Një futbollist dhe gazetarë të pështjelluar keq

Opinione

Një futbollist dhe gazetarë të pështjelluar keq

Nga: Genc Drini Më: 23 gusht 2016 Në ora: 00:52
Genc Drini

Milot Rashica

Me qindra e mijëra herë kemi kaluar nga zona e Milotit aty ku rrëmbyeshëm kalon lumi i Matit dhe ku dy brigjet bashkohen nga ura e bukur me shumë harqe e emërtuar ura e Zogut, pamja të ngazmon dhe merr frymë lirshëm në atë hapsirë të gjërë. Mati, lumi më i vrullshëm i Shqipërisë rrjedh nëpër një luginë të ashpër dhe të bukur dhe kalon drejt detit, po më parë në atë nyje energjike të Milotit lumi përdridhet rrëmbyeshëm dhe befasues, e ”vizaton” e lë pas lloj lloj dredhash dhe meandresh rëre. Ashtu dhe futbollisti 20 vjeçar Milot Rashica driblon me top në fushën e futbollit dhe me dredhat e tij të entuziazmon, duket sikur të imitonte lumin.  Rrallë ndonjë vend në Shqipëri të përcjell energji rrëmbyese aq të pa papërsëritëshme nga lumi e gjithë ajo pjesë e Milotit. Emër më të bukur nuk mund të zgjidhte i jati për djalin e tij Milot Rashicën, shqiptarin e lindur në Vuçitern, një emër të fuqishëm që tingëllon bukur dhe duket sikur mbart plot energji. Qyteza e vogël veç ka marrë emërin e krahinës.

Hallet e De Biazit

I duhet “qarë halli” De Biazit trajnerit të skuadrës Kombëtare Shqiptare të Futbollit sepse e ka pasë shumë të vështirë të përzgjedhë futbollistë për kombëtaren shqiptare në një mori futbollistësh të shpërndarë anë e kënd në Shqipëri, Kosovë dhe kudo nëpër shtetet e Europës edhe më gjërë, të gatshëm për të luajtur për kombëtaren shqiptare. Kështu në Kampionatin europian kanë mbetur jashtë shumë futbollistë shqiptarë të talentuar nga të gjitha trevat. Po të thirren ata dhe shumë futbollistë të tjerë mund të ngrihen dhe nja tre, apo katër skuadra të tjera përfaqësuese me nivel. Kjo e lehtëson kalimin e disa lojtarëve shqiptarë të Kosovës me skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë, apo dhe të lojtarëve të Shqipërisë me skuadrën përfaqësuese të Kosovës. Shqiptarë në dy skuadra shqiptare. Ka dhe një arësye teknike plus. Traineri me konceptet e vetiake për lojën dhe skemat i zgjedh lojtarët që i duhen dhe mund të lërë jasht dhe lojtarë shumë të mirë. Tifozët pastaj ankohen përse nuk e zgjodhi këtë apo atë lojtar. Mjaft lojtarë të mirë mund të mbesin jasht skemave të njërit prej trainerëve të dy përfaqësueve, po mund të preferohen nga traineri i përfaqësueses tjetër që ka vizione të tjera taktike. Kështu lojtarët shqiptarë të gjithë trojeve tona kanë mundësi të dyfishtë për tu zgjedhur nga njëri trainer apo tjetri dhe të lozin për njërën apo në tjetrën përfaqësuese të shqiptarëve tëcilat do plotësohen me lojtarë shqiptarë prej ngado që të jenë. Një pjesë e tyre që nuk do përzgjidheshin për dy përfaqësueset mund të zgjidhnin dhe skuadra të shteteve të tjera. Është ambicie e madhe e natyrëshme të lozësh me një skuadër përfaqësuese. Lojtarë nga të gjitha kontinenetet kur mbeten jashtë skuadrave të tyre kombëtare natyralizohen për të luajtur me skuadrën përfaqësuese të atij shteti. Për ne është e thjeshtë, kemi lojtarët tanë shqiptarë për të dy skuadrat, e nesër besojmë se do kemi një shtet dhe një kombëtare. Sot i urojmë suksese futbollit shqiptarë nëpërmes këtyre dy skuadrave.

Hallet e të tjerëve

Nuk dihet përse Andi Bushati u ndje i pickuar kur një futbollist i ri, me zgjedhjen e tij të lirë, vendosi të lozë për përfaqësuesen e Kosovës, nuk ngurroj dhe lëshojë bombën vulgare: Rashica, një “tradhëtar” i mërzitur. Një shkrim absurd, tejet provokues po që arriti tu japë frymëzim ngatërrestar mjaft gazetarëve të mërzitur nga rutina. U zgjuan nga gjumi dhe pa u menduar dy herë kaluan nga futbolli në analiza më “ të thella për diferencat” në mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës  dhe e shtrydhën gjithë “urtinë” e tyre për  të venë në dyshim vlera të mëdha e të pa tjetërsueshme gjithëshqiptare. A.Shkullaku nga keqinterpretimi absurd i “diferencave”, shkoj deri aty sa të pyesë a mos po lind një “armiqësi” e re në mes shqiptarëve? Dioptri e stërprishur që do korigjuar thellë e në jo kot një komentues shkroj: “Ne qofte se analiza... fillon me rrjeshtat Tirana dhe Prishtina ...fshehin nje ndarje te madhe padyshim që rezultati është një tjetër shkrim i kotë.” Njerëzit nuk janë klone, apo ushtarë të vumë në rresht. Diferenca dhe disnivele, deri edhe konkurrencë, edhe një lloj xhelozie ka dhe do ketë gjithmonë edhe në mes dy vëllezërve së pari, edhe në mes shqiptarëve të krahinave të ndryshme brenda territorit të Shqipërisë, dhe në mes shqiptarëve të të gjithë trevave shqiptare, përfshirë dhe Kosovën, edhe brenda Kosovës. Është brenda natyrës së njeriut, dhe kushtet rrethanore krijojnë disnivele zhvillimi të cilat koha i lëviz dhe relativizon, po po të mos ishin këto nuk do kishte zhvillim. Është marrëzi të pezhorizohet koncepti i  diferencave në mes tonë, sit ë natyrëshme ato  duhen parë me inteligjencë si pasuri e madhe, duhen harmonizuar dhe menazhuar me urti për të bashkëvepruar në interesin e shoqërisë, në interesin e të gjithë shqiptarëve. Veç këtyre nuk mund të bëhet shkas një dëshirë e një futbollisti për të nisur dhe folur për gjithçka, dhe bërë lëmsh gjithçka. Çdo diskutim ka vendin e vet dhe bëhet në kohën e vet, në masën e duhur duke synuar perspektivën positive dhe jo çdo kush që ka një kompiuter përpara mund ta përballojë këtë barrë.

Nuk kishte asnjë motiv përse të shkruhej ai shkrim nga Bushati, në të gjithçka është ngritur artificialisht. Po ja që u shkrua, duhet të ishte neutralizuar nga të tjerët pa ra në të njëjtat pozita. Me urti shprehet menazheri i Kombëtares “Kuqezi” Alban Bushi:“Duhet të jemi të ftohtë dhe të kujdesshëm, situata të tilla prodhojnë edhe pak nervozizëm apo edhe ndonjë xhelozi, e cila nëse nuk menaxhohet me maturi, mund të fryhet dhe të marrë përmasa shqetësuese. Duhet respektuar vendimi i atyre lojtarëve që u larguan për në skuadrën përfaqësuese të Kosovës, shqiptarë pjesë të kombit tonë”. Po nuk duan t’ia dinë disa gazetarë në të cilët largimi i dy tre lojtarëve dhe provokimi cinik i Bushatit zgjoj një zell ngatërrestar. Kjo frymë u shtri si bum nëpër bllogje në internet sigurisht nga ata që dinë shqip dhe paraqiten me emra shqiptarësh në Shqipëri dhe Kosovë e gjetkë, po janë të interesuar për të futur përçarje në mes shqiptarëve. Shumë shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, e ngado e hëngrën grepin, ranë në kurthën e tyre dhe nisën të shahen për shtatë palë qefi në mes veti! Lum ne shqiptarët e të gjitha trevave pa përjashtim sa lehtë provokohemi, shkruajmë me mllef pa u kujtuar se të tjerët që organizojnë provokime të tilla tallen me ne kur arrijnë kaq lehtë të fusin përçarje në mes shqiptarëve.  “Lum” ne dhe për disa gazetarë për këtë shërbim “të madh” që na bënë në këtë rast, dhe për mentarët tanë që nuk fusin në punë mendët e tyre për të krijuar një platformë mbarë kombëtare e cila do qartësonte udhëtimin tonë të përbashkët.

E për të pa se deri ku shkon absurdi i diskutimeve, dhe zelli “patriotik”, do merremi vetëm me mesazhin e pa besueshëm që përcjell një i ngacmuar keq nga provokimi i Bushatit, nga E.Bytyçi në shkrimin: “Eshtë “tradhëti” nëse futbollistët e Kosovës nuk luajnë për Kosovën”. Ndryshe nga të tjerët ai niset me vullnetin e mirë për të rrëzuar shkrimin absurd, të keq dhe pa pikë ndjeshmërie njerëzore të Bushatit, po nga dëshira për tu treguar original lëshon thirrjen patetike që e vë dhe  si titull, e bjen si mos më keq po në kurthën e Bushatit. I mbushur tej mase kundër shkrimit të Bushatit, Bytyçi nis dhe bën gjeostrategji, taktikë, histori, prognozë, për të përcaktuar se cila skuadër duhet të ketë sukses më shumë për të mirën e shqiptarëve, dhe pasi vendos me mendjen e tij për përfaqësuesen e Kosovës, lëshon mallkimin e mësipërm. Edhe më keq rrëshqet kur pa maturi profesionale nis e ngren teza përçarëse sui generis nëpërmes pyetjeve se çfarë është atdheu dhe çfar është kombi, kush është më i rëndësishëm atdheu apo kombi, me cilin duhet të lidhemi më fort dhe më tej lëshon pyetjen “sokratiane”: “Kush është më i rëndësishëm atdheu apo flamuri?..Kë kanë atdhe lojtarët e Kosovës që luajnë me kombëtaren e Shqipërisë, Shqipërinë apo Kosovën? “Të gjitha këto përsiatje të pa besueshme u kujtojnë të tjerëve se sa mëkat është kur këto tema diskutohen me entuziazëm “patriotiko-sportiv”, pa thellimin e duhur dituror. Me atë flamur kombëtar luftuan mbi një shekull shqiptarët përfshi Isa Boletinin dhe Adem Jasharin dhe po me atë flamur luftojnë edhe sot. Është një me atdheun që është Shqipëria Etnike. Bytyçi shkruan pa indulgjencë se Andi Bushati “ka bërë komente dhe deklarata idiote” kur ka folë për “tradhëti”, dhe e cilëson shkrimin e Bushatit si “një akt të paprecedent cinizmi dhe poshtërsie”. Nuk është shumë larg së vërtetës ky gjykim. Po si e gjykon shkrimin e vet E.Btyçi kur edhe ai vetë pa indulgjencë flet për “tradhëti” të lojtarëve shqiptarë të Kosovës në rast se do lozin përsëri me Shqipërinë dhe nuk do kalonin të gjithë pa përjashtim me përfaqësuesen e Kosovës? Si e ndjen veten kur u thotë se të gjithë pa përjashtim duhet të braktisin kombëtaren e Shqipërisë? Ja si shprehet Bytyçi në sentenca finale, drastike: “unë marr guximin të shkruaj me të madhe e të them me zë të lartë se futbollistët nga Kosova që nuk do të luajnë me Kosovën do ta meritonin ndoshta këtë epitet. Së pari aty ku fjalia përfundohet me fjalën ndoshta, që shpreh një rezervë, asgjë nuk mund të thuhet as me guxim, dhe as me zë të lartë! Kështu vetë-zhvleftëson turrin dhe përcaktimin për tradhëti. Po as kujtohet dhe nis të caktojë emër për emër si tradhëtarë të mundshëm të gjithë lojtarët që sot lozin me kombëtaren shqiptare nëse do vazhdonin të luanin më për të, e të parin ndër ta kapitenin, heroin e kombëtares, shqiptarin e madh nga Prishtina, Lorik Canën! Dhe çuditërisht ka iluzionin se këtë po e bën në të mirë të Kosovës dhe si rrjedhojë dhe të Shqipërisë, kur në fakt i bën dëm të dyjave. Në rast se A.Bushati pa dyshim pa pikë urtie, a më keq për dreqni, po deshe edhe si “për të futur” ca ngatërresa mjerane në mes shqiptarëve, dhe shihet se ia ka dalë me sukses, “nuk e kuptoj dhe aq mirë” se çfar pluhuri po çonte me atë shkrim mendjelehtë, po Bytyçi a nuk e kupton se çfarë po bën me shkrimin e tij? Dikush mund të thotë nuk ia vlen të merresh me kët shkrim të pa peshuar. Po ndokush tjetër mund të gjykojë shkrimin e tij për të njëjtat mëkate përçarëse që ai i ngarkon shkrimit të Bushatit. Nuk mund të jetë ky qëllimi i Bytyçit, që nuk ngurron dhe e quan idiot shkrimin e Bushatit po ai vetë a nuk e shumëfishon në shkrimin e vet llojin e marrëzisë së Bushatit deri aty sa të mallkojë lojtarët shqiptarë të Kosovës nëse vazhdojnë të luajnë për Shqipërinë? Me këtë turr dhe thirrje patetike a nuk e sheh se po kërkon një largim në mes tonë? A mos rekomandon që të bëjmë kështu edhe në fusha të tjera? Nga buron kjo marrëzi? Asnjë veçim nuk duhet të ketë në mes shqiptarëve, asnjë, veç bashkëpunim sa më të thellë të ndërsjelltë në të mirë të gjithë shqiptarëve, ndërthurje në të gjitha fushat, edhe në sporte, mbështetje të njëri tjetrit, si një. Cilido individ apo grup që shkëlqen kudo, është shkëlqim i një shqiptari, i një grupi dhe gëzim i të gjithë shqiptarëve.

Po faji i Bytyçit është më i madh sepse jo vetëm merr përsipër i vetëm të gjykojë prerë prej diku dhe pa alternativë se çfarë është mirë dhe çfarë është keq, po merr dhe historinë si partnere: “Historia do ti gjykojë” të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që nuk do braktisin skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë për përfaqësuesen e Kosovës”. Verbëri e pa fund. Bytyçi akuzon shkrimin e Bushatit për cinizëm e poshtërsi, le të gjejë të tjera epitete për shkrimin e vet aspak të peshuar.

Të pushtuar nga forcat aleate, pas v.1945 gjermanët i ndanë me forcë në Gjermaninë që u quajt Perëndimore dhe në Gjermaninë që u quajt lindore. Bota e ndarë me forcë në dy  blloqe, bëri që dy shtetet të jenë në armiqësi. Dy shtete, dy flamuj. FIFA njohu dhe dy federata futbolli. Po gjermanët ishin të gjithë një dhe bënë gjithçka derisa u bashkuan në një shtet. Një komb gjerman, nën një flamur simbol të një kombi që është dhe flamur shtetëror i një shteti të bashkuar. Gjermanët e njërit shtet, atij Perëndimor patën fituar kupën e Botës më 1954. Gjermanët kanë fituar katër herë kupën e botës dhe tri herë kampionatin Europian. Atdheu i gjermanëve është Gjermania, qoftë të lindur në lindje apo në Perëndim. Me vendimet dhunëshme të Konferencës së Ambasadorëve, i ndanë më dyshë shqiptarët. Ndanë Atdheun e Shqiptarëve Shqipërinë më dyshë, në një gjysëm Shqipëri atë të 1913-ës, dhe në një gjysëm tjetër që përfshinte disa krahina shqiptare, mes tyre dhe Kosovën që i futën nën pushtimin serb. E kjo gjëndje u zhbë pjesërisht me luftën aktuale në Kosovë dhe shpalljen e Kosovës së Pavarur. Në Maqedoni etj. ende nuk është zgjidhur. Çështja shqiptare po ecë për tu zgjidhur plotësisht derisa të arrihet bashkimi kombëtar. Po E.Bytyçi ngatërrohet keqas dhe në konceptet e tija rrudh atdheun e shqiptarëve, aty ku rrudhet vetë në konceptin e një copë “atdheu politik” të imponuar nga forca. Kështu kthehen në nul pyetjet e tepërta, naive dhe konfuze dhe rrezikshëm provokative se: “:Kush është më i rëndësishëm atdheu apo flamuri? A do të kishte flamur pa atdhe?..Kë kanë atdhe lojtarët e Kosovës që luajnë me kombëtaren e Shqipërisë. Shqipërinë apo Kosovën? Ja ku arrin ai vetë pa e kuptuar se ku ka shkuar: “Atdheu im është vendlindja ime”. Po vend lindja e një shqiptari mund të jetë në çdo cep të trojeve shqiptare, në fshat a qytet, në Vuçitern, në Preshevë, në Tetovë apo në Dardhë të Korçës, dhe kjo e bën shqiptar nga një krahinë e caktuar. Po vendlindja e një shqiptari mund të jetë rastësisht edhe jasht trojeve shqiptare, p. sh. në Serbi, Kinë, Svicër, Indi, Kenia, dhe  atëherë sipas konceptit të E.Bytyçit vend-lindje, baraz me atdhe, atdheu i atij shqiptari që ka lindur në Serbi, do jetë Serbia! E me rradhë për të tjerët të lindur në Kinë, Kina e më tej Svicra, India, Kenia...? Ai do ishte veç shteti ku ka lindur, po jo atdheu. Shqiptarët kanë një identitet, atë shqiptar dhe kanë jetuar në hapsira më të gjëra se këto që kanë sot. Trojet shqiptare, kudo që shtrihen janë Atdheu i shqiptarëve dhe quhet nga të gjithë Shqipëri Etnike, ku madje përcaktuesi në fund imponohet përkohësisht nga rrethanat e pa përmbyllura historike. Edhe nëse lindin jashtë, atdheu i shqiptarëve janë trojet shqiptare, e gjithë Shqipëria Etnike, me histori të gjatë shekullore e të njëjtit popull. Gjithë shqiptarët e kanë të qartë këtë, dhe tifozët shqiptarë të futbollit e shprehin qartë. A nuk dëgjoni tifozët dhe të gjithë shqiptarët si këndojnë pa pushim për : “Shqipërinë  Etnike, Me shekuj jam shqiptar, Xhamadani vija vija, Është Kosova, është Shqipëria, Është një,qiell që na bashkon, Është një truall që na burrnon”! Nuk janë këngë emotive të çastit si shkruan ndonjë gazetar, po shprehin thellësinë e ndërgjegjes së shqiptarëve anë e kënd. Të tjerët nuk duhet të fusin shkopij nën rrota me interpretime të mjera. E si mund ti kundërvihet kush vullnetit të shqiptarëve për bashkim me ca mendime melodramatike konfuze me demek kombëtare, apo me pseudo analiza sociologjike gazetareske? Shqiptarët janë një komb, ende jo në një shtet, po në gjashtë shtete, gjinden edhe jashtë Ballkanit nëpër botë. Të punojmë që të arrihet bashkimi në një shtet për tu bërë faktorë dhe jo për të mbetur në copa të shtypura nën trysninë e fqinjëve më të bashkuar dhe më të organizuar, dhe të dominuar nga konkurencat e tyre. Lojtarët e finaleve të Francës të kombëtares së Shqipërisë nga të të gjitha trevat janë aty se janë shqiptarë, janë në skuadrën e tyre përfaqësuese kombëtare dhe kanë dhënë me zemër shqiptare kontributin e tyre për futbollin, për shqiptari, për të gjitha trojet shqiptare dhe duhet ta vazhdojnë hapin tjetër dhe në botërorin. Nuk kanë përse të kalojnë nga një përfaqësuese shqiptare në një përfaqësuese tjetër shqiptare, në atë të Kosovës, pa përjashtuar dhe paragjykuar ndonjë rast përzgjedhjeje vetiake nga grupimi aktual i kombëtares shqiptare, si rasti i Rashicës, veç tjerash i aktivizuar veç pak minuta dhe jo pjesmarrës në europian apo ndonjë tjetri në të njëjtat rrethana.

Skuadra kombëtare e Shqipërisë, realisht e të gjithë shqiptarëve, ka bërë për suksesin e futbollit shqiptar, po ka bërë shumë më tepër për afrimin, mirëkuptimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve, dhe kontributi i tyre entuziazmues mbetet i shkruar me shkronja të arta në histori. Kjo është meritë e artë e secilit prej lojtarëve shqiptar prej ngado që vijnë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe qëndrimi i tyre në vazhdim në këtë skuadër kombëtare ka një efekt të jashtëzakonshëm psikologjik për unitetin e të gjithë shqiptarëve. Kjo ngjizje fantastike duhet të vazhdojë. Asgjë nuk mund ta justifikojë dëmtimin e kësaj arritjeje. Ky është çelësi i të kuptuarit të situatës prej secilit prej lojtarëve, në zgjedhjen e tyre të lirë dhe që i ngren ata dhe më lart. Përgjegjësi dhe për drejtuesit e dy federatave që kanë treguar një bashkëpunim veçanërisht të ngrohtë dhe të zgjuar, e më gjërë për secilin prej nesh. Si sintezë mund të themi, jeta nuk është vetëm një ditë ku mund ti rregullojmë apo ti prishim të tëra, nuk është as veç një sezon futbollistik. Koha është përpara. Ka aq shumë lojtar shqiptarë të tjerë për të dy skuadrat, e kanë të lehtë zgjedhjen.Të gjithë shqiptarët e të dy shteteve shqiptare dhe të trojeve të tjera, i urojnë sukses dy skuadrave tona. Vetë lojtari Rashica, respektohet për zgjedhjen e tij dhe çmohet për deklarimin e qartë kur shprehu vullnetin e tij që nesër të kemi një kombëtare, duke shprehur kështu vullnetin e qartë të gjithë shqiptarëve për një shtet të bashkuar kombëtar./Genc Drini, Londër ([email protected])

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat