Talentja nga Suedia e gatshme ta lë shpirtin në fushë për Kosovën

Basketboll

Talentja nga Suedia e gatshme ta lë shpirtin në fushë për Kosovën

Nga: Kemajl Goca Më: 28 qershor 2016 Në ora: 10:52
Adea Kastrati

Shumë sportiste të talentuara shqiptare zhvillojnë aktivitetet e tyre në shtetet e ndryshme të Europës, në Skandinavi e deri në Australinë e largët. Adea Kastrati është basketbolliste e talentuar dhe me sukses po luan në ekipin suedez, Helsingborg dhe njëherësh është pjesë e kombëtares së Kosovës U-18. Ajo thotë se po ndjehet shumë mirë në Kosovë dhe sidomos në kampin e basketbollit që po mbahet në kryeqytet. Talentja me prejardhja nga Ferizaj, e gjatë 178 centimetra, luan në pozitën e organizatores, nuk ka më shumë se 17 vjet, shprehet optimiste për të ardhmen e saj. “Hapat e parë i kam bërë si 9-vjeçare me basketboll. Me insistimin e vëllezërve dhe të babait vendosa të merrem me këtë sport atraktiv. Një kohë të gjatë kam qenë lojtare në Lund, qytet universitar, kurse në Helsingborg kam filluar në pranverë. Helsingborg është në ligën e parë, me të cilin ekip besoj se do të tregojmë vlerat tona. Është ekip që i mbledh talentët dhe i çon në nivele botërore, kështu që unë synoj të mbërrij nivelin botëror”, tha Kastrati për gazetën kombëtare “Bota sot’. Jeni pjesë e kombëtares së Kosovës, sa jeni e kënaqur dhe si u prite? “Nga Federata e Kosovës jam pritur mjaft mirë, po ashtu edhe nga trajnerët vendorë. Mundem ta veçoj Kimete Halitin, ku ajo ka qenë që unë të jam pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe me ka pritur çdo herë me një energji shumë pozitive. Mandej dua të them për trajnerin Chris Dial që është trajner profesional që e kam nderin të ushtroj me të”, përgjigjet talentja e basketbollit. Sipas saj, ka një mesatare 30-35 pikë për ndeshje, por kërkon të jetë edhe më e përsosur për sfidat që e presin në muajit e ardhshme. Ajo bënë një krahasim me basketbollin femëror në Suedi dhe në Kosovë. “Basketbolli i Kosovës dallon shumë, sepse në Suedi në nivelet e larta të gjitha lojtaret janë pothuajse të njëjta, kurse në Kosovë është një përzierje me lojtare fillestare dhe me ato me përvojë”, tha Kastrati, e cila nuk e mohon që një ditë të vjen e të luajë për ndonjë ekip në Kosovë. Jeni pjesë e kampit me kombëtaren e Kosovës U-18, sa është vështirë të stërvitesh në këto temperatura të larta? “Nuk është lehtë hiq, shumë vapë e madhe edhe kushtet janë ashtu siç janë”, ka thënë Kastrati, e cila premton maksimumin për ngjyrat e Kosovës. “Jam në gjendje ta lë shpirtin apo siç thonë të vdes për fanellën e kombëtares së Kosovës”, thotë Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat