Dionisi, Euripidi, Nietzsche dhe Tragjedia Greke

Opinione

Dionisi, Euripidi, Nietzsche dhe Tragjedia Greke

Nga: Ilir Muharremi Më: 1 maj 2016 Në ora: 20:54

Ku i ka rrënjët tragjedia? Nietzsche-ja këtë e gjen te kënaqësia, te forca ose shëndeti i harlisur. Mbi fatin tragjik e të kapurit esecnialisht lind kuptimi i kënaqësisë për të, kjo kënaqësi nuk jetohet vetëm identifikohet, dhe kjo nga ky filozof shpërthen nga zemërimi dionisian. Tragjedia Greke për motiv kishte vuajtjen e Dionisit, hero i vetëm ishte Dionisi. Prometeu, Edipi... qen maskat e Dionisit, prapa tyre fshihet ky perëndi, këtë e gjejmë edhe nën maskat e heronjve luftëtarë. Greku jetonte me vullnetin për tragjiken dhe a nuk ishte përplot halucinacione, ekstazë dhe dehje? Si mund të ishte rinia greke pesimiste dhe tragjike? Njeriu në fundësinë e vet në momentin e rënies bëhet më shumë optimistë, sepse pajtohet me fatin e tij tragjik. “Grekët i tërheq aktorllëku dhe më me ashk priren nga logjika dhe logjizimet”, thotë për tragjedinë greke Nietzsche-ja. Nga kjo ata reflektojnë gëzimin dhe shkencën, optimizmin dhe njohjen, por të dyja na shpijnë në krijim. Kur Greku si Epikuri ndjenë optimizmin, me të njëjtën sasi është edhe të përvuajtur.

Drama e Euripidit sipas Nietzsches qe si nën hije, veçanërisht roli i korit. Nëse drama duhet të ketë një zgjidhje, atëherë ku qe kjo te Euripidi? Mund të flasim vetëm për dyshime, dhe qëndrueshmëria ndaj mitit qe e diskutueshme, edhe zbritja e tij poashtu. Euripidi ky shikues pasi ishte njeri, qe i obliguar të rishikonte çdo karakter të fryrë çudibërës, dhe në këto raste njeriu kërkon edhe person tjetër si vetja e tij. Të jetë i kuptueshëm edhe nga ndonjë spektatorë tjetër. Fjala është për vëmendjen e disharmonisë. Ky hero antik atë që u shpjegonte mbi dyshimet e mjeshtërve të mëdhenj të cilët gjithnjë kishin të drejtë, qe i argumentueshëm. Pasi i vërsulej atyre që nuk e kuptonin mirë tragjedinë, ngrihej kundër Eskilit dhe Sofokoliut si dramaturg.

“Kur tregoj të pikëllueshmen, sytë më rrëmbushen, në është e tmerrshme ajo që tregoj, më ngrihen përpjetë leshtë e kokës, zemra më rreh si çekan”. Nuk kemi tretje në epizëm. Euripidi me të drejtë vlerësohet si autor me zemër (kjo sepse e ndjenë dhe përjeton), por është edhe filozof me plane dhe arsye (kështu e kërkon aktrimi dhe skena). E fsheh kthjelltësinë artistike të tij, në dukje vë mjeshtërinë , dhe kjo jep përshtypje reale. Drama e tij është e ngrohtë , por edhe e ftohtë , ai ka ngjitje dhe zbritje. Ai më shumë shërbehet me veten dhe shkëput kontaktet me Dionisin . Çdo mundësi të vjetër e përjashton, por duhet kërkuar atëherë mjete të reja për realizim të veprimit. Të gjitha janë nën fizionominë e reales. Ky helenë u shkëput nga Dionisi dhe Apolloni, veprën e qoj drejtë natyralizmit, dhe nuk do thosha antiartistik siç mendon Nietzsche, sepse në dramën e tij kemi mendim, veprim dhe arsye, kjo sepse mbështete thellë te Sokrati i cili bukurinë e lidh me arsyen, kemi edhe ligj estetikë i cili më shumë fuqizohet në logjikë sesa në vetë materien që e posedon. Euripidi dallon me të tjerët sepse materialin e përpunon. Tek prologu i Euripidit personazhi tregon gjithçka çfarë ka ndodh, çdo të ndodh gjatë dramës, këtu edhe mund të bie interesimi për shikueshmërinë deri në fund të dramës. Si duket këtij mjeshtri kjo nuk ju duk aq e vlefshme për ta mënjanuar heroin kryesor nën skenat madhështore, me pasion e shfaqi në skenë. Patosi qe i nevojshëm të tjerat janë të panevojshme. Shikuesin e pengon mos lidhja e hallkave të ndërmjetme. Por, bukuria mund të shijohet edhe pa vrarë kokën për lidhjen e ngjarjes. Sofokliu dhe Eskili e stërhollëzonin ngjarjen dhe jepnin përshtypje se pamja është e rastësishme. Euripidi vinte re te shikuesi pasojat e tanishme dhe të ndodhura dikur, andaj qe e nevojshme futja e prologut përmes gojës së personazhit (qe i nevojshëm shpjegimi dhe qartësia).

Për ta vërtetuar botën, ai përdori të kaluarën dhe të ardhmen. Te Euripidi kemi njeriun vetjak edhe me pikëpamje vetjake. Ai fillonte çdo gjë me prishje, trazim, më pastaj kërkoj arsyen për të vënë rregull. Këtu edhe kemi Euripidin esëll në prani të vëllezërve të tij të artit të shkruarit. Ai i qorton këta poetë gjysmë të dehur ose të dehur. “Ajo që ka thënë Sofokliu për Eskilin, se ky kurdoherë vepronte drejt, ndoshta, në mënyrë të pavetëdijshme, por me siguri që s’do t’i ketë ardhur për zemër Euripidit”, thotë Nietzsche-ja, për të vazhduar se meqë krijoka në mënyrë të vetvetishme dhe të pavullnetshme, pra spontane, krijon jo atë që duhet. Këtu krijimi na qenka i drejtpërdrejtë me Zotin. Ndonëse edhe nëse krijon në formë të vetëkontrolluar, prapë do të depërtojë një shkendi spontane, e pavullnetshme, ose e vetvetishme. Edhe sipas Platonit braktisja e arsyes dhe aftësia e të krijuarit me të pavetëdijshmen, krijon për poetin (artistin) aftësi. Ndonëse këtu gjejmë pak edhe ngjashmëri me Euripidin estetik dhe Sokratik. E bukura duhet te jetë edhe e vetëdijshme, kjo kredo poetike e tij, përpiqet të jetë gjithëpërfshirëse dhe në luftë me unitetin. Edhe e ndërgjegjmja është e mirë. Prapë kemi mendim të arsyeshëm.

Na del se Sokrati nuk e kuptoj mirë tragjedinë greke, edhe pse sipas Nietzches qe shikuesi i dytë, por në aleancë me Euripidin. Kjo e bëri varin e tragjedisë së vjetër. Nuk arriti ta ringjallë Dionisin. Ose qëllimshëm e anashkaloj për një drejtim të ri artistik. Nëse do të ishte vazhdimësi e Dionisit, do të mbetej shumë nga Dionisi. “Lufta ishte drejtuar kundër Dionizmit”, shkruan Nietzsche. Atëherë, Sokrati ishte kundërshtar i Dionisit, e detyroj t’ia mbathte të fshihet në thellësi të detit. Zhytja e tij në valë mistike dalëngadalë vërshoj dhe ende edhe sot mbetet kult ndonëse misterioz. Ky helen sakrifikoj për hir të së vërtetës dhe qe e duhur aleanca me Sokratin dhe shtrirja e dorës së tij për ndihmë. Ndonëse, Euripidi na dërgonte në grackën e dëshmisë dhe arsyes, më pastaj pëshpëriste revolucionin (përzënien e kultit). Ky sakrifikohej për hir të së vërtetës. A duhej të bënte një gjë të tillë? E ndante njeriun me perëndinë dhe qe e nevojshme e vërteta për largimin e mitit.

Sokrati sipas Nietzsches na del mashtrues i burrave athinas, i mendimtarëve, poetëve, oratorëve sepse kur fliste me ta gjithnjë me besim për dijen e tij. Por cili do mohonte atë që e pohonte? “Di një gjë, që s’di asgjë” kështu shprehej vetë Sokrati. Ai vinte re se burrat e asaj kohe nuk dinin gjëra më elementare, për jetën e tyre, punët i bënin siç thoshte Nietzsche-ja nisur nga instinktet. Këtu pikërisht qëndronte edhe thelbi i Sokratit. “Ngado që hedh sytë, sheh gënjeshtrën e ëndërruar dhe pamjaftueshmëri mendje”, e quante Nietzsche. Veten Sokrati e përjashtonte dhe kërkonte rregullim të gjendjes. Por, ky njeri pati guxim të mohojë thelbin grek te Homeri, Perikliu, Fidia, Dionisi.... Ai po shkatërron botën e asaj kohe, botën për turmën greke të mrekullueshme, kjo botë u përmbysë. Në momente kur Sokrati lëkundej, i drejtohej sëpari brendësisë së tij, pastaj perëndisë. Atëherë, përse kërkonte mohimin e Dionisit? Qëllimi i arratisjes së besimit në turmën, kurse individualiteti mendonte ndryshe. Ky njeri me maskë posedonte aftësi instiktive, mohonte dhe kundërshtonte një njohje plotë të vetëdijshme. Nietzscheja këtu arsyeton forcën e instinktit tek njerëzit produktive ,ngaqë ishte forcë krijuese, ndërsa vetëdija gjithnjë rrënjën e ka te kritika. “Te Sokrati instinkti bëhet kritikuesi, ndërsa vetëdija bëhet krijuesi”. Edhe te Niezsche-ja sikur te Sokrati kemi mohim të perëndisë dhe në momente lëkundjeje në agoni ai kërkon sërish prezencën e Zotit duke klithur: “Jo! Eja përsëri, me të gjitha mundimet e tua! Tek i fundit nga të gjithë të vetmuarit, eja përsëri... Flaka e fundit e zemrës flakëron për ty... Zot i panjohur, dhimbja ime, gëzimi i fundit”. Instinkti i tij e kërkon perëndinë, derisa logjika e dëbon. Mirëpo, nuk e kërkon si besimtar, përulës ndaj tij, por diçka mbi veten e tij, diçka e panjohur. Te Nietzsche-ja sikur te Sokrati nuk shohë njeriun mistik, por jomistik specifik, mistika u filtruar deri në thelb në instinktin e mençurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat