Shteti ligjor falimenton kur sfidohet nga antishteti i korrupsionit

Opinione

Shteti ligjor falimenton kur sfidohet nga antishteti i korrupsionit

Nga: Nga Skënder S.KAPITI Më: 2 maj 2016 Në ora: 18:51

Ky fakt vertetohet thjeshtë nga realiteti pa qenë nevoja të hysh në analiza e hulumtime filozofike për shtetin, demokracinë, të drejtën dhe ligjin. Shteti shqiptar në dukje dhe si fasadë paraqitet demokratik , me shumë parti, me zgjedhje, me ligje, me parlament, me qeveri, me sistem infrastrukture formale drejtësie etj.etj., por praktikisht keqfunksionon demokratikisht dhe mirëfunksionon si i korruptuar dhe antiligjor; pra edhe si një shtet-pushtet paralel korrupsioni pa standarte të shtetit ligjor dhe demokratik, gjë e cila e ka lënë vëndin të prapambetur civilizisht, demokratikisht, pa mirëqënie dhe të vonuar dhe të fundit në rrjedhat e integrimit europian.

Përderisa në vëndin tonë ka dështuar deri më sot ndërtimi dhe funksionimi i shtetit modern demokratik dhe ligjor, dhe shteti është mundur nga antiligji, padrejtësia dhe antishteti atëhere kjo do të thotë se kemi dhe një si shtet paralel korrupsioni apo edhe ashtu si edhe e quajnë me të drejtë shumë politologë dhe analistë atë që në Shqipëri korrupsioni është ngritur në sistem, gjë të cilën e verteton edhe fakti se 90% e shqiptarëve nuk besojnë te drejtësia pasi ligjin dhe drejtësinë e bëjnë dhe e japin vetëgjyqësia politike, e krimit, ryshfetit, korrupsionit dhe e parasë, pra ky shteti paralel i këtyre të fundit, ose antishteti.

Këtë shtet në dukje ligjor dhe demokratik dhe shtetin paralel të padukshëm fantazme të korrupsionit i qeverisin të njëjtët njerëz, dhe ata janë pushteti dhe kundërpushteti ose pozita dhe opozita, përderisa kemi 25 vite që këta dhe korrupsioni i tyre i fshehtë po edhe i dukshëm, konkurues por edhe bashkveprues e mbajnë Shqipërinë në krye të klasifikimit europian për korrupsion dhe se asnjë prej tyre, pozitarë apo opozitarë i çfarëdo boje politike nuk ka dalë para drejtësisë dhe nuk është ndëshkuar ligjërisht, përveçse me akuza të ndërsjellta publike dhe mediatike kundër njëri-tjetrit sa për demagogji mashtrimi dhe justifikimi para opinionit të brëndshëm dhe të jashtëm.

Kjo politikë e shtetit-antishtet nuk është në gjëndje dhe nuk është e mundur kurrë as ta ndëshkojë dhe as ta pastrojë dhe ta dekriminalizojë veten e saj dhe as ta bëjë Reformën në Drejtësi, Reformë e cila do ta mundësonte pastaj dhe reformëm e shtetit duke e çmontuar shtetin paralel, antishtetin, i cili e ka kapur shtetin.

Ky shtet bipolar shtet-antishtet i sfiduar nga antishteti ose nga shteti paralel i korrupsionit e ka falimentuar kështu faktikisht shtetin ligjor dhe të së drejtës duke e nxjerrë në anëkand demokracinë ( shitblerjen e mandatit dhe të votës), ligjin, drejtësinë, pushtetin ( postin, funksionin dhe detyrën shtetërore dhe administrative), pasuritë dhe dinjitetin kombëtar.

Kjo drejtësi e padrejtësisë e ka falimentuar shtetin për qoftë dhe për faktin e vetëm, atë që të gjithë shtetasit shqiptar të cilët kanë paditur shtetin në Gjykatën e Strazburgut i kanë fituar të drejtat e tyre kundër shtetit të së padrejtës, këta dhe ata të tjerët që janë qindra e qindra dhe të tjerë që po adresohen atje në Strazburg, dhe që të gjithë do ta fitojnë të drejtën, mirëpo, këto do të jenë barrë shumë, shumë e rëndë financiare për shtetin dhe taksapaguesit shqiptarë, kosto që mund t’i kushtojë Shqipërisë buxhetin ndoshta të disa dhjetëvjeçarëve, dhe për çudi askush nga gjyqtarët dhe shkaktarët e këtyre skandaleve shtetërore dhe ligjore që përveç këtyre dëmeve të pallogaritshe i kanë prishur edhe imazhin Shqipërisë, dhe askush prej tyre nuk ka marrë dhe nuk mban përgjegjësi deri më sot për këto; për konfliktet dhe të humbjes së mijra jetëve njerëzore nga padrejtësia e shtetit që i ka çuar njerëzit në vetëgjyqësi me njëri-tjetrin kjo drejtësia e këtij antishteti të politikës dhe të pushteteve të korruptuara që edhe e kanë infektuar dhe “edukuar” edhe shoqërinë me korrupsionin si një patjetërshmëri normaliteti social.

Pse ndodh kjo? Kjo ndodh pasi këta lloj individësh që e kanë kapur shtetin për përfitime personale e kane nxjerrë Shqipërinë në ankand, dhe gjithpërfshirja politikë-pushtet-gjyqësor në këtë zallamahi krimi, korrupsioni dhe pse jo edhe tradhëtie gjë e cila ua ka bërë atyre të mundur vetëmbrojtjen dhe paprekshmërinë nga akuza dhe ligji dhe që edhe e kanë mundësuar kështu që të “shfajësojnë” dhe të “justifikojnë” krimin dhe papërgjegjshmërinë kolektive të tyre ndaj qytetarëve dhe shtetit shqiptar. Kur në sistemin politiko-shtetëror instalohet ky lloj tipik i veçantë korrupsioni që ka përfshirë të gjitha sferat shoqërore, politike, ekonomike, juridike sidomos, pasurore private e shtetërore etj., atëhere edhe sovraniteti kombëtar është i kërcënuar.

Shumë shtete të falimentuara nga korrupsioni mbahen falë donacioneve dhe borxheve financiare të shteteve dhe bankave të fuqishme . Mjafton për ta vertetuar këtë me faktin se pa ndihmën, donacionet dhe borxhet gjermane dhe të BE-së Greqia një shtet anëtar i BE do të kishte pasur një falimentim të sigurtë. Kur Greqia rrezikohej nga korrupsioni të falimentonte e që akoma se ka kaluar rrezikun, po Shqipëria që është në krye të listës si vëndi më i kurruptuar dhe më i varfër në Europë dhe që ka rreth 600 mijë emigrantë që jetojnë e punojnë në shtetin grek në fjalë, a nuk është kjo e rrëzikuar nga falimentimi prej korrupsionit, varfërisë dhe papunësisë, dhe se çfarë mund të bëjë dhe a do të mundet të mbijetojë shteti ynë ekonomikisht dhe financiarisht pa dërgesat e emigrantëve, pa donacione dhe pa borxhe, ku akoma shikohet si mundësi shkarkimi pakënaqësish dhe për mundësi punësimi vetëm largimi, emigrimi dhe azili në perëndim akoma edhe sot për shqiptarët. Pra shqiptarët edhe sot largohen nga Shqipëria jo vetëm prej saj por edhe nga Kosova prej të njëjtave shkaqe: nga varfëria, papunësia, nga pasiguria juridike, pasiguria ekonomike dhe stresi të cilat gjenerohen nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e politikës dhe pushtetit.

Nga kjo gjëndje sot dilet vetëm nëqoftëse arrihet të zbatohet dhe të sundojë e të qeverisë ligji i cili çmonton antishtetin politik dhe të korrupsionit institucional dhe mendoj se kemi nevojë për një “Diktaturë” ligjore demokratike e cila përkohësisht nuk është në gjëndje të qeveriset nga politika dhe shoqëria pasi korrupsioni ka bërë hatanë dhe dëmin tashmë sa që ligji dhe drejtësia në Shqipëri është shumë vështirë të vihen në binarët e ndershmërisë dhe të paanshmërisë me këtë politikë të kriminalizuar dhe me këtë gjyqësor të gjithin pothuajse të superkorruptuar.

Këtë “Diktaturë” ligjore, pra drejtësinë duhet ta drejtojnë apo ta mbikqyrin e monitorojnë ndërkombëtarët të paktën për një periudhë kohore pasi po shihet se pa rolin pothuajse vendimtar të tyre as Reforma në Drejtësi dhe as zbatimi i saj nuk mund të kryhen. Reforma në Drejtësi është e domosdoshme dhe është Kryereforma që i paraprin Reformës së ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern demokratk dhe që përshpejton integrimin e shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë. Reforma dhe zbatimi e sundimi i ligjit e çlirojnë shtetin nga antishteti dhe e ndërtojnë dhe e vënë në funksion shtetin ligjor demokratik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat