KMDLNJ reagon ndaj linçimeve publike të njerëzve që arrestohen

Lajme

KMDLNJ reagon ndaj linçimeve publike të njerëzve që arrestohen

Më: 31 maj 2016 Në ora: 11:05
Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me rastet e arrestimeve të njerëzve në Kosovë.

Sipas KMDLNJ në Kosovë njerëzit linçohen publikisht pa u dënuar dhe pa u përfunduar procesi gjyqësir.

“Në Kosovë ku për rastet e ndjeshmërisë së lartë përgjegjësinë e kanë prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë , më parë të UNMIK – ut , tani të EULEX-it, zakonisht kur trajtohen këto raste arrestimit i paraprinë një fushatë mediale që e parapërgatitë terrenin për arrestime të bujshme , me pompozitet dhe spektakël medial e që në të shumtën e rasteve përfundojnë me vendime liruese për të akuzuarit të cilëve ua shkatërrojnë karrierën , ua shkatërrojnë reputacionin dhe ua shkatërrojnë familjet përmes linçimit publik. Ka shumë raste të tilla në Kosovë dhe i vetmi kompensim që u është bërë është llogaritja e ditëve në arrest me çmimin sa i kushton një i burgosur Buxhetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ arrestimet e fundit e të dyshuarve për vepra të rënda të penale në krye me Azem Sylën , ish komandantin e UÇK – së paraqet shkelje e të gjitha neneve të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara , Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës shkaku se të arrestuarit janë portretizuar si kriminelë të rrezikshëm , pa përfunduar hetimet e na të flasim për një vendim gjyqësor që dëshmohet fajësia e të arrestuarve të dyshuar e të cilët ende nuk e kanë një aktakuzë të ngritur.

“’Grupi i rrezikshëm kriminal , kriminelët që kanë bashkëpunuar me Serbinë , komandantë të Çagllavicës, Graçanicës ,etj ; ata që e rrezikojnë jetën e dëshmitarëve të mbrojtur , etj ....’ këto janë cilësime që drejtpërdrejtë ndikojnë në procesin e hetimeve , bëjnë presion te hetuesit duke paragjyk uar fajësinë e të arrestuarve ende pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim të një gjykate. Prokuroria e EULEX – it kërkon katër muaj paraburgim sikur edhe një proces të veçantë hetimor ndaj Azem Sylës shkaku se po u rrezikuakan dëshmitarët e mbrojtur. Këto janë sinjale të qarta se vështirë se do të ketë një proces të rregullt , të paanshëm , të pandikuar politikisht dhe të drejtë një atmosferë të linçimit publik të arrestuarve që tashmë duket se janë shpallur fajtorë”, thuhet në reagim.

KMDLNj tërheq vërejtjen se të gjithë personat e privuar nga liria , përkundër kufizimeve të disa të drejtave i kanë të garantuara të drejtat e parapara sipas neneve të lartcekura prandaj e konsideron si të papranueshëm dhe kundër të drejtave të njeriut linçimin publik dhe institucional ( ndërkombëtar ) që po u bëhet dhe u është bërë edhe më parë të arrestuarve , pavarësisht përkatësisë etnike , natyrës së veprës dhe përkatësisë politike.

“Vetëm vendimi i formës së prerë i gjykatave përkatëse , pas administrimit të provave , krijimit të kushteve për mbrojtje efektive të të akuzuarve , mund të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve. Kështu ndodh në vendet demokratike nga vijnë prokurorët dhe gjykatësit e EULEX – it dhe atje mbrohet dinjiteti i të arrestuarve por edhe i të dënuarve kurse fushata linçuese përmes medieve do të llogaritej si e papranueshme. Në Kosovë ndërkombëtarët e testojnë opinionin duke i furnizuar disa medie me informata sensacionale sikur rasti i prokurorit Vrejsvik që deklaronte se Limaj i ka shpërdorur 80 milionë euro. Apo akuzat për rastin ‘Kleçka’ . Apo rasti i ish guvernatorit Rexhepi , drejtorit të Bankës Milazim Abazi e shumë raste të tjera që përfunduan në pafajësinë e plotë të të akuzuarve pasi që iu shkaktuan vuajtje të mëdha shpirtërore dhe fizikie , atyre dhe familjeve të tyre dhe pasi ua rrënuar krejtësisht karrierat duke i dëmtuar profesionalisht dhe moralisht”, thuhet në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat