për të ndodhur.

Si mundet BE, që nuk e ka më së pari të sigurtë as kohezionin dhe as mbijetesën e vet, të orientojë apo imponojë ngritjen e bashkimeve multietnike shpërthyese në Ballkan?

Apo nuk i bën fare përshtypje që çdo formacion i tillë do mbarte brënda vehtes një Bosnje të re dhe pa mëdyshje një katrahure Ballkanike plasëse me pasoja rrënqethëse shumë më të tmerrëshme se ato që u pane këto vite? Jugosllavia qe krijuar edhe ajo dikur në kohë paqe, po tash sapo u shkrumbua nga lufta. Pa më dyshje është një tentativë krejt e dështuar. Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo, të gjithë bashkë duhet të jenë barrier e pa kapërcyeshme ndaj çdo presioni që mund të bëhet edhe nga burokracia e shteteve europiane apo e BE për të penguar bashkimin e shqiptarëve.

Shqiptarët duhet të kapin momentin historic të bashkimit, ky është ai moment historik dhe nuk duhet tu rrëshqasë nga duart. Pa një bosht mendimi unik dhe i pa bashkuar çdo popull shëmbëllen me një barkë me vela të shkatërruara në mes të valëve të detit. Asnjë popull nuk e lë veten në këtë mjerim. Një popull dhe klasa politike dhe intelektuale e tij e demostron vehten në çastet kyçe të historisë. Le ta tregojnë veten tashti burrat e shtetit, atdhetarët e vërtetë. Shqiptarët duhet të ringrejnë ideologjinë kombëtare gjithëbashkuese dhe të ecin mbi atë bazë. Integrimi në BE e të tjera vinë më pas. E vetmja thirrje e domosdoshme që u nevoitet shqiptarëve që të ecin përpara është një thirrje e brendëshme gjithshqiptare: ” Të integrohemi ngusht mes veti, të punojmë dhe të realizojmë Bashkimin Kombëtar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat