Historia e europianëve të futbollit. Kur sovjetikët fitonin kampionatin e parë

Opinione

Historia e europianëve të futbollit. Kur sovjetikët fitonin kampionatin e parë

Nga: Nga Skifter Këlliçi Më: 3 maj 2016 Në ora: 18:40

Në prill të vitit 1958, student i vitit të fundit të Fakultetit Gjuhë-Letërsi në UT, nisa të botoja shkrimet e para për sportin ndërkombëtar dhe kryesisht për futbollin, aq më tepër që në qershor të atij viti fillonte në Suedi Kampionati i 6-të Botëror i Futbollit. Që nga ajo kohë dhe deri tani kam shkruar cikle, madje dhe libra kushtuar botërorëve dhe europianëve të futbollit. Dhe, si çdo shqiptar, gjithmonë kam dëshiruar që edhe atdheu ynë, Shqipëria, të përfaqësohej të paktën në një nga këto veprimtari. Dhe ja kjo ëndërr e madhe jona tashmë është njëmendësuar.

Së pari pak histori…

Kur më 1916-n, zhvillohej kampionati i parë i Amerikës Latine në futboll, që zyrtarizonte fitues skuadrën e Uruguait, vendet europine të ndara në dy aleanca-Antanta, ku bënin pjesë Anglia, Franca, Rusia me aleatët e tyre dhe Boshti Qendror, i kryesuar nga Gjermania që kishte pas vetes Austro-Hungarinë, Rumaninë, Turqinë…, zhvillonin edhe ato një lloj …“kampionati”, jo në fushat e futbollit , por në fushat, kodrat malet dhe detet që ndanin i ndanin ato, ku vendin e topit të rrumbullakët të futbollit e zinin… topat e artilerisë, mitralozët, pushkët, avionët, anijet, që sillnin si pasojë shkatërrimin e qyteteve, fshatrave, rrugëve, urave, por mbi të gjitha humbjen e miliona njerëzve nga të dypalët, ngjarje që aq tragjikisht i ka përshkruar shkrimtari i madh gjerman, Remark, në romanin e tij “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”.

Atyre viteve të luftës, futbolli, sportet, lojërat dhe zbavitjet e tjera mund të shiheshin vetëm në ëndrra, ose mund të kujtoheshin në biseda të trishta për kohë që nuk dihet a do të vinin përsëri.

Por ja që më 1927-n, Ugo Meisli, (1881-1937), një ndër drejtuesit më të shquar të Federatës Austriake të Futbollit, hodhi idenë e zhvillimit të një veprimtarie ndërkombëtare midis skuadrave më të mira të Europës Qendrore në futboll, që u quajt Kupa “Mitropa”. Ajo u zhvillua deri në 1939, me pjesëmarrjen e skuadrave të Hungarisë, Çekosllovakisë, Austrisë, Zvicrës, Jugosllavisë, (që më pas u zëvendësua nga Italia).

“Sparta” e Pragës, “Ferencvaroshi” i Budapestit, “Rapidi” dhe “Austria” e Vjenës dhe “Bolonja” e këtij qyteti italian, ishin disa herë fituese të kësaj kupe, që u bë popullore, por që u ndërpre në prag shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas përfundimit të kësaj lufte, që ashtu si Lufta e Parë Botërore, i solli kaq dëme materiale dhe njerëzore popujve të Europës, u bënë përpjekje që kjo veprimtari të rilindte. Madje ajo u quajt Kupa “Jozef Gero”, në kujtim të Presidentit të Federatës Austrike të Futbollit që ndërroi jetë më vitin 1954.

Mirëpo nuk thotë kot populli që “buka e thyer nuk ngjitet më”. Kështu ndodhi edhe me fatin e kësaj kupe. Ajo humbi interesin që kishte pasur vite më parë. Një ndër arsyet kryesore ishte edhe sepse Çekosllovakia dhe Hungaria, dy vende me tradita të mëdha në futboll, të dyja finaliste të botërorëve të futbollit më 1934 dhe 1938, kur kurorën e mbretëreshës e kishte vënë në kokë Italia, ishin veçuar pas perdes së hekurt, nën diktaturën komuniste, që e udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik stalinist, kishte ndërprerë çdo lidhje me Perëndimin.

Edhe një tjetër kampionat, ai i Europës Qendrore, me pjesëmarrjen e Hungarisë, Çekosllovakisë, Jugosllavisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë, ku kombëtarja jonë pas fitores kundër rumunëve në Bukuresht, (1-0), barazimeve me Jugosllavinë në Beograd dhe Hungarinë në Tiranë, (0-0), kryesonte, nuk përfundoi dot. Këtë radhë për arsye se Stalini e përjashtoi Jugosllavinë e Titos nga kampi socialist, sepse kishte tradhtuar parimet e marksizëm-leninizmit, ose më mirë të vetë…Stalinit.

Sidoqoftë, themelimi i Federatës Europiane të Futbollit më 1954 (UEFA), ishte një ogur i mirë që një ditë do të sillte lajme po aq të mira në horizontin e futbollit europian, i cili kishte nevojë për zhvillime të reja. Dhe me të vërtetë kështu ndodhi.

Një ndër veprimtarët më të shquar të kësaj federate, francezi Anri Delone, (1883-1955) i cili qysh më 1919 kishte qenë pjesëtar edhe i forumeve më të larta të FIFA-s, jo vetëm hodhi idenë e organizimit të kampionateve europiane të futbollit, por edhe zuri ta vinte atë në jetë. Por mjerisht ai vdiq më 1955. Por jo ideja e tij.

Të papriturat e këtij kampionati

Kështu më vitin 1960, UEFA, nisi të parin europian të futbollit. Dhe, meqë ideuesi dhe organizuesi ishte francez, UEFA vendosi që faza përmbyllëse e këtij europiani të zhvillohej në qershor të atij viti në Francë.

Mirëpo me gjithë thirrjet patetike të krerëve të UEFA-s, vetëm 17 vende pranuan të merrnin pjesë në Europianin e Parë të Futbollit. Ndër munguesit e parë, si në tre botërorët e parë të vitit 1930 në Uruguai, ishin anglezët, “shpikësit”e futbollit dhe italianët, dy herë Kampionë të Botës. Mbase edhe pse e parandienin se “nuk do t’u mbanin leqet e këmbëve” në këtë mejdan, pas dështimeve që kishin pasur në botërorët e viteve 1950, ‘54 dhe ‘58… Munguan edhe gjermano-perëndimorët. Ndoshta sepse ndjenin ende shijen e hidhur të humbjes 3-6 kundër Francës në Botërorin Suedi 1958 , që i degdisi nga kampionë të botës më 1954, në vendin e katërt.

Një ndër munguesit, por që nuk ra në sy, ishte dhe Shqipëria. Siç duket, për të vazhduar traditën e vetizolimit të saj sepse ndeshjen e fundit ndërkombëtare e kishte më 1 maj të vitit 1958 me RD Gjermane , (1-1) dhe të parafundit… më 28 nëntor të vitit 1953 me Çekosllovakinë, (2-1) kur marrëdhëniet sportive, të paktën me vendet socialiste, kishin qenë “grurë”. Por, veç B. Sovjetik, Çekosllovakisë dhe Hungarisë edhe ato vende munguan në Evropianin e parë.

Organizuesit e Euro 1960 u vunë në hall të madh, por jo aq sa ata të FIFA-s në Botërorin e Parë të Futbollit, të zhvilluar më 1930 në Uruguai, ku “begenisën” të merrnin pjesë vetëm… 13 skuadra. Kështu në këtë europian u vendos që ndeshjet e fazës së parë të zhvilloheshin me sistem mënjanimi të drejtpërdrejtë, me dy takime vajtje-ardhje. Pati vetëm një takim para mënjanues, Çekosllovaki- Norvegji, ku për mosparaqitje të skuadrës nordike, u kualifikuan çekosllovakët.

Ja rezultatet që dhanë këto takime:

Bashkimi-Sovjetik –Hungari3-1 dhe 1-0;

Francë-Greqi 7-1 dhe1-1;

Poloni-Spanjë 2-4 dhe 0-0;

Norvegji-Austri 0-1 dhe 2-5;

Danimarkë-Çekosllovaki 2-2 dhe1-5;

Jugosllavi-Bullgari 2-0 dhe 1-1;

Rumani-Turqi 3-0 dhe 2-0;

Gjermani Perëndimore-Portugali 0-2dhe 3-2.

Në fazën e dytë pritej që takime të forta të ishin ato të çiftit Spanjë-Bashkimi Sovjetik, sepse futbolli rus pas një izolimi të gjatë që më 1917, kishte dalë për herë të parë në arenën ndërkombëtare në turneun e Olimpiadës së vitit 1952 në Helsinki dhe në botërorin e vitit 1958 në Suedi, ku kishte arritur deri në çerekfinale duke mënjanuar Austrinë madje, edhe Anglinë. Në këtë takim pritej dyluftimi midis sulmuesit argjentinas të spanjizuar, Di Stefano dhe portierit legjendar rus, Jashin. Mirëpo me urdhër të posaçëm të diktatorit Franko, përfaqësuesja spanjolle u tërhoq. Sipas një versioni kjo ndodhi pasi në fillim të viti 1960 aeroplani spiun amerikan U2 ishte rrëzuar afër qytetit sovjetik Sverdlovsk dhe piloti i saj, Pauers, ishte kapur rob. Dhe, meqë marrëdhëniet midis B. Sovjetik dhe Amerikës deri atëherë të përmirësuar bukur mirë, ishin ashpërsuar, diktatori Franko, për të mos u prishur qejfin aleatëve amerikanë, vendosi që asnjë ekip sportiv spanjoll nuk do të ndeshej me një ekip sovjetik. Kështu skuadra sovjetike kaloi drejtpërdrejt në gjysmëfinale dhe Spanja u dënua nga UEFA me një gjobë të rëndë.

Në çiftet e tjera të kësaj faze u arritën këto rezultate:

Francë-Austri 5-2 dhe 4-2;

Rumani-Çekosllovaki 0-2 dhe 0-3;

Portugali-Jugosllavi 2-1 dhe 1-5.

Faza përmbyllëse, siç thamë, u zhvillua në Francë, në qershor të vitit 1960, me pjesëmarrjen e çifteve Francë-Jugosllavi që u luajt në Paris, (stadiumi “Park de Prens, (40. 000 shikues) dhe Çekosllovaki-Bashkimi- Sovjetik në Marsejë. (Stadiumi “Velodrom”, gjithashtu 40. 000 shikues).

Pritej që Franca të kalonte lehtësisht në finale para Jugosllavisë, që pas Luftës së Dytë Botërore nuk kishte arritur ndonjë nivel të lartë në arenën ndërkombëtare, po të përjashtojmë vendin e dytë në Ballkaniadën e vitit 1946 në Tiranë pas kombëtares, ndonëse kishte në gjirin e saj lojtarë të kalibrit ndërkombëtar, të tillë si portieri Shoshkic dhe sulmuesit Galic dhe Jerkovic. Kurse Franca kishte zënë vendin e tretë në botërorin e zhvilluar në Suedi dy vjet më parë, më 1958 kur kishte mundur Gjermaninë Perëndimore 6-3 dhe ku ylli i saj Fonten, me 13 “të shtëna’ ishte bërë snajperi më i mirë i tij.

Takimi u përshkua nga çaste shumë emocionuese, ku herë shënonte njëra e pastaj barazonte skuadra tjetër. Një çast francezët udhëhoqën 3-2, por më së fundi me golin e Galicit në minutën… jugosllavët fituan 5-4 dhe arritën në ndeshjen finale, ku do të viheshin përballë skuadrës sovjetike, për të cilën takimi me cekët qe vetëm një shëtitje, po të marrim parasysh se fituan lehtësisht 3-0.

Këto skuadra përplaseshin për herë të tretë që nga viti 1952, ku gjatë turneut të futbollit në kuadrin e Olimpiadës së Helsinkit kishin arritur në gjysmëfinale. Them përplaseshin, sepse vërtet në flamujt e këtyre dy vendeve xixëllonte ylli i kuq pesëcepësh, por ai i jugosllavëve quhej flamur “revizionisto-titist”, kurse i sovjetikëve “komunisto-stalinist”.

Që të mos zgjasim, pas barazimit në takimin e parë, (5-5), megjithë shtesën e lojës, (asokohe nuk ishte “shpikur” lotaria e 11-metërshave), ishin pikërisht futbollistët e vendit që kishte tradhtuar parimet e marksizëm-leninizmit, ose më saktë të Stalinit, pra futbollistët jugosllavë, që fituan 3-1, për t’u mundur në finale 2-0 nga futbollistët hungarezë të Pushkashit të famshëm, ku mbretëronte diktatori stalinist Rakoshi.

Por më 1960 kjo ndeshje, tashmë në finale, zhvillohej midis skuadrave të dy vendeve socialiste, sepse pas kaq vitesh armiqësie Hrushovi ishte pajtuar me Titon duke e quajtur marksist-leninist të flaktë dhe duke ia hedhur të tëra fajet dogmatikut Stalin, i cili pa të drejtë e kishte përjashtuar Jugosllavinë nga “vatha” socialiste.

Ndeshja përmbyllëse e Europianit Francë 1960 u zhvillua në mbrëmjen e freskët të 25 qershorit në stadiumin “Park dë Prens” të Parisit, gjysmë të boshatisur, sepse tifozët francezë të zhgënjyer nga mënjanimi i skuadrës së tyre, parapëlqyen më shumë që ta ndiqnin ndeshjen nga ekranet e televizioneve.

Më vitin 1960 unë isha 22 vjeç dhe prej një viti punoja gazetar i emisioneve kulturore dhe sportive në Radio- Tirana. Në faqet e “Zërit të Rinisë” kisha shkruar për botërorin suedez më vitin 1958 që kishte përfunduar më triumfin e Brazilit të Peles. Kisha shkruar më pas edhe për ndeshjet e këtij europiani.

Atëherë për ne shqiptarët televizioni ishte ende ëndërr. Kështu takimin e ndoqa me radio nëpërmjet të zërit të radio-kronistit të madh sovjetik, Nikollaj Ozerov. Por, meqë zëri i tij gjatë transmetimit nuk vinte mirë, e ndoqa pastaj nga Radio -Beogradi, sidoqë serbo-kroatisht kuptoja fare pak. Ndeshja e zhvilluar më 24 qershor , u gjykua nga anglezi Ellis. (Një natë më parë Çekosllovakia kishte mundur Francën 2-0 dhe ishte renditur e treta).

Të parët shënuan jugosllavët me anë të Galicit. Kjo ndodhi katër minuta para se të mbyllej pjesa e parë. Por katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë për sovjetikët barazoi Metreveli, me origjinë gjeorgjiane, nga futbollistët më teknikë të tyre. Me gjithë orvatjet e të dyja skuadrave, koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Vetëm në minutën e 114-të, pra në shtesën e lojës, qendërsulmuesi sovjetik Panjexjelnik shënoi me kokë golin e dytë që ishte edhe goli i fitores.

Kështu skuadra sovjetike, e përbërë nga Jashin, Coheli, Masljonkin, Krutikov, Voinov, Neto, Metreveli, Ivanov, Panjexelnik, Bubukin, Meshi, me trajner Kacalinin, regjistroi emrin e saj në librin e kampionëve të parë europiane të futbollit që nisi kështu historinë me të cilën do të vazhdojmë t’i njohim lexuesit tanë me shkrimet e ardhshme.

Ndoshta dikujt mund t’i duket e çuditshme se si skuadra e një vendi socialist si Bashkimi Sovjetik, që nuk kishte tradita të mëdha në futboll, si në sporte të tjera në të cilat kishte ngadhënjyer në kampionate europiane, botërore dhe olimpiada, të vinte mbi kokë kurorën e mbretëreshës së Europës në futboll.

Por siç përmenda dhe më sipër, ndonëse kishin marrë pjesë për herë të parë në një botëror futbolli, (Suedi 1958), sovjetikët kishin arritur në çerekfinale, ku ishin mënjanuar nga suedezët , (0-2), skuadër që e kishin shpartalluar 6-0 një vit më parë. Por atyre u mungonte qendërsulmuesi Strelcov, që mendohej se në këtë europian do të vlerësohej po aq sa 17-vjeçari Pele, i cilësuar fenomenal në atë botëror.

Dhe të mendosh që Strelcovi u dënua pas intrigash makiavelike, të kurdisura nga vetë sigurimsat sovjetikë, veç të tjerash, edhe se qeveritarët rusë kishin frikë se mos ai do të arratisej në Perëndim.

Që nga viti 1956, asokohe djalë 18- vjeçar, lexoja vazhdimisht shtypin sovjetik dhe më kujtohet pritja madhështore që ju bë skuadrës sovjetike në stadiumin “Lenin”në Moskë. ( Gjatë këtyre viteve kam parë në internet dhe kronikën e kësaj finaleje. Pas finales shumë nga futbollistët jugosllavë zunë të qanin nga dëshpërimi, sepse, po të kishin fituar, Presidenti Tito do t’i dhuronte secilit futbollist nga një vilë, me oborr dhe nga një makinë, që asokohe quhej pasuri përrallore).

Nga ana tjetër, në Bashkimin Sovjetik u përhap fjala se kampionët ishin mbushur dingas me para! Madje u pëshpërit një thashetheme, vetë kreu i shtetit sovjetik, Hrushovi, i kishte dhuruar Ponjexjelnikut një makinë “Vollga”!. . Por më pas kur e pyesnin Ponexjlniku me sa dukej nga frika përgjigjej: “Po, shoku Hrushov ma ka dhuruar, por, meqë është shumë i zënë, ende nuk e kam… marrë”.

Golshënuesit më të mirë:Et, (Francë), Galic, Jerkovic, (Jugosllavi), Ivanov, Ponexjelnik, (B. S), me nga 2 gola.

Skuadra simbolike e Euro 1960-ës;

Jashin, (B. Sovjetik), Durkovic, (Jugollavi), Novak, (Cekosllovki). Masopust, (Cekosllovski), Neto, (B. Sovjetik), Shekularac, (Jugosllavi), Metreveli, (B. Sovjetik), GaliC, (Jugosllavi), Kostic, (Jugollavi), Ivanov, (B. Sovjetik), Ponjexjelnik (B. Sovjetik).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat