Çështja shqiptare së pari hyri në agjendën ndërkombëtare me “ Iliridën” dhe jo me luftën e Abazit

Opinione

Çështja shqiptare së pari hyri në agjendën ndërkombëtare me “ Iliridën” dhe jo me luftën e Abazit

Nga: Muhamed Halili Më: 23 gusht 2016 Në ora: 23:54
Muhamed Halili

Zoti Venco Arsov u bë legjendë në skenën multietnike politike. Sic itur ad astra (ashtu shkohet kah yjet) thonin Romakët e vjetër. Maqedonasit u tronditën(veçanërisht koçançanasit) por shqiptarët që e votuan BDI-në u zemruan. Pastaj erdhën analizat e qytetarit të rëndomtë, sociologëve, psikologëve, etnologëve, juristëve. Për  zonjën Maleska ky është një rast që duhet ndjekur, sepse kjo nuk ka ndodhur në praktikën e deritashme. Në qytetin e orizit ndihmësi i prefektit Pashoski parreshtur është në linjë telefonike dhe nuk mund tu përgjigjet qindra pyetjeve brenda ditës. Qytetarët kërkojnë që ai t’jua tregoj emrat e intelektualëve maqedonas-anëtarë të BDI-së.

VENCO SI PARADIGMË

Intriga filloi. Cili është Venco Arsov? A është ai bujk apo intelektual, a është maqedonas etnik ose diçka tjetër, athua shkoi vetë në Reçicë të Vogël apo e dërguan, a është qytetar i ndershëm apo pjestar i mafias, athua aksioni do të ndalet këtu ose do të zgjërohet edhe në Strumicë,  Dellçevë, Krivogashtani, madje edhe deri te vendlindja e nacionalistit Georgievski?! Shqiptarët-votues të  BDI-së, të hidhëruar, të gjithë në kor bërtitën: çka na u desh ky luks, athua Venco do të jetë anëtarë i Kryesisë qendrore të BDI-së, athua mëshehtazi ruhet vendi i zavendës ministrit të punëve të jashtme për ndonjë aktivist nga Koçani (Ahmeti t’i revanshohet Brankos për PPD-në në qeveri). Dhe dilema të njëpasnjëshme...Edhe një përfaqsues i lartë i BDI-së u paraqit në publik:”Askund në programën tonë nuk shkruan se BDI është parti e shqiptarëve, madje edhe emri ynë e shpreh këtë. Ne jemi për integrime”.

Pastaj i erdhi rradha edhe  Venco-s. Isha anëtar i VMRO-DPMNE , tha ai. Atje nuk bëjnë punët. Edhe LSDM është parti “mangupësh”. Unë shumë i besoj Abazit(Ali Ahmetit). Ai është njeri i fjalës! Për më shumë e pëlqej programin! Profesor Marjanoviq i është hidhëruar Venco-s sepse ai nuk e ka lexuar programin e “Ligës” për të cilën shqiptarët (ngjajshëm si Venco) në vitin e largët 1990  i ” afruan” 300.000 marka të atëhershme gjermane dhe po aq vota. I hidhëruar është profesori se intelektualët shqiptarë ia “kthyen shpinën” dhe e themeluan Partinë për Prosperitet Demokratik. E pranoj se atëherë nuk ishte tabu shqiptarët të ishin anëtarë të partive tjera. Deri më 1990 numër i madh i shqiptarëve ishin anëtarë të LKM-së, pastaj të LKM-PPD-së. Disa ishin anëtarë të UJDI, disa themelues të degëve të partisë së Andov-it të cilët më vonë u përbetuan se që në fëmijëri të hershme e kishin ndjerë së “do të lind prosperiteti” dhe që atëherë ishin anëtarët tonë. Më vonë ata i zgjodhëm edhe ministra!

KOMBI I RI POLITIK (FILOZOFIK)

Nga përvoja ime: para disa vitesh në telefon m’u paraqit njëfar Ilievski nga Strumica. Pata edhe takim me te. Ai na ofronte madje edhe nëndegë në Strumicë. E refuzuam. Më vonë mësuam se ishte bullgarofil. Ia kishin marrur pasaportën. Tash çuditem nga reagimet athua na duhen koalicionime vetëm pas zgjedhjeve për në qeveri ose koalicione të përditshme, madje edhe koalicionime mes fqinjëve. Mbamëndja politike na mëson se shqiptarët kanë votuar kandidatë maqedonas. Kishte deputetë të LSDM dhe VMRO-DPMNE me vota shqiptarësh në Krushevë, Veles, Prilep. Ashtu i udhëzonim ne: PPD këshillonte të fitojë kandidati i LSDM dhe PDSH urdhëronte të fitoj ai i VMRO. Presidentin e zgjodhëm me këtë lloj votash. Por nuk e dij ndonjë shqiptar se u zgjodh me një numër të vogël votash maqedonase. Abazi thoshte dhe çuditej: ç’është kjo socijaldemokraci maqedonase ose shqiptare? Diç të tillë nuk ka në Perëndim. Kjo është fryma e rekomandimeve të Këshillit të Evropës!

Programin e “Ligës” nuk arritën ta lexojnë madje as shkupjanët. Por idetë e Todor Petrov-it përsëri u ringjallën, pas 12 vitesh. Kërkoj “ndjesë publike” nga ai! Shumë hidhërohesha kur nga foltorja na drejtohej me fjalët “shqiptarë maqedonas”. Tani politikanë të lartë ( të posapjekur) të BDI-së më qortojnë pse si ish koordinator nuk e kemi ditur se si krijohet kombi politik, dhe atë pa etnofolklorizëm! Gjenerata e tretë e të huajve në Danimarkë quhet “nye dansker” (danezët e rinjë). Athua së shpejti në Maqedoni do të kemi “maqedonas të rinjë” dhe “shqiptarë të rinjë”

NË KAFE MUHABET NË LUCERN

Në Lucern (Zvicër) ndodhi e shumëpritura: Gjoko dhe Abazi u ulën në një kafe-muhabet. Atmosferë vëllazërore. Abazi iu ankua “vëllaut” se shqiptarët gabuan që nuk dolën në referendum për “pavarësinë e Republikës së Maqedonisë me të drejtë bashkangjitjeje republikave tjera”. Edhe “Ilirida” ka qenë një punë e gabuar! Sot më vjen mirë kur dëgjoj se dikush u bënë qasje kritike potezave tanë politikë. Për borxh e kam një sqarim. Ato ishin veprime demokratike për një status më të mirë dhe të barabartë për shqiptarët në Maqedoni. Në Kërçovë nuk kishim shkollim të mesëm në gjuhën shqipe, nuk kishim univerzitete, në atë të Shkupit kishim të pranishëm me vetëm 1% dhe ju na shpallët “tradhëtarë”. Pas shpalljes së “Iliridës” erdhi ambbasadori Arhens. Na propozoi një “Marrëveshtje kornizë” diç pak më të dobët se ky i Ohrit. Ne nuk e pranuam. Atëherë mundnim edhe diç tjetër. I kishim edhe “paraushtarakët” tanë. Komandant “Sekretari”(Mithad Emini) i Komandant “Skënderbeu” (Nevzat Halili) ishin në “gati”. Njërin e burgosëm tjetri i ndaluar në “kazamatet” e UNMIK-ut. Dhe asnjëri nuk e përjetoi amnistinë. Përndryshe do t’i zgjidhnim deputetë të përjetshëm!

Atëherë çështja shqiptare në Maqedoni për herë të parë hyri në agjendën ndërkombëtare dhe jo tash, siç paramendoni Ju, shoku Abaz. Tash ky proces është rrumbullaksuar me Marrëveshtjen e Ohrit. Unë i pranova gabimet tona. Për gabimet tuaja do të flasë koha dhe djemtë tanë dhe vajzat tuaja të cilët një kohë të gjatë jetojnë në Evropë dhe dijnë të mendojnë në mënyrë evropiane. Por një gabim ta tregoi  ish “këshilltari” yt Aliti ( të dy nuk e durojmë njëri tjetrin) se për të themeluar parti politike nuk u deshtë luftë por vetëm 120 nënshkrime!

 Shënim: shkrimi është bërë me rastin e shpalljes së BDI-së parti e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe nismave për formimin e nëndegëve të saja në Koçan, pastaj si reagim ndaj deklaratës së zonjës  Teuta Arifi për krijimin e “kombit politiko-filozofik pa etno-folklorizëm” dhe takimit të Sekretarit të përgjithshëm të LSDM –së zotit Gjorgji Spasov me shokun Abaz Zuka, përfaqsues politik i UÇK-së në Luzern të Zvicrës.

Botuar në gazetën “Dnevnik” e shtunë. Më 30 nëntor 2002

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat