"Mrekullia" e fitores preshevare

Opinione

"Mrekullia" e fitores preshevare

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 4 maj 2016 Në ora: 11:28

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale që u mbajtën më 24 prill 2016, për shumëçka paraqesin "mrekulli", që duhet të shërbej si model që duhet vlerësuar dhe afirmuar si shembull i mirë për të ndjekur, në Republikën e Kosovës, në Maqedoni, e sidomos në Shqipëri dhe rajon.

Ku qëndron sekreti i kësaj "mrekullie" preshevare?

Sekreti apo e vërteta e kësaj mrekullie qëndron në faktin se, zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, që u mbajtën së bashku, më 24 prill 2016, kaluan pa asnjë incident, madje pa as më të voglin incident, si dhe pa asnjë ankesë të ushtruar në Komisinin Zgjedhor apo në Gjykatë, edhepse pushteti lokal i udhëhequr nga Ragmi Mustafa, ishte kujdesur që të krijoj tollovi, rrëmujë dhe mosorganizim ekstrem, si me listat e votuesve, të cilat ishin në alfabetin cirilik dhe krijonin probleme, vështirësi e rrëmujë të madhe për gjetjen e votuesve në lista dhe për t'u realizuar procedura ligjore e votimit.

Pushteti komunal e kishte për obligim që t'i përgatis listat e votuesve në alfabetin latin, që i përshtatet emrave shqiptarë, pushteti lokal i Partisë Demoktatike Shqiptare të Ragmi Mustafës nuk e kishte bërë këtë, duke e vështirësuar skajshmërisht procedurën e votimit.

Kështu, u krijuan tollovi dhe radhë të gjata në vendvotime, sidomos në Preshevë, ku radhët e gjata ishin edhe pas orës 20:00, kur përfundonte orari i votimit.

Mirëpo, votimi zgjati në disa vendvotime, sidomos në qytet, deri në mesnatë.

Por, edhepse u maltretuan tmerrësisht votuesit, duke pritur me orë të tëra në radhët e gjata dhe të pafund për të votuar, megjithatë ata treguan durim të madh, rregull e qetësi, meqë ishin të vendosur më shumë se kurdoherë për ta hequr nga pushteti bandën qeverisëse të mafiozëve dhe matrapazëve të pushtetit lokal, të cilët edhe në zgjedhjet e vitit 2012 kishin vepruar njësoj.

Kurse, shesin parriotizëm gjithandej pa fije turpi dhe pa ndërgjegje elementare qytetarie dhe pa ndjenja elementare përgjegjësie kombëtare e morali civilizues.

Prandaj, votuesit ishin të vendosur për ta ndryshuar këtë pushtet të papërgjegjëshëm e banditesk që ishte pasuruar nga vjedhja e pasurisë publike dhe qëndronte në pushtet nga vota e vjedhur dhe nga blerja e votës me para dhe mjete të thera korruptuese.

Për këtë arsye, humbja e tyre në këto zgjedhje, shqiptarët e Preshevës e përjetuan si fitore të madhe dhe si çlirim nga kjo bandë kriminale e biznespolitikës së pangopëshme e antishqiptare të kësaj pjese të Shqiptarisë.

Emërues i përbashkët i fushatës parazgjedhore të tri partive politike shqiptare: PVD, UDSH dhe Alternativa për Ndryshime ishte rrëzimi i mazhorancës qeverisëse të pushtetit komunal në Preshevë dhe transparenca.

Këtë ata e arritën me fitore bindëse, që u përjetua dhe festua me këngë, valle e defilime, si fitore gjithëpopullore.

Prandaj edhe koalicioni qeverisës paszgjedhor midis këtyre partive politike shqiptareu arrit në kohën rekorde. Pa asnjë vërejtje apo hamendje as më të voglën.

Kurse, sa i përket transparencës së premtuar gjatë fushatës, ajo filloi të zbatohet, madhe në mënyrën më të plotë dhe të paparë ndonjëherë në Preshevë, të enjtën, më 28 prill 2016, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes qeverisëse APN-PVD, me ç'rast, e tërë procedura ishte plotësisht publike dhe transparente, para mediave dhe publikut, si dhe me publikimin e të gjitha detajeve të kësaj Marrëveshje në media dhe në rrjetet sociale në internet në fb. YouTube, etj.

Kjo ishte befasi shumë e këndëshme dhe "mrekullia" që u mirëprit me admirim she entuziazëm nga e tërë popullata dhe votuesit e Preshevës. meqë nuk kishte ndodhur në këtë mënyrë dhe në këtë nivel, kurrë më parë.
Transparenca është kushti themelor i mirëqeverisjes dhe i kontrollit popullor të pushtetit.

Kurse, qeverisja jotransparente, sekrete, tinzare, e mëshefur nga sytë e popullit dhe klienteliste, që ishte e pranishme, madje në formën më të paskrupullt dhe më të papërgjegjëshme e mafioze tek qeverisja e deritanishme dymbëdhjetvjeçare e pushtetit lokal në komunën e Preshevës.

Ndërsa, dihet mirëfilli se, ku nuk ka transparencë në qeverisje, aty ka keqqeverisje, hajni, korrupsion në dhënien e tenderave "me ujem" 10-50%, si dhe në përgjithësi në prokurimin publik, që mundëson vjedhjet e keqpërdorimet dhe pasurimin e pushtetmbajtësve dhe të firmave të që figurojnë në emër të familjarëve të tyre, që u pasuruan dhe u rritën me vjedhjet nga buxheti komunal i Preshevës, që u kalua në xhepat privat të Ragmi Mustafës dhe familjarëve e bashkëpartiakëve të tij.

Dëshmitë për këto vjedhje dhe grabitje të pasurisë publike dhe parasë së taksapaguesve të Preshevës janë "sukseset" e firmave të tyre, që privatizuan me plaçkitje firmat shoqërore dhe për shkak të argatllëkut antishqiptar dhe bashkëpunimit sekret me Serbinë, me "akrobacionet patriotike" me Lapidarin, Asociacionin e mbështetjen e opsionit serb për ndarjen e Kosovës, dhënien e "Zahvallnicës" Kryeministrit të Serbisë, etj., ata fituan e morën grante të pafund dhe kredi "të buta" nga Serbia.

Kurse, firmat tjera jobashkëpunuese me pushtetin lojal dhe Serbinë, u dëmtuan rëndë dhe falimentuan shumica prej tyre.

Prandaj, transparenca e plotë e premtuar e qeverisjes së koalicionit fitues APN-PVD, të këtyre zgjedhjeve, që do qeverisë me pushtetin lokal të komunës së Preshevës në mandatin 2016-2020, është premtues, meqë janë betuar para popullit se do sigurojnë transparencë dhe mbikëqyrje të plotë nga publiku, për të pasur shikim dhe kontroll të plotë në qeverisjen lokale.

Kjo, vërtetë, do ishte "mrekullia" dhe garancë për qeverisje të mirë e të përgjegjëshme, që do të shërbente si model për Luginën dhe për mbarë Shqiptarinë e rajonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat