Anëtarsimi i FFK-së në UEFA, një fitore e madhe për Kosovën dhe sportin shqiptar..!

Opinione

Anëtarsimi i FFK-së në UEFA, një fitore e madhe për Kosovën dhe sportin shqiptar..!

Nga: Nga: Rexhep ELEZAJ Më: 3 maj 2016 Në ora: 21:22

Nuk ka asnjë dilemë, se pranimi i sotëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në UEFA, i ka gëzuar të gjithë shqiptarët anë e kënd botës, natyrisht më së shumti ekipet futbollit kosovarë si dhe gjithë futbollistët dhe simpatizuesit e tyre, sepse që nga sot e tutje u janë hapur dyert për dalje dhe konkurrencë në arenën e futbollit ndërkombëtar, qoftë si ekip nacional, qoftë edhe si klube të futbollit për të marrë pjesë të barabartë në kampionatet e ndryshme të futbollit, si sporti më masiv që është, e që organizohen në Evropë dhe më gjerë.

Mirëpo, ajo që duhet të theksohet më këtë rast historik për Kosovën, si dhe sportin kosovarë, është pesha politike e këtij anëtarësimi në UEFA, duke pasur parasysh numrin akoma jo të mjaftuar të shteteve njohëse të pavarësisë së Kosovës për anëtarësimin e saj në OKB, numër i cili do t’i siguronte anëtarësim të plotë (2/3 e anëtarëve të saj) në këtë organizatë botërore, ku deri më sot vetëm 111 shtete, anëtare të saj e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë më 17. Shkurt 2008 e deri më sot.

Prandaj, duke e ditur faktin se sporti dhe sportistët, e cilës do disiplinë, janë ambasadorët më të mirë për hapjen e dyerve të miqësisë si dhe prezantimin e vlerave kulturore dhe sportive të popullit dhe shtetit të Kosovës edhe tek vendet të cilat akoma nuk e kanë njohur si shtet të pavarur, anëtarësimi i sotëm i FFK-së në UEFA, shënon njërin ndër hapat më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, por edhe diplomatike. Por, ky anëtarësim është edhe një fitore e madhe kundër hegjemonizmit serb ndaj Kosovës, i cili siç u pa në Kongresin e sotëm në Budapest, përfaqësuesi i federatës së futbollit të Serbisë foli më gjuhën shoviniste dhe racore kundër Kosovës, derisa zyrtarë të lartë të UEFA u detyruan që t’ua tërheqin vërejtjen zyrtarëve serb, se urrejtjet dhe racizmi janë të papranueshëm në UEFA si dhe në çdo sport tjetër në Evropë.

Edhe njëherë, urime të përzemërta FFK-së për anëtarësimin e saj në këtë organizatë prestigjioze ndërkombëtare të futbollit, urime gjithë sportdashësve të futbollit dhe sportit kosovarë, si dhe popullit të Kosovës për këtë fitore më peshë të madhe për sportin, por edhe për gjithë shqiptarët si komb kudo që jetojnë në botë..!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat