Mirësevjen "SHAC" apo Mirësevjen "CASH" ?!

Opinione

Mirësevjen "SHAC" apo Mirësevjen "CASH" ?!

Nga: Driton Gumnishta Më: 23 gusht 2016 Në ora: 09:53
Driton Gumnishta

Korriku dhe Gushti mbulon Kosovën që në kufi, por edhe në të gjitha vendbanimet e saj, me banderola neveritëse e gati ofenduese: «Mirësevini…!»     

Tani me ato po merren edhe nëpër gazeta ! 

Sot rastisa në artikullin «Schatz Mirësevjen !» i nënshkruar Rr. Paqarizi 

Diasporë apo Mërgatë?

Mërgatë, në gjuhën shqipe, për mua, është përkufizim më i përafërt me atë që duam të definojmë në rast se flasim për njerzit tanë nëpër botë gjatë tridhjet viteve të fundit.

Derisa diaspora, në këndëvështrimin tim, është koncentrim njerzish nga një shtet në një teritor të caktuar të një shteti tjetër për shumë shekuj. Shembulli më i mirë i diasporës shqiptare janë arbëreshët në Itali (apo në Egjipt, Siri, Ukraninë, Turqi, mbase edhe në USA, etj) Ata kanë teritor përafërsisht të definuar, kanë spjegimin se pse dhe kur kanë shkuar atje, mbajnë zakonet, gjuhën, kishat, veshjet, traditat, …, dhe asnjëherë nuk kanë në planin e tyre që një ditë, veq e veq apo kolektivisht, të kthehen në shtetin e të parëve të tyre. 

Mërgata ndërsa, është kjo e kohës së fundit ku lidhja me atdheun është direkte, permanente, e rregullt, dhe në vazhdimësi ka nga ata që kthehen apo mendojnë të kthehen një ditë në vendëlindjen e tyre dhe jo të të parëve sikur në rastin e diasporës.

Për mua, Ministria duhet quajtur Ministria për Mërgatë dhe Diasporë.

Sidoqoftë kjo u mbetet specialistëve të fushës që ta përcaktojnë skate!

Sa për "URBAN-ët"

Në artikullin e autorit Paqarizi, pamvarësisht formës dhe tonit dashamirës, me permbajtjen e tij të vie keq për shumëqka!

Pashmangshëm të bie në sy etiketimi i mërgatës me nofkën përbuzëse « SHAC » nga të ashtuquajturit « URBANË me superioritet kulturor»!

Po kush është ky "URBAN-i" me epërsi kulturore e kaq i padurim që guxon ta kualifikoj dikë si kështu apo ashtu?!!!  

Cka në të vërtetë do të thot fjala "URBAN"?

"URBAN" në gjuhën shqipe do të thot qytetar, nga qyteti apo dikush që jeton në qytet (definim gjeografik për dikë). Si mbiemër, përcakton edhe qytetarinë e një njeriu, apo elegancën e fjalorit, të sjelljes e të mënyrës së jetesës së tijë.

Me shprehjen « Ju jeni urban » vlerësojmë dikë veqanërisht mirësjellës (« serviable » asistues, ndihmues, shërbyes,…etj) por edhe « POLI « (i sjellshëm, i edukuar, i kulturuar, i lëmuar, xhentil, njerëzor, i njerzishëm).

Po u rastisi të keni nevojë nëpër metropole europiane si Parisi, Londra, Berlini, Brukseli,…, do të ndjeni këtë lloj njerzie dhe shërbimi gratis që me shumë dëshirë ua bëjnë "URBANË-t" aty. Këtë, ata nuk e bëjnë sepse ju jeni i bardhë i zi i gjatë, i shkurtë, "shac" a "pa shac", e bëjnë për vete, e bëjnë sepse kjo thjesht është në përputhje me deontologjinë dhe qytetarinë e tyre - kaq! 

Ata jetojnë në qytete shumë-milionshe ku për çdo ditë bëhen shkelje ligjore nga më të rëndat e mos të flasim për divergjencat sociale, kulturore, stilit të veshjes, gjuhëve, zakoneve. parkimet e veturave vend e pa vend, shpejtësitë e shfrenuara etj,Përkundër të gjithave ata përsëri mbesin « URBAN» dhe jo vetëm gjeografik por "URBAN" në kuptimin gjithëpërfshirës të fjalës.

Po në Kosovë, cilët nga Kosovarët i përkasin kësaj kategorije shumë mirësjellëse dhe të njerzishëm ?!!

Nëse për definimin e tyre merret për bazë vetëm kriteri gjeografik atëherë edhe mund të kemi njëfar orjentimi por ama paraprakisht mbetet që sinqerisht të definojmë se kush vërtet i përmbush kriteret e të qenurit qytet në Kosovë (diskutim i pafund…) ? !!! 

Qyteti si qytetarët!

Le të themi se qyteti apo vendbanimi është pasqyrë e qytetarisë së tijë dhe për ilustrim po marrim vetëm tre shembuj:

-       aty nuk hudhen mbeturinat rrugës sepse koshet janë të shpeshta, në gjendje të mirë dhe të zbrazura rregullisht,

-       ndihma e shpejtë nuk vonon dhe është e kompletuar me paisje për këtë punë,

-       vozitësi aty (nuk) e ruan shumë këmbësorin deri sa ai kalon rrugën nëpër vendkalimin e shënuar për të.

Mërgimtarët jetojnë në vendbanime ku natyra e problemeve në fjalë nuk është përditshmëri e jetës së tyre as edhe nëpër fshatrat më të largëta ku ata janë të koncentruar! Ndërsa qytetet e Kosovës përballen çdo ditë me shumë më shumë probleme se këto.

Si u bëka pra që këto nuk janë motive valide për "URBANË-t me superioritet kulturor" që edhe këtu ta humbasin durimin qytetarë?

Meqë "shac-at" apo "karvoshat" po u pengokan gjatë muajve korrik dhe gusht, a do të thot kjo se gjatë muajve tjerë vendbanimet e tyre shkëlqejnë nga rregulli dhe se në qetësi parajse e jetojnë superioritetin e tyre kulturor?

Nëse nuk është kështu, a paska vallë qytetari fare në Kosovë ?!

Po! Patëm takuar një bari fare të leckosur në një fshat të humbur të Kosovës buzë rrugës së asfaltuar (urbanizuar!). Sa iu afruam: « A mujt a u lodhët » na tha but, sjellëshëm dhe me dashamirësi. Kur e pyetëm…, ishte në gjendje të gërryente tokën që të na bënte zgjidhje. Na propozoi të na sillte të hamë e të pimë dhe në shaka tha se kishte edhe raki po të donim. E gjithë kjo pa na pyetur fare se kush ishim, nga vinim (këto i llafosëm më vonë), pa menduar  se do ta kualifiko kush si "URBAN" a jo… e bënte sepse është i tillë, « poli », e kishte në substancën e vet, ishte kultura dhe deontologjia e tij, ishte si "URBAN-ët" e metropoleve.

Nëse pra "URBAN" paska edhe në fshat (Kosova është mbi 60% RURALE), nëse qytetari i metropoleve nuk po e humbka durimin me njerzë por me mos fonksionimin eventual të institucioneve dhe nëse në Kosovë është e kundërta me superiorët kulturor, kush pra janë "URBAN-ët" e autorit?

Po mbesin një grusht njerzish të frustruar dhe me komplekse superioriteti të cilët në mungesë të guximit për të kërkur me protesta qytetarie ndaj institucioneve të shtetit që ato të ngrisin shërbimet shtetërore dhe kualitetin e jetës në nivelin e superioritetit të "URBAN-es" që ata pretendojnë se e kanë, heshtin me përulje, i tolerojnë ato e bile edhe u vardisen, dhe pastaj zgjedhin rrugën e lehtë, shfryhen duke ofenduar e etiketuar njerzit me nofka e stereotipe diskriminuese…..  

Sa për INTEGRIM-in

Autori dhe për rrjedhojë "URBAN-ët" me superioritet kulturor po e ditkan se "SHAC-at" nuk na qenkan të integruar pasi që integrimi qenka i kushtueshëm !

Po ta kuptojmë njëherë se ç’na qenka ky far integrimi kaq i shtrenjtë?!

Në sociologji, integrimi është proçes etnologjik i cili i mundëson një individi apo një grupi, përafrimin apo antarësimin në një grup më të gjerë nëpërmjet adaptimit të vlerave, normave dhe sistemit social të atij grupi. Nevoitet edhe vullneti dhe hapat individual për tu futur dhe adaptuar por edhe kapaciteti integrues i shoqërisë për të respektuar diferencat dhe veqoritë e individit.

Mërgimtarët, kanë pasur për objektiv të rregullojnë statusin e tyre e të familjes në përputhje me ligjet e vendit dhe shoqërisë ku kanë shkuar, të mësojnë gjuhën në nivelin që shefi,kolegët dhe shoqëria ku jeton ti kuptoj, të gjejnë punë të ndershme për të mbajtur familjen e ngushtë aty, familjen e gjerë në Kosovë dhe të ndihmojnë rezistencën për luftë, liri, bërje dhe forcim të shtetit. Shumë nga t’a kanë shkolluar fëmijët edhe duke ndarë nga kafshata e gojës…të gjitha këto i kanë realizuar suksesshëm dhe me shumë sakrificë. Mos harroni, janë gjenerata a parë dhe prindërit nuk u kishin lënë asgjë në trashëgim atje! Përkundrazi!

Pra, nëse sipas jush këta nuk janë mirë të integruar sepse nuk paskan arritur të futen në elitën e shteteve kujanë, atëherë gaboheni rëndë sepse ata as që pretendonin të arrinin aty!

Për ju një akademik Kosovar do të konsiderohej i integruar në Amerikë vetëm nëse do të bëhej anëtar i akademisë së shkencave atje?!!!

Mërgata, sipas këtij definicioni janë mbi 95% mirë të integruar nëpër vendet ku jetojnë por edhe vendasit i kanë pritur mirë. Kurse në Kosovë ata sillen plotësisht në përputhje me terenin infrastrukturor e institucional dhe vlerat e shumicës së shoqërisë Kosovare. Ata as që qajnë kokën pse "URBAN-ët" e kompleksuar me superioritetin e tyre kulturor nuk paskan kapacitet integrues shoqëror për të respektuar diferencat dhe veqoritë e tjetrit !

E pra, nëse dikush mendoka se duhet përmirsuar sjellja e mërgatës, dakord! Por ama më parë bëhuni ju shembull për t’u ndjekur, pastaj detyroni qeverinë të marr masat përkatëse të urbanizmit, shërbimeve dhe rregullit sa të gjithë të kuptojnë seriozitetin e tyre.

Mos hargjoni për banderola pa lidhje « Mirësevini… » por nëse duhet, rriteni deri në dhejtëfishim numrin e efektivëve të rendit, radarve dhe koshave të plehut,…,. 

As europianën nuk janë a priori « burra të mirë »  e të civilizuar por institucionet e tyre i detyrojnë ata që të bëhen. Ato nuk sillen me neglizhencë e joprofesionalizëm sikur në Kosovë. "URBANË-t" e tyre as që nervozohen me të tjerët kur ata sillen keq, njoftojnë pra organet e shtetit dhe në rast se ato nuk veprojnë, atëherë humbin durimin ndaj këtyre organeve dhe protestojnë! Mos kërkoni pra moral të tepruar nga mërgata por revoltohuni për mos-zbatim të rreptë ligji për të gjithë nga institucionet e shtetit.

Bëjeni "URBAN-en" vlerën tuaj, për vete mu si ai bariu i fshatit dhe jo për të tjerët, mos e bëni sepse dikush do t’u cilësoka si të tillë, mos e shëndrroni në kompleks superioriteti.

"SHAC" a "CASH" ?!

Se nofka apo stereotipi « SHAC » është tendencioz dhe diskriminues nuk ka as më të voglin dyshim. Me të nuk përcaktohet paraprakisht rregulla se kush do të duhet të ishte "SHAC" e kush jo, sikur që p.sh. françezët e bëjnë këtë për « SHPUTAZI-njët« e tyre.

Je ose nuk je!

Në Kosovë kjo bëhet sipas « kokës së klijentit ». 

Kjo frymë fatkeqësisht po ndodhë edhe me gjuhën me do far super inovacionesh gjuhësore të tipit « slleng » apo bastardimet e tipit "tri djem, tre vajza" etj etj.

Krenoheni me Shaqirin, Behramin, vëllezërit Xhaka, Mustafin etj bile edhe nëse Graniti do të këndonte tallava në Arsenal. Po prindërit dhe familja e tyre që ishin punëtorë të thjesht e të ndershëm si shumica e mërgatës? Aaa, ata nuk janë "SHAC-a"!

Dhe superiorja, po të kesh shumë para, edhe mund të pranohesh nga "URBAN-ët" e kompleksuar, por kësaj radhe si "CASH" ama !

Dhe krejt në fund, harrojnë e nuk u pengon fare që me dorën e tyre kanë zgjedhur një "SHAC" në pozitën e kryetarit të shtetit, një tjetër në krye të qeverisë dhe të tretin në krye të parlamentit. E mos të flasim për ministra, zëvendëministra, deputetë, kryetarë komunash, ambasadorë, konsullë, besa edhe akademikë, pastaj gati të gjithë kryetarët e partive politike si dhe politikan të shumtë…

Këta në asnjë mënyrë nuk kualifikohen si "SHAC-a" a "Karvosha"!  

Këtyre, "URBAN-ët" e kompleksuar dhe me superioritet kulturor u zgërdhihen e janë në gjendje t’u përulen deri në nënshtrim ani pse kaq shumë vite ata edhe po ua fëlliqin qytetarinë, duke na ranguar kolektivisht si më fukarenjët dhe më të prapambeturit e Europës, edhe jetën e përditshme po ua nxijnë!

Nëse nuk keni guximin qytetarë të revoltoheni ndaj këtyre pushtetarëve të pashpirtë, pikërisht në emër të mbrojtjes së qytetarisë ("URBAN-es") si vlerën tuaj, e pra nuk keni të drejtë ta etiketoni kështu as mërgatën e cila fizikisht gjendet vërtetë jashtë shteti por ama është në gjirin e kombit dhe me të drejtë kërkon që gjithmonë të jet prezente, të ketë një zë aty… veqanërisht kur vëhet në rrezik fati i shtetit që e kanë lënë, me a pa dëshirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat