Sylëmuesit e Gjakovës

Opinione

Sylëmuesit e Gjakovës

Nga: Qamil S. Llashtica Toronto, KANADË Më: 5 maj 2016 Në ora: 07:06

Nga fundi i vitit 1944 serbët kishin mobilizue shumë forca kundër ushtrisë vullnetare të Shaban Polluzhës që po luftonte heroikisht në Drenicë. Për këtë qëllim serbët kishin nisun nga Gjilani nji brigadë që përbahej nga të rijtë e kësaj ane, kjo brigadë ma vonë u quejt ,,brigada e rinisë” komandant të saj ishin herojt e popullit dhe dëshmorët e atdheut, Isuf Kiki dhe Raif Cerrnica. Kjo brigadë jo vetëm që nuk luftoi kundër atdhetarëve drenicakë por ajo i ndihmoi tërthorazi dhe ma në fund kaloi në anën e Shaban Polluzhës, por para kësaj ajo u kujdes dhe kreu punë me shtabin çetnik që ishte vendosun në Prekaz.

Ishte dimën, kishte ra borë, nxente njifarë dielli, gjilanasit kishin ndezun disa zjarre dhe po ngroheshin e po pushonin. Komandantët i mblodhën luftarët dhe u treguen se po vinte Brigada Sulmuese e Gjakovës dhe se do të kalonte këtupari dhe i urdhnuen luftarët që të mos e flisnin asnji fjalë me ta. Askush nuk e dinte kuptimin e fjalës ,,sulmues” disa thanë se ndoshta i kanë sytë e lëmuet dhe kështu mbeti, vazhduen të ngroheshin dhe t’i prisnin ,,sylëmuesit,,. Nuk vonoi shumë dhe që nga larg u ndie zhurma e tyne. Po vinin me kangë e brohori, këndonin kangë partizane dhe kangë për bashkim-vëllaznimin. Kur kaluen pranë gjilanasve të cilët në radhë të parë po ua shikonin sytë, u thanë ,,... ju nuk po doni me luftue, tashti na ia tregojmë qefin atij, ka me e pa ai se kush asht brigada sulmuese,, dhe lëshuen disa fjalë mjaft të randa kundër atdhetarit të madh –Shaban Polluzha. Ashtu me kangë e me zhurma u nisën drejt pozitave të drenicakëve.

Rini e çmendun po shkonte drejt vdekjes, drejt vëllavrasjes, dejt tradhtisë ...

Ne e dinim fort mirë se çka do t’i gjente këta të shkretë ,,gjilanasit e dinin taktikën luftarake të drenicasve. E kobshme për serbët ishte fjalia ,,a dulën krejt” (a dolën të gjithë? )-- luftarët zinin pozitat rend në ndonji çubak dhe para vetit kishin ndonji arë, rogë, ledinë apo ndonji vend të zhveshun, në këtë vend prisnin të dilnin serbët, prisi i tyne pyeste me shenja e pa zhurmë ,,a dulën krejt,, dhe kur merrte përgjegjen se dolën të gjithë, atëherë i pari e merrte në shej të parin, i dyti të dytin, i treti të tretin e kështu me radhë deri te i fundit dhe ai që mbetej në kambë - të gjithë ndaj tij... - rrallëkush shpëtonte lëkurën në këtë rast. Unë shpresoj që drenicasit të mos e kenë përdorë këtë taktikë të kobshme ndaj sylëmuesëve tanë.

Mbas nji hamle (kohe) u ndëgjue krisma – sylëmuesit hynë në luftë. Dikur vonë pushoi pushka. Po kthehej Brigada Sulmuese e Gjakovës po kthehej e përgjysmueme, e sakatosun dhe e përgjakun; nji pjesë kishin mbetun atje në kodra të tjerët të plagosun e të ngarkuem në saja, gjaku i tyne shkonte vazhgë nëpër borë, britmat dhe gjamët e tyne ndëgjoheshin deri në kupë të qiellit. Luftarët e Brigadës së Rinisë ishin po në atë vend, sylëmuesit tashti po ktheheshin të heshtun e pa zhurmë, gjilanasve u shkonte mendja t’u thoshin ,,a jeni ju qata sulmuesit....,, po urdhni ishte urdhën dhe nuk folën.

Jo këta të mjerë nuk i kishin sytë e lëmuet po ,,koka u kishte marrë erë,, kush ua shpërlau trunin dhe ua nguliti në kokë idenë e bashkimit dhe të bashkëjetesës me serbët? Kush i mori në qafë këta kokëshkretë që shkuen ,,si qeni në rrush,, kush tjetër përpos atij apo atyne që u ngjitën deri në shkallët ma të nalta të federatës jugosllave dhe që jetuen si faraonë -- faraonët e Gjakovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat