Aksion simbolik në Ferizaj “Rrezik-gropat dëmtojnë”

Ferizaj

Aksion simbolik në Ferizaj “Rrezik-gropat dëmtojnë”

Më: 21 qershor 2016 Në ora: 15:31
Ilustrim

Organizata Iniciativa për Progres (INPO) ka realizuar një aksion simbolik ku janë shënjuar disa pjesë të rrugëve të dëmtuara të qytetit me shenjën e rrezikut.

“Këto shenja janë bërë me qëllim të njoftimit të qytetarëve për gropat dhe pusetat jo të nivelizuara të cilat mund të shkaktojnë dëme materiale në veturat e tyre dhe rritjes së presionit ndaj institucioneve përgjegjëse komunale për të ndërmarr veprime, për të cilat janë të obliguara ligjërisht”, thuhet në komunikatën e INPO-s dërguar mediave.

Sipas INPO, ky aksion vjen pas disa insistimeve të kësaj organizate, që prej muajit nëntor të vitit të kaluar në drejtim të Komunës së Ferizajt duke kërkuar nga kjo e fundit intervenimin në disa pjesë ku gropat dhe pusetat e pa nivelizuara me rrugën po shkaktojnë probleme për ngasësit e veturave dhe paraqesin rrezik të vazhdueshëm për komunikacionin.

“Rikujtojmë se me 3 Nëntor të vitit 2015, organizata INPO ka bërë një hulumtim në më shumë se 16 rrugë kryesore të qytetit, duke evidentuar gjendjen shumë të rëndë të disa gjatësive të rrugëve, jashtë standardeve minimale të sigurisë. Më e rëndë paraqitet gjendja e rrugës “Bajram dhe Gursel Sylejmani”, rrugë kjo jashtëzakonisht vitale e qytetit, e cila lidhë komunën e Ferizajt me komuna të tjera dhe me një qarkullim të dendur të mjeteve”, thuhet më tej në komunikatë.

Aksioni simbolik i shënjimit të gropave të rrezikshme është realizuar në këto rrugë të qytetit: “Ahmet Kaçiku”, “Driton Islami”, “Vllëzërit Gërvalla”, “Rexhep Bislimi”, “Dëshmorët e Kombit”, “12 Qërshori” dhe “Naim Beka”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat