Shqipëria luan shumë më mirë pa Canën! Cana duhet të ikë në pension! Gashi duhej të luajë titullar

Futboll

Shqipëria luan shumë më mirë pa Canën! Cana duhet të ikë në pension! Gashi duhej të luajë titullar

Nga: Kemajl Goca Më: 13 qershor 2016 Në ora: 11:28
Lorik Cana

Lorik gabove! Lorik u ndëshkove me karton të kuq pa pikë nevoje. Kur gabon kapiteni, atëherë çfarë bëjnë ushtarët. Megjithatë, ushtarët treguan heroizmin e tyre ndaj Zvicrës, pa kapitenin Lorik Canën, me një futbollist më pak, e vunë në sprovë Zvicrën dhe fati sportiv i ndau nga barazimi.  Lorik Cana e la ekipin në situatë të pakëndshme kur më së shumti i duhej ndihma e tij. Ai si kapiten u desh të mendojë mirë e mirë para çdo ndërhyrje sidomos pas kartonit të verdhë që e mori në minutën e 23-të. 

Sa ishte Cana në fushë Shqipëria nuk ishte aq energjike apo e frytshme.  Përjashtimi i Canës në minutën e 36-të pas kartonit të dytë të verdhë, deshëm apo nuk deshëm, futi frikë të të gjithë shqiptarët, sepse Zvicra kishte epërsinë numerike. Mirëpo, pas përjashtimit të Canës, shiritin e kapitenit e mori Elseid Hysajt dhe gjërat ndryshuan shumë për të mirë. Shqipëria ishte shumë më produktive, më kërkuese dhe e futi Zvicrën disa herë në pozicion mat. Shqipëria luajti shumë më mirë pa Canën, u tregua më ofensive.  Edhe më herët kemi shkruar se Lorik Cana nuk është i frytshëm për kombëtaren e  Shqipërisë. Ai u dashtë të pensionohet, sepse edhe një herë u vërejt se nuk është energjik. Të gjithë e kuptojmë patriotizmin e tij, por patriotizmi më i madh është kur e ndihmon kombëtaren për të fituar dhe jo ta lësh në fushë me një futbollist më pak. Nuk justifikohet në asnjë formë kartoni i kuq i tij, sepse e mori pikërisht në minutën e 36-të dhe pa asnjë arsye,  por nga veprim i pakontrolluar me dorën e tij. Nuk është lehtë të lësh djelmoshat plotë 54 minuta me një futbollist më pak,  sidomos ndaj një Zvicre që ka kualitete. Në futboll nuk shkon me patriotizëm, por duhet të luash me shumë përgjegjësi, sepse gabimet e tilla sikur me Zvicrën i kushtuan Shqipërisë. 

Sado që ndjen keqardhje Cana, është e kotë, sepse ndeshja u humb.  Edhe përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi, po e kupton  paksa vonë, por më mirë vonë se kurrë. Ai e pa shumë qartë se Cana gaboi dhe gaboi kur nuk duhet. Canën duhet falënderuar për kontributin që ka dhënë deri me tash, t’i jepet një mirënjohje dhe t’i ikë në pension. De Biasi bëri edhe një gabim të madh, sepse Shkëlzen Gashi, një sulmues i spikatur, futej me vonesë në lojë pikërisht në minutën e 82-të. Gashi vetëm fati sportiv ia ktheu shpinën dhe nuk shënoi në minutën e 87-të. Ai është lojtar si buldozer!  De Biasi duhet ta nisë ndeshjen me Gashin në përbërje, nëse do ta atakojë vazhdimisht kundërshtarin. Gashi është një lojtar që din të gjuajë nga pozitat e vështira dhe të shënojë kur më së paku pritej, si e ka dëshmuar edhe në të kaluarën.  Gashi i duhej titullar, sepse ai është mëkat të qëndrojë në bankë nga potenciali që ka. Kemi dy ndeshje tjera në grupin A, me Francën dhe Rumaninë, ta shohim se si do të rrjedhin gjërat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat