Kjo nuk është medalja e shqiptarëve, por e Majlindës!

Opinione

Kjo nuk është medalja e shqiptarëve, por e Majlindës!

Nga: Manjola Bregasi Më: 8 gusht 2016 Në ora: 22:11
Manjola Bregasi

I pashë lotët në sytë e Majlinda Kelmendit mbrëmë. Ishin lotët e sinqertë të një njeriu të lumtur, me zemrën plot. Më emocionuan më shumë se paraqitja e saj, më folën më shumë se çdo fjalë. Më shumë se medalja, më shumë se himni, më shumë se notat e larta të ndjenjës kombëtare, që nuk lemë rast pa i treguar, kur është fjala për të marrë merita e vlera. Natyrisht e gjejmë dhe ne veten aty, kemi dhe ne pjesë tek suksesi i Majlindës, që tek e fundit është shqiptare. Kaq mjafton që dhe ne të përvetësojmë pak nga shkëlqimi i saj e ta bëjmë tonin.

Teksa e shihja të qante, përpiqesha të kuptoja çfarë ndodhte brenda zemrës së një vajze 25-vjeçare, që në përfaqësimin e parë nën flamurin e vendit të saj në Lojërat Olimpike, var në qafë medaljen e artë? Ishte fryti i një pune, ishin lotët e një arritjeje të merituar, që vlen dhe shijon më shumë se gjithçka tjetër. Lexova sot intervistat e saj në mediat e huaja, BBC, CNN. Ajo kishte shkuar aty të fitonte.

Por Majlinda nuk ndodhej rastësisht aty. Nuk ndodhi, që t’i hapeshin dyert e t’i shtroheshin rrugët se ishte vajza e dikujt e papritur t’i varej në qafë një medalje si trofe. Nuk ishte aty duke marrë meritat e të tjerëve. Ajo ishte aty me punën dhe ambicjen e saj, duke i dedikuar gjithë jetën sportit. Por ne përsëri i mbushëm faqet tona në rrjetet sociale, sërish u krenuam dhe me të drejtë teksa pamë flamurin kosovar të ngrihej mbi të tjerët.

Por a kemi ne të drejtë të marrim nga shkëlqimi i Majlindës? Sa kemi ndihmuar në suksesin e saj? A na takon të ndjehemi pjesë e fitores, edhe pse në vitin 2008, dy herë shteti ynë ia refuzoi kërkesën për pasaportën shqiptare?

Arsyet? Ndoshta sot do të qeshnim, por specialisti në Ministrinë e Kulturës, kishte argumentin e tij: “Majlinda Kelmendi s’është potencial për t’u bërë ndonjë sportiste kulminante”. Dhe sot ky specialisti, me siguri ka shkruar një status të bukur për Majlindën, në mos është krenuar që ka pjesë edhe ai në fitoren e saj.

Image

Ndërkohë Majlinda Kelmendi refuzon ofertën e Azerbajxhanit dhe Turqisë  për të garuar nën flamurin e tyre. Ajo gjeti rrugën për të përfaqësuar Shqipërinë  në Lojërat Olimpike të Londrës dhe Kosovën në Lojërat e Rios. Rezultatin e pamë të gjithë.

Sot që Majlinda shkëlqen ne kujtohemi sërish për të. Ashtu siç u kujtuam për skuadrën kombëtare të futbollit në ditët më të mira të saj dhe ashtu siç u kujtuam për Luiza Gegën vetëm pasi u shpall nënkampione e  Europës. Ne e harruam Luizën, ashtu sikurse presidenti Thaçi, harroi mbrëmë Majlindën. Ndoshta më shumë se harroi, ai u tregua i sinqertë, teksa nga Rio postonte fotot e tij dhe jo ato të kampiones.

Në fund të fundit kampionët e gjejnë rrugën, ata shkëlqejnë me ose pa ne, që kujtohemi vetëm kur ata ngrenë flamurin. Kjo nuk është medalja e shqiptarëve, kjo është medalja e Majlindës, që e deshi Shqipërinë edhe kur ajo e refuzoi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat