DEMARKACIONI – Shteti dhe Politika pas 1 Shtatorit 2016!

Opinione

DEMARKACIONI – Shteti dhe Politika pas 1 Shtatorit 2016!

Nga: Sokol Domniku Më: 20 gusht 2016 Në ora: 13:45
Sokol Domniku

Hamendja e qytetarëve të Kosovës, në veçanti rreth situatës politike në vend, mund të krijojë skenarë të ndryshëm shoqërorë, që do të mundnin ta devijojnë vendin nga veprimet e pakontrolluara të grupeve të ndryshme shoqërore, të cilat burojnë nga kategori të ndryshme të shoqërisë, përfshirë këndvështrimin e tyre për situatën politike, ekonomike, etj., dhe shumë çështje të tjera që mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e proceseve në vend.

Ndër shqetësimet më të mëdha, natyrisht se mbetet ekonomia (papunësia, varfëria, etj.), por edhe pamundësia e lëvizjes që ndërlidhet me mos liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, e deri tek problematika në sferën politike, respektivisht përplasjet Pozitë – Opozitë, por edhe mospajtimet brenda vetë pozitës por në anën tjetër edhe brenda vetë opozitës. Një huti shumë e madhe e krijuar, në veçanti rreth problemit të demarkacionit me Malin e zi (në tekstin e mëtejmë – Demarkacioni), mund të ndikojë që vendi ynë t’i paraprijnë II skenarë të mundshëm, para dhe pas pak të vitit 2016!

Skenari i mundshëm (I):

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion në kuvendin e Kosovës; Kjo do të sjellte natyrisht revoltim të banorëve që “u preket” prona e tyre që ata pretendojnë,  por edhe e qytetarëve të tjerë që mund ta shfrytëzojnë këtë pretekst për ta mbështetur këtë iniciativë, qoftë për qëllime kombëtare, por pa munguar edhe qëllimet politike. Një skenar i tillë, do ta “paralizonte” funksionimin normal të shtetit, me çka, do të rrezikohej edhe gjendja e sigurisë në vend, që mund t’i krijonte vendit në situata me pasoja shumë më të rënda.

Skenari i mundshëm (II): Mos ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion;

Do ta dërgonte me “automatizëm” vendin në zgjedhje të parakohshme, gjë që do e rrezikonte vendin përsëri, pasi që duke e ditur afatin ligjor (së paku 30 ditë përpara kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga Presidenti), konstituimi i kuvendit, duke i marrë parasysh edhe “pazarllëqet” e partive politike që pas zgjedhjeve të krijojnë koalicion (e kujtojmë kohëzgjatjen e koalicionit aktual se sa pati marrë kohë për t’u krijuar), vendi do të rrezikohej edhe për “kapitullim financiar të shtetit”, pasi që s’do të kishte kush ta aprovojë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm. Por, një “shpëtim” tjetër do të ndodhte, që me shumë gjasë mund të ndodh; prishja e koalicionit aktual, dhe krijimi i bashkëqeverisjes në mes PDK-së, AAK-së dhe NISMA-së!

Cilido skenarë që ndodhë, dhe që natyrisht duhet të ndodhë së paku “Pro apo Contra” ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion, vendi do të rrezikohet shumë pak para dhe në veçanti pas pak vitit aktual. Natyrisht se skenari i dytë, është më vdekjeprurës për nga aspekti esencial dhe funksional i vendit, por edhe skenari i parë, do të krijonte një paqartësi strategjike për vendin.

Ku qëndron gabimi? Gabimi qëndron në 26 gushtin e vitit 2015, asokohe kur është nënshkruar marrëveshja, nga kryeministri aktual i vendit, Z. Mustafa dhe ish-ministri i punëve të jashtme, aktualisht President i vendit, Z. Thaçi. Kur them gabim që është nënshkruar, jo sepse konsideroj që është i drejtë ose i padrejtë versioni i marrëveshjes, pasi që kjo është çështje e ekspertëve, të cilët edhe ata po kanë trajtime dhe paraqitje kontroverse të argumenteve. Gabim, sepse proceduralisht është bërë gabim “në hapa”, sepse për këtë çështje është dashur të zhvillohet në frymën demokratike, përballë përfaqësuesve të popullit, pra në kuvendin e Republikës, në një debat dhe diskutim goxha të gjatë dhe konstruktiv, në mënyrë që qytetarët t’i shmangen veprimeve të mundshme të pakontrolluara, të cilët një pjesë mendon se po falen 8 mijë e më shumë metra katrorë, përderisa një pjesë mendon se asnjë milimetër, natyrisht duke mos e anashkaluar edhe mendimin e protagonistëve politikë të palës “Pro-ratifikim dhe palës Kundër-ratifikim”.

1 Shtatori, dita kur fillon mësimi në arsimin para-universitar, caktimi i datës për mbajtjen e seancës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e zi, është edhe një e keqe shtesë, duke e ditur se mund të rrezikohet siguria e të miturve të cilët i fillojnë dhe i vazhdojnë mësimin e tyre shkollor (i kujtojmë protestat e fundit masovike).

1 Shtatori i këtij viti, konsideroj se patjetër do të jetë fillimi i fundit të kësaj qeverisje, qoftë se ratifikohet apo jo, marrëveshja e demarkacionit, dhe pikërisht për këtë arsye, pak para përfundimit të vitit aktual dhe pak pas hyrjes në vitin vijues, vendi do të ballafaqohet me zgjedhje të parakohshme (nëse s’ndodh koalicioni i “ri” – PDK, AAAK, NISMA), të cilat domosdoshmërish duhen të jenë demokratike, transparente, pa ndikime, pa të ashtuquajturat “vjedhjet masive të votave”, që përfundimisht do të krijonin një qeverisje efektive, që do dëshiroja unë dhe besoj shumica e qytetarëve të Kosovës, të ketë figura të reja, njerëz që kanë kryer shkollime jashtë vendit, njerëz që posedojnë vlera të larta shkencore dhe etike, pavarësisht cilit subjekt i takojnë, duke përfshirë nga partia më e madhe në vend PDK e deri tek subjekti më i vogël në përqindje, por pse jo, edhe inkuadrimi i ndonjë subjekti të ri politik që do i jepte diversitet dhe konkurrencë skenës politike në vend. 

Definitivisht, vendi ka nevojë së pari për çlirim nga “okupimi” sa i përket lëvizjes së lirë, luftimin e korrupsionit, rritjen ekonomike që do të dërgonte drejtë një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, i cili do të pasonte me rritjen e investimeve, ku me to edhe rritja e punësimit, zbutja e varfërisë, dhe çka është më e rëndësishmja, eliminimi i nepotizmit dhe më në fund “zgjidhja e duarve” të sistemit gjyqësor, në mënyrë që të veprojë i pavarur, pavarësisht për këdo që bëhet fjalë, sepse njerëz dhe qytetarë të vendit jemi të gjithë, sikurse një qytetar që është i papunë, sikurse edhe një ministër; Ligji duhet të jetë mbi të gjithë dhe askush mbi të, gjë që i mungon vendit tonë tash e sa vite.

Autori është M. Sc. dhe kandidat për Dr. Sc. në fushën e ekonomisë / Ligjërues universitar

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat