Po zgjohet NATO, më në fund

Opinione

Po zgjohet NATO, më në fund

Nga: Frank Shkreli Më: 2 qershor 2016 Në ora: 00:41
Frank Shkreli

Kritikët e aleancës euro-atlantike NATO kanë akuzuar se organizata ushtarake që u themelua me nënshkrimin e Traktatit të Washingtonit më 1949, është tani një organizatë buroktratike e përbërë prej 28 vendeve anëtare me qindra komisione dhe grupe pune. Ata thonë se sidomos ç’prej shembjes së komunizmit në Evropë, gjatë 20-viteve të kaluara, NATO dukej si një organizatë jo e koordinuar siç duhet dhe pa një qëllim dhe drejtim të qartë strategjik. Por duket se sfidat ruse të kohëve të fundit, deklaratat dhe politika agresive e Vladimir Putinit karshi fqinjve të saj dhe Evropës në përgjithësi, e kanë zgjuar NATO-n nga letargjia e dy tre dekadave të fundit dhe duket se po i merr seriozisht sfidat, kërcënimet dhe agresionin e Moskës kundër fqinjve të saj.

NATO lëshoi kushtrimin javën që kaloi nga Tirana ku u mbajt Asamblea Parlamentare e aleancës perëndimore. Siç dihet, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s bëjnë pjesë parlamentarët nga vendet anëtare të NATO-s dhe siç ndodhi edhe në mbledhjen e saj në kryeqyttein shqiptar, ata takohen për të shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë si dhe me interesat dhe shqetësimet e përbashkëta. Asamblea është krejtsisht e pavarur nga NATO, por shërben si një lidhje midis aleancës së NATO-s dhe vendeve anëtare për të siguruar një konsensus parlamentar dhe publik në mbështetje të politikave të Aleancës.

Nga kryeqyteti shqiptar, deputetët e vendeve anëtare të NATO-s u bënë thirrje vendeve anëtare të aleancës ushtarake euro-atlantike që të jenë gati t’i përgjigjen kërcënimeve të mundshme të agresionit rus kundër vendeve të tyre. Kongresmeni amerikan dhe kryetari i Asamblesë, Michael Turner u tha nja 250-parlamentarve të vendeve të NATO-s se, “Rusia përbën kërcënime reale dhe serioze”. Në deklaratën përfundimtare të mbledhjes në kryeqytetin shqiptar, të miratuar unanimisht, parlamentarët shprehën gjithashtu keqardhjen e tyre në lidhje me, “Përdorimin e forcës nga Rusia kundër vendeve fqinje të saj si dhe për përpjekjet e Moskës për të frikësuar vendet aleate të NATO-s.” Në deklaratën e Tiranës, parlamentarët i kërkuan aleancës NATO që t’u sigurojë mbështetjen e saj vendeve anëtare të aleancës të cilat konsiderojnë se Rusia po kërcënon sigurinë e tyre, sidomos të vendeve anëtare të krahut jugor dhe lindor të Aleancës. Në deklaratën e tyre, pjesëmarrësit evropianë në takimin e Tiranës i bënë gjithashtu thirrje Aleancës Përendimore që njëkohsisht të shqyrtojë edhe mënyrat për uljen e tensioneve me Moskën.

Në sesionin pranveror tre ditorë të Asamblesë së NATO-s në Tiranë foli edhe Zëvëndës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Alexander Wershbow, i cili pasi uroi Shqipërinë me rastin e 7-vjetorit të antarësimit të saj në NATO shtoi se, “Integrimi euro-atlantik është çelsi i stabilitetit këtu në Ballkan.” Në fjalimin e tij, amerikani Alexander Wershbow u tha përfaqsuesve të Asamblesë së NATO-s në takimin e Tiranës se mbledhja e nivelit të lartë e NATO-s që do të mbahet në Varshavë mbrenda pesë javësh, “Po mbahet në një kohë kritike për aleancën tonë – në një kohë kur sigurimi ynë dhe vlerat tona po përballin sfida të konsiderueshme nga lindja dhe nga jugu”, pohoi ai. Ai paralajmëroi se në mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë do të merren vendime me rëndësi të cilat do t’ia bëjnë të qartë kujdo që dëshiron të na cenojë – qoftë nga lindja qoftë nga jugu – se një sulm kundër cilitdo qoftë anëtar të Aleancës NATO do të përballet me një kundër sulm të menjëhershëm nga të gjitha forcat e armatosura të Aleancës.

Të njëjtës temë i mëshoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një takimi të hënën në Varshavë me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, ku biseduan mbi përgatitjet për mbledhjen e nivelit të lartë të Aleancës së NATO-s në kryeqytetin polak, brenda në korrik. Gjatë një konference të përbashkët për shtypin me udhëheqsin polak, Z. Stoltenberg theksoi se mbledhja e Varshavës mbahet, “në një periudhë tepër kritike, ndërkohë që përballemi me sfidat më serioze ndaj sigurimit të përbashkët, në një gjeneratë”, theksoi zyrtari i lartë i NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Përendimore tha se mbledhja e nivelit të lartë në Varshavë do të jetë tepër e rëndësishme, për të mos thënë historike, për nga vendimet që pritet të miratohen aty. Ai shtoi se aleanca ka rënë dakort tanimë për një prani më të madhe ushtarake në vendet anëtare të krahut lindor të NATO-s, përfshir Poloninë. Udhëheqsi i NATO-s theksoi se nuk dëshëronte të lente asnjë pikë dyshimi mbi seriozitetin e angazhimit të organizatës që ai kryeson se, “Polonia do të ketë më shumë forca të NATO-s pas mbledhjes së nivelit të lartë në Varshavë, me qëllim për të dërguar një sinjal të qartë se një sulm kundër Polonisë do të konsiderohej si një sulm kundër të gjitha vendeve të Aleancës.”

Ndërkaq, në një fjalim që mbajti në Universitetin e Varshavës të martën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e bëri të qartë se çdo masë që po ndërmerr NATO është e një natyre mbrojtëse, proporcionale dhe në përputhje të plotë me angazhimet ndërkombëtare të NATO-s. Me këtë rast, ai theksoi gjithashtu se, “NATO nuk kërkon konfrontim me Rusinë”, duke theksuar se, “Aleatët e NATO-s mbeten të angazhuar për një dialog me Rusinë si dhe për një transparencë në çështjet ushtarake”, tha Z. Stoltenberg. Ndërsa Moska iu përgjigj deklaratës së Z. Stolenberg nepërmjet Zëvëndës Ministrit të Jashtëm rus, Alexei Meshkov i cili citohet nga media të ketë thënë se Rusia do t’i përgjigjet rritjes së pranisë ushtarake të NATO-s afër kufijve të saj.

Bazuar në lëvizjet e fundit të forcave të NATO-s drejtë krahut lindor dhe jugor të saj, si edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të organizatës euro-atlantike, duket se më në fund, Aleanca e NATO-s po i merr seriozisht sfidat dhe politikat agresive të Rusisë së Putinit, ndërkohë që udhëheqsit e saj dhe aleanca në terësi, tashti janë të bindur se një Rusi e cila kërcënon vendet fqinje me qëllim për t’i frikësuar ato dhe e cila ndryshon me forcë kufijt me vendet në periferi të saj, akte të tilla nga ana e Rusisë, “përbëjnë kërcënime reale dhe serioze” ndaj sigurisë në Evropë, përfshirë Ballkanin. Interesat ruse në Ballkan nuk janë as të reja dhe as të rastit. Ato janë të përhershme, por duket se vitet e fundit, sidomos ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë intensifikuar përpjekjet ruse për të shkaktuar probleme në ujërat e turbullta të Ballkanit. Pavarësia e Kosovës dhe prania e perëndimit atje, duket se është ferrë në sytë e Moskës sepse po pengon shtrirjen dhe konsolidimin e influencës dhe të dominimit rus në Ballkan.

Në të vërtetë, Profesori i Zelandës së Re, James Headley, në librin e tij, “Rusia dhe Ballkani” ka shkruar se kundërshtimi ndaj pranisë dhe influencës perëndimore në Ballkan është pjesë kyçe e politikës së jashtme dhe ushtarake ruse dhe se diplomatët rusë në Ballkan janë të urdhëruar që në veprimtarinë e tyre të kundërshtojnë me çdo mjet e mundësi dominimin e interesave të Perendimit në Ballkanin Perëndimor. Profesori i Zelandës së Re, ndër të tjera, thekson vendosmërinë e jo vetëm të elitës politike ruse në këtë drejtim, por edhe të medias dhe të akademikëve të Rusisë – jo vetëm për të kundërshtuar influencën perëndimor -- për të ruajtur dhe për të zgjëruar influencën diplomatike dhe ekonomike të Kremlinit në atë rajon. Të gjithë këta, sipas tij, e konsiderojnë këtë si një objektiv i detyrimit kombëtar rus.

Natyrisht se Aleanca e NATO-s i ka përpërgjegjësitë e veta për të kundërshtuar kërcënimet dhe politikat agresive të Kremlinit, sidomos ndaj vendeve anëtare të saja. Por, përgjegjësinë më të madhe për fatin dhe për sigurinë e këtyre vendeve duhet ta mbajnë vetë elitat politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Rusia me të drejtë dikton një mos aftësi dhe mungesë vullneti nga ana e klasës politike të atij rajoni për t’iu adaptuar standardeve të integrimit evropian dhe bën ç’mos që të përfitojë nga kjo situatë. Aleanca NATO me të drejtë është e shqetësuar për manovrimet politike, kërcënimet dhe agresivitetin e Rusisë putiniste ndaj krahut jugor dhe lindor të saj dhe si rrjedhim (me përjashtim të ndërhyrjes në Kosovë) duket se po zgjohet nga letargjia çerek shekullore. Për agresivitetin rus duhet të jenë edhe më të shqetësuar udhëheqsit e vendeve të Ballkanit, duke i marrë seriozisht këto kërcënime, nëqoftse me të vërtetë e kanë përcaktuar --ashtu siç thonë -- fatin e popujve të tyre me fatin e perëndimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat