Djallëzia e një dileme të pa dokumentuar

Opinione

Djallëzia e një dileme të pa dokumentuar

Nga: Shkruan: Faton Abdullahu Më: 5 maj 2016 Në ora: 10:15

Përshtypje të veçantë, në dokumentarin e ‘Zona Express’-it të cilin e transmetoj Klan Kosova e i cili kishte të bënte me Kryeministrin aktual Isa Mustafa, më la muzika. Nganjëherë ajo ishte më impresive se vetë fjalët.

Pavarësisht se a ishte e mirë apo jo në aspektin artistik, muzika ishte e përzgjedhur me dedikim të ishte depresive e zymtë, bile me nota paralajmërimi trishtues, për një ugur të keq. Kjo mi kujtoj disi dokumentarët e sotëm për terrorizmin e në disa mënyra mi kujtoj dokumentarët në Jugosllavinë komuniste të cilët prezantonin rrezikun nga irredentizmi shqiptarë.

Dilema më e shpeshtë, që vihej vazhdimisht përgjatë vlerësimit të personalitetit të Kryeministrit Mustafa në këtë dokumentar ishte se, si ka mbetur aq gjatë ai në politikë. Pse Mustafa mbijetoj – pyet autori pandalshëm? Kësaj pyetje autori mundohej t’i përgjigjej tërthorazi gjatë gjithë kohës, me aludime, për të lënë vend të kuptohet atë që ai preferonte, jo atë që mund ta argumentonte. Autori i dokumentarit nuk pyeste se si ky njeri, edhe pse në politikë në kthesa të ndjeshme për Kosovën, nuk është koritë e korruptuar kurrë, për ta disfalifikuar përfundimisht vetveten nga politika. Autori nuk konstatonte se duke mos qene i tillë, Mustafa ka fituar në mënyrë të përsëritur besimin e qytetarëve për të vazhduar në këtë fushë, bile jo vetëm t’i përfaqësoj shqiptarët, por edhe të jetë lider i njërës nga partitë më të mëdha të Kosovës, si dhe të bëhet Kryeministër i një koalicioni shumë gjithëpërfshirës.

Jo autori gjithmonë e shtronte pyetjen me djallëzi, kinse si dilemë ‘si ka mundësi’ e të cilën duke e lënë pa argumentim e vendoste në shkallën e misterit, për të ngjallur pastaj dyshime në çdo veprimtari të jetës së tij. Të gjitha këto dyshime të mistershme, dokumentari i kriposte me editime e montazhe, për të qenë ato të gëlltitshme.

Herë me fotot e Josip Broz Titos, për të cilin potencohej se ishte një diktator që kishte vra mbi gjysmë milioni njerëz, herë me pamjet e fjalimeve të Millosheviqit, për të ngritur kështu dilemë, me aludimin se ai ishte në shërbim të dy këtyre diktatorëve. Ndërkaq vetëm shkarazi u përmend ajo që është e vërtetë e madhe se, Isa Mustafa në atë kohë ka qenë viktimë e përndjekjes millosheviqiane, për çka është shtrënguar të ik për të shpëtuar kokën, sepse është vënë në mbrojtje të mëvetësisë së Kosovës. Thënë përmbledhtazi të gjitha sukseset e Kryeministrit aktual, përfshirë punën akademike, zgjedhjet disa herë për Kryetar të Prishtinës, besimin për ministër, pastaj Kryeministër nuk thuhej se janë rezultat i punës dhe besimit që ai ka bërë dhe fituar, por prapë ngjallet dilema kinse e pa sherr ‘si ka mundësi Mustafa të mbijetoj’.

E keqja më e madhe në këtë rast nuk është ajo që me këtë dokumentar sulmohet Isa Mustafa. Fundja ky nuk është i pari nga kjo parti i cili akuzohet me aludime të kësaj natyre. Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, jo vetëm një herë, është shpallur tradhtar nga mendësia e ngjashme. E keqja më e madhe është se ky dokumentar dëshiron me aludime e dilema djallëzore të na shtyj të gjithëve të ngremë një pyetje e cila, më shumë se pyetje është akuzë - si ka mundësi një njeri kaq i mistershëm të jetë kaq gjatë në politikë, tani edhe në pozitën më të fuqishme politike në vend, pra kryeministër dhe të jetë gjithashtu kryetar i njërës nga partitë me të mëdha, LDK-së. Fjalia e fundit e dokumentarit për të cilin po flas, është kjo : “Pritet rënia përfundimtare e Isa Mustafës. Ka rrezik që ky akademik pas vetes të marr edhe gjithë partinë të cilën LDK e konsideronte parti të akademikëve’. Kjo më jep të drejtë të konstatoj se shënjestër e dokumentarit, në kuptimin sikundër e shpjegova, është Isa Mustafa Kryeministër, por edhe më shumë se kaq është Isa Mustafa lider i LDK-së dhe vetë LDK-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat