Shpallja e 25 korrikut si festim e pushim zyrtar është një tepri qeveritare e fyerje kombëtare

Opinione

Shpallja e 25 korrikut si festim e pushim zyrtar është një tepri qeveritare e fyerje kombëtare

Ramiz Lushaj Nga Ramiz Lushaj Më 24 korrik 2016 Në ora: 09:31
Parlamenti Shqiptar

1.
            Sivjet, 25 korriku do të jetë Ditë Pushimi, përndryshe: Festë Zyrtare,  njësoj si 25 Dhjetori i Krishtlindjeve,  pasi kryeministri ynë Edi Rama na e bani dhuratë kumtuese me ferman qeveritar të 22 korrikut, sepse u votua me 140 vota Reforma në Drejtësi, etj. A mund të jetë “Krishtlindje” Reforma në Drejtësi në Shqipëri për t’i dhanë kaq haptë, kaq lartësi, etj.?!
Kësisoj, më duket tepri ky pushim, kjo festë e 25 korrikut 2016. Përveçse si një tjetër akt servilizmi publik vendimor e politik ndaj Ndërkombëtarëve, e shoh dhe si një akt dite për kapital politik elektoral partiak, (ndër)kombëtar për vet kryeministrin aktual e partinë e tij - PS-në - të rilindur tash 25 vjet – nga Kongresi i PPSH i 12 qershorit 1991.
E thotë vet kryeministri ynë Edi Rama: “Së bashku kemi arritë të paarritshmen në 25 vjet”. Ky, ndoshta, është kuti i tij politik e elektoral.  Përndryshe: kjo thënie e tij është e mbetet “Hiç”, sepse asgjë nuk lindi nga “Hiçi”. Sistemi ynë i Drejtësisë ka 25 vite me gjithato ligje të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë. Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon shumë dispozita kushtetuese, nene të saj, për institucione e veprimtarinë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Kemi ligje të veçanta “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” (2008), “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” (2000), “për organizimin e funksionimin e Prokurorisë në RSH” (2001), “Për organizimin dhe funksionimin e KLD” (2001), “Për Avokatinë në RSH” (1994), “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda” (2003), “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrveshjeve administrative” (2012), “Për Noterinë”, etj., të cilat janë produkt dhe i një konsensusi të gjërë politik parlamentar.
 
E thotë vet Edi Rama, kryeministri ynë: “Vota e sotme do të çelë tiparin e një revolucioni të shumëpritur në drejtësi”. Çështja shtrohet dhe kësisoj: Ndryshimi i Sistemit të Drejtësisë nga Komunizmi në Demokraci ishte dhe është një Revolucion i vështirë, i gjatë, me suksese e me dobësi. Çdo ligj ishte evolucion, ishin hapa të këtij Revolucioni ende në proces, tue përfshi dhe Reformën në Drejtësi. Përndryshe: sa herë të vijnë liderë të rinj në shumicë pushtetore nuk mund të fillojmë një “Revolucion të Ri”.  Vetëm amerikanët kur i kryejnë revolucionet shkojnë në shtëpi, tek puna, tek kasha, tek shkolla, etj., ndërsa ne - europianët, sidomos ne – shqiptarët, edhe pasi kryejmë revolucione prapë mbetemi në rrugë, apo i lamë ato në mes të rrugës, etj. Shqipëria, mirë apo keq, kemi 104 vite shtet e gjithçka nuk fillon as me Ahmet Zogun, as me E.Hoxhën, as me Sali Berishën, as me Fatos Nanon apo Edi Ramën. Sigurisht, as Reforma në Drejtësi, sado piedestalore ta kemi në këtë vit e në të tjera vite në vazhdimësi plotësimi e përmbushjeje të saj me Ndryshime Kushtetuese e ligje të veçanta të njipasnjishme.
 
E vlersoj/më jetësore, tokësore, deri dhe qiellore, Reformën në Drejtësi e kontributin e Ndërkombëtarëve, të ekpsertëve juridik shqiptarë e të huaj, të Kuvendit të Shqipërisë, të partive politike shqiptare parlamentare e liderëve të tyre Rama, Basha, Meta e të tjerët, sepse e çmoj ma të vështirë një Reformë në Drejtësi se sa Luftën e Dytë Botërore. Kjo për faktin se Lufta ka një afat kur niset e mbyllet (1939-1944), po Drejtësia e keqe e në duar të këqija të “vret” (viktimizon) për çdo ditë e këdo prej nesh, biem viktima të saj. Përndryshe:  nuk mund të themi se prej 21 apo 22 korrikut 2016 zbriti Zoti nga Qielli e dolën “Zeusët” apo “Kreshnikët” e Drejtësisë Shqiptare dhe prej kësaj dite/date kena 25 korrikun pushim e festim. Sigurisht: Nuk duhet të sillemi si “Çlirimtarë të Drejtësisë”. Nuk duhet të pjellim “Revolucionarë të Drejtësisë”. Nuk duhet të jemi “Inkuizicionistë të Sistemit të Drejtësisë, të gjyqtarëve e prokurëve të tij, etj., Nuk duhet të ndërmarrim “kryqëzata”masive të menjëhershme ndaj tyre. Jo vetëm se i kemi pak: mbi 400 gjyqtarë, mbi 400 prokurorë, mbi 320 noterë (120 vetëm Tirana), 140 përmbarues gjyqësor privat aktiv (85 vetëm Tirana), avokatët, etj. po këta kanë përvojen e viteve të punës së tyre, kanë përvojën e shekujve të drejtësisë shqiptare kanunore e shtetërore, etj. Sistemet politike në Shqipëri, politika e politikanët në Shqipëri e kanë “mbyt” deri në fyt Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri. Komunizmi me Reformën Agrare, me Shtetëzimet, me eleminimin e pronës private, etj. dhe Demokracia me Ligjin 7501 të ndarjes së tokës, privatizimet, etj. e kanë detyrue sistemin gjyqësor e prokurinë në të gjitha shkallët të bajnë mbi 1 milionë gjyqe për pronat (deri dhe në Strasburg). Mijëra gjyqe po bahen në Shqipëri për largimet nga puna në Gjykatat Administrative të dy shkallëve, aq sa kanë çështje që rrijnë mbi dy vite në pritje shqyrtimi vendimor final. Askush në Shqipëri nuk ka ngarkesë ditore e volumore sma të madhe e të vështirë se sa gjyqtarët  e prokurorët, të cilët kanë status të veçantë e peshë deri jetike në vendimmarrjet e tyre. Vërtet e kryesisht politika iu jep atyre pagat e “bukë” gjykimesh me gabime, të meta e fajet e tyre, po këto janë aq të shumta sa që shpesh herë nuk iu del koha e mjaftueshme me hangër vakt pas vakti bukën e tyre të përditshme, me ose pa lekët e tyre. Ndaj Politika Shqiptare është debitorja ma e madhe e Drejtësisë Shqiptare, e sistemit gjyqësor të saj në të gjitha shkallët, etj. Ndaj pa u ba marksistë, të punojmë sipas thanies së Marksit: brezat ecin mbi supet e njëri-tjetrit, që kur të vijnë të rinjtë edhe po s’ua morën shembullin të vjetërve, tua lanë përvojën e vyer e të gjatë të tyre.
 
 
2.
 Tepri kjo ditë feste e pushimi zyrtar, politik, popullor, juridik…, pasi me 25 korrikun, plotnohen 15 ditë festa zyrtare. Një 15-ditësh pushim.  Shto dhe 103 të shtuna e të diela për vitin 2016 – i takon rreth 4 muaj pushime në vit për administratën e Shqipërisë Londineze(!).
Çdo president apo kryeministër i Shqipërisë, nga ata dhe me funksionin kryetar partie në pushtet, përveç festave të domosdoshme:  Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë (28 nëntor), Dita e Çlirimit (29 nëntor), Viti i Ri (dy ditë), Dita e Novruzit (22 mars), Dita e Pashkës Katolike dhe ajo e Pashkës Ortodokse, Dita Ndërkombëtare e Punonjësve (1 maji), Dita e Bajramit të Madh dhe ajo e Kurban Bajramit) dhe Krishtlindjeve, kanë caktue dhe festa të tjera zyrtare: Presidenti Sali Berisha 8 Dhjetorin – Dita e Rinisë. Kryeministri Fatos Nano 14 Marsin – Ditën e e Verës dhe 19 tetorin – Dita e Lumturimit të Nanë Terezës. Para dy ditësh, kryeministri aktual Edi Rama, e vendimoi 25 korrikun (me sa duket vetëm për këtë vit) si Ditë Pushimi e Feste prej/për Reformën në Drejtësi.
 E thotë analisti Blendi Fevziu tek nji koment i tij “Sa miliona euro na kushton Tuiteri i Ramës”, botue në “Koha Jonë”(23 korrik 2016), e përllogarit se Qeveria Rama duhet të paguajë nga paratë e taksa-paguesve shqiptar për adminstratën qëndrore dhe lokale plot 4 milionë euro vetëm paga për një punë të pakryer. Plotësisht e saktë. Krejtësisht e drejtë.
Veç duhet me dvet kush t’na ndijnë: A thue, shteti ynë, i mbetur në krizë ekonomike-financiare, që po thellutet në krizë politike institucionale, etj. e paska një luks kaq të madh për shpenzime kaq të larta, të panevojshme, edhe të denueshme?! A thue Qeverisë po i duket pak se me 21 e 22 korrik 2016 të Votimit të Reformës (po edhe me 18,19,20 korrik në pritje tensioni e presioni diplomatik e politik ndërkombëtar e kombëtar) i la shumicën e shqiptarëve pa punë, me sy e veshë tek fatet e Reformës e të Qeverisë?!
 
3.
Sigurisht, lania e miratimit të Reformës në Drejtësi më 21 korrik 2016 është e pa qëlluar në kohë, etj.
Jo për faktin politik se kjo ndodhi në ma pak se 300 ditë kalendarike para dekretimit Presidencial për Zgjedhjet Parlamentare të Qershorit 2017. Po ka dhe diçka tjetër: gjithësesi e randësishme dhe e patolerueshme.
Gjithandej e gjithkush po thuhet se Miratimi i Reformës në Drejtësi hapi një Epokë të re, etj., etj., veçse duhet me e ditë dhe këtë faktin tjetër: Prej Ditës së miratimit të kësaj Reforme të gjitha gjykatat e sistemit tonë gjyqësor, gjykatat e çdo shkalle e në çdo bashki të Shqipërisë, i mbyllin dyert e tyre për popullin e vet deri në shtator 2016, në ma shumë se një muaj kohë. Kjo, për faktin se hana e 25 korrikut është pushim e festë prej kryeministrit Edi Rama e Qeverisë së tij, ndërsa katër ditët e tjera të mbetura (26, 27, 28, 29) janë ditë me pak gjyqe,etj. Gushti është muaj tradicional për pushimet e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri.
Edhe ky fakt e nxjerr 25 korrikun 2016 nji ditë pushimi të panevojshme, nji festë të tepërt. Pak reale e shumë politike për nga dimensionet e saj,  nga pulset e kumtet e saj.
 
4.
Ashtu, jo kot, po due me thanë se 25 korriku 2016 vjen ndryshe për Parlamentin e Ilir Metës, vjen ndryshe për qeverinë e Edi Ramës.
Për Parlamentin është shpall ditë pune, pasi në websajtin e Parlamentit njoftohet thirrja e Seancës Plenare në ora 10.00 të paradites së 25 korrikut, ndërsa për Qeverinë, në websajtin e saj, njoftohet 25 korriku ditë pushimi për administratën qëndrore e lokale.
Në websajtin e Kryeministrisë 25 korriku 2016 shenjohet, sipas kalendarit gregorian, ditë e hane, ndersa në websajtin e Parlamentit shenjohet (ndoshta sipas “kalendarit politik”) si ditë e enjte dhe ky fakt publik të krijon idenë sikur ende vazhdon e enjtja e 21 korrikut 2016.
Edhe këto dy mos përkatësi apo dakortësi të krijojnë nji ide ma të plotë rreth teprisë kryeministrore për caktimin e 25 korrikut 2016 si Ditë Pushime e Feste (!)
 
 
5.
Mbi të gjitha e para të gjithave, 25 korriku 2016 si një Ditë Pushimi e Feste është një fyerje e madhe, e pa tolerueshme, e dënueshme për Traditën e Trashëgiminë Juridike Shqiptare, jo 25 vjet si e thotë kryeministri ynë Edi Rama për Reformën në Drejtësi, por mbi 2.500 vjet kohë e histori, prej nga kushtetutat ilire në mbretëritë ilire, në “qytet-shtetet” ilire, me Kodin e Lekës së Madh (i tokës e origjinës shqiptare, zanafilla e Kanunit të Lekë Dukagjinit), me Kodin e Justinianit të Madh (perandorit romak me origjinë ilire), në principatat shqiptare të Arbnisë e kohës së Skënderbeut, me Kushtetutën Shqiptare të vitit 1998, etj.
 
Presidenti Meidani e shpalli me Dekret  të dielën e 22 nëntorit 1998 si ditën e miratimit përfundimtar me Referendum të Kushtetutës së Shqipërisë, po as ky si kreu i shtetit dhe as Majko si kryeministër i asaj kohe, nuk e shpallën të hanën pushim zyrtar, festim. As Kuvendi i Shqipërisë me kryetar Skënder Gjinushin, kur e mirtaoi në Kuvend Ligjin nr. 8417, në të mërkuren e 21 tetorit 1998, nuk e mori nismen ta shpalli të nesermen ditë pushimi zyrtar, si 25 korrikun e sivjetëm, 2016. Shembuj të tillë mund të sjellim plot për të dëshmue se astenjiherë në historinë e shtetit shqiptar, nga mbretëritë ilire, principatat shqiptare e dekteri në shek. XXI, në asnjë rast kur është miratue një reform, si kjo e tanishmja – Reforma në Drejtësi, nuk ka ndodh që të caktohet ndonjë nga ditët pasardhëse si ditë pushimi zyrtar. Gjithmonë populli ka ditë si të festojnë e pushojnë dhe administrate sit ë gëzojnë e të punojnë, pa pasë vendime qeverie si ky për 25 korrikun 2016 (!)
Në Kombin Shqiptar të Justinianit të Madh (482-565) që i la Perandorisë së Bizantit e Botës së përjetshme përmbledhjen justiniane të përbotshme “Codex repetitae praelectionis” në mbi 50 libra, i njoftun si “Kodi i Justininit të Madh” dhe që ende Europa Kontinentale e ka në themele juridike të saj,  dhe në atdheun e prijtarit e mendimtarit të madh Lekë Dukagjini që na la Kanunin e Lekë Dukagjinit me gjithato nene që ua kalojnë dhe atyre të Europës së sotme të Bashkuar (BE), në vendin e “Kanunit të Skënderbeut”, etj. të shpallësh 25 korrikun 2016 ditë festimi e pushimi për arritje të miratimit të nji Reforme në Drejtësi, është disi, jo pak, një fyerje kombëtare ndaj Justinanit të Madh, ndaj Skënderbeut e Lekë Dukagjinit, ndaj Kombit tand në zemër e themeli të Europës së Bashkuar, etj.
Tiranë, 24 korrik 2016

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat